Kamenica paguan 60% me shtrenjtë se Prishtina për kifle

Komuna e  Prishtinës dhe Komuna e Kamenicës kanë marrë përsipër që nxënësve të tyre tua siguroj nga një shujtë ditore. Kjo shujtë ditore parasheh kifle dhe qumësht 250ml.

KALLXO.com i ka analizuar kontratë që kanë lidhur këto dy komuna. Një shujtë ditore me kifle dhe qumësht për nxënësin e Komunës së Prishtinë kushton 35 centë në anën tjetër kjo shujtë në Komunën e Kamenicës kushton 49 cent apo 14 cent më shtrenjtë. Dallimi në çmim është kryesisht për shkak se çmimi i kifleve që paguan komuna e Kamenicës është për 60% më shtrenjtë se sa çmimi që paguan Komuna e Prishtinës.

Kontratat e nënshkruara nga këto dy komuna, kushtojnë rreth një milionë euro apo saktësisht 974 mijë e 921.1 euro.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 288 mijë euro për tu furnizuar me qumësht dhe 214 mijë e 272 euro për furnizim me kifle. Ajo që vërehet te këto kontrata është se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të kursejë asnjë cent nga negocimi i tenderit për qumësht për dallim nga procedura e hapur për tenderin me kifle ku nga mjetet e parashikuar u kursyen 10 mijë e 700 euro.

Aplikimi me procedurë së hapur të prokurimit duket se ka ndikuar edhe tek komuna e Kamenicës duke kursyer gjithashtu mbi 10 mijë euro.

Vlera e përgjithshme e kontratës e nënshkruar nga Komuna Kamenicës është 472 mijë e 649.10 euro.

Përkundër se kryetarët e këtyre dy komunave Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qendron Kastrati i Kamenicës vijnë nga i njëjti subjekt politik, çmimet që Komunat e tyre paguajnë për shujtat e nxënësve dallojnë. Komuna e Prishtinë për një kifle paguan mesatarisht rreth 15 cent dhe për një qumësht 250 ml paguan 20 cent. Kurse, komuna e udhëhequr nga Qendron Kastrati për një kifle paguan 24 centë ndërsa për një qumësht 250 ml paguan 25 centë.

Dallimi më i madh në çmim është për kifle edhe pse të dy komunat furnizohen nga e njëjta kompani, Premium Bakery.

Tigran Dedi, menaxher në Kompaninë “Premium Bakery ” përmend disa faktor që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të kifleve për Komunën e Kamenicës.

“Për shkak se Komuna e Kamenicës në ofertë e ka kiflen të bashkangjitur me një qumësht edhe e dyta Komuna e Kamenicës e ka koston e distribuimit më të naltë. Jemi tu fol për një teren të cilin na i kemi dikund çdo ditë mesatarisht 250 kilometra që qarkullojnë në atë teren. Jemi me dy mjete motorrike, dy kombi edhe në të vërtet është një teren që kogja shumë i largët edhe i ngarkum. Kështu që efekti i kostos së distribuimit edhe në këtë ofertë përfshihet edhe qumështi”- tha Dedi, duke shtuar se për Kamenicë ju duhet me angazhu punëtor shtesë.

Ai tha se edhe kërkesa më e madhe nga Komuna e Prishtinës ka bërë që çmimi të jetë më i ulët, sepse Komuna e Prishtinës ka kërkesë për 20 mijë kifle, ndërsa në Kamenicë kërkesa është vetëm për 2 mijë kifle.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e Komunës së Kamenicës thotë se çmimi më i lartë i kifleve vije për shkak të kostot më të lartë të shpërndarjes së tyre.

“Rritja e çmimit të shujtave në Kamenicë për dallim nga Prishtina, është për arsye të sasisë dhe transportit. Fabrika e cila na furnizon me shujta për nxënës ndodhet në Prishtinë dhe transporti i tyre duhet të bëhet në 29 objekte shkollore të cilat janë të shpërndara territorialisht. Prej 29 shkollave, 6 prej tyre kanë më pak se 5 nxënës, e 6 të tjera më pak se 20 nxënës. Numri i nxënësve në Kamenicë që janë të shpërndarë në 29 objekte shkollore është më pak sesa vetëm shkolla “Ismail Qemali” në Prishtinë. Ne si komunë kemi shpallur tenderin dhe kemi përzgjedhur kompaninë me çmimin më të lirë”, ka thënë Rashiti.

