Gjykimi i të ‘fortëve’ gjatë vitit 2020

Brenda vitit 2020 figura të rëndësishme të vendit u përballen me organet e drejtësisë, nën akuzat se kishin kryer vepra penale të keqpërdorimit të detyrave zyrtare e mos përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive gjatë kryerjes së punëve të tyre.

Megjithëse seancat gjyqësore nuk u mbajtën në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit, 2020-ta pa ngritje të aktakuzave të rëndësishme por edhe vendime të gjykatave për dënime e lirime të personave publik.

Mbi 500 seanca gjyqësore të monitoruara gjatë vitit 2020 evidentojnë dështimin për të arritur rezultate në luftën kundër korruspionit, evidentojnë dështime të aktakuzave të korruspionit që të provohen në gjykatë, evidentojnë aktgjykime që prishen nga gjykatat më të larta e lëndë që kthehen në rigjykim e zvarriten në pafundësi e në fund askund nuk jep përgjegjësi për dëmet që shkaktohen e konfiskimi i i pasurisë së fituar me vepër penale vazhdon të mbetet vetëm përcaktim ligjor.

Rasti i famshëm “Pronto”, në lidhje me punësime dhe emërime të ndryshme nëpër borde e pozita shtetërore, ka marrë vëmendjen e publikut në vitin që po lëmë pas.

Fjala “Pronto” ishte bërë e famshme në vitin 2014, menjëherë pasi që rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë, kryesisht nga PDK-ja u dëgjuan duke biseduar në mes vete në lidhje me punësime pa kritere.

Pas 12 seanca gjyqësore, 455 ditëve, ose 1 viti e 2 muajve e 29 ditëve, pas ngritjes së aktakuzës, me vendimin e tre janarit të Gjykatës së Prishtinës, të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

Por, ishte Gjykata e shkallës së dytë, ndryshoi vendimin e asaj të parës, duke i shpallur fajtorë Adem Grabofcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin. 

Përfundimisht, ky vendim u vërtetua edhe nga Gjykata me e lartë e vendit, Gjykata Supreme.

Një proces tjetër me rendësi që zgjoi vëmendjen gjatë 2020, e që u përcill me polemika të shumta ishin dosjet e veteranëve të rrejshëm.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar procesi gjyqësor në rastin e njohur për publikun “Veteranët”, në të cilin janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja. Bashkë me ta akuzohen edhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Aktakuza për rastin “Veteranët” ishte ngritur nga Prokuroria Speciale në shtator të vitit 2018, ndërsa pas dy viteve, në në tetor të vitit 2020,  është mbajtur seanca e fundit për këtë çështje.

Të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues për akuzuat që iu vihen në barrë. 

Publikimi i mbrojtjes së tyre është ndaluar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, me arsyetimin se të akuzuarit të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarve tjerë gjatë marrjes në pyetje.

Në sencën e radhës palët në procedurë pritet të japin fjalën përfundimtare.

Para gjykatës për të dhënë dëshmi në këtë proces gjyqësor kanë dalë edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish-kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. 

Reagime ndaj procesit pati edhe ish-prokurori Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e listave të veteranëve të UÇK-së pas dyshimeve për keqpërdorime me to, i cili ka reaguar ndaj ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe kryetarit të Komisionit për Verifikim dhe Njohje të Statusit të Veteraneve të UÇK-së, Agim Çeku.

Gjykata e Pejës filloi e para me ndëshkimin e veteranëve të rrejshëm, pas aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e Pejës, ku për herë të parë u bë pastrimi i këtyre listave të fryera.

Reagime të shumta për këtë proces pati edhe nga shoqata e veteranëve të luftës.

KALLXO.com ka raportuar edhe për hetimin e intervistimin e zinxhirit komandues të këtyre dosjeve.

Një rasti tjetër që nuk po i shihet fundi është gjykimi për skandalin e vizave italiane ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve.

Pas tri viteve proces gjyësor, Gjykata e Prishtinës në përfundim të vitit 2020, e rinisi nga fillimi këtë dosje penale.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 20 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178  dëshmitarë.

Me zvarritje është duke u përcjellë edhe rasti “Stenta 1”, ndaj ish ministrit Ferid Agani dhe Gani Shabanit.

Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 e ka kthyer në rigjykim këtë rast, ndërsa ende pas një viti nuk është caktuar ndonjë seancë e rigjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata e Prishtinës në prill të vitit 2019 shpalli fajtor dhe e dënoi me 2 vjet e 6 muaj burg ish ministrin Ferid Agani dhe më 2 vjet burg e dënoi Gani Shabanin.

Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzohen në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish-ministrit dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjykata e Prishtinës në prill të këtij viti shpalli fajtor dhe e dënoi me 2 vjet e 6 muaj burg ish ministrin Ferid Agani dhe më 2 vjet burg e dënoi Gani Shabanin.

Rast tjetër është edhe ai i deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione, e që është duke vuajtur dënimin në burgun e Lipjanit. 

