Institucionet nuk i zbatuan as gjysmën e rekomandimeve të Auditorit

As gjysma e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nuk ishin adresuar nga institucionet. Ato nuk kishin plan e as përkushtim për trajtimin të rekomandimeve të dala nga raporte e performancës.

Ndonëse Qeveria e Kosovë kishte përgatitur plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit për vitin 2018, planin ajo nuk e kishte dorëzuar fare në Kuvend e Kosovës për diskutim e shqyrtim.

Përderisa Auditori i kishte rekomanduar Kuvendit të kërkojë nga Qeveria këtë plan veprimi dhe gjithashtu të kërkojë raportim çdo gjashtë muaj lidhur me progresin në zbatimin e rekomandimeve.

Nga auditimet individuale të organizatave buxhetore, Auditori vëren se ato nuk zbatojnë proceset e monitorimit të zbatimit sistematik të rekomandimeve.

Në raport thuhet se vetëm 40 për qind e rekomandimeve ishin zbatuar plotësisht

“Ndonëse, krahasuar me vitin 2018, numri rekomandimeve ka shënuar rënie, megjithatë, numri i rekomandimeve të zbatuara plotësisht është në nivel prej 40%, ndërsa pjesa tjetër e rekomandimeve janë në proces të zbatimit ose të pa zbatuara, përfshirë këtu edhe rekomandimet nga vitet e mëhershme”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në anë tjetër një numër të rekomandimeve Auditori i ka konsideruar të mbyllura për shkak të ndryshimit të bazës ligjore dhe strukturës së raportimit.

Bashkëpunim jo sa duhet në mes të Kuvendit dhe Qeverisë

Në raportin e auditimit për vitin 2018, Kuvendit të Kosovës, Auditori i kishte rekomanduar të kërkojë nga Qeveria planin e veprimit lidhur me zbatimin e rekomandimeve si dhe raportim çdo gjashtë muaj lidhur me progresin e rekomandimeve.

Në vitin 2019, Qeveri a e Kosovës e kishte hartuar këtë plan veprimi i cili obligon të gjitha organizatat buxhetore ta zbatojnë, por ky plan nuk i është dorëzuar fare Kuvendit.

Tutje, Auditori tregon se në bazë të veprimeve të cilat janë ndërmarrë nga Kuvendi, Qeveria dhe institucionet tjera reflekton me zbatim të ulët të rekomandimeve.

Nga gjithsej rekomandimet e dhëna, 19 nuk ishin adresuar fare.

“Nga gjithsej 51 rekomandime 5 të dhëna në RVA 2018, 14 janë zbatuar plotësisht, 18 ishin në proces të zbatimit dhe 19 të tjera nuk ishin adresuar ende”, thuhet në raport.

Dobësitë dhe parregullsitë e evidentuara të cilat janë përsëritur nga viti në vit, sipas Auditorit kanë të bëjnë me: dobësitë në prokurim, shpalosje jo e mjaftueshme të raporteve dhe keqklasifikim të shpenzimeve, dobësi në menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimeve, dobësi të menaxhimit të personelit, menaxhim joefikas të burimeve të komunës si dhe mungesë të auditorëve të brendshëm për disa organizata dhe institucione të vogla të pavarura.

Auditori tregon se organizatave buxhetore u kishte dërguar edhe rregulloren dhe materialet tjera për zbatimin e rekomandimeve.

“Në vitin 2019, ZKA-ja ka dërguar tek organizatat buxhetore “Rregullore të punës për zbatimin e auditimit dhe planeve të veprimit” si dhe formatet e formularëve për planin e veprimit të rekomandimeve dhe monitorimit (progresit) të tyre”, tregon Auditori.

Që situata të përmirësohet, nevojitet rritja e përkushtimit dhe llogaridhënies nga personat përgjegjës si dhe monitorimi i rregullt të zbatimit të rekomandimeve nga të gjitha organizatat buxhetore.

Grafika-Zbatimi i rekomandimeve per vitin 2018-Zyra Kombetare e Auditimit (ZKA)

Zbatim i ulët i rekomandimeve nga auditimi  performancës

Plan veprimi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dala nga raportet e perfomancës nuk kishin shumica e organizatave buxhetore të audituara individualisht. Prandaj kishte edhe zbatim të ulët të rekomandimeve.

Mungesa e proceseve formale për monitorimin sistematik të planit të veprimit të zbatimit të rekomandimeve, mungesa e përkushtimit për trajtimin e tyre ndikuan në zbatimin e ulët të rekomandimeve.