Heronjtë e vitit 2020: Njerëzit që e bënë ndryshimin

Duke filluar nga zyrtarët të  cilët e ngritën zërin e tyre për drejtësi dhe transparencë në kohë të vështira deri tek njerëzit e përditshëm dhe aktivistët që treguan dashamirësi të jashtëzakonshme ndaj të varfërve dhe të pambrojturve, BIRN profilizon disa nga ata që ndërmorën masa për ndryshime pozitive në vitin 2020.

Ndërkohë që pandemia i ekspozoi të gjitha ndasitë e shoqërive moderne, duke i vënë nën presion të madh aftësitë fizike, duke rrezikuar demokracitë dhe duke kërcënuar me thyerje shpirtrore, këta heronj u konfrontuan dhe gjetën guximin të flisnin me zë të lartë ose të shtrinin dorën e ndihmës – ndonjëherë edhe në dëm të vetvetes.

Në një vit si asnjë tjetër, kur pandemia përfshiu botën, mirënjohje e veçantë u takon edhe mjekëve dhe punëtorëve mjekësorë që u sfiduan ballë për ballë, duke mos kursyer asnjë përpjekje dhe duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar të tjerët.

Mbrojtësja e lumenjëve të rrezikuar të Kosovës

Shpresa Loshaj. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic

Shpresa Loshaj, aktiviste nga Kosova, bashkëthemeluese e organizatës ambientaliste ‘Pishtarët’ në mars të vitit 2020

Ajo dhe kolegët e saj aktivistë po bëjnë fushatë për të shpëtuar lumenjtë në rajonin e Deçanit, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha që kur ujrat e tyre pësuan devijime për të prodhuar energji hidroelektrike.

Që nga fillimi i aktivizmit të saj përmes OJQ-së ‘Pishtaret’, Loshaj, së bashku me kolegët e saj aktivistë, janë përballur me procese gjyqësore nga kompania Kelkos Energy, e cila operon me termocentralet në Deçan.

“S’ka kthim mbrapa”, i kishte thënë babai i saj, pak kohë para vdekjes pas padisë së ngritur ndaj saj nga Kelkos, dhe “pasi institucionet tona dështuan së mbështeturi fjalën e lirë si dhe në mbrojtje të vendit”, tha Loshaj për BIRN, duke shtuar se fjalët e babait të saj i japin asaj forcën për të vazhduar tutje.

Në të njëjtën kohë me vështirësitë ligjore dhe institucionale, Loshaj gjithashtu u përball me pengesa kur këtë qështje e ngriti edhe në vendlindjen e saj: “Njerëzit e perceptuan këtë si një çështje politike dhe friksoheshin të vendoseshin në anën e gabuar të politikanëve të fuqishëm”.

Megjithatë, duke iu falendëruar vendosmërisë së Loshajt, në muajin korrik, rrjedha e ujit u kthye në një degë të lumit Lumbardhi në Deçan.

“Në fund, kjo qështje u bë temë në mediat kombëtare vazhdimisht”, dhe atëherë “njerëzit e kuptuan që lumi ynë ka nevojë për mbrojtje nga Kelkosi”, kujton ajo.

“Por ndërkohë që ne nuk mund të kishim besim në institucionet tona për këtë mbrojtje … ndjenja obliguese për ta mbrojtur tokën dhe ujin tonë filloi të shtohet dhe gradualisht shumë njerëz iu bashkuan kësaj kauzë.”

Pas shpërndarjes në rrjetet sociale të një artikulli i cili e detajonte takimin e ‘Pishtaret’ me Ministrin e Mjedisit, Blerim Kuçi, në muajin shtator, një shkencëtar austriak e lexoi të njëjtin dhe thirri ‘Kelag’, kompania mëmë të KelKos, e që pastaj rezultoi me atë që edhe mediat austriake të raportonin gjithashtu për këtë çështje.

