Ministri Uran Ismaili - Foto: KALLXO.com

Ilaçi i ministrisë së Shëndetësisë për rekomandimet e Auditorit

Ministria e Shëndetësisë i ka zbatuar plotësisht 15 nga 25 rekomandimet e Auditorit të dhëna në raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare të vitit 2017. Niveli i zbatimit të rekomandimeve është rreth 60%.

Përveç tyre, janë edhe tri rekomandime të tjera që janë në proces të zbatimit. Kjo ministri nuk i ka zbatuar ende 7 rekomandime që ka marrë në raportin e publikuar vitin e kaluar.

Krahasuar me vitet e kaluar, kjo ministri ka bërë një përparim të madh në zbatim të rekomandimeve. Rekomandimet e dhëna në raportin për PFV të vitit 2016, Ministria i ka zbatuar vetëm 7 nga 26 rekomandimet që kishte marrë, apo 27%. Në të njëjtin vit, 17 rekomandime apo 65% nuk ishin zbatuar fare.

Hiq më mirë nuk ishte situata edhe me zbatim të rekomandimeve të vitit 2015. Është zbatuar vetëm një rekomandim (4%), ndërsa 13 të tjera nuk ishin zbatuar fare dhe 11 ishin në proces të zbatimit.

BIRN gjatë vitit të kaluar e kishte publikuar një analizë të rekomandimeve dhe gjeteve të auditorit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë katër viteve të fundit, 2014-2018. Në këtë analizë ishte konstatuar niveli shumë i ulët i zbatimit të rekomandimeve.

Në 96 rekomandimet e dhëna për periudhën 2014-2017, Ministria e Shëndetësisë ka arritur t’i adresoj plotësisht 25 rekomandim apo 26 për qind prej tyre, pjesërisht 23 për qind apo 22 rekomandime si dhe rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar fare bëjnë pjesë me rreth 51 për qind apo 49 rekomandime. Nga 7 rekomandimet e pa zbatuara të vitit 2018-të, dy prej tyre janë mbyllur si të tilla, të pa zbatuara.

Gjetjet dhe dobësitë në vitin 2018

Përkundër përparimit, Auditori në raportin 33 faqesh të auditimit për MSh-ën për pasqyrat financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018 ka nëntë gjetje për të cilat dha rekomandime.

Dobësi dhe shkelje ka gjetur në planifikimin e buxhetit, pagat dhe mëditje për të punësuarit, furnizimet me mallra dhe shërbime, dhe hyrjen në borxhe.

Në opinion e pa modifikuar të ZKA-së thuhet se këto pasqyra paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtet, por me theksim të çështjes në regjistrimin e pasurisë.

“Pasuria kapitale me vlerë mbi 1,000€ nuk prezanton vlerën e saktë për arsyen se 876,216€ të fondeve për investimet në vijim, nuk ishin regjistruar në regjistrin e pasurisë, dhe rrjedhimisht as në Pasqyrat Financiare Vjetore. Po ashtu, edhe pasuria jo kapitale nën 1,000€, nuk prezanton vlerën e saktë të pasurive për arsyen se vlera prej 214,710€ nuk ishin regjistruar në modulin e-pasuria”, thuhet në opinionin e pa modifikuar të ZKA-së.

Probleme me regjistrimin e pasurisë janë evidentuar edhe në të kaluarën. Këtë çështje auditori e ka evidentuar edhe në raportin e vitit 2017-të.

Zyrtarëve të komuniteti serb u dhanë paga pa asnjë ditë pune

Problemet që e kanë përcjell Ministrinë e Shëndetësisë nga viti 2014 deri 2017 ka qenë punësimi personave me kontrata mbi shërbime të veçanta dhe pozita që mbahen me ushtrues detyre. Probleme të reja të tilla nuk janë evidentuar nga Auditori në vitin 2018-të. Por në ministri janë shfaqur probleme të reja ku disa të punësuarve u jepen paga pa asnjë ditë pune.

