Gratë kontributdhënëse shqiptare

Gratë e fuqishme shqiptare pa shtatore në hapësira publike

Qindra skulptura të vajzave dhe grave qoftë të atyre që kanë dhënë kontribute njerëzore, qoftë imagjinare apo mitologjike, zënë vend në qytetet më të famshme botërore. Por, për dallim nga këto qytete, në Kosovë gjenden pak vepra monumentale për gratë. 

Ato më të njohurat janë të figurave më të përfolura si e Nënë Terezës, Shotë Galicës, Xhevë Lladrovcit e Majlinda Kelmendit. Krahas, vajzave dhe grave tjera të cilat kanë kontribuar në shtet-ndërtim apo në fusha tjera jetësore si shëndetësi, art e politikë ato nuk janë nderuar me një “dokumentim artistik” në hapësira publike.

Të arriturat jetësore dhe apo profesionale apo bukuria femërore që nga ekzistenca njerëzore është vlerësuar nga poetët, artistët dhe muzikantët. Skulptorët e famshëm si Mikelanxhelo e deri tek Jeff Koons, përmes formave skulpturore kanë arritur të zbulojnë kontraritetin e një gruaje dhe të nxjerrin në pah natyrën dhe fuqinë e saj.

Por, mungesa e skulpturave të tilla nuk është çështje e zëshme në Kosovë. Trendi i realizimit të skulpturave të burrave ka zënë shumicën e hapësirave publike në qytetet kosovare.

Skulptorja, Arjeta Miftari fajin për këtë situatë ia lë mungesës së inciativës nga qytetaria, prioriteteve, mospërfilljes nga institucionet dhe kritereve të konkurseve.

“Në pesë gjashtë raste kam jap ide te institucionet për realizimin e skulpturave femërore por nuk jam përfillë se nuk e kanë primare një gjë të tillë”, tha Miftari për KALLXO.com.

Ndërsa, kritiku i artit, Ilir Muharremi thotë që mungesa e këtyre skulpturave është si pasojë e mentalitetit të kultivuar në Kosovë.

“Gratë duhet më shumë ta ngritin zërin e tyre. Kjo është pak se janë mësuar me hesht shkaku i mentalitetit të vjetër. Gruaja ishte e shtypur në të kaluarën dhe vazhdon të mos depërtoj në mbretërinë mashkullore”, tha Muharremi.

Disa nga gratë më të fuqishme të cilat kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare me të arriturat dhe ndikimin e tyre janë shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokalari, arkitektja e parë Valentina Pistoli, kirurgia e parë Qemoran Toptani, intelektualja e çështjes kombëtare Elena Gjika, gazetarja e parë shqiptare që punoi për CNN dhe raportoi nga Lindja e Mesme gjatë viteve të 50-ta Nexhmije Zaimi, e shumë të tjera të periudhës moderne apo të pellazgo-ilire.

Gratë kontributdhënëse shqiptare

Drejtori i Agjensisë për Menaxhimin e Memorialeve, Bislim Zogaj tha që kanë ndërtuar vetëm një shtatore të një gruaje, atë të luftëtares Hyrë Emini në qytetin e Ferizajit.

Hyrë Emini ishte pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila kishte rënë heroikisht me 29 korrik të vitit 2001 rrëzë bjeshkëve të Korabit.

“Ne si agjension e kemi ndërtuar vetëm një shtatore të Hyrë Eminit në Ferizaj. Kërkesë kemi pasur vitin e kaluar dhe atë e kemi fut në buxhet për këtë vit, ndërtimin e shtatores së  Myrvete Maksutaj në Pejë. Kërkesa tjera nuk kemi pas për personalitete tjera” tha Zogaj për KALLXO.com.

Sipas Zogajt, konkursi për ndërtimin e shtatores së  Myrvete Maksutaj është i hapur dhe pritet të përfundoj brenda këtij viti.

Myrvete Maksutaj është një nga pjesëtaret e para të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit e cila ra heroikisht në oborrin e Spitalit të Pejës.