Kjo rezultoi në probleme për ‘Kelag’ dhe me disa rezultate pozitive për Loshajn dhe kauzën e saj.

Sidoqoftë, në mesin e muajit nëntor, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, ZRRE, i dha ‘Kelkos’ licencat e prodhimit të energjisë për 40 vjet për dy hidrocentrale të tjerë, duke nxitur shoqërinë civile të ankohej për shkelje ligjore dhe dëmtim të ekosistemit.

Ministri Kuçi ka pranuar se kompanisë nuk i ishte dhënë një licencë mjedisore, e cila është një parakusht për këtë.

“Ne ekspozuam faktin që Kelag kishte funksionuar pa leje mjedisore për gati pesë vjet”, mirëpo Kelag vazhdonin së deklaruari në Austri se ata kishin të gjitha lejet e nevojshme, tha Loshaj për BIRN.

Në Kosovë, shtoi ajo, institucionet publike u mobilizuan plotësisht për të nxjerrë gjithçka që nevojitej për të treguar se po respektonin ligjet. “Në këtë proces të shpejtë, Kelkos dhe institucionet tona shkelën shumë ligje dhe procedura ligjore”, tha ajo.

Fatmirësisht, ne e përcollëm këtë çështje nga afër, kështu që ne ishim në gjendje ta zbulonim me kohë dhe t’i kundërshtonim këto vendime.”

Pas ngritjes së padive nga partia më e madhe opozitare, Vetëvendosje, Grupi i OJQ-ve për Studime Ligjore dhe Pishtaret, në muajin dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës pezulloi të gjitha lejet dhe licencat e Kelkos për hidrocentralet në Deçan.

Mirëpo, Loshaj këtë e konsideron vetëm si një betejë të fituar pjesërisht. Ajo thotë se nuk do të pushojë “të avokojë dhe monitorojë të gjitha vendimet dhe aktivitetet” në lidhje me impiantet e Kelkos në Kosovë dhe “të kërkojë përgjegjësi, respekt për sundimin e ligjit dhe komunitetin tonë”.

“Ne kemi mësuar se Ministria e Mjedisit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë mobilizuar edhe një herë zyrat e tyre ligjore kundër vendimit të Gjykatës,” tha Loshaj.

Mjeku serb i cili refuzoi ta fshehë të vërtetën e shëmtuar

Rade Panic. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Në të gjithë botën në kët vit të koronavirusit, mjekët kanë qenë në ballë të shoqatave të tyre, duke e parë vdekjen me sy ndërkohë që shpëtonin jetërat e të tjerëve. 

Duke e bërë punën e tyre në kushte ekstreme rrethuar me sëmundje dhe pamje tmerruese, duke mos lejuar që gjithçka të ndahet në dysh. 

Sidoqoftë, në Serbi, ku edhe gjatë pandemisë shumë politikanë përkujdeseshin për karrierën e tyre, 49 vjeçari Rade Paniq ishtë një prej atyre i cili e mirëmbante lidhjen e profesionit të mjekut me etikën, duke egritur zërin e tij atëherë kur politikanët donin ti fshihnin faktet.

Kur BIRN zbuloi në muajin qershor se Serbia i kishte nënraportuar vdekjet dhe infektimet nga Covid-19, mjekët nga Shtabi i Krizës ose kishin mohuar të gjeturat apo kishin pohuar se nuk janë në dijeni për to. 

Megjithatë, Paniq ishte i qartë dhe i zëshëm, duke deklaruar se shifrat e publikuara ishin të gabuara, duke shtuar se autoritetet i kishin mashtruar dhe i kishin hequr masat shëndetësore në mënyrë të paarsyeshme, vetëm sa për ti mbajtur zgjedhjet parlamentare. 

Po ashtu, ai deklaroi zëshëm se punëtorët mjekësorë ishin stërlodhur, se kishte mungesë të punëtorëve, apo mungesë të pajisjeve për trajtim të pacientëve dhe se njerëzit ndjeheshin të frikësuar për ta thënë të vërtetën. 

