Gjykata e Tenderëve kërkon që mos të anulohet tenderi i ‘kurdisur”

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka kërkuar nga Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) që të mos e anulojë tenderin 9 milionësh për furnizim me LapTop dhe pajisje të tjera të teknologjisë informative.

Si Autoritet Kontraktues, Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka anuluar këtë tender për shkak se ka vlerësuar që specifikat teknike i janë përshtatur vetëm një prodhuesi, në këtë rast Lenovos.

Por, paneli shqyrtues i OSHP-së, duke u bazuar vetëm në konstatimet e ekspertit, duke duke mos i marrë parasysh arsyetimet e AQP-së, ka kërkuar që tenderi duhet të rivlerësohet dhe se nuk ka kufizim të konkurrencës.

Paneli Shqyrtues tërë konstatimet i ka bazuar konformë ekspertizës së bërë nga “ekspertit shqyrtues teknik” dhe “ekspertit shqyrtues të prokurimit”, që kanë qenë: Zenel Hisenaj dhe Ilir Halili.

Secili konstatim në lidhje me pretendimet e kompanive ankuese i panelit shqyrtues, i përbërë nga Blerim Dina – kryetar, Nuhi Paçarizi – referues dhe Goran Milenkoviq – anëtar, fillon me “paneli shqyrtues komfor ekspertit shqyrtues/teknik konstaton”.

“Anulohet vendimi i AK-Agjencia Qendrore e Prokurimit – AQP, njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizim me pajisje të IT – Ritender” dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Po ashtu, Gjykata e tenderëve ka vendosur që të aprovojë si pjesërisht të bazuara ankesat e kompanive “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” dhe “Botek”, lidhur me vendimin për anulim të tenderit “Furnizim me pajisje të IT – Ritender”, i iniciuar nga AQP.

Në AQP thonë se vendimi i OSHP-së nuk është argumentuar,

Sipas Rexhës, Paneli shqyrtues i OShP-së nuk e ka argumentuar mirë vendimin e tyre për anulim të vendimit të AQP-së.

“Vendimi është bazuar krejtësisht në ekspertizën e ekspertit shqyrtues. Mendojmë se jo (nuk është argumentuar sa duhet) sepse nuk janë trajtuar argumentet e AQP dhe njërës pale ankuese”, ka thënë drejtori i AQP-së, Ekrem Rexha.

Rexha ka potencuar se ka argumente të mjaftueshme për anulimin e këtij tenderi sepse specifikimi është në kundërshtim me nenin 7 (Barazia në Trajtim/ Jo – Diskriminimi), nenin 28 (Specifikimet teknike) dhe rrjedhimisht nenin 1 (Qëllimi).

AQP ka vlerësuar se ekziston rreziku që vazhdimi i këtij aktiviteti mund të rezultojë me kontratë të dëmshme andaj ka vepruar komfor nenit 62 të LPP-së.

“Do të presim Komisionin e rivlerësimit se a do të ofroj argumente tjera që eventualisht nuk janë vërejtur në vlerësimin e mëparshëm”, ka theksuar Rexha nga AQP.

AQP komfor vendimit të OSHP do të kërkoj gjatë rivlerësimit të ofertave një mendim profesional nga institucionet kompetente lidhur me pretendimet e tyre për këtë aktivitet të prokurimit.

Rexha ka thënë për Gazetën JnK se Komisioni i rivlerësimit do të marr vendim të pavarur dhe nuk mund të prejudikohet vendimi i tyre.

“Megjithatë zyrtari përgjegjës i prokurimit pastaj në pajtim me LPP vendos a do ta aprovoj propozimin e Komisionit apo jo”, ka përfunduar Rexha.

Përveç kësaj, OShP ka kërkuar një mendim profesional nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) në lidhje me tenderin 9 milionësh të AQP-së.

AKK ka vlerësuar se OShP gjatë marrjes së vendimeve dhe Autoritetet Kontraktuese gjatë udhëheqjes së aktiviteteve të prokurimit të sigurojnë që operatorët të mos kufizohen nëpërmjet kushteve dhe kritereve diskriminuese/përjashtuese.

“Kufizimet e tilla mund të çojnë në favor të një operatori të veçantë duke i vendosur në pozita të pafavorshme konkurruese operatorët tjerë. Sigurimi i konkurrencës efikase në prokurimin publik, do t’i mundësonte ndërmarrjeve të konkurrojnë me ofertën e tyre e cila në fund, do të jetë në favor të shfrytëzuesve/përdoruesve përfundimtar të cilët do të jenë në gjendje të zgjedhin ofertën më të përshtatshme për ta midis produkteve/operatorëve të ndryshëm”, thuhet në mendimin e AKK-së.

