Foto: Kallxo.com

Intervistimi i Thaçit për 'gylenistët' , e katërta nuk ishte e vërteta

Për të katërtën herë me radhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që ta ‘bojkotojë’ ftesën e Komisionit Hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

Pasi që iu vazhdua mandati këtij Komisioni nga Kuvendi I Kosovës, ata vendosën që për 23 prill të intervistohej presidenti Hashim Thaçi.

Ashtu si tri herëve të tjera, Thaçi nuk mori ‘mundin’ të dalë përballë anëtarëve të Komisionit.

Mirëpo, kësaj radhe ai në minutën e fundit ua ka dërguar një letër anëtarëve, duke kërkuar që raportimi i tij të bëhet pas tri ditësh, pa ndonjë arsyetim përse nuk mundet sot.

Kryetari i Komisionit Hetimor për ‘gylenistët’, Xhelal Sveçla tha se Thaçi është dashur të lajmërojë më herët për ndryshimin e datës.

“Në momentin e fundit, Zyra e Presidentit ka kërkuar që ta caktojmë një datë tjetër për intervistim duke e dërguar këtë kërkesë: Zyra e Presidentit ju njofton se nuk mund të përgjigjet sot prandaj me mirëkuptim kjo të organizohet me datën 26 prill”, tha ai.

Muharrem Nitaj, anëtar i këtij Komisioni nga AAK-ja tha që duhet të shfrytëzojnë mundësinë në datën që e ka dhënë presidenti.

“Presidenti i vendit ka shprehur gatishmërinë me datën e caktuar nuk duhet ta pengojmë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi sepse çështja ka qenë më emra të përveçëm”, tha ai.

Anëtari i këtij Komisioni nga LDK, Driton Selmanaj, po ashtu u pajtua që  të caktohet data e 26 prillit pasi sipas tij presidenti është dëshmitari kyç.

Ndërsa, anëtares së këtij komisioni nga PDK, Ganimete Musliu, nuk i ka pëlqyer zgjatja e mandatit të Komisionit hetimor, duke shtuar se nuk do të japë asnjë kontribut për këtë Komision të “jashtëligjshëm”.

“Nuk pranoj më të jem në këtë Komision të jashtëligjshëm, do të hesht dhe në asnjë mbledhje nuk do të votoj, as nuk do të diskutoj qoftë edhe nëse vjen presidenti sepse e kemi shkelur ligjin dhe nuk dëshiroj të merrem me punë të jashtëligjshme”, tha Musliu.

‘E treta s’ishte e vërteta’

Mirëpo, kjo nuk ishte hera e vetme që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ishte thirrur nga Komisioni për intervistim.

Ai ishte thirrur tri herë radhazi, duke mos qenë i pranishëm  në asnjërën prej tyre dhe duke mos dhënë asnjëherë arsye për mungesën e tij.

Anëtarët e këtij Komisioni njoftimet për mosardhjen e presidentit i merrnin përmes mediave.

Ftesa e parë për intervistim Thaçit i ishte bërë më 26 nëntor të vitit 2018. Sipas anëtarëve ai ishte në udhëtim zyrtar në ShBA.

Sipas njoftimit të Presidencës, Thaçi gjatë kësaj vizite ishte takuar me me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit, si dhe me personalitete që kanë mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.

“Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Presidenti Thaçi, po ashtu, do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo”, thuhej në njoftim.

Kryetari i shtetit ishte ftuar në Komision për raportim vetëm pas katër ditë më 30 nëntor 2018. As kësaj radhe nuk ishte prezent.

Kryetari i këtij Komisioni Xhelal Sveçla në mbledhjen e asaj dite kishte thënë se nga ana e presidentit nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me raportimin e tij.

Po ashtu edhe në këtë ditë, sipas Zyrës së Presidentit, Thaçi ishte ende në vizitë zyrtare në ShBA, ku kishte takuar ish-presidentin e ShBA-së, George W. Bush.

“Presidenti Thaçi dhe ish-presidenti Bush kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, thuhej në njoftim.

Por e treta nuk rezultoi të jetë e vërteta për Komisionin Hetimor parlamentar që të intervistohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ishte ftuar me 5 dhjetor 2018 për intervistim, por në mbledhjen e kësaj dite të Komisionit, kryetari Xhelal Sveçla tha se “përmes mediave e kemi kuptuar që Thaçi nuk është këtu”.

Ndërkaq sipas Zyrës së Presidentit, Thaçi ishte në këtë ditë i pranishme në  ceremoninë mortore të ish presidentit amerikan, George H.W. Bush.

Në një intervistë për emisionin Jeta në Kosovë, pikërisht në ditën kur ishin deportuar gjashtë shtetasit turq, 29 mars të vitit të kaluar, Thaçi kishte thënë se “nuk kam qenë i informuar”.

Shkeljet ligjore sipas ekspertit amerikan

BIRN kishte siguruar raportin e ekspertit amerikan, Tienmu Ma, i cili ishte angazhuar nga Komisioni parlamentar për të ‘zbardhur’ deportimin ‘kontrovers’ të gjashtë shtetasve turq.

Sipas këtij raporti dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova nuk ishte i rastësishëm,  institucionet e Kosovës për ta organizuar këtë plan me 31 shkelje ligjore, kanë punuar 17 ditë.

Ndërsa shkelja më e rëndë sipas ekspertit amerikan, ishte fakti që njëri nga gjashtë shtetasit turq ishte deportuar gabimisht.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, AKI, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’, andaj edhe duhet të dëboheshin menjëherë.

Mirëpo, raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma, i siguruar nga BIRN, konstaton se gjashtë shtetasit të deportuar në marsin e vitit të kaluar nuk paraqisnin rrezik për kryerjen e një sulmi terrorist ose ndonjë akti tjetër të dhunshëm në Kosovë.