Komuna Prishtinës

Në javën e dytë të muajit shtator, Komuna e Prishtinës publikoi thirrjen për tu furnizuar me qumësht. Për këtë qëllim, Komuna kishte planifikuar të shpenzoj deri në 288 mijë euro për blerjen e qumështit të një sasie mbi 1.4 milionë copë.

Sipas vlerës së parashikuar të kontratës në raporti me sasinë e planifikuar për tu furnizuar rezulton se Komuna ishte në gjendje të paguaj deri 20 centë për copë.

Kjo sasi e qumështit ishte paraparë të shpërndahej nëpër shkollat e Komunës së Prishtinës.

Njoftimi për këtë kontratë furnizimi tregon se Komuna kishte iniciuar procedurën e hapur të prokurimit me kriter çmimin më të ulët.

Mungesa e interesimit të ofertuesve për këtë tender rezultoi me anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“Nuk ka pasur OE të interesuar për ofertim”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinë në anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

Që komuna e Prishtinës ta kryej këtë furnizim  me qumësht për nxënësit e shkollave të saj, në muajin që shkoi, aplikoi procedurën e negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në infrastrukturën ligjore për këtë lloj të procedurës thuhet se Autoriteti kontraktues pa publikim I negocion termat e kontratës me një apo më shumë operator ekonomikë. Kjo procedurë konsiderohet e jashtëzakonshme dhe shmangie nga parimet themelore të çiltërsisë, transparencës dhe konkurrencës.

Me 3 tetor, në platformën “e-prokurimi”, Komuna e Prishtinës bërë të ditur se ka përzgjedhur operatorin ekonomik për kontratë. Me vlerë të përgjithshme të kontratës 288 mijë euro apo saktësisht sa gjithsej mjetet e planifikuara për to. Ishte nënshkruar kontrata me kompaninë “Abrazen”, e cila është e lidhur me Devolli Group.

Sipas kontratës, një pako qumësht të paketimit 250 ml do t’i kushtoj 20 centë.

Për dallim nga tenderi për furnizim me qumësht, në pothuajse periudhën e njëjtë ishte iniciuar edhe tenderi për furnizim me kifle nga kjo komunë.

Për blerjen e këtyre kifleve nxënësve të shkollave aplikoi procedurën e hapur e cila rezultojë me dhënie dhe nënshkrim të kontratës. Për këtë qëllim, komuna kishte parashikuar deri në 225 mijë euro, përderisa kontrata e nënshkruar me operatorin ekonomik rezultoi të jetë 214 mijë e 272 euro apo 10 mijë e 728 euro më pak. Çmime për një kifle sillen mesatarisht ne mes 14 dhe 15 centë për copë.

Komuna Kamenicë

Për dallim nga Komuna e Prishtinës e cila vite më parë e mori iniciativën që nxënëseve të shkollave tu blej kifle dhe qumësht, një gjë të tillë e ka bërë edhe Komuna e Kamenicës.

Komunës së Kamenicës më në krye me Qendron Kastrati në vitin 2018-të, bëri të ditur se inicioi aktivitetin e prokurimit për furnizim me shujta për nxënësit e kësaj komune. Që ky aktivitet i prokurimit të finalizohet më kontratë, Komuna e Kamenicë kishte parashikuar mjete prej 482 mijë e 850 euro.

Për këtë tender, Komuna kishte përdor procedurë të hapur të prokurimit, me kriter çmimin më të ulët. Që parashihet furnizimin me kifle dhe qumësht për nxënësit në kohëzgjatje prej 36 muajve.

Ky aktivitet i prokurimit rezultoi me nënshkrimi e kontratës me ‘Premium Bakery’ në vlerë të përgjithshme prej 472 mijë e 649.10 euro apo 10 mijë e 200 euro më pak sa vlera e parashikuar e për të kur komuna e inicioi këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas kontratës së publikuar në platformën “e-prokurimi”, Komuna e Kamenicës për një kifle do të paguajë 24 centë përderisa për një pako qumësht 250ml komuna të paguaj për 25 centë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.