Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjuha denigruese ndaj grave në diskursin publik

Është bërë pothuajse i zakonshëm përdorimi i gjuhës diskriminuese, seksiste e ofenduese ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.

Së fundmi, deklaratat e burrave në rrjete sociale dhe emisione televizive kanë ngritur në debat publik, gjuhën denigruese të përdorur ndaj grave. 

Në lidhje me këtë çështje, sociologu Genc Xërxa thotë se gjuha e tillë e përdorur në diskursin publik është si pasojë e pozitave që po zënë gratë në shoqëri.

“Patriarkaliteti rigjid po dekompozohet nga gratë me shkathtësitë e tyre vendimmarrëse apo kompetente në shumë larmi, ndërsa burri tradicional që e ka parë veten gjithnjë në krye po i sfidohet pozita nga vlerat e reja që gratë po shpërfaqin”, tha Xërxa për Kallxo.com.

Në mbrëmjen e 4 prillit kur Vjosa Osmani- Sadriu ishte zgjedhur presidente e Kosovës, profesor-asistenti në Fakultetin Filozofik, Adrian Kastrati kishte publikuar një shkrim të shkrimtarit Faik Konica për të cilin në opinion u ngritën polemika për gjuhën seksiste dhe ofenduese.

“…një fshatarake me bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura e me një fytyrë të fryrë si piper i kuq i Ohrit” kishte cituar Kastrati duke thënë se “ky shkrim satirik i botuar në gazetën ‘Dielli” në Stamboll për një zyrtare të Stambollit më bëri sonte të qesh me lot”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar sfera politike e aktiviste përmes reagimeve e linçimeve publike. Pas protestave të organizuara nga organizata për arsim “ORCA”, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është distancuar nga kjo gjuhë e Kastratit dhe e ka dërguar atë në Këshillin e Etikës.

Ndërkaq, Xërxa potencon se sfida që po ju bëjnë gratë në pozita të larta, i ka bërë burrat të humbasin kontrollin, njëherazi edhe sfidën nga gratë. Ndërsa deklaratat e tilla ai i cilëson si reaksion i burrave patriarkal, ndaj barazisë që po synojnë gratë në shoqëri.

Sipas tij, disa burra po dalin nga vetvetja dhe po shfaqin qasje të tillë nga pasiguria e tyre dhe aftësitë evidente të gruas në shoqëri që gjithnjë po duken në shumë aspekte shumë më produktive se sa burrat.

Në tjetrën anë, me 12 prill, trajneri i futbollit, Tahir Batatina gjatë një emisioni sportiv kishte përdorur gjuhë seksiste, fyese dhe paragjykuese ndaj gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani, duke e cilësuar të paaftë për profesionin e saj dhe duke e gjykuar për pamjen e saj.

“Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”,  iu kishte drejtuar Batatina Krelanit.

Aktivistja Liridona Sjarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore konsideron se personat që po promovojnë gjuhë të urrejtjes po kryejnë vepra penale, po shkelin mbi ligjet që i mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe afirmojnë me theks të veçantë të drejtat dhe liritë e grupeve të ndjeshme shoqërore.

“Ndaj tyre do duhej të vepronin vetë mediat duke mos i ftuar, pastaj edhe sistemi gjyqësor i cili do duhej t’i kushtonte vëmendje këtyre debateve e emisioneve publike, ku përdoret gjuhë e cila ka elemente të veprës penale”, potencon ajo.

Megjithatë, Agjencioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.

Ndërsa, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës shpreson që që mendësia e tillë  është e izoluar dhe nuk paraqet vlerë të shoqërisë kosovare.

“Ne kemi parë djem dhe burra që dje reaguan kundër kësaj gjuhe denigruese dhe kjo na gëzon, që këtë luftë po e bëjmë të gjithë së bashku, jo vetëm gratë. Por fakti që këto figura publike shprehen në mënyrë seksiste dhe denigruese mund të jetë indikator që kjo mendësi është mjaft e shprehur dhe se të gjithë ne duhet ta luftojmë”, tha Berisha për Kallxo.com.

