Komuna nënshkruan kontratë me biznesin pas përfundimit të punëve

Komuna e Obiliqit ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 31 mijë euro pas përfundimit të punëve të parapara në të njëjtën kontratë. Kjo gjetje është pjesë e raportit të Auditimit të Pasqyrave Financiare të Obiliqit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018 që është bërë nga Zyra Kombëtare të Auditimit.

Komuna kishte lidhur aneks kontratë për projektin “Ndërtimi i urës në Fshatin Plemetin”, në vlerë 31,200 mijë euro pas përfundimit të punëve për të njëjtin projekt.

Këto punë, sipas dokumentacionit nuk ishin të parashikuara, mirëpo të domosdoshme për realizimin e projektit.

Punët kishin qenë të aprovuara nga menaxherët e kontratës, dhe për to ishte marrë oferta më e lirë.

“Sipas komunës, aneks kontrata nuk kishte mundur të lidhet me kohë për shkak të mungesës së mjeteve të buxhetuara”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit, kryerja e punëve shtesë para aneks kontratës, mund të ndikoj në kosto shtesë, apo të mos merr vlerën për paratë e shpenzuara.

Po ashtu theksohet se në rast se pala nuk kompensohet me kohë, vjen deri te penalizimet nga ana e Operatorit Ekonomik.

“Kryetari duhet të sigurojë mjetet e nevojshme për realizimin e projekteve, në anën tjetër të sigurojë se punëve shtesë iu paraprinë aneks kontrata që përcakton saktë kushtet dhe çmimet e punëve apo shërbimit të përfituar”, thuhet në rekomandimin e raportit të auditimit.

Auditori kishte gjetur se dy projekte kanë ngecur për shkak të planifikimit jo të mirë. Projektet në vlerë prej 140 mijë euro kishin dështuar të realizoheshin në tërësi për shkak se fillimisht nuk ishin planifikuar problemet pronësore dhe pengesat e tjera.

Sipas kontratës, për projektin “Rregullimi i rrugëve me kubëza – Murat Krasniqi, Presheva, Naser Kastrati, Kongresi i Manastirit, 11 Qershori” ishin paraparë që të shtrohen me kubëza 5 rrugë, në vlerë 85,635 mijë euro. Gjatë ekzekutimit të saj për 3 rrugë banorët nuk kishin lejuar kryerjen e punimeve pasi që në projekt nuk ishte paraparë realizimi i kanalizimit fekal.

Komuna me pëlqimin e operatorit ekonomik kishte bërë ndërprerjen e kontratës dhe kontrata ishte realizuar vetëm për dy rrugë. Shkak i kësaj ishte ekzistimi i kanalizimit të vjetër, por i cili nuk i përmbushte nevojat e qytetarëve.

Në rastin tjetër, kontrata “Rregullimi i kanalizimit fekal pjesa e parë” në vlerë 55,366 mijë euro ishte paraparë rregullimi i kanalizimit për 11 vende, mirëpo në dy prej tyre nuk ishte realizuar për shkak të problemeve pronësore dhe se banorët kanë kërkuar që ujërat atmosferike të futen në gypa.

Sipas Auditorit, nënshkrimi i kontratave pa planifikim të duhur dhe pa zgjidhur çështjet pronësore shkakton barrë për buxhetin e vitit vijues. Po ashtu në raport thuhet se mbi të gjitha dëmton perceptimin e qytetarëve ndaj e komunës.

“Kryetari të siguroj se para fillimit të procedurave të janë planifikuar projektet në tërësi, të zgjidhen të gjitha çështjet pronësore, në mënyrë që të mos ketë ngecje të projekteve dhe të pa realizuara”, thuhet në rekomandim.

Borxhi në rritje ndaj Komunës

Gjatë testimit të 24 mostrave për Tatimin në pronë, Auditori ka gjetur se borxhi i tatimpaguesve ishte 106,961 mijë euro. Sipas komunës edhe pse në vitin 2018 kishin lëshuar vërejtje dhe janë përgjigjur disa qytetarë, përsëri ky borxh nuk po mund të arkëtohet në shkallë të kënaqshme.

Tek dy mostrat e testuara për qiratë e lokaleve, borxhi ishte 3,104 euro, edhe pse shfrytëzuesit e lokaleve nuk e kishin kryer obligimin atyre iu kishte dhënë përsëri kontrata e qirasë.

“Sipas zyrtarëve qiramarrësit kishin paguar një shumë të mjeteve para marrjes së lokalit me qira dhe ishin zotuar për pagesa tjera, gjë që nuk ka ndodhur”, thuhet në raport.

Te mostra e testuar për shfrytëzimin e hapësirës komunale, edhe pse borxhi total i shfrytëzuesit ishte 4,320 euro, i njëjti vazhdon të shfrytëzojë këtë pronë pa kryer asnjë obligim. Komuna i kishte dërguar një vërejtje por ai nuk iu kishte përgjigjur.

Nga 510 biznese borxhi total ishte 101,990 mijë euro dhe i njëjti ishte rritur për 23,845 mijë euro krahasuar me vitin e kaluar. Komuna gjatë vitit 2018 kishte lëshuar vërejtje ndaj subjekteve afariste të cilat nuk iu kishin përgjigjur borxhit, por kjo nuk kishte dhënë rezultat. Po ashtu sipas komunës në listë figurojnë edhe bizneset të cilat nuk ekzistojnë më, mirëpo pronarët nuk e informojnë komunën për biznesin joaktiv.

Prej shitjes së banesave në vitin 2015, Komuna nuk ka arritur të inkasojë të hyra, borxhi total është 72,352 mijë euro. Shkak i kësaj është pamundësia e blerësve që të bartin pronësinë tek ta. Komuna ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këta borxhlinj.

“Kryetari, duhet të siguroj që po shqyrtohen në mënyrë aktive të gjitha opsionet e mundshme, duke vendosur politika dhe rregullore me qëllim të rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të arkëtueshmeve. Duhet shqyrtuar të gjitha masat në pajtim me ligjin, ndaj operatorëve të cilët nuk i përmbushin obligimet. Po ashtu komuna duhet të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të një softueri për menaxhimin e tyre”, theksohet në raportin e auditimit.

Mos aplikimi i librit ndërtimor  

Sipas Ligjit për Ndërtim, kontraktuesi në vend ndërtim duhet të ketë ditarin dhe librin ndërtimor. Por sipas Auditorit, në të gjitha projektet e realizuara është vërejtur se është mbajtur vetëm ditari e jo libri ndërtimor.

Sipas Drejtorit për Infrastrukturë Lokale menaxheret e projektit nuk e kanë kërkuar librin ndërtimor por vetëm ditarin për arsye se ata kanë raportuar direkt tek drejtori dhe kryetari dhe e kishin anashkaluar këtë kërkesë ligjore.

Në raport thuhet se mos aplikimi i librit ndërtimor rrit rrezikun e mos transparencës së nevojshme lidhur me realizimin e projektit sipas planifikimit, ngase ai duhet të jetë në vend punishte në rast te inspektimit të projektit për mbarëvajtjen e tij.

“Kryetari të sigurojë se menaxheret e projektit kërkojnë nga kontraktuesit aplikimin e librit ndërtimor, si mjet për ndërtim dhe zhvillim të projektit”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.