Mungesa e një memoriali apo një figure skulpturore në hapësira publike ka bërë që këto figura rrallëherë të përmenden si kontribuese dhe gra të fuqishme apo edhe të harrohen fare.

Arjeta Miftari tha që përpos që ka mungesë të skulptura të grave edhe ato ekzistuese të janë të vendosura dhe realizuara pa kritere.

“Rreth 80% e skulpturave në Kosovë nuk janë të vendosura në vendin e duhur dhe është problem i madh mungesa e inkorporimit të vendit me skulpturën”, u shpreh Miftari.

Sipas saj, arsyeja kryesore pse nuk ka skulptura të tilla është mungesa e vetëdijësimit dhe informimit për gratë të cilat kanë dhënë kontribut në profesionet e tyre.

Megjithatë, Muharremi thotë se gratë dhe vajzat duhet vet të fillojnë iniciativën në lidhje me këtë problem në mënyrë që të bëhen zë për fuqinë e tyre.

“Kjo tregon që vajzat dhe gratë vuajnë për lirinë dhe formimin e saj intelektual në Kosovë. Ose ndoshta mashkulli femrën nuk e llogarit si të denjë për problemet madhore për të vulosur historinë”, tha Muharremi.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Gjilanit, Deniza Ajeti tha për KALLXO.com se janë duke punuar për Monumentin e Gruas “Heroina e Qytetit” e cila është planifikuar të vendoset në platon e sheshit para Teatrit të Qytetit.

“Iniciativa është marrë nga gratë aktiviste të Gjilanit. Kjo vepër artistike i dedikohet të gjitha grave pa dallime që kanë dhënë kontribut jetësor në të gjitha sferat në Gjilan”, tha Ajeti.

Në qytetin e Gjilanit është e vendosur edhe shtatorja e Hanumshahe Abdullahut, e cila me 15 prill 1999, duke kryer një detyrë të Shtabit Operativ të Zonës së Karadakut ishte vrarë së me bashkëshortin e saj Tefik Zymberi në Malet e Zhegocit nga forcat policore e ushtarake serbe.

Kurse në Prizren nuk ka asnjë shtatore të grave e as kërkesa për ndërtimin e tyre.

“Nuk kemi asnjë shtatore të grave, por nuk kemi as kërkesa për ndërtimin e tyre”, tha drejtori i Admnistratës në komunën e Prizrenit, Osman Hajdari.

Ndërsa në në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas  në mesin e tetë shtatoreve të heronjve është edhe shtatorja e heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, kurse shtatore të grave tjera nuk ka. 

Lladrovci ishte luftëtare e UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë, e cila kishte gradën e gjeneral-majorit dhe kjo është grada më e lartë që ka marrë një grua shqiptare. Ajo kishte rënë heroikisht në vitin 1998 në Gradinë të Gllanasellës përkrah burrit të saj, Fehmi Lladrovcit.

“Nuk ka kërkesa pranë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport për ndërtim të shtatoreve të vajzave/grave që kanë lënë gjurmë në histori”, tha për drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shqipe Zogu.

Drejtori i DKRS-së në Skenderaj, Abdyl Ymeri tha se kanë pasur kërkesa për bashkëfinancim për pllaka përkujtimore, por jo për ndonjë shtatore të veçantë për gratë të cilat kanë lënë gjurmë në histori.

“Shtatore të veçanta për gratë të cilat kanë lënë gjurmë në histori nuk ka të ndërtuara. Në Runik Shfmu “Shotë Galica” e cila mbanë emrin e heroinës Shotë Galica, pranë të cilës është e vendosur busti i saj, kurse në pllakat përkujtimore të cilat janë të ndërtuara, janë të vendosura fotografitë e të rënëve në luftën e fundit”, tha Ymeri.

Shotë Galica së bashku me bashkëshortin e saj Azem Galica kishin luftuar kundër politikës së dhunës e të terrorit të regjimit serb ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin, shpërnguljen e dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. 

Nëpër shumë qytete nëpër botë gjenden skulptura të vajzave dhe grave, që nga figurat e mitologjisë greke, periudha romake, rilindaset e deri kontributdhënëset e luftës dhe kohës moderne si simbol të fuqisë.