Ndërkohë, para pak ditësh një deklaratë e hoxhës Shefqet Krasniqi gjatë një emisioni televiziv kishte ngritur polemika në publik për gjuhën ofenduese e diskriminuese. Krasniqi gjatë kësaj interviste insiston që pavarësisht që ka gra police e burra kuzhinierë, përsëri gratë i konsideron si jo të afta për të kryer punë që kërkojnë forcë më të madhe fizike dhe avancim profesional në krahasim me burrat. Ndërsa burrat i cilëson si të pazotë në kuzhinë, krahasuar me gratë.

“Në odë e ka vendin burri. Ti bone edhe një odë për gra, e boni dy. Oda për gra e oda për burra. Kur vijnë gratë shkon rrinë te gratë, kur vijnë burrat shkojnë rrinë te burrat. Dhe burrat mësohen prej burrave e gratë mësohen prej grave. Si të përzihen aty, burrat dalin gra e gratë dalin burra e nuk di askush, kush është burrë e kush është grua”, tha Krasniqi.

Deklarata e Krasniqit ka ngritur reagime të mëdha tek aktvistët e figurat politike.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga kishte reaguar duke publikuar një fotografi në krye të shtetit dhe një e ulur në odë. Ndërsa ish-deputetja Aida Dërguti kishte publikuar një fotografi e veshur me rrobat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës. Ndërkaq, kishte reaguar edhe amabsadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

“Oda tha është për burra, e kuzhina për gra. Epo, kish qenë mirë dikush me i tregu për Shotën, Xhevë Lladrovcin e shumë e shumë heroina tona”, kishte shkruar ajo në Facebook.

Aktivistja Sjarina thotë se deklaratat e tilla që po transmetohen në medie përfaqësojnë mendësinë dominante në shoqëri.

“Siç mendojnë dhe shprehen burrat nëpër televizione, ngjashëm mendon edhe shumica e burrave dhe djemve në Kosovë. E për këtë i referohemi shkallës së dhunës në Kosovë dhe tolerancës së saj e cila është mjaft e lartë e shpesh rezulton edhe në vdekjen e grave”, thekson ajo.

Sipas saj, gjuha dhe mendësia që përfaqësojnë këta persona, nuk paraqet raste të izoluara por normë shoqërore e cila në formën më të rrezikshme po iu prezantohet personave pikërisht në shtëpi dhe familje, aty ku edhe shpesh ndodhë dhuna.

Ndërsa, Berisha tha se kjo gjuhë nuk mund të parandalohet pa një bashkëpunim me organet e drejtësisë anipse edhe me anë të linçimeve publike po mundohen të japin efektin e duhur.

Sipas saj është shumë e rëndësishme që gjyqësia t’i ndëshkojë për nxitjen e urrjetjes që e bëjnë përmes gjuhës.

“Linçimi është një mënyrë e mirë që ta pastroj sferën publike nga personat që përdorin gjuhë seksiste, gjuhë fyese e denigruese, duke minimizuar mundësitë që këta persona t’i shprehin kaq lirshëm thirrjet e tyre për shkelje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve/eve të Kosovës”, tha ajo.

Përveç kësaj, analisti Baton Haxhiu gjatë një emisioni televiziv në Shqipëri për mbrojtjen e lumit Vjosa, objektivizon dhe diskriminon vajzat duke i cilësuar si objekte që mund të dhurohen si dhurata.

Leonardo DiCaprios gjeja një vajzë të bukur këtu, ia ofron edhe i thua dhuratë e ke”, kishte thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, Sjarina thotë se se çka po shfaqet nëpër media po tregon qartazi për një gjuhë dhe mentalitet dhunues i cili po legjitimohet dhe po nxitet edhe më tej nga mediat. 

“Mediat në kushte të tilla do duhej të luanin rol dukshëm tjetër, duke e luftuar këtë mendësi dhe jo duke e ushqyer atë”, tha ajo.

Njësoj mendon edhe Berisha  e cila konsideron se nxitjes së kësaj gjuhe po i kontribuojnë mediat për shkak se nuk po janë vigjilente në kontrollimin e situatës  dhe të jenë të përgjegjshme se kujt po i japin hapësirë publike për debat.

“Mediat kanë rol ti promovojnë gratë, t’u krijojnë hapësira ku ato, sikurse burrat, të ndihen të sigurta e jo të kërcënuara”, tha ajo.