Komunat çalojnë në zbatim të rekomandimeve të Auditorit

Gjatë vitit 2018 është shënuar përparim në zbatimin e rekomandimeve të auditorit të Përgjithshëm dhënë institucioneve. Përderisa në vitin 2017, ishin zbatuar plotësisht 34% të rekomandimeve, në vitin e kaluar niveli i zbatimit të rekomandimeve ka arritur në 39% të tyre.

Në vitin 2018 janë zbatuar plotësisht 438 rekomandime, kurse në vitin 2017 janë zbatuar 395 rekomandime.

Efikasitet më të madh në zbatim të rekomandimeve kishin institucionet e pavarura, të cilat kishin zbatuar plotësisht 65% të rekomandimeve që kanë marrë nga Auditori. Pas tyre janë renditur institucionet qendrore. E institucionet që kishin numrin më të madh të rekomandimeve dhe që kanë zbatuar më se paku janë institucionet të nivelit lokal. Nga 600 rekomandime sa kanë marrë, institucionet e nivelit lokal kanë zbatuar vetëm 188 prej tyre apo 31%.

Sa i përket efikasitetit të zbatimit të rekomandimeve, pothuajse ngjashëm ishin renditur edhe në vitin 2017. Madje, institucionet e nivelit lokal në vitin 2017 kishin arritur t’i zbatonin plotësisht vetëm 25% të rekomandimeve, apo 165 nga 650 rekomandime sa kishin marrë.

Raporti vjetor i auditimit për vitin 2018

Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve është pjesë e procesit të përhershëm të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Vlerësimi se si dhe sa janë zbatuar ato, bëhet për secilën organizatë buxhetore gjatë auditimit të rregullt, dhe rezultatet për vitin paraprak, paraqiten në raportet e auditimit për vitin vijues.

Gjatë auditimit të raporteve financiare në vitin 2018 te institucionet e nivelit qendror janë audituar 21 ministri, Zyra e Kryeministrit, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Te institucionet e pavarura janë përfshirë Kuvendi i Kosovës, Zyra e Presidentit, Universiteti i Prishtinës dhe 28 institucione të tjera. Ndërsa sa i përket institucioneve të nivelit lokal, ZKA ka audituar pasqyrat financiare të 38 komunave të Kosovës.

Auditori i ka dhënë 357 rekomandime për institucionet e nivelit qendror, prej tyre, 144 ose 40% janë zbatuar, 59 ose 17% kanë mbetur pjesërisht të zbatuara, 103 ose 29% nuk janë zbatuar nga këto institucione kurse 51 ose 14% janë mbyllur si të pazbatuara.

Sa i përket institucioneve të pavarura, nga 164 rekomandime në total, 106 ose 65% e tyre janë zbatuar plotësisht, 19 ose 12% janë zbatuar pjesërisht, 22 rekomandime ose 13% nuk janë zbatuar nga institucionet e pavarura kurse 17 ose 10% janë mbyllur si të pa zbatuara.

Më së shumti rekomandime kanë marrë institucionet e nivelit lokal ose 38 komunat e Kosovës. Nga gjithsej 600 rekomandime të Auditorit, ato kanë arritur t’i zbatojnë 188 ose 31% prej tyre, 123 ose 21% e rekomandimeve i kanë zbatuar pjesërisht, 229 rekomandime ose 38% nuk janë zbatuar nga Komunat dhe 60 ose 10% janë mbyllur nga Auditori si rekomandime të pa zbatuara.

 

Auditimet e organizatave buxhetore kanë rezultuar me 85 opinione të pamodifikuara (prej tyre 37 të pamodifikuara dhe 48 të pamodifikuara me theksim të çështjes), si dhe 9 opinione të modifikuara (1 opinion i kualifikuar dhe 8 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes).

Shprehur në përqindje, në 90% të rasteve auditimet në kuptim të raportimit, paraqesin pamje të drejtë dhe të saktë të Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV), dhe në 10% të rasteve, pasqyrat kanë përmbajtur gabime dhe parregullsi materiale.

Sipas Auditorit, në krahasim me vitin paraprak ka një përmirësim, pasi që në vitin 2017, në 17% të Organizatave Buxhetore pasqyrat kanë pasur gabime materiale.

Në bazë të informatave të mbledhura gjatë procesit të auditimit për pasqyrat e buxhetit si dhe nga auditimet individuale, ZKA ka vërejtur se veprimet e ndërmarra nga ana e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe institucioneve tjera, kanë reflektuar me një progres të ultë në zbatimin e rekomandimeve edhe pse krahasuar me vitin e kaluar për nga numri, niveli i tyre ka shënuar rënie.

Nga gjithsej 35 rekomandime të dhëna në Raportin Vjetor të Auditimit në vitin 2017, 5 janë zbatuar plotësisht, 17 ishin në proces të zbatimit dhe 13 të tjera nuk ishin adresuar ende.

