Kërkohet kujdes i shtuar ndaj prezencës së grupeve të ekstremit të djathtë
Grupe nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë defilojnë në fund të qershorit në afërsi të Obiliqit në ceremoninë për shënimin e ‘Betejës së Kosovës’.
28 qershori shënohet si dita e Betejës së Kosovës një ngjarje që kujton një betejë të vitit 1389 ku luftuan forcat ballkanike dhe forcat e Perandorisë Osmane.
Mite të shumta janë ndërtuar mbi këtë betejë ndërsa një varg i organizatave të ekstremit të djathë në Serbi e mbajnë këtë betejë si motivimin kryesor ideologjik të tyre.
Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës institucionet e sigurisë patën probleme për të menaxhuar turmat e grupeve ndërsa organizimi i fundit u kritikua sidomos për sjelljen e disa policëve në terren të cilët nuk reaguan për të ndalur disa incidente që ndodhën.
Një politikan lokal serb u sulmua nga një kameraman ndërsa një person i veshur me bluza me flamuj të Shqipërisë provokoi turmën e mbledhur.
Politikani serb Aleksandar Arsenijeviq publikoi disa pamje në të cilat pretendonte se ai po sulmohej nga një person, i cili mbante një kamerë në dorë e që rezultoi se punonte në një media online në Kosovë.
Arsenijeviq, një politikan serb njihet edhe për provokimet e tij karshi policisë në raste të ndryshme, e në atë ditë kërkonte nga zyrtarët policor të ndërmerrnin masa ndaj sulmuesit të tij.
Pamjet që shfaqi ai në rrjete sociale tregonin se ai u sulmua ndërsa policët shikonin pa ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm, e madje duke konstatuar se ai nuk u sulmua dhe për çdo fakt për këtë çështje të shkonte në stacion të policisë për të raportuar rastin.
Ndonëse të thirrur për të vepruar në raste të tilla ishin vënë pikërisht aty në bazë të një plani operativ, policët vazhdonin t’i mohonin sulmin Arsenijeviqit.
Veprime të tilla policore u kritikuan nga ata që drejtuan në të kaluarën Policinë e Kosovës por edhe ishin pjesë e këtij institucioni të sigurisë.
“Çështja e festimeve në Gazimestan ka qenë problematike që nga lufta e këtej dhe çdo herë është shfrytëzuar ky manifestim që disa individë të caktuar të shprehin dhe provokojnë situatën. Mirëpo në të kaluarën ka pasur incidente shumë serioze nga persona që kanë ardhur me mision për të shkaktuar incidente dhe më pas për të fajësuar Policinë e Kosovës”- thotë Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës.
“Në rastin konkret ne po e kemi veç një pjesë të incizimit, ai personi provokohet sepse po shihet duke u kthy por për mua është e rëndësishme vetëm sjellja e policit veprimi i këtij polici është jo profesional, nuk ki nevojë se ti je polic i Republikës së Kosovës me i thanë dikujt këtu është Republika e Kosovës”- thotë Qalaj tutje deri sa shton se në raste të tilla policët duhet të punojnë që të tregojnë se në Kosovë rastet trajtohen mirë dhe me standarde.
Qalaj si ish-drejtues i Policisë thotë se në momentin që është vërejt kjo situatë, polici do duhej të suspendohej dhe të largohej nga operacioni për mbikëqyrjen dhe ofrimin e rendit e sigurisë gjatë festës së ‘Vidovdanit’.
Eksperti i fushës së terrorizmit në Kosovë dhe autori i hulumtimeve për grupet e ekstremit të djathë në Kosovë, Kreshnik Gashi kritikon policinë për sjelljen gjatë këtij manifestimi.
“Në terme operacionale, po shihet se Policisë së Kosovës nuk i ka interesu me nxënë një person që ka dhunu një qytetar të Republikës së Kosovës para syve të tyre, po i shohim dy vetura të policisë, po i shohim zyrtarët policorë, e kemi një polic tjetër që thjesht injoron dhe konstaton që ka sulm dhe nuk e ekzaminon situatën, polici nuk guxon m`i thënë njeriut nuk pati sulm por duhet me ekzaminu situatën dhe pastaj me trajtu. Sjellja e policit në trajtimin e këtij rasti është jashtë çdo standardi”- thotë Gashi.
E për këtë çështje, drejtori i Drejtorisë për Hetime të Brendshme në Policinë e Kosovës, Akrem Racaj tha se janë ndërmarrë veprime sepse është iniciuar rasti për personin që shihet në pamje duke sulmuar.
