Institucionet injorojnë auditorët e brendshëm

Tetë institucione të Kosovës, përfshirë ministri, agjenci dhe ndërmarrje publike kanë probleme në zbatimin e rekomandimeve dhe çështjeve të tjera sa i përket auditimeve të brendshme.

Dobësi në funksionimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NJAB) ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), në raportin për vitin 2018.

Kurse, në Ministrin e Drejtësisë rekomandimet e NjAB-së kanë qenë vetëm pjesërisht të zbatuara, për shkak të mungesës së monitorimit formal të zbatimit të rekomandimeve si dhe mos angazhimit të auditorit.

Ngecje në funksionim të auditimit të brendshëm kishte edhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, kryesisht për shkak të injorimit të rekomandimeve të marra nga Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB).

Kurse, njësia e auditimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kishte realizuar planin vjetor të auditimit në vitin 2018, meqë i kishin zbatuar rekomandimet që kishin marrë nga Zyra Kombëtare e Audimit rreth auditimit të brendshëm.

Me telashe në këtë fushë nuk mbeti as Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila deri në vitin 2019, nuk e kishte miratuar Komitetin e Auditimit, përderisa në një përgjigje për KALLXO.com, kjo agjenci ka bërë të ditur se komiteti është formuar në fillimin e këtij viti.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mos përmbushje të planit vjetor të auditimit në Akademinë e Kosovës për Sigurie Publike (AKSP) e cila vepron në kuadër  të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për vitin 2018.

Sipas Auditorit, mos përmbushja e planit të NjAB, mund të ndikojë në mos identifikimin dhe mos adresimin e dobësive të mundshme në kontrolle si dhe të humbet mundësia për përmirësime.

Ndërkaq, MPB-ja në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Akademia e Kosovës për Sigurie Publike e ka plotësuar pozitën e lirë të auditorit  të brendshëm.

KRU ‘Prishtina’ nis zbatimin e rekomandimeve në auditim të brendshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka konstatuar mos përcjellje të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB).

Sipas tyre, NJAB nuk kishte themeluar dhe nuk mirëmban një sistem të monitorimit të rezultateve të komunikuara të angazhimeve, për tu siguruar se rekomandimet janë zbatuar në mënyrë efektive.

Njësia e Auditimit të Brendshëm ishte arsyetuar se monitorimin e zbatimit të rekomandimeve e kishte bërë në auditimin e radhës, pra nëse janë zbatuar apo ajo rekomandimet.

“Mos përcjellja e zbatimit të rekomandimeve rrezikon mos informimin me kohë të Komitetit të auditimit dhe vonesa në zbatimin e rekomandimeve, të cilat si rrjedhojë pamundësojnë përmirësimin e proceseve të qeverisjes, administrimit të rrezikut dhe proceseve të kontrollit me kohë”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Auditori ka konstatuar edhe mos përcjellje të zbatimit të rekomandimeve të NjAB nga menaxhmenti, kësisoj ky i fundit, gjatë auditimit nuk ka dëshmuar se në mënyrë sistematike përcjellë progresin e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna nga NjAB.

“Zyrtarët e ndërmarrjes kanë konsideruar se komentet e dhëna për zotimin e përmbushjes së rekomandimeve në raportet e auditimit të brendshëm si dhe iniciativat individuale të menaxherëve përgjegjës për përmbushjen e tyre janë të mjaftueshme”, vijon raporti.

Në anën tjetër, KRU “Prishtina” në një përgjigje për KALLXO.com thotë se  për vitin 2019 është duke e zbatuar rekomandimin e dhënë nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Auditimin e Brendshëm.

Sipas tyre, nër vitin 2019 janë duke u përcjellë rekomandimet në baza tre mujore nga ana e auditimit të brendshëm.

“Pas çdo auditimi, nga menaxhmenti përpilohet Plani i Veprimit mbi të gjeturat /rekomandimet, i cili përmban edhe kohën dhe përgjegjësitë për implementimin, dorëzohet  të Zura e Auditimit të Brendshëm (ZAB) dhe pastaj, ZAB bënë monitorim dhe përcjelljen e rekomandimeve sipas planit të veprimit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për KALLXO.com.