Vota e  ish- deputetit Etem Arifit bëri që qeveria Hoti të shpallet e pavlefshme, kur me 21 dhjetor Gjykata Kushtetuese, mori vendim me të cilin vlerësoi se vota e Arifit  ishte e paligjshme. 

Gjykimi ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe 16 të tjerëve, të akuzuar për shpronësimin e tokave shoqërore në mënyrë të kundërligjshme, shpëlarje parash e legalizim të përmbajtjes së rreme, është duke vazhduar edhe këtë vit pranë gjykatës së Prishtinës.

Sipas ish deputetit Syla, fillet e kësaj aktakuze janë politike dhe se ajo, sipas tij, është orkestruar me disa njerëz në Beograd.

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti i PDK-së dhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

E gjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për subvencionet e shpërndara në Gjakovë nuk po i shihet fundi.

Ngritja e aktakuzës për këtë rast penal ishte bërë në prill të vitit 2018 dhe ende nuk kemi një epilog përfundimtar.

Procesi është përcjellur me shtyrje e zvarritje të shumta gjatë vitit 2020.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Gjatë vitit 2020, u akuzua edhe ish-ministri iTregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për sulmin ndaj gazetarit të Indeks Online, Ensar Ramadani në dhjetor të 2019.

Prokuroria e Prishtinës më 10 shkurt 2020, ndaj të njëjtit ka ngritur aktakuzë për veprën penale sulm.

Pamjet e sulmit qarkulluan në media, ndërsa rasti tash ka shkuar në procedurë të ndërmjetësimit.

Një vendim i gjykatës së Apelit në nëntor të vitit 2020, e ka vërtetuar dënimin ndaj  ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut, lidhur me arratisjen nga burgu i Dubravës.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga burgu i Dubravës.

Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”. Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë  prej 12 mijë eurove.

Kurse për arratisjen nga QKUK- ja, Lushtakut i është parashkruar vepra.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë, gjatë vitit që po lëmë u dënua nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa një vendim i shkallës së dytë ktheu rastin në rivendosje.

Kujtojmë se pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën dhe e kishte dënuar me 8 muaj burg me kusht si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Pas më shumë se një viti e gjysmë, Gjykata e Apelit mori vendim dhe lëndën e ktheu në pikën zero. 

Para gjykatës u paraqitën edhe ish-ministrat e qeverisë “Thaçi 2” Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi e Nenad Rashiq, rast në të cilin janë të akuzuar edhe ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka si dhe 14 persona zyrtarë, nën akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. 

Nga ligji këtë vit nuk shpëtuan as të parët e komunave të vendit, e zyrtarët e tyre komunal.

Disa prej u hetuan, akuzuan, e u dënuan, nga organet e drejtësisë.

I pari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u përball me ligjin nën akuzat se kishte refuzoi të zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit që e obligonte atë që ta kthejë në vendin e punës Hysni Selmanajn, ish-Drejtor i Auditimit të Brendshëm në komunën e Pejës.

Por, Muhaxheri u lirua nga akuza nga gjykata e shkallës së parë, e që ky vendim në janar të vitit 2020 u vërtetua edhe nga shkalla e dytë-Gjykata e Apelit.

Muhaxheri është duke u hetuar nga prokuroria, edhe për një tender në Komunën e Pejës., pas raportimit të KALLXO.com.

Edhe disa zyrtarë të kabinetit të Muhaxherit, u vunë para ligjit, ku në mesin e tyre disa u dënuan e disa janë në procese gjyqësore.

Fillimi i vitit 2020 u nis edhe me procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, nën akuzat për punësimin e vajzës se tij në QKMF në Klinë.

Elezaj u shpall fajtor e u dënua nga gjykata me 4 mijë euro gjobë.

Gjykata po ashtu ia ka ndaluar ushtrimin e profesionit në administratën publike për dy vite, pas plotfuqishmërise së aktgjykimit.

E kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, u arrestua nën dyshimin se ka kryer vepër penale të korrupsionit. Hetimi ndaj tij është duke u zhvilluar pranë prokurorisë së Pejës.

Rugova së bashku me një drejtor dhe zyrtar të Komunës ishin arrestuar më 9 tetor. 

Keqpërdorim i detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikimi i dokumenteve janë veprat penale për të cilat Prokuroria kishte urdhëruar arrestimin dhe marrjen në pyetje të të tre zyrtarëve.

Më 11 tetor Gjykata e Pejës kishte caktuar arrestin shtëpiak ndaj Rugovës dhe Lulzim Blakaj, ndërsa Apeli i ka liruar nga arresti shtëpiak duke iu caktuar  masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Ky rast është duke u hetuar ende nga Prokuroria e Pejës.

Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Istogut Haki Rugova  paraqitet në Gjykatë.

Kjo pasi që i njëjti është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit, pikërisht lidhur me detyrën e tij si kryetar i Komunës së Istogut.