“Veprimet policore janë ndërmarrë po atë ditë. Videoincizimet të cilat janë siguruar janë dërgu te prokurori përkatës i cili ka marrë vendim për me procedu si rast ka mbet në procedurë të rregullt. Policët kanë marrë informacione dhe i kanë bartë informacionet tek autoritetet përkatëse të cilat duhet paraprakisht me u konsultu para se të hapet rasti”- thotë i pari i Drejtorisë për Hetime të Brendshme në Policinë e Kosovës, Akrem Racaj.
Kanë kaluar java dhe ndaj zyrtarit policor nuk është ndërmarrë asnjë masë kjo pasi që rasti ende është duke u verifikuar e trajtuar nga organet e Inspektoratit Policor të Kosovës por edhe nga vetë Policia e Kosovës.
“Rasti është dashur që të hapet aty sepse ka ndodh një sulm dhe policia është dashtë me arrestu personin aty”- i drejtohet Gashi, shefit të hetimeve të brendshme Racajt e që ky i fundit i përgjigjet se “është vlerësuar situata sepse ka qenë plan operativ dhe tani janë hetimet që janë në proces dhe janë organet që do të vlerësojnë situatën”.
Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, tani avokat, Halit Shaljani thotë se policët kanë edhe problematike çështjen e të shprehurit.
“Ajo është një shkelje e cila mendoj që mundet me ju shqiptu për shkak të shprehjeve”- thotë Shaljani.
E në anën tjetër, Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tregon se mungesa e trajtimit të mirëfilltë të rasteve vë në pah edhe mos- dijeninë e zyrtarëve policorë për trajtuar grupe të cilat i përkasin frymave ekstreme.
“Kjo kallxon që ata njerëz nuk dijnë me trajtu festën e Vidovdanit. Vidovdani është shpërfaqje e grupeve ma esktreme të djathta që vijnë nga Serbia në Kosovë dhe nëse policët nuk janë të trajnum me ditë qysh mi pritë ata gjithmonë kanë me ra pre e provokimeve të tyre. Problemi është që një video e tillë përdoret me i radikalizu të tjerët në të ardhmen, me kallxu qe çka ju ndodh serbëve qe qysh trajtohen ndryshe, sepse nuk është e rastësishme që është xhiru kjo situatë”- shpjegon Gashi.
E Qalaj thotë se pamje të tilla përdoren zakonisht në këshill të sigurisë për t`u viktimizuar dhe për të ndikuar në raport ndërkombëtar e që nuk jep shembull të mirë.
“Po flasim për një incizim që do të shfaqet në Këshill të Sigurimit, nuk ka të drejtë asnjë individ në këtë vend mos me i kry obligimet që ka, obligimi i zotërisë ka qenë me trajtu si duhet ankesën me parandalu dhe me arrestu edhe provokuesin nëse ka pas nevojë”- thotë Qalaj.
Përveç veprimeve si “kapadai” të zyrtarit policor të cilat i kritikoi Qalaj, një tjetër çështje e cila krijoi debat ishte sekuestrimi i fanellave të atyre që shkuan në festimet e Vidovdanit.
Pamje të cilat janë publikuar edhe nga KALLXO.com tregonin se zyrtarët policorë, në hyrje të hapësirës ku është i vendosur monumenti në Gazimestan detyrojnë persona të shumtë të zhvishen për shkak se në bluzat e tyre u panë simbole që konsideroheshin nacionaliste.
Por ajo që vërehet është se bluzat nuk u futën brenda qeseve për t`u verifikuar dhe ekzaminuar por të njëjtat u hodhën në bërllok.
Qalaj thotë se edhe në të kaluarën ka pasur raste kur është dhënë urdhri që fanellat apo bluzat me simbole nacionaliste të hiqen por që rastet janë trajtuar me kohë dhe ka pasur dhe inicime të procedurave penale për personat e tillë.
“Edhe në të kaluarën ka pasur raste kam dhënë urdhër që me jua heq maicat atyre që kanë shenja dhe simbole nacionaliste dhe i kemi heq po ka qenë veprim legjitim, por nuk mundesh tash për mosveprim të këtij kapadaiut këtu me e dëmtu krejt operacionin”- shtoi Qalaj.
Ai foli për rastin kur në Gazimestan u pa një person me bluzë të kuqe me simbole shqiptare e me motoçikletë deri sa hynte në rrugën që shpie për në Gazimestan.
