Gratë midis shtypjes, pabarazisë dhe suksesit individual

Ky 8 mars i vitit 2020 i ka gjetur gratë e Kosovës më së miri të përfaqësuara deri më tani në pozitat udhëheqëse në vend.

Është hera e parë që në Kosovën e pavarur ka kaq shumë gra të cilave u janë besuar postet e larta udhëheqëse.

Nga gjithsej 15 ministri sa ka Qeveria e re, 5 u janë besuar grave.

Albulena Haxhiu, Hykmete Bajrami, Rozeta Hajdari, Vlora Dumoshi dhe  Emilija Rexhepi janë ministret e sapo emëruara të qeverisë së re të cilave u është besuar udhëheqja e ministrive shumë të rëndësishme.

Përpos 5 ministreve të reja, për herë të parë Kosova është bërë me një krye parlamentare femër. Ky post i është besuar Vjosa Osmanit.

Përveç grave ministre, në qeverinë e Albin Kurtit deri më tani vetëm një gruaje i është besuar pozita e zv. Ministres. Fatbardha Emini është emëruar si zv. Ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

E sa i përket këshilltareve të kryeministrit të vendit, Albin Kurti këtë pozitë deri më tani ua ka besuar tri grave, Shenaj Shalës, Fëllanza Podrimja si dhe Fortuna Sheremetit.

Ndonëse progres po shihet sa i përket përfaqësimit të grave në pozita të larta udhëheqëse, një gjë e tillë nuk është parë sa i përket përfaqësimit brenda partive politike.

Në bazë të një hulumtimi të bërë nga BIRN, partitë politike në Kosovë vazhdojnë të dominohen nga burrat, të cilët janë në shumicën e pozitave udhëheqëse brenda strukturave të partive dhe si rrjedhojë kuotat gjinore nuk zbatohen në shumicën prej tyre.

Pabarazia në tregun e punës

Përpos progresit që është arritur së fundmi në përfaqësimin e grave në qeveri, fatkeqësisht një gjë të tillë nuk mund ta themi edhe për tregun e punës për shkak se në këtë aspekt ende ekziston një diferencë e madhe.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit për Studime të Avancuara GAP del se shkalla e punësimit të grave, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror.

Shkalla e papunësisë te burrat, më 2019 sipas këtij raporti, ishte 22.8 për qind, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind. Në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.

Në Agjencinë për Barazi Gjinore të dhënat tregojnë se gratë janë më pak të punësuara në nivelin qendror të administratës, ku punojnë 6 mijë burra më shumë. Aty nga 28 mijë e 557 të punësuar vetëm 11 mijë e 14  janë gra.

Lidhur me këto dallime të shprehura në punësim tek gratë, po ndikojnë shumë faktor.

Një ndër këta faktor mendohet të jetë edhe diskriminimi i cili po u bëhet grave me anë të ligjeve.

Faktor i drejtpërdrejtë që mendohet se ndikon në numrin e ulët të grave të punësuara është edhe barra e rëndë e grave lidhur me kujdesin ndaj familjes.

Një grua e sapo martuar e cila kërkon të punësohet mund të paragjykohet shumë më shumë se sa një burrë i ri i sapomartuar, kjo për faktin se punëdhënësi do të ketë në mendje faktin e krijimit të familjes e pastaj obligimet të cilat pretendohet se do t’i bartë nëna me rastin e lindjes së fëmijës, duke përfshirë këtu pushimin e lehonisë dhe obligimet e tjera për kujdesin ndaj fëmijës.

Aktualisht, me ligjin e punës, punëdhënësit janë të detyruar të paguajnë 70 përqind të pagës bazë të një punëtoreje për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë.

Ndërsa me ndryshimet e reja po parashihet që një nënë që lind fëmijë të përfitojë në total 12 muaj pushim.

