Malcolm Howard Simmons, gjyqtar i dorëhequr i EULEX-it. Foto: EULEX/Video

Jashtë Rregullit: ‘Gjyqtarit’ të Lartë të BE-së i Munguan Kualifikimet për të Shërbyer në Kosovë

Malcolm Howard Simmons ka gjykuar në shumë raste në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë gjatë një periudhe së paku 11 vjeçare edhepse ai kurrë nuk kishte shërbyer në një trup gjykues në shtetin e tij amë, Mbretërinë e Bashkuar. Një përvojë e konsiderueshme dhe trajnime të shumta janë zakonisht parakushte të nevojshme për gjyqtarë ndërkombëtarë në një pozitë të tillë.

Përkundër mungesës së një kualifikimi të tillë, Simmons ka shërbyer në shumë gjykata në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe Gjykatën Supreme, si dhe Tribunalin e Krimeve të Luftës në Bosnje, sipas shumë dokumenteve gjyqësore dhe raportimeve mediatike. Mbase rasti më i shquar është pozita e tij si gjyqtar kryesues në rastin e vitit 2013 që rezultoi me shfajësimin e Fatmir Limajt, të njohur si Komandant Çeliku, dhe nëntë ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rasti, i ashtu quajtur “Kleçka” konsiderohet nga Qendra për Drejtësi Humanitare (Humanitarian Law Center) të jetë një nga proceset gjyqësore të krimeve të luftës nga më të rëndësishmet në Kosovën e pas luftës.

Simmons gjithashtu ishte gjyqtar kryesues i Gjykatës Supreme të Kosovës gjatë rastit të vitit 2015 për krime lufte, dhe nxori vendime për rastet penale në vitet 2013 dhe 2014 të cilat përfshinin kontrabandimin e paligjshëm të emigrantëve brenda dhe jashtë Kosovës.

Në vitin 2014, Simmons ishte emëruar Kryetar i Gjyqtarëve në EULEX, mision i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit. Në vitin 2008 ai ishte deleguar në EULEX-it prej Zyrës së Jashtme dhe Commonwealth-it (FCO) të Mbretërisë së Bashkuar. Ai dha dorëheqje të enjten e kaluar pasi që bëri akuza në mënyrë të përgjithshme për keqbërje përbrenda EULEX-it, sikur që ishte raportuar fillimisht nga gazeta Le Monde. Në një deklaratë të lëshuar më vonë gjatë ditës mbi të cilën kishin raportuar medie të ndryshme, EULEX-i tha që vetë Simmons-i kishte qenë nën “një sërë hetimesh të pavarura mbi disa akuza shumë serioze kundër tij” të bëra gjatë vitit të kaluar.

Me seli në Prishtinë, EULEX-i është krijuar në vitin 2008 për të ndihmuar shtetin i cili sapo e kishte shpallur pavarësinë që të formojë gjykatat, zyrat e prokurorëve, dhe departamentet e policisë në mënyrë që t’i plotësojnë standardet europiane dhe të mos influencohen nga politika apo krimi. EULEX-i është misioni më i madh i jashtëm i BE-së, dhe ka 800 punëtorë dhe një buxhet vjetor prej 63 milionë Euro.

EULEX-i ka qenë burim i disa skandaleve viteve të fundit, duke përfshirë këtu mitmarrjen, korrupsionin, fshehjen e së vërtetës, dhe reprezalje ndaj sinjalizuesve. Rasti Simmons është polemika e radhës e cila ngre pyetje mbi mënyrën se si funksionon EULEX-i.

Edhepse ishte gjyqtari më i fuqishëm në EULEX, Simmons kurrë nuk kishte shërbyer si gjyqtar në Angli ose Wales, sipas Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë (Royal Courts of Justice) në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas rregullativës së vitit 2000 të Kombeve të Bashkuara, gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të kenë së paku pesë vite përvojë pune si gjyqtarë në vendet e tyre amë përpara se të fillojnë misionet e tyre në Kosovë.

Për më shumë, Simmons asnjëherë nuk ishte regjistruar si avokat i tipit ‘barrister’, sipas Bordit për Standarde Avokatie (Bar Standards Board) të Mbretërisë së Bashkuar dhe sipas Këshillit të Avokatisë (The Bar Council). Ai ishte i regjistruar si avokat i tipit ‘solicitor’ në nëntorin e vitit 1992, por certifikata e tij e punës kishte skaduar në vitin 2000, sipas Shoqërisë së Ligjit (The Law Society.). Në sistemin ligjorë të Mbretërisë së Bashkuar, ‘solicitorët’ zakonisht nuk kalojnë shumë kohë brenda sallave të gjyqit dhe janë më pak të kualifikuar sesa avokatët e tipit ‘barrister’ të cilët mbajnë paruke të bardha dhe kanë kompetencë të argumentojnë raste brenda sallës së gjyqit.

Ndërsa Simmons nuk kishte përvojë gjyqësore në shtetin e tij amë, gjyqtarët tjerë të EULEX-it, të tanishëm dhe të mëparshëm, kanë punuar nëpër vende sikur Gjykata Supreme e Italisë, Gjykata Supreme e Shtetit Gjerman të Thuringia-s, Gjykatës Rajonale të Apelit në Bullgari, dhe gjykatave penale në Turqi.

Simmons nuk është përgjigjur kërkesave për intervistë. Zyrtarët e EULEX-it nuk pranuan të shpjegojnë se si dhe përse Simmons ishte zgjedhur për të qenë gjyqtarë në Kosovë, ose nëse ata ishin në dijeni që atij i mungonte përvoja paraprake në Mbretërinë e Bashkuar. EULEX-i ia përcolli pyetjet FCO-së, e cila gjithashtu ia përcolli pyetjet BE-së. As zyrtarët e EULEX-it e as ata të FCO-së nuk deshën të komentojnë mbi prapavijën e përvojës apo trajnimit të Simmons-it, dhe e vetmja gjë që e thanë është se ai është nën hetime.

