Shtëpia e familjes Gara pranë deponisë së mbetjeve shtazore

Hedhja e Mbetjeve Shtazore Kërcënon Shëndetin në Kosovë

Familja Gara jeton afër deponisë së Mirashit në fshatin Palaj në komunën e Obiliqit në qendër të Kosovës. Kundërmimi i bërllokut është depërtues; Xhejlane Gara thotë që djali i saj ka viruse vazhdimisht, dhe që ajo i hap dritaret e shtëpisë shumë rrallë.

“Sa herë që është shumë nxehtë, kur ka shi, pastaj kur fryn era, gjithçka kundërmon. Rrezik jemi edhe nga qentë endacakë. Ata na vijnë deri tek dera, ndërsa ushqehen vazhdimisht me mbeturina, edhe shpezë ka shumë, vazhdimisht janë përreth”, thotë ajo për BIRN.

Kjo familje, si shumë të tjera, përballet me problemin konstant të kundërmimeve të mbetjeve shtazore që hidhen në deponi – organe që kalben që përfshijnë plëndësin, zorrët, mushkëritë, si dhe gjak, brirë, thundra, eshtra dhe organe të tjera shtazore, përfshi dhe fekalet dhe urinën e këtyre kafshëve.

Thertoret në Kosovë janë të vogla; nuk ka ndonjë thertore të madhe sepse ato nuk i plotësojnë kriteret zyrtare. Ndërkohë, therja e gjedheve, deleve, dhive, derrave apo shpezëve nuk mbikëqyret.

Megjithëse mbetjet e tyre pasi që janë therur supozohen të transportohen në mënyrë të kontrolluar dhe pastaj të asgjësohen qoftë duke i groposur apo duke i djegur, në vend nuk ndodh as njëra as tjetra.

Kjo hedhje e parregulluar e mjeteve shtazore jo vetëm ndot ambientin, por është edhe rrezik potencial i përhapjes së sëmundjeve ose viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit dhe kafshët.

Transporti dhe grumbullimi i tyre bëhet nga kompanitë publike që janë të licencuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për të grumbulluar mbeturina, si dhe kompanitë që menaxhojnë deponi të mbeturinave.

Zyrtarët e kësaj ministrie thonë që meqenëse nuk ka ndonjë vend tjetër për të hedhur mbetjet shtazore, siç janë mbetjet nga përpunimi i mishrave dhe ngordhësirat, hedhja në deponi komunale është zgjidhja më e mirë tani për tani.

“Kjo ishte një alternativë më e mirë e mundshme pasi që në Kosovë ende nuk është krijuar infrastrukturë e duhur për këtë lloj mbeturinash”, thotë Fadil Maxhuni, drejtor për informim në MMPH.

Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Valdet Gjinovci, paralajmëroi që meqenëse nuk ka kafileri (fabrikë për përpunimin, riciklimin e mbetjeve të produkteve me origjinë shtazore) në Kosovë ku mbetjet shtazore mund të përpunohen dhe riciklohen, gjithmonë ekziston mundësia e përhapjes së sëmundjeve apo shkaktimi i ndonjë sëmundjeje nga kontaminimi i tërthortë, nëse therja nuk mbikëqyret nga një veterinar i autorizuar që siguron që kafshët janë të shëndetshme dhe që procesi është higjienik.

Në ish-Jugosllavi kanë qenë dy kafileri të tilla në Kosovë, një në rajonin e Gjilanit dhe një në Fushë Kosovë, të cilat tashmë nuk janë funksionale.

“Këto mbetje transportohen në deponitë e mbeturinave të përgjithshme, pasi që momentalisht nuk ekziston Kafileri funksionale e cila do ti trajtonte mbetjet shtazore në mënyrë të duhur sipas rregullave të definuara në legjislacion të cilin AUV është duke e harmonizuar me rregullat e BE-së”, thotë ai.

Skënder Muji, profesor në Fakultetin e Bujqësisë që merret me higjienën dhe mirëqenien e kafshëve, thotë se në Kosovë nuk ka thertore të mëdha, por vetëm miniferma apo mishtore dhe sipas tij, secila prej thertoreve të mëdha do të duhej të kishte kafileri.

