Foto: KALLXO.com

Kamenica, shembull i bashkëjetesës ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve

Venitja e armiqësisë etnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kamenicë po vërehet tash, pas dy dekadave të raporteve jo të mira ndërmjet dy komuniteteve lokale.

Aktivistë, udhëheqës komunalë e qytetarë u bënë bashkë në një debat me mikrofon të hapur në Kamenicë për të treguar më shumë rreth raporteve ndërmjet këtyre dy etnive.

Komuna e Kamenicës këtë mandat udhëhiqet nga dy të rinj, të cilët kanë bërë bashkë kauzat e tyre për bashkëjetesë etnike.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, i ftuar në #debatpernime ka thënë se meritat kryesore për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kamenicë e kanë qytetarët.

“Ne si qeverisje e re, në këtë aspekt jemi pak më progresivë dhe jemi edhe më shumë të interesuar me shty përpara procese dhe e konsiderojmë që në të ardhmen, për rininë, na takon neve si gjeneratë e re me i marrë disa vendime më të guximshme”, ka thënë Kastrati.

Kryetari ka shtuar se qytetarët duhet të trajtohen të barabartë dhe të vlerësohen sipas punës e përgatitjes profesionale e jo sipas etnisë apo fesë.

Ndërsa për bashkëpunimin me nënkryetarin e Komunës, i cili është serb, Kastrati ka thënë se nuk e konsideron tradhti kombëtare për shkak se i bashkon kauza për një shoqëri me diversitet dhe multikulturalizëm.

“Nuk e kemi pasur ligjërisht obligim të kemi nënkryetar për minoritete sepse janë vetëm 5 për qind, por unë personalisht nuk e njoh shumë gjuhën serbe dhe e kemi konsideruar të rëndësishme të kemi në kuadër të kabinetit një përfaqësues të komunitetit serb që të kemi një gjithëpërfshirje të qytetarëve serb”, tha ai.

Ndërsa, Bojan Stamenkoviq, ka thënë se ardhja e tij në pozitën e nënkryetarit të Komunës është shoqëruar me storie të ndryshme në media e sidomos kurset e gjuhës serbe dhe shqipe janë përcjellë me komente negative.

“Qëndroni dhe unë kemi edhe guxim edhe vullnet të mirë. Natyrisht aty këtu shfaqet ndonjë koment negativ, por ne nuk bazohemi në to. Besojmë në vlerat e vërteta dhe punojmë në atë drejtim”, ka thënë Stamenkoviq.

Tutje Stamenkoviq ka treguar për kurset që ofron Komuna e Kamenicës për të ngritur në nivel edhe më të lartë bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“E dimë se Kamenicë është shembull i mirë i bashkëjetesës dhe shumetnike. Por, erdhëm në përfundimin se problemi kryesor është komunikimi. Për sa i përket gjeneratave më të vjetra, nuk kemi probleme, sepse shqiptarët e serbët e njihnin gjuhën e komshiut të tyre, por gjeneratat e reja, pas luftës, përgjatë këtyre 18 viteve, nuk kanë pasur shumë kontakte”, ka treguar ai.

Silvija Rashkoviq, zyrtare për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Klinës, ka thënë se bashkëjetesa ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk mungon as në komunën e Klinës, por nuk është ne nivel të kënaqshëm.

Sipas saj, të rikthyerit serbë në këtë komunë po përballen me grabitje të shumta e që rastet e tyre nuk janë zgjidhur nga organet e rendit.

“Ekziston ajo, edhe te ne, bashkëpunojmë mes vete, madje edhe e kemi edhe një rast pozitiv, të një mishtoreje ku punojnë serbë e shqiptarë, mishtore e përzier. Por kohëve të fundit kemi pasur shumë vjedhje, shumë grabitje, shumë shqetësime, sa që nuk mund të lavdërohemi shumë me bashkëjetesën tonë”, ka thënë Rashkoviq.

