Asambleja e kaluar e Prishtinës. Foto: KALLXO.com/Arkiv

Interpretim Burrëror i Ligjit për Barazi Gjinore nga Partitë

Vetëm 8 kandidatë për kryetarë të Komunave të Kosovës janë gra kundrejt 176 kandidatëve burra. Kandidimi i tyre paraqet vetëm 4 për qind të totalit të kandidatëve për kryetar të 37 komunave të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës prin me 3 kandidate gra, ndërsa Lëvizja Vetëvendosja nuk e ka kandiduar asnjë grua për kryetare të komunave.

Mimoza Kusari- Lila është kandidate nga Alternativa, Arta Ahmeti-Xhylani nga AAK dhe Hyrijete Isufi nga LDK. Gonxhe Çaushi, Valdete Idrizi dhe Sebiha Shala nga PDK, Eneida Kelmendi nga Fjala, Emillija Redzhepi nga NDS.

Ndërsa për asambletë komunale partitë politike vazhdojnë të respektojnë kërkesën e Ligjit për Zgjedhje që kërkon se çdo i treti kandidat të jetë grua.

Por, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se partitë politike janë duke e shkelur Ligjin për Barazi Gjinore, përkatësisht nenin 6, paragrafin 8.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, thuhet në këtë nen dhe paragraf të përmendur nga Jashari.

Avokati i Popullit thotë të ketë kërkuar nga partitë politike që të respektojnë këtë dispozitë ligjore që kërkon përfaqësim të barabartë gjinor në lista. Por, partitë politike nuk e kanë përfillur kërkesën e Jasharit.

Avokati i Popullit thotë se dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore e shfuqizojnë kuotën prej 30% që kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

Thotë se Ligji për Barazi Gjinore është më i vonshëm se Ligji për Zgjedhjet Lokale dhe rrjedhimisht, sipas tij, duhet zbatuar kuota sipas të cilës gjysma e vendeve në organe legjislative i takon secilës gjini duke u thirrur po në atë ligj.

“Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji shfuqizohet”, citon Jashari nenin 5, paragrafin 2 të Ligjit për Barazi Gjinore.

Edhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se udhëheqësit e partive politike është dashur të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore të cilin e kanë miratuar vetë.

Sipas saj, partitë politike i kanë rezervuar pozitat udhëheqëse për burrat.

“Në përgjithësi, mungesa e mobilizimit të grave në jetën politike të Kosovës është ndikuar jo vetëm nga kufizimet kontekstuale, por edhe nga sistemet e organizimeve partiake, së bashku me qëndrimet inerte të elitave ndaj pjesëmarrjes së grave në politikë”, thotë Demolli.

Ndërkaq Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka një interpretim tjetër.

Thotë se Ligji për Barazi gjinore është ligj i përgjithshëm, ndërsa Ligji për Zgjedhjet ligj i veçantë me karakter detyrues vetëm në lidhje me mosdiskriminimin.

Sipas saj, kuota 30% është pjesë e ligjit të veçantë dhe si e tillë është e detyrueshme për dallim nga kuota 50% që sipas saj paraqet synim të arritjes së rezultatit të dëshiruar në nivel të përgjithshëm.

“Ligji ka karakter detyrues vetëm sa i përket mos-diskriminimit, kurse në lidhje me arritjen e barazisë së plotë, që me ligj është parashikuar përfaqësimi i barabartë ( pra 50/50), ligji i nxit institucionet që të krijojnë mekanizma përmes së cilave arrihet ky synim nacional”, thotë Hoxha.

Deputetja dhe kryetarja e Forumit të Grave në LDK, Lirije Kajtazi tha se treshja e parë e partisë: kryetari, nënkryetari dhe sekretari janë gjithmonë burra.

Ajo tregoi për KALLXO.com se gjer më tani nuk ka pasur gra të nominuara për kryetare komune nga degët e LDK-së për zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin e ardhshëm.

Kjo e fundit e merr shembull Forumin e Grave të LDK-së. Në bazë të statutit të kësaj partie ky forum mund të propozojë, por nuk mund të emërojnë anëtarë në lista zgjedhore.

Por, ajo thotë se një ndryshim statutor është i nevojshëm për të mundësuar emërimin e drejtpërdrejtë të disa kandidatëve nga Forumi i Grave.

Përveç ndryshimeve në LDK, Kajtazi thekson se duhet të bëhen është ndryshime ligjore në legjislaturën e ardhshme në mënyrë që të harmonizohen ligjet.

Ajo ka thënë se duhet të vendoset një standard uniform për përfaqësim gjinor siç është ai në Ligjin për Barazi Gjinore. Por, për këtë thotë se duhet të ketë vullnet politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilin aktualisht janë 70 për qind janë burra.

Por, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra thotë se kandidimi i tri grave për kryetare të komunave është sinjal që kreu i PDK-së po e mban zotimin e tij.

“Sipas zotimit të kryetarit të partisë sonë për përfaqësim më të madh gjinor PDK në këto zgjedhje do të ketë përfaqësim më të madh të grave në lista zgjedhore. PDK nuk e sheh angazhimin vetëm për të mbushur kuotën gjinore, por e vlerëson si potencial të jashtëzakonshëm që mund të japë kontribut të çmueshëm për shoqërinë tonë”, tha Deliu-Kodra për Gazetën JnK.

Përveç kësaj, ajo nuk ka bërë të qartë se ku dhe në ç’masë do të ketë rritje të përfaqësimit të grave në lista zgjedhore.

Subjekti i dytë më i madh në Kosovë- Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandiduar asnjë grua për kryetare të komunave.

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, përmend disa faktor që ndikojnë në numrin e vogël të grave kandidate.

E para, sipas saj, është hezitimi i grave dhe vajzave për të kandiduar, të cilat nuk duhet të fajësohen sepse përballen me “mentalitet patriarkal dhe fyerje të vazhdueshme”.

“Ky mentalitet duhet të ndryshohet dhe sigurisht që ne po bëjmë përpjekje maksimale, sepse as ne si subjekt politik nuk kemi mundur të jemi imunë nga gjendja aktuale”, tha Haxhiu.

Hiq më mirë nuk ka qenë përfaqësimi i grave edhe në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të datës 11 qershor.

Një raport i Demokracisë në Veprim (DnV) për praninë e grave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 2017-ës thotë se gratë nuk kanë pasur mundësi të barabarta me burrat në garën për deputetë.

Madje, DNV-ja thotë se kemi pasur një prani të ulët të grave në fushatën e partive politike për zgjedhjet e 11 qershorit.