Bazuar në marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e ashtuquajturës “Mbrojtjes Civile” dhe strukturat tjera paralele, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim t’i punësoj ish pjesëtarët e saj. Në këtë minsitri, Auditorit thotë se pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 22 nëpunës të komunitetit serb ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

“Zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës ku ishin përcaktuar me akt-emërime, siç i obligon Ligji i punës Nr. 03/L-212 dhe kontrata e punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në shumë të plotë. Vlera e paguar për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 22 zyrtarë ishte 97,733€. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë nëpunësit publik do të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Ministrit iu rekomandua të ndërmerr hapa për të zgjidhur këtë problem qoftë edhe në nivel të Qeverisë, pasi kështu ka rrezik të dëmtimit të buxhetit të ministrisë dhe pagesave të rregullta.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve duke bërë monitorimin e vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda ministrisë, kjo duhet të diskutohet në nivel të Qeverisë dhe të nxirren vendimet e duhura”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në QKTGj pranohet malli në kundërshtim me rregulloret

Në vitet e kaluara ku ishin vërejtur se kishte vonesa të adresimit të kërkesave nga ana e Agjencisë për Financimin e Shëndetësisë (AFSH) tek operatorët ekonomik sa i përket furnizimit me barna. Në pesë raste për furnizim me barna kërkesat nga AFSh dhe urdhër blerja ishin bërë pas pranimit të faturës dhe në shtatë raste ka pasur vonesa nga ana e operatorëve ekonomik, mirëpo nuk janë llogaritur ndëshkimet për të gjitha rastet pasi porositë për furnizim me barna janë bërë pa urdhër blerje, gjithashtu probleme me menaxhimin e stokut.

Probleme me pranimin e mallrave janë shfaqur edhe në vitin 2018, por në një institucion tjetër.

Raporti evidenton se komisioni që pranoi mallin në Qendra për Transfuzion të Gjakut nuk kishte autorizimin e Drejtorit Ekzekutiv.

“Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut ka bërë pagesë me vlerën 64,425€ për “Furnizim me Teste Serologjike”. Pranimi i testeve ishte bërë nga komisioni i pranimit të mallit i përbërë nga tre persona për formimin e të cilit nuk kishte ndonjë vendim (autorizim). Ne kemi vërejtur se ky komision nuk ishte caktuar nga Drejtori Ekzekutiv i QKTGj siç kërkohet me legjislacionin e lartshënuar, i cili e parasheh se autoriteti i vetëm për caktimin e komisioneve është Zyrtari Kryesor Administrativ”, gjen Auditori.

Ky veprim i këtij komisioni ishte në kundërshtim me rregulloren për shpenzimin e parasë publike dhe atë të menaxhimit të pasurisë jo financiare për organizatat buxhetore.

Auditori evidenton se mungesa e vendimeve sipas rregulloreve rrezikon që të pranohen pasuri jo adekuate dhe sipas kontratës.

“Ministri duhet të siguroj se Drejtori Ekzekutiv i QKTGJ-së zbaton me konsistencë kërkesat e rregulloreve dhe formon me kohë komisionet për pranimin e mallrave dhe pasurive të blera jo financiare”, thuhet në rekomandimin e dhënë nga Auditori.

Shkelje të ligjit për menaxhimin e kontratës

Për dallim nga raportet e viteve të kaluara, në raportin e Auditorit ku është evidentuar shkelje në proceset e prokurimit para dhënie së kontratës, si blerje 30 mijë euro me procedura të koutimit dhe çështje tjera, në raportin e vitit 2018-të nuk ka dobësi e shkelje të evidentuara gjatë fazës së vlerësimit të tendërëve.

Por gjatë vitit 2018, sipas Auditorit, probleme në Ministri janë shfaqur në menaxhimin e kontratës. Probleme të ngjajshme kishte edhe viteve të kaluara.

Auditori bën të ditur se në një rast menaxheri e kontratave nuk ka përpiluar raport të menaxhimit të kontratës.

“Furnizim me Teste Serologjike’. QKTGj kishte caktuar menaxherin e kontratës për përcjelljen e procesit të mbarëvajtjes se furnizimit dhe pagesës, por ne nuk kemi hasur raport nga menaxheri i kontratës për progresin e furnizimeve sipas specifikave të kontratës. Menaxheri i kontratës nuk ishte në dijeni për nevojën e përgatitjes së ndonjë raporti, dhe nuk kishte përgatit raport lidhur me progresin dhe zbatimin e kësaj kontrate”, gjeti Auditori.

Menaxheri nuk kishte respektuar Udhëzuesin Operativ për Prokurim Publik dhe QKTGj kishte realizuar pagesë në vlerë 64 mijë e 425 euro.