Në Raportin Vjetor të Auditimit thuhet se mos zbatimi i rekomandimeve ka ndikuar që dobësitë dhe parregullsitë e caktuara të përsëriten veçanërisht në fushat, si: raportimi i gabueshëm i shpenzimeve në Pasqyrat Financiare Vjetore për shkak të keq klasifikimit dhe shpalosja jo e mjaftueshme e informatave, dobësitë në fushat e qeverisjes që ndërlidhen me vetëvlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, dobësi në procedurat e prokurimit, dobësitë në menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimeve, mungesë të shërbimeve të auditimit të brendshëm për institucionet e vogla të pavarura dhe menaxhim joefikas i burimeve në komuna.

Duke krahasuar me vitin 2016, ZKA ka potencuar se numri total i rekomandimeve të dhëna për vitet 2016/2017, është në rënie, e cila reflektohet sipas nivelit të institucioneve, megjithatë niveli i rekomandimeve të pa zbatuara ende mbetet i lartë.

“Në përgjithësi, organizatat buxhetore nuk ndjekin ndonjë proces formal të monitorimit, vlerësimit apo raportimit mbi shkallën e progresit. Kjo pasqyron mungesën e përgjegjësisë për të siguruar se rekomandimet zbatohen me kohë dhe pengesat për veprim, identifikohen dhe adresohen”, thuhet në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2018.

Në vitin 2019, ZKA ka dërguar tek Organizatat buxhetore “Rregullore të punës për zbatimin e auditimit dhe planeve të veprimit” si dhe formatet e formularëve për planin e veprimit të rekomandimeve dhe monitorimit (progresit) të tyre.

Në raport thuhet se në mënyrë që situata të përmirësohet, nevojitet rritje e përkushtimit dhe llogaridhënies nga personat përgjegjës dhe monitorim i rregullt i zbatimit të rekomandimeve nga të gjitha Organizatat Buxhetore.

Arsyet për zbatim të ulët të rekomandimeve

Mungesa e proceseve formale për monitorimin e mirëfilltë dhe sistematik të planeve të veprimit për zbatim të rekomandimeve, si dhe mungesa e përkushtimit të duhur për trajtimin e tyre, janë ndër shkaktarët kryesorë për nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve sipas ZKA-së.

Një arsye tjetër e radhitur është edhe mungesa e mbikëqyrjes efikase nga ana e Qeverisë dhe organeve mbikëqyrëse.

“Kjo ka ndikuar që organizatat buxhetore të shmangin zbatimin e plotë dhe konsistent të udhëzimeve për menaxhimin financiar, duke bërë që rekomandimet të përsëriten”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, për të rritur nivelin e zbatimit të rekomandimeve, nevojiten masa shtesë nga ana e Qeverisë ndaj OB-ve dhe forcimi i masave të llogaridhënies ndaj Kuvendit të Kosovës.

Auditori i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të siguroj që plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve i përgatitur nga Qeveria, është shqyrtuar. Po ashtu, të përcaktoj saktë veprimet, afatet kohore dhe personat përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve dhe monitorimin e tyre. Po ashtu, të siguroj që të paktën një herë në vit të shqyrtoj progresin e arritur për rekomandimet e dhëna.

Ndërsa rekomandimi i Auditorit për Kuvendet e komunave është që kryetarët e komunave t’i diskutojnë në baza të rregullta raportet e menaxherëve përgjegjës për zbatimin e planeve të veprimit, dhe së paku dy herë në vit, të raportojnë në Kuvendin Komunal lidhur me progresin dhe sfidat në këtë fushë.

Kallxo.com vazhdimisht ka shkruar për gjetjet e Auditorit nëpër institucioneve të Kosovës. Më poshtë mund të gjeni disa prej artikujve.

Çalimet e Komunës së Mitrovicës në punësim dhe prokurim

‘Varg’ shkeljesh në prokurimin e Komunës së Malishevës

Komuna paguan 36 mijë euro për punët e pakryera

Malisheva me 65 të punësuar me kontrata mbi vepër

Për komunën e Ferizajt, raportet e Auditorit vetëm shkronja në letër

Komuna e Prizrenit adreson plotësisht vetëm 18% të rekomandimeve të Auditorit

Komuna paguan 5,700 euro për kaldanë që nuk u vendos në shkollë

Auditori gjen punësime pa konkurs nga Komuna e Prishtinës

Dyshime për ‘avullim’ të parave publike, Auditori gjen se nuk u zbatuan kontratat

Raporti skandaloz i Postës së drejtuar nga Sejdi Hoxha i PDK-së

Telekomi injoron auditorin, asnjë rekomandim i zbatuar nga viti 2017

5,320 euro pagesa të dyshimta, universiteti thotë se auditori keqinterpretoi rregulloren

Çalimet e Ministrisë së Mbrojtjes në prokurim

Telashet katër vjeçare të Podujevës me zbatimin e rekomandimeve

Ilaçi i ministrisë së Shëndetësisë për rekomandimet e Auditorit

Parregullsi në blerjen e laptopit për Besim Beqajn

Gjilani me 119 punëtorë me kontrata mbi vepër