Foto: KPMShCK

Këta janë kandidatët për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës

Lista me gjashtë kandidatët më të suksesshëm për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) janë dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për të zgjedhur vetëm tre anëtarë, të cilët do të mbushin boshllëkun që është lënë që nga dhjetori i vitit 2018 në Këshill.

Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të KPMShCK-së është udhëhequr nga Kuvendi, ndërsa ata janë asistuar nga BDO-ja, kompani e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i asistuar Kuvendit dhe Qeverisë për përzgjedhjen e personave nëpër pozita të larta drejtuese.

Sipas Komisionit vendor, kandidati më i vlerësuar është Shkëmb Manaj me 30.8 pikë. Manaj ka dalë i pari edhe në listën e britanikëve, por sipas tyre ai ka marrë 25.5 pikë.

I dyti në listën e vendorëve është radhitur Ramadan H. Gashi, me 30 pikë. I njëjti ka hyrë edhe në listën e më të vlerësuarve edhe te britanikët, por te ta është radhitur i pesti me 19 pikë.

Kandidati i tretë më i vlerësuar sipas Komisionit vendor është Faruk Rexhaj. Ai ka marrë 29.3 pikë nga deputetët. Rexhaj sipas britanikëve është radhitur një pozitë më poshtë se te vendorët. Ai nga britanikët është vlerësuar me 20.5 pikë duke bërë që të radhitet në pozitën e katërt.

Pozitën e katërt në listën e vendorëve e ndajnë dy kandidatë të cilët janë vlerësuar me pikë të njëjta nga Komisioni vendor. Lulzim Aliaj dhe Mërgim Himaj kanë grumbulluar nga 28 pikë secili.

Për dallim nga Komisioni vendor, Lulzim Aliaj tek britanikët radhitet i dyti në listë pas Shkëmb Manajt. Kompania britanike e ka vlerësuar Aliajn me 23 pikë. Pas Aliajt, në pozitën e katërt, britanikët kanë radhitur kandidatin Mërgim Himaj, i cili është vlerësuar me 22 pikë.

Listën prej gjashtë kandidatëve e ka përmbyllur kandidatja Zyle Millaku – Gojnovci. Millaku – Gojnovci është vlerësuar me 25.8 pikë nga Komisioni vendor.

Sipas britanikëve, Millaku – Gojnovci nuk i ka arritur pikët e mjaftueshme për të qenë e emërueshme në pozitën për të cilën ka konkurruar.

Sipas vlerësimit të Komisionit vendor në Kuvendin e Kosovës do të shkojnë gjashtë kandidatë prej të cilëve tre më të votuarit nga deputetet e Kuvendit të Kosovës do të emërohen si anëtarë të KPMShCK-së.

Lista e britanikëve përmban vetëm pesë kandidatë për shkak se sipas tyre vetëm këta pesë kandidatë janë të emërueshëm për pozitën anëtar i KPMShCK-së.

Komisioni vendor ishte në përbërje të tetë deputetëve, Lirije Kajtazi (LDK), si kryetare e Komisionit, Rasim Selmanaj (AAK), Albert Kinolli (6+), Valon Ramadani (VV), Armend Zemaj (LDK), Shqipe Pantina (PSD), Xhevahire Izmaku (PDK), Safete Hadërgjonaj (PDK).

Në këtë Komision ishte paraparë të ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sali Zyba, por për shkak të vonesës së tij në intervistën e kandidatit të parë, ai nuk ka qenë pjesë e vlerësimit as te kandidatët e tjerë. Por Zyba gjatë gjithë procesit ka qenë i pranishëm si monitorues.

Intervistat me 9 kandidatët e listës së ngushtë janë zhvilluar më 2 dhe 3 prill. Në ditën e parë janë intervistuar tre kandidatë kurse në ditën e dytë gjashtë të tjerë.

Kush janë kandidatët për anëtarë të Këshillit?

Shkëmb Manaj që nga viti 2013 deri sa i ka përfunduar mandati, në dhjetor të vitit 2018 ka qenë anëtar i KPMShC-së. Ai e ka filluar karrierën në shërbimin civil në tetor të vitit 2007 në Ministrinë e Administratës Publike, respektivisht në Departamentin e Administrimit të Shërbimit Civil në pozitën e Zyrtarit të Lartë për Menaxhimin dhe Koordinimin e Reformës se Administratës publike në Kosovë. Në shkurt të vitit 2009 është zgjedhur Drejtor i Departamentit të Administratës Qendrore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nga tetori i vitit 2010 e deri në janar 2011 e ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së. Duke pas për bazë, kualitetet profesionale, në nëntor të vitit 2012, Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, e transferoj nga pozita e  Drejtorit të Departamentit të Administratës Qendrore në pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pozitë të cilën e ushtron deri me datën 13.12.2013, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votim të fshehtë e zgjedhë Anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Njëjtë si Manaj, anëtar i këtij Këshilli ka qenë edhe Lulzim Aliaj deri në fund të vitit 2018. Lulzim Aliaj më herët ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit KPMShCK-së.

Ramadan H. Gashi ka qenë kryetar i Komunës së Skenderajt nga viti 2004 deri në vitin 2007. Pas mandatit si kryetar, Gashi është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së nga vit 2007 deri në vitin 2010.

Gashi ka mbajtur edhe pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë. Ai ishte emëruar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi më 18 maj të vitit 2012. Por vetëm disa ditë pas emërimit, Gashi është shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit në Ministrinë e Drejtësisë, më 14 qershor 2012.

Ai ishte shkarkuar për shkak të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ramadan Gashi gjatë kohës sa kishte mbajtur postin e kryetarit të Skenderajt dyshohej se kishte dëmtuar pronën komunale, duke u krijuar përfitim material disa personave dhe kompanive.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur me 6 qershor 2011.

Sipas aktakuzës, ai akuzohej se keqpërdori pozitën e tij, kur një rast favorizoi kompaninë “R&Rukolli” që ndërtoi sheshin Adem Jashari në Skenderaj, duke i dhënë në pronësi pronën prej 254 mijë eurosh, si kompensim për punët shtesë pa kontratë.

Në një rast tjetër, ai dyshohej se u “dhuroi” në shfrytëzim të përhershëm, në mënyrë të paligjshme, 49 ari tokë të komunës dy personave.

Përderisa ende Gjykata nuk kishte vendosur për akuzat të cilat ishin ngritur ndaj tij, në vitin 2013, Gashi ishte zgjedhur drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Dy vite më vonë, në qershor të vitit 2015, Gjykata Themelore e Mitrovicë e ka shpallur të pafajshëm Gashin duke e liruar nga të gjitha akuzat të cilat rëndonin mbi të.

Kandidati tjetër për anëtar të KPMShCK-së, Faruk Rexhaj, ka mbajtur pozitën e drejtorit të prokurimit në Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM). Kurse Mërgim Himaj ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ndërsa Zyle Millaku – Gojnovci,  e cila është juriste e diplomuar, është duke punuar si bashkëpunëtore profesionale në KPMShCK.