“Secili punëtor shëndetësor i cili provon të flasë se çfarë në të vërtetë po ndodh në institucionet shëndetësore po vihet nën presion, po kërcënohet dhe po shantazhohet,” kishte deklaruar Paniq për mediat serbe. 

Anasteziologu i cili punon në vijën e parë në Spitalin e Kralevës, në Serbinë Qëndrore, e ka fajësuar haptazi Ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Lonçar dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq për kushtete  mjerueshme të punëtorëve shëndetësorë. 

Secilën herë kur situata bëhej e padurueshme për stafin shëndetësor, Paniq ngriste zërin e tij publikisht. 

Kur në muajin qershor qeveria deklaroi se gjithçka ishte nën kontroll, ndërkohë që siptalet po porosisnin thasë për bartjen e trupave të vdekur dhe duke kërkuar nga vetë pacientët që ti merrnin me vete ilaçet e tyre në qytetin jugpërendimor të Novi Pazarit, Paniq ishte aty duke ngritur zërin e tij në emër të kolegëve të tij. 

Në nëntor, duke folur drejtpërdrejtë në një emision televiziv, Paniq tha se sistemi shëndetësor i Serbisë kishte pësuar plasaritje, duke thënë se po përballej me situata të ngjashme sikurse në Italinë e muajit prill, kur mjekët kishin përcaktuar se kush do të duhej të trajtohej dhe kush do të jetonte e kush do të vdiste. 

Presidenti Vuçiq e sulmoi Paniqin, duke thënë se ai do të duhej të ndihej i turpëruar dhe shtoi se ai do ti reagonte atij edhe më vrazhdë në rast se nuk do të ishte president. Dr. Paniq e sfidoi Vuçiqin në një duel televiziv lidhur me situatën shëndetësore në Serbi. 

I lindur në Sarajevë ku ishte i punësuar në Qendrën Mjekësore të qytetit që nga viti 2001, ai kishte punuar në shërbimin e anasteziologjisë që nga viti 2007. 

Paniq është Kryetar i Sindikatës së Punonjësve Mjekësorë dhe Farmaceutikë të Serbisë.

I njohur tashmë për luftën e tij të pakompromis për kushte më të mira në sektorin shëndetësor, në vitin 2002, ai luftoi për të gjithë vendin. 

“Shpesh kolegët dhe shokët e mi më pyesin: ‘A je ende gjallë?’  … por përderisa unë punoj sipas ligjit  dhe e flas të vërtetën, nuk kam frikë nga asgjë,” deklaroi Paniq. 

Bamirësia vetëmohuese e Maqedonisë së Veriut është inspirim për të tjerët

Ali Fevzi. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Ndonjëherë krej çfarë nevojitet është një njeri dhe vendosmëria e tij për të bërë ndryshime. 

Ali Fevzi nuk është ndonjë kryetar apo anëtar i ndonjë OJQ-je apo një organizate humanitare. Nuk është  një milioner filantrop. Është një berber me moshë mestare nga Shkupi, i cili pasi u kthye nga Vjena ku punoi për disa vjet, vendosi të fillojë të dhurojë nga buxheti i tij, ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme për njerëz në nevojë.

Misioni i tij humanitar filloi diku gjashtë muaj më parë kur fillimisht i ndihmoi tri familje të cilët kishin shumë fëmijë për t’i ushqyer.

Në fillim ai bleu ushqim nga xhepi i vet dhe e shpërndau atë me veturën e tij. Kur shumë e më shumë njerëz e morën vesh punën e tij përmes rrjeteve sociale, ai inspiroi të tjerët për të dhënë donacion po ashtu. 

