Ilustrim

Institucionet nuk e përfillin opinionin e Avokatit të Popullit për ‘përvojën e punës’

Valbona Puka – Gola njëra nga kandidatët e cila ka aplikuar për pozitën e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi po pretendon se mospërfshirja e saj në listën e ngushtë të kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë është shkelje e të drejtave të njeriut.

Puka – Gola ishte eliminuar nga gara për këtë pozitë ende pa u intervistuar pasi komisionit vlerësues ka konstatuar se të njëjtës i ka munguar përvoja e punës profesionale pas diplomimit.

Ajo po pretendon se ka përvojë të mjaftueshme pune, por që e kishte bërë para se të merrte diplomën në fakultetin juridik.

Është një opinion i lëshuar nga Avokati i Popullit, aty ku punon Puka-Gola, i cili thotë se si përvojë e punës profesionale duhet të njihet edhe periudha e punës së bërë para diplomimit, duke konstatuar se aktualisht koncepti i interpretimit të “përvojës së punës” nëpër institucionet publike është i padrejtë.

Avokati i Popullit përmes një opinioni i është drejtuar Gjykatave të vendit si dhe Ministrisë së Administratës Publike me qëllim të krijimit të mundësisë së një interpretimi të drejtë të konceptit të “përvojës së punës”.

Në bazë të këtij opinioni argumenti i Gjykatave lidhur me interpretimin e “përvojës së punës”, nuk është bindës. Avokati i Popullit thotë se në Ligjin për Shërbimin Civil thuhet se Qeveria me akte nënligjore duhet të përcaktojë kriteret minimale të çdo vendi të punës, në kuadër të klasifikimit të të gjitha vendeve të punës.

“Këtë përcaktimin e kritereve, e ka kryer Qeveria me nxjerrjen e Rregullores Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Në këtë klasifikim përcaktohen gjithsej 14 grada të pagës (shih po aty, neni 6, par. 1). Për secilën gradë përcaktohen kushtet minimale për vendet e punës të asaj grade, duke përfshirë diplomë universitare dhe një sasi përvoje të punës. Mirëpo, në asnjë rast, dhe për asnjë gradë, nuk përcaktohet se përvoja e punës duhet patjetër të jetë fituar pas diplomimit”, thuhet më tej në këtë opinion.

Tutje Avokati i Popullit thotë se qëndrimi i KPMK-së dhe Gjykatës Themelore mbi çështjen e përvojës së punës konsiderohet i pa bazuar në rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Administratës Publike nga të cilët kemi kërkuar të dimë se mbi çfarë baze ligjore kjo ministri e përcakton kriterin e “përvojës së punës”, gjatë procedurave të rekrutimit. Kjo ministri e pranon që me depozitat ligjore për nëpunësit civilë kërkohet përvojë e punës për secilën pozitë, por nuk përcaktohet pas diplomimit apo para diplomimit.

Rregulla për përvojën e punës, sipas kësaj ministrie është vendosur bazuar në dy faktorë.

“Ministria e Administratës Publike ne bazë të disa vendimeve të KPMSHCK-së që ka llogaritur përvojën profesionale pas diplomimit dhe në bazë të  Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë … i cili po ashtu vlerëson se ‘përvoja e punës në profesion duhet te llogaritet pas datës së diplomimit’ ka vendosur në konkurse kriterin e tillë”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Ministria e Administratës Publike.

Ndër të tjera në përgjigjen e pranuar nga MAP është thënë se për pozitat e nivelit të lartë drejtues kanë pasur propozim që në konkurs të vendoset kriteri i përvojës së punës pas diplomimit.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Eshref Shabani për KALLXO.com tha se përvoja e punës profesionale njihet vetëm pas periudhës së diplomimit.

“Përvoja para diplomimit nuk është pranuar. Në rregulloren e klasifikimit të vendit të punës thuhet se përvoja profesionale llogaritet vetëm pas diplomimit”, tha Shabani.