Tre muajt e parë parashihen të paguhen nga punëdhënësi me 70 përqind të pagës bazë, gjashtë muaj tjerë nga Qeveria me 50 përqind të pagës mesatare dhe tre muaj pa pagesë.

Përveç kësaj, për baballarët është paraparë që të ndahen 10 ditë pushim atësie me pagesë dhe 2 javë pa pagesë.

Por lidhur me këto ndryshime për baballarët është paraparë vetëm 10 ditë pushim atësie.

Me ligjin aktual përpos mundësisë që babait i mundësohet shfrytëzimi i pushimit të lehonisë me rastin e sëmundjes së nënës, braktisjes së fëmijës nga nëna apo vdekjes së nënës, nuk është i paraparë pushimi prindëror.

Sipas Ligjit të Punës me rastin e lindjes së fëmijës, babai i fëmijës ka të drejtën për dy ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës ose adoptimit të fëmijës si dhe dy javë pushim të papaguar pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të fëmijës, në periudhën derisa fëmija ta ketë arritur moshën tri vjeç.

Nevoja për përcaktimin e pushimit prindëror i cili do tu mundësonte si grave ashtu e burrave pushim të barabartë lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës së posa lindur mendohet do të ndihmonte në rritjen e grave pjesëmarrëse në tregun e punës duke bërë kështu që punëdhënësit të kenë më pak hezitime gjatë përcaktimit lidhur me punësimin e grave në raport me burrat.

Pabarazia e grave në pronë

Përpos numrit të vogël të grave të punësuara në raport me burrat dhe pabarazisë në tregun e punës, gratë çdo ditë përballën me pabarazi edhe sa i përket të drejtave të tyre në pronë.

Sipas të dhënave të fundit vetëm 16 % e grave në Kosovë posedojnë ndonjë pronë të pa luajtshme ndërsa hulumtimet e BIRN tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e politikanëve diku tek 10% prej tyre e kanë përmbushur zotimet se do i regjistrojnë pronat në emër të përbashkët me gratë e tyre.

Komunat e vendit po ashtu në asnjë rast nuk kanë arritur të zbatojnë parime të barazisë në ofrimin e pushtetit për gratë.

Në demokracinë partiake asnjë grua nuk është kryetare partie ndërsa partitë nuk kanë përfaqësim 50 me 50 në listat zgjedhore dhe në kryesitë vendimmarrëse të partive.

60% e të punësuarve në administratën shtetërore janë burra ndërsa vetëm 40% gra.

Legjislacioni civil i cili pritej të garantoj procedura më të shpejta për realizimin e të drejtave të grave në pronë nuk solli ato që u diskutuan e u trajtuan.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Edhe pse vetë zyrtaret e lartë të cilët mbajnë poste të rëndësishme në institucionet e Republikës së Kosovës shpesh herë kanë qenë pjesë e fushatave të ndryshme të cilat kanë pasur për bazë vetëdijësimin e opinionit lidhur me të drejtat e barabarta të grave në pronë si duket ata janë të parët të cilët nuk janë duke i respektuar këto dispozita ligjore.

Gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e zyrtarëve të lartë në vendin tonë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Hulumtimi ynë ka treguar se vetëm 35 nga 1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga ministrat, kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Nga të dhënat e siguruara nga hulumtimi i KALLXO.com rezulton se nga 15 ministrat e qeverisë së re, vetëm katër prej tyre posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet/ët e tyre.

Nga hulumtimi tjetër ka rezultuar se nga 362 gjykatës të gjykatave të vendit, vetëm 5 prej tyre të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Hulumtimi i BIRN-it ka pasqyruar në opinion se përveç gjykatësve prej të cilëve një numër jashtëzakonisht i vogël kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte, asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të vendit nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

E nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ata të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona, kemi kuptuar se vetëm 13 deputetë posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

BIRN-i i ka kontaktuar edhe drejtorët e rajoneve policore nga të cilët vetëm një drejtor ka deklaruar se posedon pronë të regjistruar bashkërisht me bashkëshorte.

