Komuna e Lipjanit - Foto: Facebook / Komuna e Lipjanit

Komuna e Lipjanit ka nënshkruar 33 kontrata që nuk ishin pjesë e planifikimit të prokurimit

Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2021, kishte zhvilluar procedura të prokurimit jashtë planit të prokurimit dhe pa njoftim.

Sipas raportit të Auditorit Komuna e Lipjanit për vitin 2021 kishte nënshkruar 33 kontrata për punë, shërbime, furnizime, të cilat nuk ishin pjesë e planifikimit të prokurimit.

“Për këto Komuna nuk kishte dërguar në AQP një kopje të deklaratës përkatëse të nevojave dhe vendosmërisë për disponueshmërinë e Fondeve së paku pesë ditë para se Zyrtari Autorizues të autorizojë Zyrtarin e Prokurimit për inicimin e aktivitetit përkatës të prokurimit”, thuhet në raportin e auditorit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Lipjanit për vitin 2021.

Sipas raportit njoftimet nuk janë dërguar në AQP me arsyetimin e mungesës së stafit të krijuar nga situata pandemike me Covid-19.

Auditori njofton se tenderimet jashtë planit të prokurimit pasqyrojnë mungesë të vlerësimit të nevojave dhe planifikim të dobët të kërkesave.

Ky raport jep rekomandim që kryetari duhet të sigurojë se do të merr masat e nevojshme që planifikimi i aktiviteteve të prokurimit do të përfshijë kërkesat nga të gjitha njësitë në mënyrë që sa më pak aktivitete të realizohen jashtë planit të prokurimit.

“Nëse ndodh ndonjë aktivitet jashtë planit, paraprakisht duhet të njoftohet AQP konform kërkesave ligjore”, thuhet në raport me të cilin është pajtuar komuna.

Auditori: Komuna e Lipjanit përzgjodhi Operator Ekonomik të pa përgjegjshëm në dy tenderë