Por në rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në asnjë vend nuk ceket që përvoja e punës duhet të llogaritet vetëm pas diplomimit.

“Përvoja personale- përcakton përvojën e punës në ose jashtë shërbimit civil në nivelin dhe detyrat e përafërta profesionale”, thuhet në nenin 5, pikën 1,5 të rregullores për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil.

Shabani thotë se vendimet e Këshillit nuk janë rrëzuar asnjëherë nga ana e Gjykatës lidhur me çështjen e përvojës së punës.

“Jam i njoftuar me opinionin e Avokatit të Popullit, të cilin ja u ka dërguar edhe Gjykatave, por Gjykatat nuk e kanë marrë për bazë. Nuk ka logjikë si mund të jetë njeriu jurist pa e pasur fakultetin e përfunduar apo doktor me thënë kam punuar para se me e përfundu fakultetin a ka logjikë?”, ka deklaruar kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Meqë gjykatat i kanë lanë në fuqi vendimet e Këshillit i cili nuk e njeh si përvojë të punës, punën para diplomimit dhe në të njëjtën kohë e kemi një opinion të Avokatit të Popullit që e thotë të kundërtën, KALLXO.com ka kontaktuar me kryeartin e Gjykatës Supreme, Enver Pecin për të parë nëse kjo Gjykatë ka dhënë ndonjë mendim juridik për të unifikuar mënyrën e zbatimit të ligjeve.

Por Peci ka thënë se aktualisht nuk kanë një qëndrim rreth çështjes së ngritur nga Avokati i Popullit për konceptin e interpretimit të “përvojës së punës” nëpër institucionet publike.

Ai ka shpjeguar se Gjykata Supreme mund të lëshoj një qëndrim juridik, mendime juridike apo të bëjë interpretime të normës.

“Ky opinion është diskutuar në Degën Civile sipas qëndrimit të kësaj dege Gjykata Supreme e Kosovës merr qëndrime juridike, kur për çështje të njëjta nga kolegjet e ndryshme të kësaj Gjykate dalin vendime të ndryshme, ndërsa jep mendime juridike me qëllim të unifikimit të zbatimit unik të ligjeve, kur dispozitat e caktuara ligjore nuk aplikohen njëjtë nëpër gjykata e Kosovës, ndërsa interpretimin e normës e bënë nëpërmjet vendimeve të saja, kur para saj palët kanë paraqitur mjetet juridike”, ka thënë Peci.

Sipas tij, Gjykata do të merr parasysh opinionin e Avokatit të Popullit nëse vije deri tek një situatë kur asaj i kërkohet të jep një qëndrim juridik, mendime juridike apo të bëjë interpretime të normës në vendimet e saj.

“Në situatën e cekur Gjykata Supreme do ta ketë parasysh opinionin në fjalë dhe nëse  parashtrohet ndonjë mjet juridik nga palët e autorizuara  në këtë gjykatë lidhur  me ligjshmërinë e vendimeve gjyqësore të gjykatave të shkallës së parë dhe dytë,  atëherë përgjigjja do të bazohet në vendimin që e merr kolegji kompetent i kësaj gjykate. Kështu që tani për tani nuk kemi një qëndrim sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar kryetari i Gjykatës Supreme.

BIRN në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë që nga viti i kaluar në vazhdimësi kanë monitoruar disa procese të rekrutimit nëpër institucione publike. Disa prej konkurseve janë anuluar për shkak të mungesës së kandidatëve me përvojë pune profesionale pas diplomimit .

Rasti i fundit është procesi i rekrutimit për pozitën zyrtar për përkthime në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, me ç ‘rast ndonëse më shumë se dhjetë kandidatë kishin aplikuar për këtë pozitë, kriteri që përvoja e punës të njihet vetëm pas diplomimit ka bërë që një konkurs i tillë të anulohet.