Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Inovacioni në tenderë, 894 transaksione për blerjet nën 100 Euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit ka shmangur procedurat e hapura të prokurimit në disa tenderë.

Gjatë procesit të auditimit është vërejtur se te kategoria mallra dhe shërbime ka ndodhur një numër i madh i blerjeve nën 100 euro. Nga një analizë e shkurtër ka dalë që gjithsej janë bërë 894 transaksione nga 90 euro deri 99.99 euro ne vlerën totale prej 87,179 euro.

Sipas Auditorit në këto transaksione nuk janë përfshirë shpenzimet për udhëtime zyrtare, shpenzimet postare, shpenzimet e komunalive etj.

“Ne nuk përjashtojmë mundësinë që ndonjëra prej pagesave të jetë bërë me kontratë, por shumica e këtyre blerjeve janë pa procedurë të prokurimit”, theksohet në raport.

Prej tyre, furnizim me mobile kanë qenë 1,943 euro apo 20 raste. Fatura me e lartë ka qenë 99.50 euro dhe më e ulëta 98 euro. Pajisje tjera janë 151 transaksione në vlerë prej 13,742 euro, furnizim për zyre 158 transaksione në vlerë prej 14,072 euro, shërbime teknike 96 transaksione në vlerë prej 9,152 euro dhe mirëmbajtja 37 transaksione në vlerë prej 3,161 euro.

Në raportin e auditimi thuhet se edhe pse nuk është jashtë suazave ligjore që të bëhen blerjet nën 100 euro, numri i madh i këtyre transaksioneve tregon për një planifikim të dobët të nevojave të komunës dhe njësive të saj. Sipas Auditorit, mund të vërehet sa ka një kontroll të dobët për sa i përket shpenzimeve dhe nevojave për blerjet e tilla dhe se zakonisht këto janë blerje ad-hoc dhe të pa planifikuara si duhet.

“Kryetari duhet të siguroj se janë bërë planifikimet e duhura të komunës dhe drejtorive/njësive përkatëse që këto shërbime të kontraktohen në mënyrë që të minimizohet numri dhe vlera e blerjeve të tilla. Planifikimi më i mirë mundëson eliminimin e blerjeve ad-hoc dhe siguron në shfrytëzim më efikas të buxhetit komunal për nevojat reale për mallra dhe shërbime të tilla”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

94 kontrata përmes procedurës me vlerë minimale

Sipas raportit të kontratave të nënshkruara për vitin 2018, Komuna e Dragashit kishte nënshkruar 94 kontrata përmes procedurës me vlerë minimale.

Gjatë auditimit është vërejtur se ka ndarje të tenderëve, ku për furnizime dhe shërbime të natyrës së njëjtë janë zhvilluar një numër i procedurave. Auditori ka përshkruar pesë raste të tilla që janë evidentuar në raportin e auditimit për vitin 2018.

Për tenderin “Furnizim me kompjuter” janë zhvilluar dy procedura në vlerë totale 1,604 euro, për tenderin “Furnizim me laptop”, janë zhvilluar dy procedura në vlerë totale 1,495 euro, për “Furnizimi dhe montimi i kamerave të sigurisë”, janë zhvilluar dy procedura në vlerë 1,518 euro, për “Furnizim me material higjienik”, janë zhvilluar katër procedura në vlerë 3,321 euro dhe për “Furnizim me material didaktik” janë zhvilluar dy procedura në vlerë 1,988 euro.

Sipas Auditorit, praktika e tillë shton rrezikun e mos arritjes së vlerës për para dhe dëmtojnë transparencën, eliminojnë konkurrencën dhe vënë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve dhe produkteve të pranuara.

“Kryetari duhet të siguroj që bëhet një planifikim i hollësishëm dhe njësitë kërkuese duhet të vlerësojnë në mënyrë të drejtë kërkesat për prokurim”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.