“Në ditët e sotme unë gjithashtu blej me para të mia por gjithashtu marr ndihmë. Disa ditë më parë, mora 200 pako dhe më herët morra 450 nga [Kryeministri] Zoran Zaev. Unë uroj që politikanë të tjerë të dhurojnë gjithashtu – sepse ata nuk po dhurojnë për mua, por për të varfërit,” i tha Fevziu  të përditshmes Slloboden Pecat në muajin tetor.

Ai beson se deri më tani ka ndihmuar rreth 500 familje, shumica prej tyre familje vetëm me njërin prind. 

Sapo njerëzit morën vesh për punën që ai bënte ata filluan të vijnë në dyqanin e tij  për të dhënë ndihma apo e kontaktonin atë përmes rrjeteve sociale. 

“Ndjehem më i lumtur kur ndihmoj. Dje vizitova një nënë të vetme, prind me dy fëmijë. Frigoriferi i tyre ishte bosh, me vetëm një kos brenda. Fëmijët ishin shumë të lumtur kur panë ushqimin dhe kjo ma mbushi shpirtin ”, tha Fevziu.

Vetë jeta e tij ndryshoi në mënyrë dramatike në vitin 2014 kur, gjatë një vizite në Shkup nga Vjena ku jetonte gjatë asaj kohe, ndërtesa ku banonte u përfshi në flakë. Mezi mbijetoi duke mbetur në koma për dy javë. 

Ishte ky momenti kur u betua se do të fillonte ti ndihmojhë të tjerët, gjë që edhe e bën tani, pasi kishte fituar para në Austri dhe kthimit në shtëpi. 

Në muajin nëntor, Fevziu është zgjedhur si “Njeriu i Vitit” nga njerëzit të cilët kishin votuar përmes rrjeteve sociale, në një kontest të organizuar nga revista lokale Gentleman Magazine

“Një humanist i palodhshëm që kontribuon për një shoqëri më të mirë. Ky njeri është një shembull i vërtetë se si të gjithë ne duhet të veprojmë në përputhje me aftësitë tona,” shkruante revista.

“Mirësia rri në zemrat e njerëzve. Thjesht duhet ta zgjojmë atë,” thotë Fevziu, me përulësi.”

Ombudspersoni malazez i cili pati guximin ta bëjë punën e tij

Sinisa Bjekovic. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Ombudspersoni i Malit të Zi këtë vit mori lavdata nga qytetarët, thjesht sepse ai u ngrit mbi interesat politike të atyre që e emëruan dhe veproi i pavarur, në një vend ku korrupsioni, lidhjet politike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut janë rutinë.

Gjatë vitit të kaluar, Ombudspersoni Sinisa Bjekoviq vuri në dukje shkelje të ndryshme shtetërore dhe institucionale të të drejtave të njeriut. Edhe pse ai u zgjodh në dhjetor të vitit 2019 me votat e Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, Bjekoviq veproi i pavarur.

Gjatë krizës së koronavirusit, ai akuzoi policinë për shkelje serioze të të drejtave të qytetarëve, duke thënë se njerëzit që shkelnin masat shëndetësore po mbaheshin në kushte degraduese në stacionet e policisë.

Më 1 Prill, ai vuri në dukje ankesa të ndryshme në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e masave shëndetësore të qeverisë.

“Autoritetet duhet të tregojnë ndjeshmëri të veçantë gjatë pandemisë, në mënyrë që të shmangin trajtimin e pabarabartë ndaj invidivdëve,” i tha ai transmetuesit publik, RTCG.

Më 23 shtator, zyra e tij akuzoi policinë për shkeljen e privatësisë së një deputeti të Frontit Demokratik Nebojsha Medojeviq dhe gruas së tij Marina kur policia postoi një video në Twitter se ata po dërgoheshin në karantinë. Ai tha se policia nuk kishte arritur të siguronte ndonjë arsye objektive që justifikonte publikimin e videos.