MPMS bën progres në zbatim të planit vjetor të auditimit 

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) i ka marr për bazë rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Audimit dhe kësisoj gjatë vitit 2018 kishte funksionuar mirë, duke realizuar në tërësi planin vjetor të auditimit.

“Për vitin 2018, [NJAB] kishte hartuar planin vjetor të punës bazuar në planin strategjik, ku kishte planifikuar 22 auditime të rregullta dhe dy me kërkesë”, thuhet në raport.

Por gjendja ishte më ndryshe sipas gjetjeve për vitin 2017.

Auditori në MPMS kishte konstatuar dokumentim të dobët të dosjes së auditimit nga NjAB.

“Ne kemi rishikuar dosjen e raportit të auditimit të NJAB ‘për shtëpinë e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, Prishtinë’ dhe kemi parë se, në dosjen e auditimit nuk ishin bashkangjitur dëshmitë dhe dokumentet mbështetëse për të gjeturat e auditimit”, thuhet në raport.

AKP-ja këtë vit themeloi Komitetin e Auditimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) deri në vitin 2019, nuk e kishte miratuar Komitetin e Auditimit, përderisa në një përgjigje për KALLXO.com, kjo agjenci ka bërë të ditur se komiteti është formuar në fillimin e këtij viti.

“Agjencia nuk kishte themeluar komitetin e auditimit për vitin 2018. Arsyeja e mos themelimit të KA ishte mungesa e bordit deri në fund të muajit maj dhe pritja e Udhëzimit Administrativ MF-01/2019 për themelimin dhe funksionimin e KA”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2018, për këtë agjenci.

Lidhur me këtë, AKP-ja për KALLXO.com ka thënë se me datë 29.03.2019, Bordi i drejtorëve të agjencisë kishte marr vendim që të themelojë komitetin e auditimit në përbërje të tre anëtareve.

“Rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, veçse është implementuar. Përpos kësaj, njoftimin mbi  themelimin e KA ua kemi prezantuar edhe zyrtarëve përgjegjës të Zyrës Koombëtare të Auditimit, në raportimin e rregullt mbi procesin e implementimit të rekomandimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e  tyre.

Sipas Ligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, për Komitetin e Auditimit në sektorin publik, obligohen të gjitha subjektet e sektorit publik që të themelojnë Komitetin e Auditimit në përputhje me dispozitat e përcaktuara me këtë ligj.

Dobësi në MAP me auditimin e brendshëm

Dobësi në funksionimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NJAB) ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), në raportin për vitin 2018.

Sipas Auditorit, ekzistojnë një numër dobësish në lidhje me operacionet aktuale të kësaj njësie.

“Nga shtatë raporte, në tre prej tyre fushëveprimi i auditimit është fokusuar në vitin paraprak dhe në fillim të vitit 2018. NjAB ka parë të arsyeshme rishikimin e disa ngjarjeve edhe nga periudhat e mëparshme”, thuhet në raport.

Auditorit thekson se niveli i zbatimit të rekomandimeve ende vazhdon të jetë i ulët, pasi vetëm 35 për qind e rekomandimeve të dhëna nga auditori i brendshëm ishin adresuar.

E kjo, sipas tyre ka ardhur për shkak të mungesës së përkushtimit të njësive të audituara, për zbatimin e tyre.

“Nga procesverbalet e komitetit te auditimit nuk mund të kuptojmë se ky komitet ka kontribuar në përmirësimin e funksionimit të NJAB, ngase nuk kishte dhënë asnjë rekomandim për përmirësim”, vijon raporti.

Lidhur me gjetjet e Auditorit, kjo ministri në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se janë marrë veprimet që fushëveprimi i auditimit të jetë për vitin aktual, me qëllim që eliminimi i mangësive në sisteme të bëhet me kohë, e jo pasi që ngjarjet të kenë përfunduar.

