Investimet që nuk erdhën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, disa herë është mburrur me rritjen e investimeve nga jashtë për vitin 2015, vitin e parë të qeverisjes së tij.

Kjo mburrje ishte me të drejtë nëse krahasimi bëhet vetëm me vitin 2014, kur ishte regjistruar niveli më i ulët i investimeve të huaja të realizuara që nga viti 2007.

Në vitin 2016, Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, shumë më pak i kanë përmendur investimet e huaja direkte në Kosovë. Këto të fundit kanë rënë dukshëm krahasuar më vitin 2015, kur rritja e tyre ishte vlerësuar si rritje e besimit të investitorëve në mënyrën e qeverisjes.

Në  gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 investimet e huaja direkte (IHD) u përgjysmuan në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rënie të investimeve ndodhën në sektorët e patundshmërive, ndërtimit dhe shërbimeve financiare, ndërsa shtim investimesh u vërejtën në shërbimet tregtare dhe bujqësi.

Investimet e huaja direkte shënuan rënie edhe kur krahasohen nëntë muajt e parë të këtij viti me ata të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, në Kosovë për nëntë muaj të këtij viti nga jashtë janë investuar 184 milionë euro, 84.4 milionë më pak se në periudhën e njëjtë të 2015-ës, pasi në muajt janar-shtator të vitit të kaluar ishin investuar 268.5 milionë euro.

Rënia e investimeve në nëntë muajt e parë të sivjetmë është 31 për qind në raport me muajt e njëjtë të 2015-ës.

Raporti “Stabiliteti Financiar Numër 10” i Bankës Qendrore tregon se nga janari në qershor 2016 investimet e huaja direkte ishin 84.8 milionë euro që përbëjnë pak më shumë se gjysmën e këtyre investimeve në gjashtë muajt e parë të 2015-ës.

Në muajt janar-qershor 2015 investimet e huaja direkte ishin 161.7 milionë euro.

BQK-ja në raport tregon edhe ku u investua nga të huajt në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

“Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione që përbën rreth 74.1 për qind të gjithsej investimeve të huaja direkte (IHD) shënoi vlerën 62.8 milionë euro që është për 45.6 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjithashtu, IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 22.0 milionë euro që janë për 52.5 për qind më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar,” thuhet në raport.

Milionat e investimeve kryesisht vijnë nga Zvicra që ndiqet nga Turqia e Shqipëria.

“Sa i përket origjinës së investimeve të huaja direkte, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD deri në qershor të vitit 2016 (26.0 milionë euro), pasuar nga Turqia me 17.8 milionë euro, Shqipëria me 17.4 milionë euro, Austria me 11.3 milionë euro,” tregon raporti i BQK-së.

Sipas Bankës Qendrore, investimet e huaja u ulën për 7 për qind edhe kur krahasohet periudha korrik-shtator e këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sivjet në muajt korrik-shtator investimet e huaja direkte arritën vlerën 99.2 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar në këta muaj ato ishin ato ishin 106.8 milionë, duke rënë për 7.5 milionë euro.

Nga viti 2007 deri në vitin 2015 në Kosovë mesatarisht janë investuar 314 milionë euro. Investimet në vitin e krizës politike, 2014, kanë qenë 151 milionë euro. Kurse, investimet në vitin 2015 ishin dyfishuar, duke arritur në 308 milionë euro.

Këto investime të realizuara në Kosovë ishin më mirë për disa milionë euro se sa investimet e bëra në vitin 2009, 2012 dhe 2013, por më të ulëta se investimet e realizuara në vitin 2007, 2008, 2010 dhe 2011.

ihd

http://kallxo.com/deshton-privatizimi-brezovices/