Më parë, më 21 mars Bjekoviq kritikoi vendimin e qeverisë për të publikuar emrat e njerëzve të cilët ishin urdhëruar të vetë-izoloheshin, pavarësisht paralajmërimeve nga partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile se kjo rrezikonte shkeljen e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë.

Qeveria tha se kishte të drejtë të publikonte emrat sepse disa njerëz nuk po respektonin detyrimet e vetë-izolimit. Por Gjykata Kushtetuese e anuloi këtë vendim në 23 korrik, i cili shkaktoi më shumë se 300 procese gjyqësore kundër shtetit.

Më 13 nëntor, Ombudspersoni gjithashtu u kërkoi autoriteteve të sqarohen se kur qytetarët mund të urdhërohen për masa të karantinimit apo vetë-izolimit, duke paralajmëruar që urdhrat mund të shkelin të drejtat e caktuara të njeriut.

Gjatë protestave në shkallë të gjerë të Kishës Ortodokse Serbe kundër ligjit të diskutueshëm mbi fenë në gjysmën e parë të vitit 2020, Bjekoviq gjithashtu doli në mbrojtje të protestuesve pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve se protestat ishin thjesht politike.

Në qershor, ai deklaroi se ushtria kishte shkelur të drejtat e njerëzve për tubime paqësore duke i ndaluar oficerët dhe ushtarët që ti bashkoheshin protestave të Kishës.

Bjekoviq tha se liria e fjalës dhe e fesë ishte një e drejtë kushtetuese, kështu që pjesëmarrja në protesta mund të ndalohej vetëm nëse oficerët ose ushtarët ishin të veshur uniforma. Më 25 qershor, ai akuzoi policinë për tejkalimin e forcës gjatë përleshjeve me protestuesit e opozitës në Budvë dhe Pljevlje.

Për shumë njerëz, ishte diçka e re dhe e pazakontë të shihnin Ombudspersonin në të vërtetë duke bërë punën e tij – dhe duke ngritur zërin e tij kundër dorës së fortë të qeverisë.

“Njeriu Oksigjen” i Bosnjës

Miralem Sabic Mika. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Në Bosnjë, 57 vjeçari Miralem Sabiq Mia është bërë hero lokal duke i ndihmuar paceintëve të infektuar me koronavirus që të marrin frymë. I njohur ndryshe edhe si “Njeriu oksigjen”, Mika bart me vete cdo mëngjes bombolën me oksigjen duke i mbushur dhe rimbushur ato dhe pastaj duke i shpërndarë nëpër dhomat e pacientëve me koronavirus.

Në një kohë pandemie dhe pasigurie, historitë e vetëmohimit dhe sakrificës njerëzore janë veçanërisht domethënëse. 

Duke drejtuar furgonin e tij të vjetër, ai transporton shishet e zbrazura nga qyteti Konjic në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, rreth 60 kilometra larg, në mënyrë që ato mund të mbushen dhe të ripërdoren përsëri për pacientët e shtrirë në spital. 

Bullgarja që ndihmon në rikuperimin e të varurve nga droga dhe alkooli

Julia Georgieva. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic

Aktivistja e kahmotshme, Julia Georgieva, është gruaja që udhëheq me Qendrën ‘Shtëpia Rozë’ (Pink House) në Bullgari që përqendrohet në ndihmën ndaj të varurve nga droga dhe alkooli. Ajo siguron ndihmë dhe furnizon me informacion për ata përsona të varur se si ata mund të rikuperohen për një kohë të gjatë dhe ku të shkojnë nëse janë të gatshëm ta bëjnë atë hap, të marrin këshilla psikologjike ose ligjore – ose të gjejnë strehim dhe një hapësirë të sigurt nëse është e nevojshme.

Qendra e pavarur ‘Shtëpia Rozë ’, tani po ndihmon rreth 300 të varur nga droga dhe alkooli, një detyrë e rëndësishme pasi ka gjithnjë e më pak ndihmë nga shteti bullgar për të varurit nga droga dhe alkooli.