Racaj nga Policia e Kosovës tregoi procedurat që ndjekin për të konfiskuar fanellat e atyre që u zhvishen gjatë kontrolleve në hyrje të Gazimestanit.
“Policët veprojnë në bazë të autorizimeve policore dhe ligjore mbi bazën e asaj që ndonjë pamflet apo diçka tjetër mund të paraqes, nxitje të urrejtjes, durimit në këto raste mjetet, fanellat konfiskohen dhe analizohet dhe veprimet dhe procedohen tutje, nëse vlerësohet që hyjnë në kuadër të urrejtjes shkojnë në raste penale”- thotë Racaj.
Kreshnik Gashi thotë se procedura ligjore ekziston por që e njëjta nuk përfillet për shkak se policët nuk sekuestrojnë mjetet dhe i dërgojnë në ekzaminim e edhe hapin raste penale.
“Momentit kur dikujt i hiqet maica atij duhet me ju hap rast penal, bluza nuk guxon m`u gjuajt, m`u djegë, m`u hedh, duhet me u trajtu si provë, ajo çka kemi pa nga policët t`u i zhveshë është në kundërshtim me parimet e Kodit të Procedurës Penale, nuk mundet me jua heq kurrkush kurrkujt bluzat pa qenë në procedurë penale, pa marrë parasysh çka kam në të, nëse kam diçka që cilësohet nxitje duhet me nisë procedura”- thotë Gashi.
Sipas Gashit qytetarët kanë të drejtë që në rast se nuk ka prova që ka pasur nxitje të urrejtjes të kërkojnë rikthimin e fanellave apo bluzave e që ngriti pikëpyetjen se nëse policët i kanë hedhur ato ku do i gjejnë për t`ua kthyer.
“Policia e Kosovës nuk është sherif nuk ka autorizimin e mbretit apo të gjykatës supreme, duhet me u ndjek procedurat qysh kanë me mbërri me jua kthy njerëzve bluzat që nuk kanë pasur nxitje të urrejtjes. Nuk janë nisë procedurat sepse nuk kemi pa që atyre njerëzve ju kanë marrë të dhënat, adresat apo nuk ju është dhënë e drejta me pa autorizimin për sekuestrim të atyre fanellave”- tregon tutje Gashi.
Qalaj thotë se çështja e konfiskimit të fanellave nuk është patriotike por ligjore, por për çdo rast duhet të ketë elemente të cilat vërtetohen se ka nxitje të urrejtjes apo thirrje nacionaliste të cilat janë të dënueshme.
“Duhet të jemi të kujdesshëm për çdo veprim të mbulohesh me letra në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thotë Qalaj.
Akrem Racaj thotë se çdo veprim do të trajtohet dhe për të gjithë ata që kanë vepruar kundër autorizimeve do të ndërmerren masa për të njëjtit.
“Me aq sa kemi informacione këto procedura janë zbatuar dhe të gjitha, ngjarja dhe ka hy në fazën e vlerësimit dhe deri të përfundoj vlerësimi nuk mund të dalim në konstatim, do të zhvillohet hetimi disiplinor pas hetimit të IPK-së, sepse këto janë raste tipike që inicohet në bazë të detyrës zyrtare dhe hetimi është proces që na tregon mangësi me pa se cilat argumente janë që tregohen për mosveprim apo mos respektim të procedurave të parapara”- thotë Racaj.
Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Halit Shaljani thotë se një çështje që ndikon te profesionalizmi i policëve është edhe aspekti i trajnimit të tyre dhe aftësimin e tyre në shkollën policore.
“Jam te suspendimi, suspendimi i policëve që ndodhin më së shumti i shkojnë në dëm policisë. Ajo është përgjegjësi e atyre që qesin policinë, sepse i qesin policinë ende pa e kry trajnimin fushor polici duhet me dale me u marrë me plane operative sepse më shumë i qojnë si numër se sa që i qojnë të profesionalizuar”- ngrit alarmin Shaljani.
Gashi thotë se policët e tillë që nuk veprojnë në bazë të detyrave krijojnë precedentë të rrezikshme.
“Ky është polic i rendit mundet me ndalë një qytetar tjetër serb e me bë sjellje të njëjtë. Ky duhet me u çu në trajnim, në ri-certifikim me pa a din me i trajtu standardet e policisë”- thotë Kreshnik Gashi.
E Qalaj shton se një polic që nuk din të veproj në situata të tilla ndalon dhe vepron ngjashëm jo vetëm me qytetarë serb por edhe shqiptarë.