Betejat e gjata ligjore për realizimin e të drejtës në pronë

BIRN në vazhdimësi ka raportuar edhe për betejat e gjata ligjore me të cilat po ballafaqohen gratë me qëllim të njohjes së të drejtave të tyre në pronë si dhe njohjes së kontributit të tyre në krijimin e pasurisë së përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Rasti më bujë më të madhe është ai i Afërdita Statovcit, ajo në opinion njihet si një grua e cila për pothuajse 14 vite pareshtur e kërkoi të drejtën e saj në trashëgimi.

Betejën e saj ligjore në kërkim të njohjes së trashëgimisë Afërdita e ka filluar në vitin 2006, por që deri në vitin 2019 rasti i saj është endur nga njëra derë e Gjykatës në tjetrën pa marrë një epilog përfundimtar.

Afërdita ka treguar për KALLXO.com se si prej vitit 2006 e deri në vitin 2019, lëndën e saj e kanë gjykuar rreth 16 gjyqtarë.

Ajo ka treguar se edhe po thuajse pas 14 viteve përballje me procedura gjyqësore, në fund I është dashur që rastin ta zgjedh me ndërmjetësim.

Lidhur me neglizhencën në trajtimin e rastit të saj Afërdita ka paralajmëruar padi ndaj shtetit, duke deklaruar se ndonëse ajo u është drejtuar institucioneve të drejtësisë për të kërkuar drejtësi, në vend të drejtësisë ajo është bërë vetë viktimë e sistemit.

Të ngjashmë janë edhe rastet e Shukrije e Shyhrete Berishës.

Shukrije Berisha ishte martuar me Zeqir Berishën që nga viti 1986 e deri më 2003, kur bashkëshorti vdiq.

Por, krahas dhimbjes së humbjes së burrit të saj, Shukrije Berishës shpejt iu desh të ballafaqohet edhe me një problem tjetër, pasi që e njëjta rrezikonte të mbetej pa kulm mbi kokë.

Menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, Shukrijes iu desh t’i fillojë procedurat ligjore për të gëzuar të drejtën e saj në pronë.

Ndonëse kanë kaluar pothuajse 15 vite që kur Shukrije Berisha ka filluar procedurat ligjore për të realizuar një të drejtë për të cilën po pretendon se i takon, deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykata.

Ditë më parë, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Gjykatën e Apelit për të kuptuar nëse është shqyrtuar ende ankesa e Shukrije Berishës, por nga përgjigja e pranuar kemi kuptuar se edhe ky rast si shumë e shumë raste të tjera po pret në radhën e gjatë për t’u shqyrtuar e më pas për t’u vendosur.

E ndonëse po pret tash e 15 vite për ta realizuar të drejtën të cilën pretendon se i takon, mund të ndodhë që Gjykata e Apelit çështjen ta kthejë përsëri në rigjykim, e Shukrije Berishës do t’i duhet të presë edhe për shumë e shumë vite të tjera me shpresë që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me një vendim përfundimtar të Gjykatës.

Përpos rastit të Shukrije Berishës, KALLXO.com është interesuar edhe për rastin e Shyhrete Berishës.

Ndryshe nga Shukrije Berisha, Shyhrete Berisha në betejën e saj ligjore me kunatin e saj doli fitimtare.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës ndaj familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës. Në korrik të vitit 2017, KALLXO.com raportoi se si Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka vendosur që t’ia njohë të drejtën mbi pronësinë Shyhrete Berishës në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.

Por të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, pala e pakënaqur ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e ndonëse kanë kaluar më tepër se dy vite gjykata e shkallës së dytë ende nuk ka marrë një vendim lidhur me këtë ankesë.