Tre gjyqtarët desidentë të Kroacisë

Andrej Abramovic, Lovorka Kusan dhe Goran Selanec. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujicic

Andrej Abramoviq, Lovorka Kusan dhe Goran Selanec, tre gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese Kroate, u bënë të njohur në shtator pasi ngritën zërin e tyre lidhur me masat e pandemisë lidhur me kufizimet e të drejtave të qytetarëve kroatë duke i kontestuar vendimet  e qeverisë. 

Ata po ashtu ishin kundër edhe atëherë kur gjykata kroate kishte hedhur poshtë kërkesën e OJQ-së ‘GONG’ për ta bërë publike kontratën të lidhur në mes të qeverisë kroate dhe kompanisë ligjore ‘Patton Boggs’ mbi përfaqësimin ligjor të gjeneralëve Mladen Markac dhe Ante Gotovina në Tribunalin e Hagës, ICTY, pasi që paraprakisht, në vitin 2017, gjykata kishte vendosur që qeveria kishte të drejtë të vazhdonte të mbante si konfidencial informacion në lidhje me koston e shërbimeve ligjore të klasifikuara.

Në dhjetorin e vitit 2018, ata përsëri dolën kundër një vendimi të gjykatës kushtetuese pasi që paraprakisht kjo gjykatë hodhi poshtë padinë e familjes Hosseini nga Afganistani, duke vlerësuar se hetimi për vdekjen e një anëtari të kësaj familje kishte qenë i mjaftueshëm marrë parasysh faktin se anëtarja gjashtë vjeçare (Madina) ishte goditur për vdekje nga një tren i cili po kalonte afër kufirit Kroaci-Serbi duke pretenduar se para se të ndodhte tragjedia, familja kishte arritur në Kroaci dhe kishte kërkuar azil.

Grupi i grave çeke në ndihmë grave polake për abortim  

Ciocia Czesia (Tezja Çeke). Ilustrimi: BIRN/Igor Vujicic

Ciocia Czesia e njohur ndryshe si Tezja Çeke, një kolektiv njerëzish i formuar më herët gjatë këtij viti, ndihmon gratë polake që të kryejnë aborte të sigurta në Republikën Çeke pasi që Gjykata Polake ua kishte mohuar një gjë të tillë  paraprakisht.  

Tezja Çeke, e cila ka marrë model nga iniciativa të ngjashme në Vjenë dhe Berlin, synon të informojë gratë polake për opsionet ligjore dhe të sigurta të një aborti në Republikën Çeke duke krijuar një rrjet të klinikave dhe spitaleve në vend, për t’i ndihmuar ato ta bejnë një gjë të tillë.

Hungarezët që ndihmojnë fëmijët romë të lënë pas dore “Merr Krah ’ (Take Wing)

Nora L. Ritok. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic

Aktivistja e mirënjohur hungareze, Nora L. Ritok, themeluese e Fondacionit ‘Igazgyöngy’, ofron  arsimim të përshtatur për fëmijët në nevojë, kryesisht romë, në veri të Hungarisë. 

Fondacioni ‘Igazgyöngy’ ka qenë një nga historitë e pakta të suksesit në përfshirjen e prindërve dhe ndërtimin e një komuniteti lokal në një nga rajonet më të varfra të BE-së.

Në fillim të shtatorit, Nora bëri një apel dramatik në Facebook duke thënë se Ministria e Burimeve Njerëzore të Hungarisë kishte përgjysmuar mbështetjen vjetore financiare për fondacionin e saj [rreth 23,000 euro], duke përmendur kufizimet e buxhetit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe se në vitin 2021 këto fonde do të shkurtoheshin plotësisht.  