“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kreytarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.

Në listën e të dënuarve figuron edhe ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me gjobë prej 2 mijë euro për një kërcënim ndaj avokatit Gazmend Halilaj në Drenas.

Lushtaku para trupit gjykues kishte pranuar fajësine për këtë vepër penale që i vihet në barrë.

Skandali i 2 milionëshit

Gjatë vitit që lamë pas, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja e financave Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, duke kumtuar lajmin se thesarit të shtetit i ishin “avulluar”, më tepër se 2 milionë euro.

Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

Lidhur me këtë çështje, deri më tani janë arrestuar dy persona dhe të njëjtëve u është caktuar e vazhduar masa e paraburgimit.

Bëhet fjalë për Labinot Grudën, zyrtari në Ministrinë e Financave si dhe Kadri Shalën përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SHPK, kompania në të cilën janë transferuar paratë nga thesari.

KALLXO.com ka siguruar dosjen nga Gjykata lidhur me rastin ndaj këtyre dy të dyshuarve për transferimin e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit në llogari të një biznesi privat.

Nuk shpëtuan nga hetimi, akuzimi e dënimi, as gjyqtarë e prokurorë.

Disave iu shqiptuan masa disiplinore për shkelje gjatë detyrave të punës, e disa u përballen edhe me aktakuzë.

Sali Berisha, gjyqtar në Gjykatën e Pejës, u paraburgos e u akuzua nga Prokuroria Speciale për marrje të ryshfetit.

Gjyqtari Berisha u suspendua nga puna, ndërsa është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj tij.

Ndërsa në dhjetor të 2020, gjyqtari Rafet Ismaili dhe polici Blerim Gashi, të cilët akuzoheshin për ushtrim ndikimi janë shpallur fajtorë nga gjykata.

Ismaili u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 2000 euro. Të njëjtin dënim e mori edhe i akuzuari Blerim Gashi.

Gjykimet maratonike që vazhduan edhe në 2020-tën

Viti 2020 pritej që të përmbyllte konfliktin mes Elshanëve dhe Kelmendve, për ngjarjet që tronditën Pejën në natën e festës së vitit të ri në vitin 2010.

Por në shtator të 2020-tës gjykata vendosi që të rihap shqyrtimin, duke shënuar kështu një ndër rastet me të zvarritura në sistemin e drejtësisë.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Rast tjetër i vrasjes që bëri bujë mediatike, ishte vrasja me pagesë e Ferdinand Gjinit në Deçan, u përmbyll me një dënim prej 49 viteve.

Në proces gjyqësor në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputet të Kuvendit të Kosovës, e edhe kanosje të prokurores për tërheqje nga rasti.

Tabulate të përgjimeve zbuluan kërcenimet që iu bënë prokurorës për tërheqje nga rasti, duke përfshirë vrasjen e fëmijëve të saj e kidnapimin e bashkëshortit.

Viti 2020 e përmbylli me 24 vjet e gjysmë burg, gjykimin maratonik të Pjetër Ndrecajt i akuzuar për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ky vendim erdhi pas vendimit të Gykatës Supreme që ktheu rastin në rigjykim, ndërsa paraprakisht  nga Gjykata e Apelit Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë – burgim i përjetshëm.

Vendimi për ulje të dënimit u konsiderua skandaloz e u përcoll me reagime të shumta, përfshirë këtu ish- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e edhe nga RrGK.

Ndërsa një vendim i gjykatës së Apelit e ktheu në rigjykim rastin penal ndaj Enver Sekiraqës.

Plot 12 vjet pas vrasjes së Triumf Rizës, Gjykata në Prishtinë e shpalli për herë të dytë fajtor Enver Sekiraqën për nxitjen e kësaj vrasje, duke i shqiptuar dënim prej 30 vjet burg.

Tash pritet të filloj rigjykimi ndaj tij.

Më 2020 u shqiptua edhe dënimi me burgim të përjetshëm

Disa krime në Kosovë në 2020 përfunduan edhe me burgim të përjetshëm.

Kështu gjatë këtij viti, Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është shpallur fajtor nga Gjykata në Prizren për vrasjen e të riut Jetmir Aliaj në Suharekë, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.

Me burgim të përjetshëm për vrasje u dënua edhe Nuhi Mavroqani, i akuzuar se e ka vrarë gruan e tij në Kamenicë.

COVID-19 mori jetën e disa figurave në sistemin gjyqësor

 E disa nga gjyqtarët e prokurorët e sistemit të drejtësisë janë ndarë nga jeta vitin që lamë pas.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Shashivar Hoti, e Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Ismet Ukshini kanë vdekur pasi janë infektuar me virusin COVID-19.

Pandemia COVID- 19 ka shkaktuar një ngadalësim të ritmit të punimeve në sistemin e drejtësisë, duke shkaktuar shtyrje, zvarritje të procedimit të rasteve, e grumbullim të lëndëve,  por megjithatë puna ka vazhduar me një ritëm të arsyeshëm.