Mosveprimi i institucioneve në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

Rasti i Diana Kastratit është rasti i fundit për të cilin Gjykata ka vendosur që prindërve të Dianës t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vuajte kjo e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

https://kallxo.com/lajm/video-shteti-ankohet-per-kompensimin-e-familjes-se-diana-kastratit/

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vrasja e Diana Kastratit ka ardhur si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, duke neglizhuar raportimin e dhunës në familje.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtine, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar  këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së.

Rast tjetër i dunës në familje i cili ka përfunduar me fatalitet është edhe rasti  Valbona Ndrecajt.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj në mbrëmjen e 7 gushtit 2018, ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari Pjetër Ndrecaj

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj.

Lidhur me këtë rast ishin ngjallur dyshime për mos trajtimin e duhur të rastit nga ana e Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës me 17 janar 2019 kishte ushtruar kallëzim penal kundër tre zyrtarëve policor.

Prokuroria fillimisht dyshonte se tre policët, në muajin qershor të vitit 2018 kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë trajtimit të këtij rasti.

Mirëpo disa muaj më pas Prokuroria e Gjakovës ka pushuar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të dyshuar për veprën penale –  keqpërdorim i detyrës zyrtare, me arsyetimin se nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe nga provat materiale nuk është arritur të provohet se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshoheshin.

Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, -kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurrnji send për vajzë të vet; qi e xen do t’i a baje kujdesin. Prindja e djalit, qi e xun vajzen do të mendojnë për gjith shka duhet për martesë të saj”, këto janë fjalë të cilat gjenden të shkruara në kanunin e Lekë Dukagjinit e i cili kanun po duket që ka qenë aq thellë i rrënjosur në traditën shqiptare saqë pasojat po vazhdojnë të vërehen edhe tash në shekullin e 21, e kur nuk do të na duhet më të kthehemi e t’i citojmë këto vargje, vetëm atëherë besojë se me gojën plotë do të mund të thuhet: NËNA DHE GRA URIME 8 MARSI!

Përfaqësimi i grave në sport e kulturë, histori suksesi

Aftësitë e vajzave tona më së miri po vërehen në fushën e sportit dhe kulturës.

Si duket këtu nuk po u duhet që të kalojnë bërrylat e ashpër të burrave për tu përfaqësuar.

Majlinda Kelmendi është xhudisjta e parë kosovare e cila I dha Kosovës titullin e parë botëror në xhudo kur ajo mundi kandidaten e Brazilit Erika Miranda në ndeshjen e -52 kg për medaljen e artë në Rio de Janeiro në kampionatin botëror të xhudos në vitin 2013.

Majlinda Kelmendi është po ashtu xhudistja e parë kosovare e cilat në lojërat olimpike të 2016, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat olimpike, ishte stolisur me medalje të artë.

Kelmendi është xhudiste kosovare e cila ka fituar me dhjetëra medalje ndërkombëtare në këtë sport.

Përveç Majlindës edhe Uta Ibrahimi u bë shqiptarja e parë e ngjitur në majën më të lartë në botë në Everest

Everest është maja më e lartë në vargmalet e Himalajës dhe pika më e lartë mbidetare në botë. Ajo është e lartë 8.848 metra, por si duket kjo nuk paraqiti ndonjë problem për Utën e cila në maj të vitit 2017 e pushtoi edhe këtë majë.

Po ashtu Era Istrefi është një artiste kosovar e cila ka arritur një sukses ndërkombëtar në muzikë.

Ajo ka fituar edhe çmimin ndërkombëtar European Border Breaker Awards 2017,

Çmim ky i cili u jepet artistëve të cilët me punën e tyre arrijnë suksese jashtë vendit të tyre ky jetojnë.

Përpos Era Istrefit e cila është një vajzë e lindur dhe e rritur në Kosovë, që edhe suksesin e saj e ka arritur nga puna që e ka zhvilluar këtu, Rita Ora dhe Dua Lipa janë vajzat tona nga Kosova që anë e mbanë botës po vazhdojnë të na bëjnë krenar çdo ditë, duke përmendur në çdo mundësi faktin se janë shqiptare nga Kosova.