Një Biografi Misterioze

Malcolm Simmons është një zyrtar i lartë publik me përgjegjësi domethënëse në katër institucione: në Gjyqësinë e Kosovës, në EULEX, në FCO-në e Mbretërisë së Bashkuar, dhe brenda vetë Bashkimit Europian. Sikur gjithë personat tjerë në pozita aq të rëndësishme, biografia e tij do të duhej të ishte e qasshme dhe në dispozicion. Por, shumë pak informacione kanë dalë në dritë mbi përvojën e tij profesionale, trajnimet dhe prapavijën e tij arsimore.

Çfarë dihet për Simmons-in është përpiluar pa kontributin e EULEX-it apo FCO-së, të cilat nuk dhanë informata për kualifikimet dhe përvojën e tij.

Sipas një artikulli nga Janari i vitit 2004 nga Law Gazette, Simmons e lëshoi pozitën e tij si avokat ‘solicitor’ në vitin 2001 nga një firmë ligjore tani e shuar, për t’ju bashkuar misionit ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Sarajevë. Simmons kishte deklaruar për Law Gazette se ai ishte një nga tetë gjyqtarët dhe avokatët ndërkombëtarë të dërguar tek Këshilli i Lartë i Gjyqësor dhe Prokurorial që sapo ishte formuar për t’i ndihmuar reformimit të sistemit ligjor të Bosnjës. Edhepse i mungonte përvoja si gjyqtar në Mbretërinë e Bashkuar, ai gjithashtu ishte zgjedhur si gjyqtar i apelit tek ky këshill, sipas artikullit në fjalë.

Në vitin 2006 Simmons u emërua gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Bosnje dhe në Gjykatën për Korrupsion. Përkundër mospasjes së një përvoje të më hershme si gjyqtar në Mbretërinë e Bashkuar, Simmons-i u quajt “gjyqtar ndërkombëtar” në dokumentin e emërimit të tij të nënshkruar me 5 Maj 2006 nga asokohe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schwarz-Schilling.
Pas përfundimit të mandatit të tij në Bosnje më 2008, FCO-ja e delegoi Simmons-in në EULEX, ku ai u avancua në pozitë si Kryetar i Gjykatësve në 2014.

Në procesverbalet e gjykatës boshnjake Simmons e identifikon veten me titullin akademik “Dr.”, titull të cilin ai e hoqi pas ardhje së tij në Kosovë. As EULEX-i e as FCO-ja nuk mund të konfirmonin nëse Simmons kishe fituar një titull të tillë, dhe nëse po, ku.

Performancë e Diskutueshme

Roli i Simmons-it në disa prej rasteve me profil të lartë ka tërhequr një sërë kritikash publike. Këtu hyn edhe rasti i Hasan Çernogiq, ish zëvendës ministrin e mbrojtjes së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili ishte shfajësuar në vitin 2005 nga të gjitha akuzat e shpërdorimit të detyrës.

Simmons gjithashtu kishte kryesuar në Bosnje në rastin e Zijad Polo, i cili ishte akuzuar për evazion fiskal në shumë prej 800 milionë euro. Edhepse një i akuzuar tjetër kishte pranuar fajësinë, procesi gjyqësor u shty për shkak të pengesave administrative.

Në vitin 2005 Simmons shërbeu si kryetar i trupit gjyqësor të përbërë nga tre gjyqtarë, që dënoi Ante Jellaviqin, ish kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Jellaviq ishte shpallur i fajtor për shpërdorim detyre dhe ishte dënuar me 10 vite burg, edhepse asokohe ai ishte në liri. Vendimi ishte përmbysur pas një viti për shkak të shkeljeve të procedurave penale gjatë gjykimit të parë.

Performanca e Simmons-it mori kritika nga Medxhida Kreso, asokohe Kryetare e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës. Në Maj të 2006-tës Kreso e kundërshtoi publikisht Simmons-in që mandati i tij të mos vazhdohet, duke shprehur pakënaqësinë me punën e tij dhe duke kërkuar ruajtjen e një gjyqësori të pavarur.

“Kemi dëgjuar se një nga gjyqtarët asnjëherë nuk kishte qenë gjyqtar në shtetit e tij amë“, tha Kreso. “As nuk ishte i njoftuar me ligjet e Bosnjës, e as që nuk ishte i interesuar që të njihet me to. Ai madje as që dëshironte të konsultonte ligjet vendore. E kam mësuar këtë nga gjyqtarët vendorë me të cilët ai punonte”.

Kundërshtimi i Kreso-s ndaj Simmons-it rezultoi në një konflikt me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të asaj kohe, Matthew Rycroft, momentalisht përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara. Roycroft mbizotëroi në këtë ballafaqim dhe Simmons u emërua gjyqtar ndërkombëtar në muajin e njëjtë.

“Kur mandati i tij skadoi, unë isha kundër vazhdimit të tij përshka të lëshimeve që kishte bërë deri atëherë“, ajo shtoi. “Përkundër këtij fakti, ai u emërua përsëri dhe vazhdoi të punonte në gjykatë”.

 

Natalia Zaba është gazetare dhe përkthyese nga Polonia, që jeton në Beograd. Ajo mbulon çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore për një numër mediash rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky artikull fillimisht është botuar në Southeast Europe Coalition on Whistleblower Protection më 16 nëntor.