Një fshat në Kosovë pas luftës. Foto: Flickr/ Marietta Amarcord.

'Heshten’ kompensimet e dëmeve 20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë

20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, nuk është bërë asnjë kompensim i dëmeve që shteti i Serbisë i ka shkaktuar popullit kosovar gjatë viteve 1998/1999.

Mbi 1600 persona konsiderohen të zhdukur, ndërkaq dëmi që supozohet që është shkaktuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë arrin vlerën mbi 22 miliardë euro.

Por për njohës të së drejtës ndërkombëtare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, çështja e dëmshpërblimit nga lufta edhe pse e vonuar, nuk duhet të tejkalohet dhe duhet të përfshihet kuadër të bisedimeve me Serbinë.

Shemsi Syla, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se pala kosovare nuk duhet të heq dorë nga kërkesa për kompensimin e dëmeve që janë shkaktuar gjatë luftës.

“Edhe dialogu [me Serbinë] duhet të kushtëzohet për dëmin që i është bërë Kosovës. Por fatkeqësisht këtë nuk e kanë bërë këtë delegacione që po dialogojnë. Është dëm shumë i madh, është neglizhencë, është lëshim i madh, është e pafalshme kjo që ka ndodhë deri tash dhe nuk kushtëzohet në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë Serbia që t’i kompensojë gjithë ato dëme që ia ka sjell Kosovës”, tha ai.

Për këtë çështje, Syla ka fajësuar edhe faktorin ndërkombëtar.

“Për mua është absurditet ajo çfarë ka ndodhë edhe në bashkësinë ndërkombëtare që nuk është e angazhuar në këtë drejtim, aq më tepër nga faktori ynë i cili është vendimtar për ta lëvizur këtë çështje. Serbia ka qenë agresor dhe të heshtet deri në 20 vjet, kjo është anakronizëm”, vlerësoi anëtari i Komisionit Parlamentar.

Ndërkaq, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti thotë për Gazetën JnK, se çështja e dëmeve të luftës dhe dëmshpërblimit është e një rëndësie të veçantë.

“Ky është një argument që nuk guxon dhe nuk bën të tejkalohet në raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë për faktin se siç dihet në luftën e fundit i janë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme Kosovës dhe mbyllja e syve para këtij realiteti do të ishte vërtetë fatale dhe për keqardhje”, u shpreh ai.

Sipas Hotit, 20 vjet pas luftës, inicimi i kompensimit të dëmeve nga lufta është zbehur.

“Megjithatë në dritën e negociatave dhe arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, është moment shumë i duhur që të prezantohen fakte dhe figura të prekshme për dëmet e shkaktuara dhe asnjëherë të mos mund të tejkalohet kjo çështje”, thotë ai.

Profesori universitar shton se çështja e kompensimit të dëmeve është praktikë edhe e shteteve të tjera.

“Të gjitha shtetet që kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, praktika e deritashme njeh përfshirjen e dëmeve të luftës, përfshirë këtu edhe shtetet shumë të fuqishme siç është Gjermania që deri vonë, madje në disa pika edhe sot e kësaj dite merret me konsekuencat e kësaj çështje”, përfundoi Hoti.

Në anën tjetër, Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, në platformën e tyre, një një pikë kanë propozuar mekanizëm për kompensimin e viktimave të luftës.

“Duhet tё ketё një mekanizëm nëpërmjet të cilit (i) individët e prekur nga shkeljet e të drejtës humanitare të kryera gjatë luftёs mund të kërkojnë kompensim për humbjet materiale dhe jomateriale që i atribuohen këtyre shkeljeve gjatë luftёs; (ii) individët mund të kërkojnë kthimin e tё mirave materiale, kursimeve dhe pensioneve që nuk kanë qenë në gjendje t’i përfitojnë që nga lufta”, thuhet në platformën e Ekipit negociator.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

 

https://kallxo.com/gjnk/beteja-e-platformave-per-dialogun/