Gjatë këtij viti të pandemisë ky fondacion ka ngritur fonde të shumta i cili si mision kryesor kishte luften kundër varfërisë së fëmijëve duke siguruar paketa dezinfektuese dhe ushqimore ose dru zjarri për familjet pa të ardhura si dhe, njëkohësisht, përpjekjen për kapërcimin e hendekut të madh midis atyre që kishin kushte të mira në vendet urbane dhe atyre në nevojë të madhe në aspektin dixhital dhe social.

Aktivistja moldave e cila ngre zërin kundër Gjuhës së Urrejtjes 

Irina Corobcenco. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Moldavja 33 vjeçare dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Irina Corobcenco, promovon vlerat demokratike përmes OJQ-së me bazë në Chisinau, Promo-LEX. Ajo koordinon programin ‘Hate Speech Monitor’ (Monitorimi i Gjuhës së Urrejtjes) me qëllim të përmirësimit të  shoqerisë tradicionale dhe shumë konzervative të Moldavisë. 

Në vitin 2020, Moldova u pëfshi në një gjuhë të urrejtjes për shkak të trazirave politike dhe programi i saj ka identifikuar 1500 raste të gjuhës së urrjetjes deri më tani nëpër mediat tradicionale dhe mediat e rrjeteve sociale. 

Fushata e saj përfshin rezultatet e monitorimit në tri fushatat e fundit elektorale – zgjedhjet lokale në Chisinau, maj 2018; zgjedhjet parlamentare në Shkurt 2019 dhe Zgjedhjet lokale në Tetor 2019.

Në vitin 2020 raportimet e saj pas monitorimeve të bëra lidhur me gjuhën e urrjetjes  treguan se numri i fjalimeve me gjuhë urrjetjeje gjatë fushatës elektorale ishte 42% më i lartë krahasuar me vitin paraprak. 

Një fokus i veçantë për të është gjuha e urrejtjes ndaj grave. Moldavia është një vend shoqëror konservator dhe studimet tregojnë se diskriminimi mbetet i fortë ndaj grave që kanë pozicione të larta në fushën e politikës, ekonomisë apo arsimit të lartë.

Greva e Grave Polake nxit mijëra vetë

Greva e grave polake. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujic

Në Poloni, jo vetëm një njeri apo një grua porse e tërë lëvizja e grave ishte forca shtytëse për ta bërë një vit sa më të mirë.  

E krijuar këtë vit si lëvizja më e madhe protestuese për dekada të tëra në Poloni, protagonistët kryesorë të saj ishin dhjetëra mijëra gra përgjatë krejt qyteteve dhe fshatrave në tërë Poloninë, të cilat kanë protestuar që nga muaji tetor për shkak se një vendim i Gjykatës Kushtetuese e kishte bërë abortin praktikisht të paligjshëm në vend, duke e ndaluar atë në rastet kur fetusi është keqformuar ose ka pësuar sëmundje të rëndë, gjë që përbën shumicën dërrmuese të aborteve të ligjshme në Poloni aktualisht.  

Fytyrat kryesore të kësaj lëvizjeje janë aktivistet Marta Lempart dhe gazetarja Klementyna Suchanow dhe që të dyja këto janë të vendosura se lëvizja duhet të vazhdojë së luftuari për kauzën  edhe nëse ato rrezikojnë të zhdukën nga skena. 

Rumunja, ambiciet e mëdha të së cilës, po shpëtojnë jetë foshnjash 

Adelina Toncean. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic

Rumunja në moshë të re, Adelina Toncean, i ka vënë vetës si qëllim që, bashkarisht me tri shoqe dhe bashkëpunëtore të saja, ta blejë një aeroplan mjekësor  (pret ta bëjë një gjë të tillë në qershorin e vitit të ardhshëm) përmes së cilit ajo do të kishte mudnësi që ti transportojë foshnjat e sëmuara rumune nëpër shtet me spitale më të mira të tilla si në Itali, Spanjë, Gjermani apo Francë, duke iu ofruar atyre një rast tjetër për të jetuar. 