OShP ia beson vendimin ekspertëve

Operatorët ekonomik “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” janë ankuar kundër vendimit të AQP-së për anulim të tenderit. Këto tri biznese të cilat janë ankuar kanë konkurruar në këtë tender edhe me prodhime të Lenovos. Ndërsa “Botek” është ankuar për arsyet e eliminimit të saj nga gara dhe ka argumentuar edhe pretendimin e saj për përshtatje të specifikave teknike për vetëm një prodhues, Lenovon.

Tre operatorët e parë në ankesat e tyre kanë pretenduar që AQP ka marr vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së për arsye se dosja e tenderit dhe specifikimet teknike të përmbajtura në të kanë qenë në përputhje me nenin 28 të LPP-së dhe kanë mundur të arrihen nga shumica e prodhuesve respektivisht ofertuesve në treg.

Paneli shqyrtues komfor mendimit të ekspertit teknik/shqyrtues ka dhënë përgjigje të njëjtë për pretendimet e tri kompanive ankuese, “Infosoft”, “PBC” dhe “Novus”. Sipas OShP-së, AQP duke anuluar këtë tender ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Ka vepruar në kundërshtim me vet Raportin e vlerësimit, ku në njërën anë e cilëson këtë OE si të përgjegjshme për faktin se ka plotësuar të gjitha kriteret teknike, mirëpo në anën tjetër këtë procedurë e anulon me arsyetimin se specifikimi teknik është përgatitur në kundërshtim me ligjin e LPP-së”, thuhet në konstatimin e Panelit shqyrtues të OShP-së i cili është bazuar në mendimin e ekspertit shqyrtues.

Konstatimin se AQP ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik e ka bazuar në faktin se nëse do të ishin specifikimet teknike në kundërshtim me LPP-në dhe URROPP atëherë ky fakt do të duhej të evitohej gjatë fazës së njoftimit për kontratë dhe jo vetëm pasi të jenë hapur ofertat.

Paneli shqyrtues ka thënë se eksperti teknik ka sqaruar se nuk ka hasur në ndonjë dokument i cili tregon të ketë pasur ankesa gjatë fazës tenderuese për specifikim teknik dhe të njëjtën arsyet të jetë anuluar ky aktivitet.

Njëjtë si eksperti teknik/shqyrtues, Paneli shqyrtues i OShP-së ka shtuar se katër prodhues plotësojnë kriteret teknik e jo vetëm një, “Lenovo”, për të cilën arsye është anuluar tenderi nga AQP.

Eksperti shqyrtues/teknik ka konstatuar se gjatë analizimit të ofertave të OE të cilët janë evidentuar si të suksesshëm për LOT 1 mund të konstatohet se ofertat e tyre kanë ofrues të ndryshëm si: “Infosoft Systems” ofron produkte të Dell, Lenovo dhe Acer, “Novus” ofron produkte të Lenovo dhe Acer, “PBC” ofron produkte të HP, Lenovo, Think Center, Acer dhe “Storm ICT” ofron produkte të HP, Lenovo dhe Acer

“Sipas ekspertit shqyrtues/teknik shihet qartë se kemi të paktën katër prodhues të ndryshëm të cilët plotësojnë kriteret teknike sipas Raportit të Komisionit, andaj konsiderojmë se konstatimi i AK është në kundërshtim me LPP pasi sipas ofertave dhe raportit të vlerësimit ekzistojnë katër OE dhe të paktën katër prodhues të ndryshëm të cilët plotësojnë kriteret e dosjes së tenderit”, vazhdon konstatimi i Panelit shqyrtues të OShP-së.

Por, ankesat kanë qenë që OE që nuk kanë në mesin e ofertave Lenova janë të papërgjegjshëm.

Përveç tri kompanive që janë ankuar e të cilat janë shpallur të përgjegjshme nga AQP, në Gjykatën e tenderëve është ankuar edhe “Botek”, e cila ishte shpallur e papërgjegjshme nga AQP.

“Botek” ka pretenduar se specifikimet teknike në dosje të tenderit kanë qenë dhe janë përgatitur qartësisht dhe njëanshëm vetëm duke u bazuar në një prodhues të vetëm, Lenovo.