Rashkoviq ka shtuar po ashtu se të rikthyerit në Klinë nuk janë të i interesuar të qëndrojnë aty. Ajo ka përmendur shitje tokash nga serbët, për shkak të mungesës së punësimit si dhe numër të vogël të nxënësve.

“Nuk kemi as shumë të interesuar të qëndrojnë aty. Kemi shumë shitje të tokës. Nuk ka mundësi punësimi. E kuptoj që edhe tek komuniteti shqiptar edhe në mjediset e tjera, në përgjithësi, ka probleme me punësim, por tek ne, në tërë komunën i kemi vetëm dy nëpunës serbë. Kjo është shumë pak”, ka shtuar ajo.

Tahire Gashi, aktiviste e shoqërisë civile, e cila udhëheqë organizatën joqeveritare “ZANA” ka thënë se shoqëria civile jep mbështetje për të rikthyerit serbë në Klinë.

“Sa i përket bashkëpunimit, qoftë me zyrën për komunitete, qoftë me të kthyerat serbe, shoqëria civile ka një bashkëpunim të mirë dhe disa prej grave janë anëtare në organizatën “Zana” ku unë punoj dhe ato kryesisht merren me punë dore për shkak se janë me një moshë të shtyrë dhe nuk kanë perspektivë për ndonjë program të ri”, ka thënë Gashi.

Gashi mendon se institucion lokale dhe qendrore duhet të bashkëpunojnë përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për etnitë.

“Institucionet duhet të hartojnë një strategji, sepse nuk është që mungon bashkëjetesa, nuk është që nuk i kemi pritur mirë (të kthyerit) sepse qysh në vitin 2003-2004 Komunë e Klinës e ka pritur mirë komunitetin e kthyer dhe gjithmonë ka qenë bashkëpunuese dhe e hapur, po ashtu edhe shoqëria civile përmes aktiviteteve që organizojmë”, ka shtuar ajo.

Përveç tjerash Gashi ka thënë se mungesa e fondeve ajo që e pengon shoqërinë civile duke shtuar se institucioneve ju mungon iniciativa që të ulen në një tavolinë  për hartimin e një strategjie që do të kultivonte bashkëjetesën ndërmjet etnive të ndryshme në Kosovë.

Qëndron Kastrati, më tej në debat ka shtuar se komunitetet nuk duhet të trajtohen ndaras, nuk duhet të favorizohen grupe në dhënien e secilit fond. Sipas tij, trajtimi si qytetarë të barabartë ndihmon dhe kultivon bashkëjetesën në atë vend ku jetojnë, në këtë rast të serbëve, shqiptarëve dhe romëve.

“Qytetarët e Kamenicës jetojnë bashkë në të njëjtat lagje dhe është e pamundur që ata të mos i keni problemet e nevojat e njëjta, për këtë arsye nuk mund t’i trajtojmë si grupe të veçanta”, ka thënë Kastrati.

Dragisha Jeremiq, prift ortodoks në Kamenicë, i cili ka shtatë vjet që jeton në këtë qytetet ka thënë në debat se për të është ditë e humbur ajo kur nuk takohet me ndonjë shqiptarë qoftë për të biseduar ose pirë kafe.

“Unë jam prift i Kishës Ortodokse Serbe, në Kamenicë të Kosovës, por, për mua është ditë e humbur nëse gjatë ditës nuk jam takuar e biseduar me fqinjët shqiptarë, shpeshherë duke pirë kafe. Kjo në Kamenicës është krejtësisht e natyrshme dhe normale. Unë kam bashkëpunim të shkëlqyer edhe me imamët këtu në Kamenicë”, ka thënë Jeremiq.

Jeremiq ka shtuar se serbët e shqiptarët gjithmonë kanë qenë afër njëri- tjetrit në Kosovë, ndërsa tash të gjithë duhet ta marrin shembull Kamenicën.

