Intervistimet e gjata të presidentit para vendimit rreth aktakuzës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për tri ditë rresht është intervistuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Marrja në pyetje me orë të tëra e presidentit po ndodh pak kohë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka ngritur aktakuzën ndaj presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe ndaj disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, deri më tani kjo aktakuzë ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Për konfirmimin apo jo të aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake ka afat gjashtë muaj. Duke e pasur parasysh se aktakuza i është dorëzuar Dhomave të Specializuara më 24 prill 2020, atëherë koha e fundit kur mund të konfirmohet aktakuza është 24 tetori i këtij viti.

Lidhur me këto zhvillime, Florent Spahija ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se sipas procedurës presidenti do të duhej të intervistohej para se aktakuza ndaj tij të shkonte në gjykatë.

“Sipas procedurës do të ishte në rregull sikur që presidenti ose i pandehuri në këtë rast, të intervistohej para se aktakuza të shkonte në gjykatë meqë çfarëdo deklarate e dhënë para prokurorit tashmë  të rastit konsiderohet e papranueshme para gjykatës për shkak se tashmë të gjitha shkresat e lëndës kanë përfunduar në gjykatë nga prokuoria. Kjo konsideroj që është një punë të cilën prokuroria është dashur ta kryejë më herët, faktikisht është dashur ta përfundojë para prillit, kur e ka dorëzuar edhe aktakuzën”, tha ai.

Spahija tutje vlerëson se ka mungesë transparence, pasi nuk dihet nëse presidenti Thaçi është interevituar paraprakisht nga prokurorët e Dhomave të Specializuara.

“Aktakuza e ka afatin e shqyrtimit dhe normalisht që do të ndodhë, pasi gjykata e ka obligim ligjor ta bëjë një gjë të tillë. Nëse prokurori e ka marrë në intervistë para se të dërgojë aktakuzën nuk e dimë, sepse nuk ka transparencë në këtë pjesë, nëse është intervistuar më herët presidenti apo kjo është hera e parë që po intervistohet nga prokuroria”, shtoi ai.

Spahija thekson tutje se nëse ka intervista të tjera, “atëherë konsideroj që kjo është vetëm konfirmim i intervistave të mëhershme ose sqarim i disa pjesëve  që prokuori mendon që ka ose nuk ka pasur në aktakuzën e tij”.

Presidenti Thaçi në të kaluarën disa herë ishte pyetur nga gazetarët nëse ishte intervistuar nga Gjykata Speciale, por ai kishte deklaruar se nëse do të ndodhte një gjë e tillë do ta bënte publike.

Pas rreth gjashtë orësh intervistim në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, presidenti Hashim Thaçi në orët e pasditës të së hënës (dita e parë e intervistimit) doli nga Gjykata me dorën në xhep, si dhe me një çantë në krah.

Duke iu drejtuar gazetarëve pranë selisë së Gjykatës Speciale në Hagë, presidenti pati një adresim të shkurtër rreth marrjes në pyetje.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbime e teknikalitete të ndryshme në mes avokatit z. Prosper dhe prokurorëve, do të thotë çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që do të vazhdon nesër”, tha presidenti për t’u larguar menjëherë nga paraqitja para mediave.

Ndërkaq, të martën ai nuk pati ndonjë deklarim para mediave rreth marrjes në pyetje. Më vonë u bë e ditur se Thaçi do të vazhdojë intervistimin në Hagë edhe gjatë së mërkurës.

Në këtë proces, avokat i presidentit Thaçi është ish-zyrtari amerikan Pierre-Richard Prosper.

Thaçi, i cili ka zgjedhur që në Hagë këto ditë të paraqitet me pozitën e presidentit të Kosovës, javë më parë ishte zotuar se të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

“Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”, ishte shprehur ai.

Më 24 qershor të këtij viti, në njoftimin për aktakuzën thuhej se Thaçi e Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Por të dy zyrtarët i kanë mohuar akuzat, duke u thirrur në luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj Gjykate. Në atë kohë, kryeministër ka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Gjykata “hibride”, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010.

Një ‘task force’ e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Martyt dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.