Adelina është prekur nga gjendja e këtyre foshnjave të cenueshme kur, në moshën 25 vjeç, ajo lexoi në një gazetë lokale për Cristin, një fëmijë tre vjeçar që vuante nga një keqformim i rëndë i zemrës, me shumë gjasë e adoptoi në një spital ku ishte lënë e braktisur. 

Cristi, i cili u quajt me plot dashuri Blondie, vdiq në vitin 2013, në moshën 13 vjeç.

Për të nderuar kujtimin e Cristi dhe për t’u dhënë shpresë të tjerëve në situatën e tyre, Adelina Toncean në vitin 2019 themeloi Shoqatën ‘Blondie.’

Luftëtari anti-fashist sllovak

Marek Mach. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Në nëntor 2016, Marek Mach sapo kishte filluar shkollën e mesme, por tashmë ai ndjeu se arsimi që po merrte i mungonte një element thelbësor kështu që, në përvjetorin e Revolucionit Kadife, më 17 nëntor 2016, ai filloi një iniciativë të re në internet: ‘Rinia Kundër Fashizmit’ [Mladí proti fašizmu] – një faqe në internet dhe platforma të mediave sociale të bëra për të kundërshtuar urrejtjen dhe dezinformimin e përhapur nga partia e neofashistit Marian Kotleba, i cili pas zgjedhjeve të përgjithshme atë vit, hyri në parlament dhe kjo e shtyri të riun Mach që ti kundërvihet gjeneratës së tij që ndihmoi për ta sjellë Kotleban në parlament.

Sot, llogaritë e saj në Instagram dhe Facebook ndiqen nga mbi 100,000 njerëz, dhe ‘Rinia Kundër Fashizmit’ lufton për tolerancën, barazinë, të drejtat e pakicave dhe LGBTI si dhe mbështet vlerat demokratike.

Para zgjedhjeve të BE-së në 2019, Mach krijoi një video fushatë me një numër njerëzish të famshëm që u kërkonin votuesve të mos votonin për partinë Fashiste. Videoja kishte mbi 720,000 shikime, dhe përfundimisht, pjesëmarrja në Sllovaki u rrit ndjeshëm dhe partia neofashiste u u mund nga forcat progresiste të BE-së.

 

Gruaja turke që lufton për ta frenaur vrasjen e grave

Gulsum Kav. Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic 

Në Turqi, një grua me emrin Gulsum Kav dhe platforma e saj “We will stop femicide” (Vrasjen e Grave) janë vënë në krye të lëvizjes që ka si qëllim mbrojtjen e grave ndaj dhunës dhe vrasjeve atje. Gulsum është mjeke me profesion  dhe lufta e saj për të drejtat e grave në Turqi daton që prej tri dekadash. 

OJQ-ja e saj ka si mision rritjen e ndërgjegjësimit duke organizuar shëtitje çdo të premte në rrugën ikonike Istiklal për këmbësorë në Stamboll, në të cilën pjesëmarrësit mbajnë fotografi të grave që janë vrarë.

Më shumë se 400 gra u vranë si rezultat i dhunës me bazë gjinore në Turqi në vitin 2018 dhe po aq edhe në vitin 2019, duke përfaqësuar një nga nivelet më të larta në botë, sipas një baze të të dhënave dixhitale të krijuar nga platforma e Kav, e quajtur Anit Sayac. Që nga 16 dhjetori, rreth 362 janë vrarë deri më tani këtë vit.  

Sipas Kav dhe ekspertëve të tjerë, lëvizjet që mbrojnë të drejtat e grave janë bërë lëvizjet më përfshirëse dhe më të organizuara opozitare në Turqi.

Si rezultat i punës së saj dhe luftës për të drejtat e grave, Kav u rendit në listën e BBC-së në vitin 2020 ndër 100 gratë më me ndikim në botë, duke u bërë një nga të paktat gra turke që janë bërë pjesë e një liste të tillë deri më tani.

Përktheu-Nuhi Shala