“Shumë të tjerë mund të vijnë këtu dhe të marrin shembull të bashkëjetesës së shqiptarëve, serbëve, romëve e të gjitha kombësive të tjera, se si duhet të jetohet në Kosovë. Unë jam i lindur në Kosovë, dhe nuk di të ketë pasur vend ku ka pasur vetëm serbë apo vetëm shqiptarë”, ka shtuar ai.

Tutje Jeremiq ka thënë se qytetarët duhet të distancohen nga tensionet politike dhe të vazhdojnë bashkëpunimin.

Rashkoviq ka shtuar se prijësit fetarë kanë rol të madh në Klinë për shkak të mesazheve që ata i japin për ruajtjen e raporteve fqinjësore.

Ndërsa, kryetari Kastrati ka thënë se prijësit fetarë në Kamenicë shpeshherë kanë rol më të madh në krahasim me udhëheqjen komunale në ruajtjen e fqinjësisë ndërmjet shqiptarëve, serbëve e romëve.

Ai ka përmendur parkun e qytetit, i cili ka qenë iniciativë e përbashkët e klerikëve fetarë në dobi të qytetarëve të Kamenicës.

Përveç kifleve e qumështit, Kastrati ka thënë se edhe kontrollat sistematike kryhen te të gjithë qytetarët pa dallime, e pos të tjerash tha se Kamenica është komuna e parë që publikon dokumente në të dyja gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kurse nënkryetari Stamenkoviq ka thënë se problem në Komunën e Kamenicës është largimi i  e të rinjve të të gjitha komuniteteve.

“Qëllimi ynë, dhe ajo  në të cilën po punojmë aktualisht, është fuqizimi i të rinjve, përmes programeve për hapje të bizneseve të reja kryesisht të lidhura me  prodhimet bujqësore. Kështu, presim që përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe donatorëve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të promovojmë  dhe përkrahim të rinjtë”, ka treguar ai.

Si pasojë e imigrimit dhe rënies drastike të nxënësve në këtë komunë Kastrati ka bërë kërkesë për shpalljen e referendumit për uljen e numrit të mësimdhënësve.

Kastrati ka thënë se sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, në Kamenicë dy e treta konsiderohen të papunë, por se sektorin e arsimit nuk duhet ta shohin si mundësi punësimi. Sipas Kastratit në vitin 2006-2007 kanë qenë 8200 nxënës ndërsa në vitin 2017-2018 kanë qenë më pak se 4400 nxënës, në gjashtë shkolla të Kamenicës janë më pak se pesë nxënës për shkollë, ndërsa në gjashtë shkolla të tjera janë më pak se 20 nxënës.

Ai ka shtuar se pas këshillimit me ekspertë të arsimit ka dalë se nuk ka arsim cilësorë në klasat e më pak se 20 nxënës dhe se kjo do t’u pengojë nxënësve në socializim, konkurrencë e shumë sfera të tjera.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 27 maj ka hedhur poshtë kërkesën e Kastratit për referendum për reforma në arsim.

Qytetari Goran Maksimoviq, ka thënë se çështjen e kanalizimit në një lagje të Kamenicës nuk ka mundur ta zgjidhin disa kryetarë para Kastratit. Më tej, ai ka shtuar se qytetarët e asaj ane ballafaqohen me shumë probleme të lëvizjes së lirë për shkak të mungesës së kanalizimit, ku dalin në sipërfaqe ujërat e zeza dhe fekalet.

Tutje Maksimoviq ka pyetur se a janë duke punuar në funksionalizimin e pikës doganore në Tugjavcë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me komunën e Medvegjës.

Kastrati tha se janë duke u munduar që ta bëjnë zonën ekonomike në mes të dy komunave, Kamenicës dhe Ranillukut, ndërsa marrëveshjen për trajtimin e ujërave të zeza tha se janë në bisedime për bashkëpunim ndërmjet tri komunave, Kamenicës, Ranillukut dhe Bujanocit.