Paneli shqyrtues komfor ekspertit teknik ka konstatuar se nëse do të kishte vërejtje të tilla ankesat do të duhet të bëheshin gjatë fazës së njoftimit për kontratë dhe jo pas hapjes së ofertave.

Po ashtu, “Botek” ka pretenduar edhe se kompanitë kanë qenë të organizuara dhe në këtë tender kanë ofertuar me DAF (Autorizim nga Distributori) i të njëjtës kompani ITD dhe me produkte të prodhuesit të njëjtë, Lenovo.

Paneli shqyrtues komfor ekspertit teknik, gjatë analizimit të ofertave të kompanive të cilat janë evidentuar si të suksesshme për Lot 1 ka konstatuar se ofertat e tyre kanë ofrues të ndryshëm.

“Infosoft Systems” ofron produkte të Dell, Lenovo dhe Acer, “Novus” ofron produkte të Lenovo dhe Acer, “PBC” ofron produkte të HP, Lenovo, Think Center, Acer dhe “Storm ICT” ofron produkte të HP, Lenovo dhe Acer. Dhe jo vetëm Lenovo”, thuhet në konstatimin e Panelit shqyrtues të OShP-së.

“Skema e monopolit” 

Kompanitë “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” dhe “ICT Storm” të cilat janë shpallur të përgjegjshme nga AQP për tenderin 9 milionësh për furnizim me Lap-Top dhe pajisje tjera të teknologjisë informative, kanë konkurruar me të njëjtin autorizim për prodhimet e Lenovos.

Autorizimin për produktet e Lenovos për këto katër kompani e ka lëshuar “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë. “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë ka të njëjtin aksionar me kompaninë konkurruese në këtë tender, “Infosoft Systems”. “Investment joti – infosoft group” posedon 45.5% të aksioneve në kompaninë “Infosoft Systems” dhe 90 % të aksioneve në “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë.

Në një letër konfirmimi që e ka pranuar AQP ka pranuar nga Lenovo në Zagreb, konfirmohet se ITD Sh.P.K dega në Prishtinë e ka të drejtën për të lëshuar autorizime tek kompanitë e tjera për prodhimet e saj.

“ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë ka të drejtë të lëshojë autorizim tek kompanitë ose partnerët për shitjen, instalimin, mirëmbajtjen, shërbimin e këtyre pajisjeve të ofruara në këtë projekt për territorin e Kosovës”, thuhet në këtë letër konfirmimi.

Përfaqësuesi i AQP-së, Ekrem Rexha në shkresën e dërguar OSHP-së ku ka kundërshtuar mendimin e ekspertit përveç tjerash ka thënë se vazhdimi i këtij tenderi rrezikon të krijojë monopol.

Ai këtë konstatim e ka bazuar në një përgjigje që ka marrë nga kompania “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë, në të cilin konfirmohet lidhja e biznesit “Investment Joti – infosoft group” nga Shqipëria me biznesin “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë.

“Sqarojmë se kompania ITD Sh.P.K dega në Tiranë dhe kompania ITD dega në Prishtinë, janë kompani të cilat kanë aksionar të njëjtë kompaninë “Investment joti – infosoft group” dhe ndajnë të drejtat e njëjta të distribuimit”, thuhet në përgjigjen e “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë.

Këtë e ka vërejtur Komisioni vlerësues në AQP, i cili ka vendosur që të anulojë tenderin për shkak për shkak se sipas tyre ky tender i është përshtatur vetëm një prodhuesi.

“AK-AQP vendos të ju besoj ekspertëve të IT që specifikat teknike kanë minimzuar konkurrencën e drejtë dhe si pasojë e kësaj të gjithë OE që i plotësojnë specifikat teknike ofrojnë në shumë raste produkt të njëjtë nga i njëjti prodhues dhe për më tepër vetëm një model edhe te atij prodhuesi”, thuhet në vendimin e AQP-së pas shqyrtimit të “kërkesave për rishqyrim” të bëra nga OE-të.

Në argumentimin e vendimit, AQP-ja thotë se specifikat teknike garantojnë konkurrencë të drejtë vetëm në njërin prej produkteve të kërkuara që nuk kishte shumë rëndësi, sic është monitori.

“AQP qëndron pas asaj që në këtë aktivitet të prokurimit ka ndodhur gabim në përpilimin e specifikave teknike duke ngushtuar tregun dhe duke diskriminuar brendet me shtrirje globale që njëkohësisht kanë shtrirje të madhe edhe në tregun e Kosovës”, thuhet në vendimin e AQP-së.

