Kineastë e skenarist, pro e kundër projektligjit për Kinematografinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka publikuar dhe hapur për diskutim publik Projektligjin e ri për Kinematografinë.

Ky projektligji ka dallime nga ligji aktual për këtë fushë, e që ka ngritur debat në mes të Ministrisë dhe filmbërësve.

Kineastë kosovarë e njohës të fushës së filmit, kanë komentuar projektligjin e ri për kinematografinë, duke e konsideruar të mangët.

Mangësitë e projektligjit

Flutra Zymi aktore dhe regjisore, dhe aktiviste nga OJQ “Qytetarët aktivë”, ka thënë për KALLXO.com se e vetmja e mirë e këtij ligji është iniciativa për të hartuar një ligj të ri.

Ajo e ka akuzuar MKRS se ka bërë selektime, duke lënë jashtë konsultimeve për këtë projektligj shumë kineastë dhe shoqatat kryesore të filmit.

Sipas saj, projektligji i ri për kinematografinë është gjysmak pasi në të shumtën e neneve nuk ka saktësi, por pothuajse gati çdo nen do të specifikohet me një akt nën-ligjor.

Ajo ka vërejtje edhe sa i përket propozimit që filmi të shpallet interes publik i rëndësisë së veçantë.

“Ministria e Kulturës nuk paraqet kriteret që një fushë të kulturës të konsiderohet si veprimtari e interesit publik e rëndësisë së veçantë. Ministria se pari do duhet të hartojë kritere për të gjitha veprimtaritë në kulturë dhe sport, e pastaj në bazë të atyre kritereve të përmbushura të shpallen fushat që konsiderohen si fushë e interesit të veçantë, në këtë rast të kinematografisë”, ka thënë ajo.

Zymi thotë se edhe mënyra se si parashihet zgjedhja e drejtorit të Qendrës Kinematografike me këtë projektligj, rrit rrezikun për ndërhyrje politike.

Edhe regjisori Jeton Ahmetaj, profesor në Fakultetin e Arteve në UP, po pretendon se projektligji ka mangësi dhe amniston parregullsitë e deri tashme, sa i përket shpërndarjes së fondit publik për filmin.

“Është më i keq se ligji aktual. Janë vërejtur ndërhyrje të asaj natyre që përligjin shkeljet e deritanishme. Ajo që vërehet qartë kur e lexoni projektligjin, shihet se individë të caktuar brenda për brenda grupit punues, janë munduar të kontrabandojnë nene të cilat i favorizojnë ata në të ardhmen dhe në këtë mënyrë ju krijojnë favore, derisa ligji duhet të garantojë barazi për të gjithë”, ka thënë Ahmetaj.

Ai është shprehur se financimi i serialeve nuk duhet të përfshihet në këtë ligj.

Të mirat e projektligjit dhe përgjegjësia e RTK-së

Por, skenaristi Arian Krasniqi thotë se draftligji për Kinematografinë është më i avancuar se sa ligji aktual.

Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se e mira e projektligjit është se e ngrit kufirin e mbështetjes financiare për projektet filmike, deri ne 80 për qind për filma të gjatë dhe deri në 100 për qind për filma të shkurtër.

E mirë e këtij ligji sipas Krasniqi, është propozimi për e shpalljen e filmit me interes nacional, dhe stimulon financiarisht të suksesshmit ndërkombëtarisht.

Ai thotë se do të ishte mirë që me ligjin, buxheti shtetëror për kinematografi të precizohej një shifër e caktuar e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës.

“Mendoj se në Ligj do të duhej të përmendej edhe obligimi që do të mund të kishte RTK-ja, si transmetues publik, në mbështetjen dhe promovimin e filmave vendor. Po ashtu, mendoj se përveç përgjegjësive si arkiv i filmit “Kosova Filmit” do të duhej t’i jepeshin edhe kompetenca për dokumentim, hulumtim dhe studim të filmit, përkatësisht të një lloj Instituti të Filmit”, ka thënë skenaristi Krasniqi.

Ndërkaq, Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se vërejtjet e bëra nga komuniteti, do të merren parasysh nga hartuesit e projektligjit.

“Ju informojmë se pas mbylljes se afatit të konsultimeve publike, grupi punues për hartimin e Ligjit të Kinematografisë do të trajtojë të gjitha komentet dhe do t’i adresojë”, ka thënë ajo.

MKRS nuk ka treguar përbërjen e grupit punues për Projektligjin e ri për Kinematografinë.

Projektligji, ndryshimet nga ligji aktual

Projektligji i ri për kinematografinë parasheh benificione dhe lehtësira për kineastët. Me këtë rritet kuota e financimit publik të projekteve filmike, nga 51 %, që është me ligjin aktual, në 80% me projektligjin e ri (neni 16) te veprat filmike dhe audiovizuele të metrazhit të gjatë.

Po ashtu parashihet që filmat e regjisorëve debutant, të financohen deri në 100 %.

Ndërkaq, sipas projektligjit të ri, drejtori i QKK-së emërohet nga Qeveria e Kosovës, e jo nga ministri Kulturës, siç është me ligjit aktual.

“Kosova Filmi” bëhet pjesë e QKK-së, ndërsa do të lejohet edhe financimi i veprave audovizive dhe filmi propozohet të shpallet veprimtari e interesit të veçantë publik. Gjithashtu me këtë projektligj (neni 32) propozohet që edhe kinematë që janë nën menaxhim të AKP-së, të shpallen objekte të interesit të veçantë publik.

Një tjetër risi e këtij projektligji është edhe testi i kulturës, (neni 3, poika1.22).

Po ashtu për dallim nga ligji aktual, obligon emërimin e të huajve në jurinë e QKK-së për përzgjedhjen e projekteve fituese (neni 20, pika3).

Me projektligjin e ri parashihet edhe subvencionimi i filmave përmes rabatit (neni 27).

Të drejtë për rabat, sipas projektligjit (neni 28) kanë vetëm prodhuesit e veprave filmike apo audiovizuele të dedikuara për shfaqje publike.

Neni 35, i projektligjit të ri parasheh shpërblimet financiare për filmbërësit që arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare, gjë që nuk është në ligjin aktual.

Ligji aktual për Kinematografinë është miratuar në 2004, daton pra nga koha e UNMIK-ut. Draftimi i këtij ligji ka nisur vite më parë. Por, deri më sot kanë dështuar përpjekjet për bërjen e një ligji të ri. Përpjekja e fundit për ndryshimin e tij, ka dështuar në vitin 2016.