“Pos kësaj,  janë ndërmerr masa që rekomandimet e dhëna nga NjAB-i të adresohen në komitetin e auditimit i cili duhet të mbaj përgjegjës për rolin mbikëqyrës dhe raportim të vazhdueshëm për zbatimin e rekomandimeve”, ka thënë për KALLXO.com, Zeqir Bekolli, udhëheqës i Departamentit të Komunikimit në MAP.

Ligji për Auditimin e Brendshëm, përcakton se auditimet duhet të bëhen në pajtim me këtë ligj, rregullat, politikat, doracakët, udhëzimet, statuti i auditimit të brendshëm, kodin e etikës si dhe standardet profesionale të shpallura nga Ministri sipas këtij ligji.

Ministria e Drejtësisë me zbatim të pjesshëm të rekomandimeve

Rekomandimet e NjAB-së kanë qenë vetëm pjesërisht të zbatuara në Ministrinë e Drejtësisë (MD), ka vlerësuar Auditorit në raportin për vitin 2018.

“Ketë e konfirmon edhe Raporti vjetor i NjAB i dërguar në Njësinë Qendrore Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave. Në këtë raport potencohet se nga gjithsej 19 rekomandime të dhëna, pesë (5) ishin zbatuar, 10 ishin në proces të zbatimit dhe katër (4) nuk ishin zbatuar fare”, thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrin e Drejtësisë.

Shkaku i mos zbatimit të rekomandimeve në nivelin e duhur, sipas tyre është angazhimi jo i mjaftueshëm i menaxhmentit si dhe mungesa e monitorimit formal të zbatimit të rekomandimeve.

Edhe në raportin për vitin 2017 për MD-në është evidentuar se rekomandimet e NJAB-së kanë qenë pjesërisht të zbatuara.

“Nevojitet punë më cilësore dhe më e theksuar e Komitetit të Auditimit në drejtim të shtyrjes së implementimit të rekomandimeve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm”, thuhej në raportin e vitit 2017.

Sipas udhëzimit administrativ nr 01/2019 për themelimin dhe funksionimin e komitetit të auditimit për sektorin publik, komiteti i auditimit shqyrton raportet përmbledhëse, gjetjet, rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe siguron që ato janë adresuar siç duhet nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me këtë çështje, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

MPB-ja s’e përmbushë planin vjetor të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mos përmbushje të planit vjetor të auditimit në Akademinë e Kosovës për Sigurie Publike (AKSP) e cila vepron në kuadër  të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për vitin 2018.

“Sipas planit vjetor të NjAB në AKSP ishte planifikuar që për vitin 2018 të kryheshin pesë auditime, por kjo njësi gjatë vitit 2018 kishte kryer vetëm dy auditime. Kjo gjendje kishte ardhur si pasojë e transferimit të auditorit të AKSP-së në ministrin e Financave. Kjo njësi kishte vetëm një auditor dhe transferimi i tij në ministri kishte ndodhur në muajin korrik”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mos përmbushja e planit të NjAB, mund të ndikojë në mos identifikimin dhe mos adresimin e dobësive të mundshme në kontrolle si dhe të humbet mundësia për përmirësime.

Ndërkaq, MPB-ja në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Akademia e Kosovës për Sigurie Publike e ka plotësuar pozitën e lirë të auditorit  të brendshëm.

“Gjate kësaj periudhe  sa ka qenë kjo pozitë e lirë, nuk ka ndikuar në performancen e punëve dhe kontrollit  të brendshëm në AKSP. Ju njoftojmë se në vitin 2018, si rezultat i performances të mirë, AKSP është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimit për trajnime profesionale të Agjencive të Sigurisë Publike si dhe ka marrë akreditim ndërkombëtar nga IADLEST me seli në SHBA”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas të dhënave të Auditorit, sistemi i auditimit të brendshëm MPB dhe tri agjencitë në kuadër të saj (PK, IPK dhe AKSP), kanë të themeluar Njësitë e Auditimit të Brendshëm (NjAB).