Historiku i tenderit kundërthënës

Më 9 gusht 2018 është publikuar njoftimi për kontratë për tenderin “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”. Vlera e parashikuar e kontratës është 9 milionë euro.

Më 31 gusht, AQP ka njoftuar se pranimi i tenderëve dhe hapja e tyre që ishte përcaktuar më 6 shtator është shtyrë për 25 shtator 2018. Kjo për arsye se operatorët ekonomik kanë dërguar pyetje për sqarimin e dosjes së tenderit.

Ata kanë thënë se në pyetjet ne lidhje me kriteret administrative do te përgjigjen stafi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ndërsa në lidhje me pyetjet për hartimin e specifikimeve teknike do të përgjigjen ekspertet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë se Administratës Publike, “të cilët i kanë hartuar specifikat teknike në dosjen e tenderit”.

Më 18 shtator, AQP ka njoftuar se data e pranimit të ofertave është shtyrë përsëri. Tashmë nga 25 shtatori është shtyrë për 10 tetor.

Prej 12 operatorëve ekonomik aplikues, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar.

Më 16 janar 2019, AQP ka njoftuar se operatorët që janë kualifikuar janë “Ilir – Kosova”  & “Comtrade Computers O.K.”, “Infosoft Systems”, “Novus” & “Cactus”, “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”, “Botek” dhe “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & GDI Gisdata Dooel.

Më 28 janar, AQP ka vendosur që të anulojë njoftimin për vendimin e Autoritetit Kontraktues për Marrëveshjen Kornizë – Furnizim me pajisje të IT-së – ritender dhe ta kthejë në rivlerësim. Ky vendim ka ardhur pas ankesave nga 6 operatorët ekonomik.

Duke iu përgjigjur 6 operatorëve ekonomikë të cilët janë ankuar, AQP ka marrë vendim mbi refuzimin e ankesës së “Europrinty” dhe ka i ka vlerësuar si pjesërisht të bazuara ankesat e pesë Grupeve të Operatorëve Ekonomik.

Si pjesërisht të bazuara ankesat e Grupit të Operatorëve Ekonomik “Tech Vision” & Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” & “More Technology”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Trio Tech” & “Artech” & “Astronik” & “Eramed”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Novus” & “Cactus”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & “GDI Gisdata Dooel” dhe Grupit të Operatorëve Ekonomik “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”.

Pasi tenderi është kthyer në rivlerësim, AQP ka kërkuar nga operatorë ekonomik ta vazhdojnë vlefshmërinë e ofertës. Më 4 shkurt ata kanë kërkuar që të vazhdohet afati i vlefshmërisë për 90 ditë ndërsa më 17 maj për 60 ditë.

Rreth katër muaj pasi është marrë vendimi për kthimin në rivlerësim, më 5 qershor, AQP ka marrë vendim për anulimin e tenderit.

“AQP anulon këtë aktivitet të prokurimit pas konstatimit se specifikimi teknik është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe si rezultat i kësaj është vendosur sipas Ligjit të Prokurimit Publik që të anulohet ky aktivitet”, thuhet në njoftimin e AQP-së.

Pas këtij vendimi, AQP ka marrë ankesa nga operatorët ekonomik.

Më 14 qershor, AQP ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e operatorëve ekonomik “Ilir – Kosova”, “Novus”, “Storm ICT L.L.C”, “Infosoft Systems”, “PBC”, “Tech Vision” dhe “Botek”.

“Vërtetohet njoftimi për anulim i AQP-së dhe AQP vazhdon më tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më 21 qershor është marrë vendim mbi pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi janë njoftuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit se kanë marrë ankesa nga operatorët ekonomik në lidhje me këtë tender.

“Arsyeja e pezullimit është ankesa e operatorëve ekonomik në OShP”, thuhet në njoftim.

Një tender për furnizim me pajisje të IT-së ishte shpallur dhe anuluar edhe dy herë të tjera. Më 26 shkurt të vitit 2018, AQP kishte publikuar njoftimin për kontratë për “Furnizim me pajisje të IT-së”. Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 6 milionë euro. Më 20 prill të vitit 2018, ky tender është anuluar.

Tenderi për furnizim me pajisje të IT-së është shpallur përsëri nga AQP më 27 prill 2018. Tenderi “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”, me vlerë të parashikuar 7.8 milionë euro është anuluar më 14 maj 2018.

Prova se tenderi 9-milionësh u kurdis dhe iu përshtat një prodhuesi

Skema e ‘kurdisjes’ së tenderit 9 milionësh