“Ka forma të ndryshme të organizimit të kësaj çështjeje. Mund të bëhet djegia, apo groposja e tyre, por kjo e fundit duhet të jetë shumë e kujdesshme ku bëhet”, thotë ai për BIRN.

Më tej ai shpjegon se transporti i tyre duhet të bëhet në mënyrë të veçantë, pra që të mos ketë rrjedhje të ndryshme – një sugjerim që mbështetet nga veterinari Afrim Hamidi.

“Ato sjellin viruse patjetër, disa janë aq të vegjël sa përcillen përmes ajrit, pastaj edhe sëmundje bakteriale, por edhe sëmundje të tjera që përcillen përmes kafshëve endacake, ato infektojnë”, thotë Hamidi.

Sipas Hamidit, vendet ku mbetjet hidhen – kryesisht në vende periferike – janë më të rrezikuara.

Edhe mbetjet e kafshëve të shëndetshme e që janë therur për konsum mund të shkaktojnë probleme, si dhe infeksionet e përhapura nga kafshët endacake, tha ai.

“Në qoftë se këto kafshë endacake afrohen rreth fermave intensive atëherë përmes fecesit, urinës dhe ajrit mund të bartin agjentë të ndryshëm brenda në fermë. Ndër agjentët patogjen më të shpeshtë janë Salmonelat, Kampilobakteret, E. colli, Listeriet, Leptospirat, Klostridët, Ekinokoku, Cysticerqet, Toksoplazmat, Trikinelat, Sarkosporidiet, Bakteret e gjinisë Bacillus, agjent viral të ndryshëm infektiv për kafshët si edhe për njeriun”, shpjegoi Hamidi.

Drejtori i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu thotë për BIRN se mbetjet nga kafshët e therura nuk trajtohen fare në Kosovë.

“Në Kosovë nuk është e rregulluar me ligj se si të barten këto mbetje. Ne po punojmë në legjislacion që të rregullojmë këtë. Nuk ka asnjë rregull të shkruar që përcakton se çfarë duhet bërë me ato mbetje”, thotë ai.

“Mund të barten të gjitha sëmundjet e kafshëve, e që mund të kalojnë te kafsha tjetër apo te njeriu.”, pranon Kadriu.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë pranojnë se shumica e therjeve në Kosovë nuk kontrollohen dhe se nga mbetjet e tyre që lihen vend e pavend, përcillen viruse dhe sëmundje të ndryshme.

Antigona Ukëhaxhaj, shefe e laboratorit analitik dhe të ushqimit në këtë institut, i tha BIRN se nuk kanë ndonjë analizë për ndikimin e mbetjeve në shëndetin e njerëzve ngase nuk është në domenin e tyre.

“Nëse kafsha nuk theret si duhet, nëse mbetjet e saj qëndrojnë gjatë në ndonjë vend të hapur e ku kanë qasje brejtësit apo kafshë të ndryshme, sigurisht që transmetohen viruse dhe paraqesin rrezik për ambientin dhe banorët përreth”, tha Ukehaxhaj.

Në fund të vitit 2017, një fabrikë që do të jetë në përputhje me standardet e BE-së për përpunimin dhe asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve, ku bëjnë pjesë edhe eshtrat, do fillojë punën dhe pritet t’i japë fund problematikës së trajtimit të këtyre lloj mbeturinave.

E para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të financohet nga fondet e BE-së, dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit duke vendosur një sistemi efektiv e të sigurt për trajtimin e nën-produkteve të kafshëve.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku thotë që ky projekt do të kushtojë 7.7 milionë euro, prej të cilave 5.7 milionë do të jepen nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA, kurse 2 milionë nga qeveria e Kosovës.

Deri kur fabrika të fillojë punën, njerëz si familja Gara në fshatin Palaj do të duhet të durojnë kundërmimin e mbetjeve shtazore të kalbura dhe rrezikun që kanë ato ndaj shëndetit.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor, si pjesë për projektin Media for All i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.