Këto mekanizma operojnë me katër auditor në MPB, pesë auditor në PK, një auditor në AKSP dhe një auditor IPK.

Komuna e Mitrovicës pa Komitet të Auditimit

Komuna e Mitrovicës nuk e kishte themeluar Komitetin e auditimit (KA) gjatë vitit 2018, sic ishte e obliguar me ligji. Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thotë se mos-themelimi i Komitetit të Auditimit kishte ndodhur për shkak të pamundësisë për të gjetur staf të jashtëm për pjesëmarrje në këtë komitet, sic parashihet me ligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike nr.06/L-021 neni 20.

Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se Komiteti i Auditimit ka qenë i themeluar, mirëpo ishte anuluar për shkak të përbërjes së tij që ishte në kundërshtim me rregullat në fuqi.

“Me Ligjin e ri duhet që 2/3 të jenë anëtar të jashtëm, kështu që jemi në kërkim të anëtarëve të jashtëm nga Shoqëria Civile, por është shumë e vështirë të gjinden 3 anëtarë nga jashtë që kanë përvojë në auditim”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, komuna thekson se janë në procedurë e sipër që sa më shpejtë ta bëjnë kompletimin e anëtarëve.

Në anën tjetër, sipas ZKA-së, mos formimi i komitetit në pajtim me legjislacionin në fuqi, mund të ndikojë, që puna e auditorit te brendshëm të mos përcillet mjaftueshëm dhe procesi i zbatimit të rekomandimeve të jetë në nivel të ultë.

“Kryetari, duhet të rishikoj emërimin e anëtarëve të komitetit të auditimit dhe të sigurohet se përzgjedhja e tyre është adekuate sipas kërkesave të ligjit dhe rregullores përkatëse, duke mënjanuar zyrtarët që mund të jenë subjekt i auditimit të brendshëm, në mënyrë të përmirësimit të kontrollit dhe menaxhimit financiar”, rekomandon auditori.

Komunë e Ferizajt – Dobësi në auditim të brendshëm

Dobësi në funksionimin të auditimit të brendshëm janë gjetur edhe në Komunën e Ferizajt nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Nga 12 auditimet e planifikuara, Njësia e Auditimit i kishte finalizuar vetëm 9 raporte.

“Në njërin prej raporteve të kryera ‘Procedurat e menaxhimit të prokurimit për periudhën 30.09.2017 deri 15.07.2018’, ishin dhënë vetëm përshkrime dhe të gjeturat nuk përkonin me objektiven e auditimit. Nga dhjetë raportet e finalizuar ishin dhënë gjithsej 34 rekomandime, prej tyre 10 ishin zbatuar, 13 ishin në proces ndërkaq 11 mbesin të pa zbatuara”, thuhet në gjetjet e Auditorit.

Ndërkaq, sipas tyre, gjatë vitit 2018 në periudhën janar-korrik, Komiteti i Auditimit ka mbajtur vetëm një takim.

“Ndërkaq me datë: 26.09.2018 është nxjerr vendimi për komitetin e ri, i cili ka mbajtur katër takime por të cilat nuk janë formalizuar.  Kjo e pamundëson verifikimin për shqyrtimit ose jo të raporteve të NjAB nga ana e KA”, thuhet në raport.

ZKA tutje thekson se sistemi i auditimit të brendshëm është një pjesë kyçe e kontrollit të brendshëm dhe si i tillë duhet të ofrojnë siguri mbi efektivitetin e kontrolleve të brendshme.

“Një program i papërfunduar i NjAB-së dhe mos implementimi i rekomandimeve zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare. Një Komitet i Auditimit jo-funksional, nuk i shërben funksionit të auditimit dhe dobëson rolin dhe pavarësinë e auditimit të brendshëm. Kjo gjithashtu limiton mundësinë që menaxhmenti të marrë siguri për efektivitetin e kontrolleve të brendshme”, janë disa nga rreziqet e paralajmëruara nga ZKA-ja.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Ferizajt, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.