Jepet premiera e baletit 'Exil' nga Baleti Kombëtar i Kosovës
Zhgënjimi i madh që po përjetonin qytetarët e Shqipërisë 7-8 vjet, (1997/98) pas rënies së komunizmi, riktheu shpresën e vetme për mbijetesë, ikjen nga vendi.
E atë që prekeshin nga kjo shpresë e vetme ishin të rinjtë, të cilët pavarësisht sfidat, apo pengesat e ndryshme mbushin valixhet dhe niseshin drejtë perëndimit.
Gjithë këtë histori të atyre viteve e sollën dje në mbrëmje (5 dhjetor 2019) balerinët kosovarë me shfaqjen e premierës së baletit ‘Exil”, me koreografi të Eno Peçit.
Interpretimi brilant e herë -herë drithërues i balerinëve preku jo pak publikun e pranishëm në sallë.
Baleti “Exil” i realizuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës, me koncept dhe koreografi të Eno Peçit pasqyron problemet sociale të shoqërisë dhe ikjen nga vendi si një prej mundësive për të dalë nga problemet.
Zgjedhja e temës së ekzilit nga Peçi për ta prezantuar para publikut në Prishtinë, ka edhe një arsye, pasi edhe ai vet në një farë mënyre ishte pjesë e atyre ikjeve, edhepse një ditë para premirës, pohoi se shfaqja i kalon përmasat e një rrëfimi personal.
Pas premierës, koreografi Peçi deklaroi për Kallxo.com se ka mbetur i kënaqur me atë çfarë u pa në skenë. Ndërsa dha edhe komplimente për trupën e Baletit të Kosovës.
“Gjithë ajo punë që ne kemi bërë bashkë me balerinë dhe emocionet që u sollën sot u panë dhe u vlerësua nga publiku”, ka thënë koreografi Peçi.
Vlerësim për shfaqjen u dhanë edhe nga publiku. Mustafë Halili, ish-zyrtar shumë vjeçare për kulturë në Komunë e Prishtinës, pohoi se baleti “Exil” ishte njëra ndër shfaqjet e mira dhe të realizuara nga baleti kosovar.
“Një shfaqje komplekes sikurse kjo mendoj se ia arriti qëllimit”, tha për Kallxo.com Halili. .
Ndërkaq, Naser Shatrolli, dramaturg dhe kritik arti, ka pohuar për Kallxo.com se ajo që ai mori nga koreografi ishte transmetimi i emocionit që vinte gradualisht dhe, siç shtoi ai, të bënte me u ndje edhe aktor i ngjarjes edhe fajtor i shfaqjes.
Sipas tij, historia ishte e dhimbshme, ndërsa trajtimi ishte i shtruar në mënyrë mjeshtërore, duke treguar tregimin pa shume zhurmë, pa tepri mizanskenike, me personazhet të veshura zi që pijnë duhan, raki, mes tri muresh të ftohta duke mos ditur kah t’ia mbajnë!
“Fatmir Smani është emër i jashtëzakonshëm në këtë projekt! Pjekuria e tij është nivel i lartë, e ndjen thellë problemin! Shfaqja është unike sepse është ndërthurje e theksuar mes dramës, baletit dhe filmit! Ishte mënyrë origjinale që rrjedhë ngadalë”, ka thënë Shatrolli.