Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Iber Alaj: Këtë muaj shpallet konkursi për Udhëheqësin artistik të TKK-së

Iber Alaj, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë për Kallxo.com se brenda muajit mars do të hapet konkursi për zgjedhjen e Udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Të hënën që shkoi, MKRS është detyruar ta anuloj konkursin për zgjedhjen e drejtorit artistik për shkak të mos harmonizimit të ligjeve bazike me aktet nënligjore që rregullojnë fusha të caktuara të kulturës.

Anulimi i konkursit, që u hap në nëntor të 2020, u bë për shkak të emërtimit të pozitës që kërkohet në konkurs.

Emërtimi, ‘Drejtor artistik’ nuk njihet në Ligjin për teatrot, neni 13, as në Statutin e TKK-së, neni 9. Por, në Rregulloren e Qeverisë 15/2018, e cila rregullon pagat dhe gradat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, neni 8, në vend të emërtimit udhëheqës artistik figuron emërtimi drejtor artistik.

U.d. sekretari Alaj, ka thënë se pas shumë kërkesave sqaruese që është dashur të bëhen lidhur me emërtimin, se a është drejtor apo udhëheqës artistik, MKRS ka ardhur në përfundim se duhet anuluar konkursin për shkaka ligji nuk e parasheh emërtimin, ‘Drejtor artistik’.

“Ligji, taksativisht thotë se është udhëheqës artistik, në konkurs ka dal si drejtor artistik dhe në zbatim ligjshmërisë në fuqi e kemi anuluar konkursin. Brenda këtij muaji do të hapet konkursi për udhëheqës artistik i TKK-së”, ka thënë Alaj.

Alaj ka thënë se MKRS do të duhet të bëjë harmonizimet e nevojshme në legjislacion me qëllim që të mos ketë probleme dhe interpretime gjatë marrjes së vendimeve.

Anulimi i konkursit për drejtor artistik ishte kërkuar nga Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës, pikërisht për shkak të emërtimit.

“Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës në konkurs si: ‘Drejtor Artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njehërit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik. Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye ShATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK”, thuhet në komunikatë e ShATK-ut.

Por, anulimi i konkursit ka ngjallur reagimin kandidatëve që ishin nga garë për drejtor artistik.

Sokol Plakolli, kandidat në konkursin e anuluar, përmes një letre të hapur ka kritikuar MKRS-në, pasi sipas tij, edhe në 2019-ën ishte hapur konkursi për këtë pozitë me të njëjtin emërtim, drejtor artistik, por, MKRS nuk e anuloi, e as nuk pati ankesa nga komuniteti artistik teatror.

“Andaj u apeloj institucioneve përgjegjëse të MKRS së, znj. Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës dhe Këshillit Drejtues të TKK-së, në veçanti që urgjentisht të ndërmarrin hapa konkret me qëllim që TKK të udhëhiqet nga drejtor legjitim të zgjedhur përmes konkursit e jo nga U. D. Është e pa përgjegjshme që të ftohesh dy herë për test me shkrim dhe një ditë para testit në ora 15:59 minuta të lajmërohesh se konkursi është anuluar pa kurrfarë arsyetimi serioz”, ka thënë Plakolli, ndër të tjerash në letrën e tij të hapur drejtuar MKRS.

Kallxo.com pati raportuar në 2019 se MKRS kishte hapur konkurs për pozitën: ‘Drejtor artistik’, pozitë që nuk njihej me ligjin për teatrot. Por, në atë kohë për MKRS, çështja e emërtimit nuk përbënte ndonjë problem.