Rreziku që nga mungesa e raporteve që mund të dërgojnë në realizimin e kontratave jo në konform me specifikat e parapara, Auditori rekomandoi Ministri duhet të siguroj që kreu i QKTGj-së t’i përmbushë kërkesat ligjore.

“Ministri duhet të siguroj se Drejtori Ekzekutiv i QKTGJ-së do të përmbushë kërkesën ligjore që të gjithë menaxherët e kontratave pas përfundimit të kontratave të përgatisin raporte të hollësishme konform rregulloreve të prokurimit.”, thuhet në rekomandim.

Ministria nuk e din bilancin e borxheve me spitalet private

Auditorit, ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë përkundër përpjekeve nuk ka arritur të zbatojë në plotëni një rekomandim të dhënë për barazim me spitalet private.

“Përkundër themelimit të komisionit për barazime në vitin 2017, i cili kishte bërë barazime me tre spitale dhe kishte konstatuar mjete të pashfrytëzuara në vlerë 111,015€4, në vitin 2018, MSh kishte shuar këtë komision për arsye konflikti të interesit tek anëtarët e atij komisioni”, thuhet në gjetjen e Auditorit, i cili ka konstatuat se për pasojë MSh në vitin 2018 nuk ka themeluar ndonjë komision për barazime me Spitalet.

“Janë 274 spitale private brenda dhe jashtë Kosovës me të cilat MSh nuk ka kryer asnjëherë barazim për subvencionimin e pacientëve me kostot efektive të trajtimeve. Ky mosbarazim po ndodh për shkak se ministria ende nuk ka krijuar ndonjë mekanizëm (komision) për këtë çështje si dhe nuk ka hartuar procedura të qarta për të rregulluar procesin e harmonizimeve me spitalet private”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mungesa e harmonizimit të MSh-së me spitalet private, Auditori e sheh si rrezik se mjete e paguara më tepër nuk mund të rimbursohen. Ministrit iu rekomandua të krijoj komision për këtë çështje.

“Ministri duhet menjëherë të krijojë një komision për të zbatuar një proces të harmonizimit që do të mbuloj të gjitha spitalet private, dhe se çdo fond që u paguhet këtyre spitaleve dhe që tejkalon shpenzimet aktuale të trajtimit, duhet të kthehet në MSh”, thuhet në rekomandim.

Probleme me borxhe Ministria ka pasur edhe në vitet e kaluara. Në vitin 2016 Auditori ka gjetur se klinikat private nuk ia paguajnë borxhin Qendrës së Transfuzionit të Gjakut. QKKTGj ka marrëveshje me klinikat private për shpenzimet e shërbimeve të gjakut. Pjesa më e madhe e te arkëtueshmeve apo rreth 70% vije nga një debitor, i cili ka obligime të cilat nuk i ka përmbushur që nga viti 2013. Borxhet kanë pasur trend të rritjes për çdo vit. Përveç kësaj disa fatura ishin fshehur.

Në vitin 2014, 12 fatura të QKUK-së në vlerë 66.3 mijë euro dhe 4 të tjera në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës me vlerë 4.9 mijë euro, nuk ishin shpalosur në Pasqyrat financiare.

Mos arsyetim i mjeteve për trajtimet mjekësore të subvencionuara

Problemet me subvencionimin për shërim jashtë institucioneve spitalore publike vazhdojnë të jenë evidente edhe në vitin 2018-të. Mangësi në menaxhimin e subvencioneve ka pasur edhe në vitin 2014-të, ku mungonin dëshmitë nga pacientët pas trajtimit të tyre. Problemet me dëshmi vazhdojnë të jenë prezentë në Ministrinë e Shëndetësisë edhe në vitin 2018-të.

Janë 59 pacient të cilët nuk i kanë sjellë dëshmitë e trajtimit mjekësorë, nga mostra prej 81 pacientëve.

“Nga tetëdhjetë e një (81) mostrat e testuara për TMJIPSH, që përfaqësojnë 9% të gjithë pacientëve të subvencionuar nga programi TMJISHP, ne kemi vërejtur se vetëm 22 pacientë apo 27% e përfituesve kishin sjellë faturat e trajtimeve në FSSH. Po ashtu, nga 22 mostrat kur pacientët kanë kthyer faturat e trajtimit, në tri (3) mostra kemi vërejtur që ka mos përputhje në mes të pro faturave dhe faturave të paguara në vlerë prej 7,336€. Kjo ndodh për shkak të neglizhencës nga palët përfituese për t’i ofruar dëshmitë pas trajtimit për shpenzimet e ndodhura”, gjen auditori.

Mos-sjellja e dëshmive të trajtimit mjekësorë është në kundërshtim me vendimin e Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) dhe udhëzimit administrativ që mundëson trajtimet mjekësore jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Mungesa e dëshmive shihet si rrezik që mjetet e dhëna nuk përdoren për trajtim, andaj Auditori rekomandoi Ministrit se duhet të krijoj mekanizma efektiv për të siguruar se palët përfituese janë duke e respektuar obligimet për arsyeshmërinë e plotë të shpenzimeve të subvencionuara nga ministria.

Faturat e pranuan jashtë protokollit dhe Ministria hyri në obligime shtesë

Auditori gjen se Ministria nuk i kishte regjistruar faturat në librin e protokollit.

“Nga gjithsej 14 fatura të testuara nga mallrat dhe shërbimet dhe investimet kapitale, dy fatura të operatorëve ekonomik nuk ishin regjistruar në libër të protokollit në momentin e pranimit të faturës nga Operatori Ekonomik. Këto dy fatura janë “Mirëmbajtje e ventilimit” me vlerë 6,726€ në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, dhe “Infrastrukturë Spitalore” me vlerë 8,400€ në Institutin Kombëtar për Shëndetësinë Publike. Arsye e kësaj ishte se disa fatura janë përcjellë direkt në Departamentin e Prokurimit nga Operatorët Ekonomik, dhe zyrtari i përgjegjës për pranimin e faturave nuk kishte njohuri mbi pranimin e tyre. Këtu shpërfaq një bashkëpunim të dobët në mes të Departamentit të prokurimit dhe zyrtarit përgjegjës që mban evidencat në librin e protokollit”, gjen Auditori.

Auditori evindenton se veprimet e tilla nuk janë në përputhje me rregullën fiskale për shpenzimet e parasë publike.

Sipas Auditorit, mos zbatimi i procedurave të duhura të kontrollit të brendshëm si dhe mosbashkëpunimi mes zyrtarëve gjatë pranimit të faturave, rrisin rrezikun që faturat nga Ministria edhe të mos paguhen me kohë.

Ministrit iu rekomandua që duhet të siguroj se njësitë e MSh-së faturat i evidentojnë dhe pranojnë përmes protokollit dhe se të njëjta regjistrohen dhe procedohen me kohë për pagesë.

Në kundërshtim me rregullën fiskale, Ministria gjatë viti kishte marrë obligime përtej mjeteve të ndara.

“Ministria kishte hyrë në obligime financiare më shumë se sa ndarjet buxhetore te kategoria subvencione dhe transfere. Buxheti i ndarë për këtë kategori në vitin 2018 ishte 11,366,540€, shpenzimi 11,016,744€, përderisa 7,220,178€, janë obligime të raportuara në PFV në kategorinë subvencione dhe transfere, që duhet të paguhen në vitin 2019. Shkaku i kësaj rritje të obligimeve është rezultati i aprovimit të kërkesave për trajtim mjekësor të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore nga bordi ekzekutiv i këtij institucioni, pa marrë në konsideratë ndarjet e dedikuara buxhetore”, njofton e gjetura e Auditori.

Në ministri thotë se menaxhimi i këtyre mjeteve është i pamundur, pasi varet shumë nga kërkesat që vijnë nga pacientet dhe se kur të harxhohet fondi i dedikuar për shërbim nuk munden me ndërpre ndarjen e mjeteve për shërim, sepse ka të bëjë me shpëtimin e jetës së njerëzve.

Raporti i rekomandon Ministrit të siguroj se Bordi ekzekutiv i TMJIShP me rastin e aprovimit të kërkesave për trajtim të pacientëve, duhet të merr në konsiderim fondet buxhetore në dispozicion dhe të mos aprovoj kërkesa që krijojnë obligime për vitet vijuese.

Sipas Auditorit, shumat e raportuara të obligimeve të pa paguara janë shuma domethënëse për buxhetin e ministrisë, dhe si të tilla, mund të ndikojnë në balancat buxhetore për vitin e ardhshëm.