Gjetjet e vitit të 12-të të monitorimit të gjykatave

BIRN dhe Internews Kosova publikuan sot raportin vjetor të monitorimit të gjykatave për vitin 2017.

Ky është viti i 12-të me radhë i monitorimit të gjykatave.

Që nga fillimi i këtij projekti për monitorimin e gjykatave janë monitoruar mbi 10 mijë seanca gjyqësore, të cilat kanë evidentuar shumë shkelje dhe shumë mangësi.

Në panelin e udhëhequr nga Kreshnik Gashi, folën drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kreu i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi si dhe raporti u prezantua nga përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, Labinot Leposhtica.

Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, foli për 12 vitet e monitorimit të gjykatave. Ajo tha se në gjithë këto vite ka progres, por ka edhe shumë dëshpërim.

Xharra përmendi rastin e Xhabir Zharkut, ish kryetarit të Kaçanikut, i cili u dënua në Kosovë, por iku nga vendi dhe nuk e mbajti dënimin.

“Qysh nihet ai që e ka gjyku këtë rast, ai prokuror e gjykatës, që e sheh që ai [Zharku] që i ka ikë drejtësisë, tash kthehet në Kosovë… me na ikë para syve e me u kthy pas ni therrë në këmbë”, tha Xharra.

Më pas Xharra pyeti ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, se si e komenton kthimin e Zharkut në Kosovë. Tahiri duke mos ia përmendur emrin, tha se Zharku është turpi i Kosovës dhe rastet e tilla nuk duhet të përsëriten.

“I bashkohem ambasadorit britanik, s’po mundem as emrin me ia përmend, personi që po i referoheni është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, tha Tahiri.

Tutje ministri tha se e sheh BIRN-in si partner në punën e tij në sistemin e drejtësisë.

Më pas, përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, Labinot Leposhtica, paraqiti gjetjet e raportit të monitorimit të gjykatave për vitin 2017.

Ai tha se që nga fillimi i këtij projekti për monitorimin e gjykatave janë monitoruar mbi 10 mijë seanca gjyqësore të cilat kanë evidentuar shumë shkelje dhe shumë mangësi.

“Mund të ju them se janë monitoruar rreth 10 mijë e 887 seanca gjyqësore deri më tani përmes këtij projekti. Gjatë vitit 2017 kemi pasur 254 aktgjykime apo lëndë të kryera në rastet e korrupsionit dhe vetëm në 32 prej tyre kemi pasur dënim me burg”, tha Leposhtica.

Ai shtoi se vetëm  32 raste janë dënuar me burg nga gjykatat e Kosovës për raste të korrupsionit, pasi të gjitha rastet tjera kanë kaluar më lehtë si me dënime me kusht ose me gjobë. Leposhtica  tha se në raport janë përmendur edhe rastet e dënimeve më të ulëta dhe zvarritja e rasteve të korrupsionit.

Në këtë konferencë, Leposhtica po ashtu ka përmendur edhe disa nga shkeljet procedurale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, të cilat i kanë hasur gjatë monitorimit.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se për 12 vjet monitorim gjyqtarët dhe prokurorët janë disiplinuar dhe se iniciativa e BIRN për monitorimin e gjykatave ka treguar efektet e saj si e suksesshme.

“… ka qenë projekt i suksesshëm se në gjykata nuk po frikësohen ma nga BIRN, se ma herët thoshin ikni se erdhën këta t’BIRN-it… na keni disiplinu”, tha Peci.

Ai më pas foli edhe për raportin e monitorimit për vitin 2017. Përmendi sfidat, por edhe punët që duhet të bëjnë gjyqtarët e prokurorët në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, si dhe premtoi bashkëpunim edhe në rekomandimet e dhëna në raport.

Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, foli për të metat në sistemin e drejtësie, por tha se ka edhe shumë arritje. Ai tha se ekzistojnë edhe kompromise të fshehta.

“Ekzistojnë edhe kompromiset e fshehta mes gjyqtarit dhe prokurorit”, tha ai.

Por, Shala tha se është i vetëdijshëm për mangësitë, por përmendi edhe të arriturat.

“Të gjitha këto të meta e mangësi janë evidente, por ka edhe gjana që na kemi avansu.  Janë 160 landë të natyrës korruptive kanë qenë në vitin 2017, ku 145 janë kryer në këtë vit dhe kanë mbetur vetëm 15 lëndë për 2018”, tha Shala.

Ai më pas tha se lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me lëndë të shënjestruara por duhet të jetë permanente.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës u pajtua me gjetjet e raportit të BIRN dhe Internews Kosova. Ai tha se po punojnë në drejtim të vlerësimit të gjyqtarëve. Sipas tij vitin e kaluar gjyqtarët janë vlerësuar nga një komision profesional për performancën në punë.

“Vitin e kaluar kemi filluar me vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, një numër prej 66 gjyqtarëve i janë nënshtruar vlerësimit pjesa më e madhe kanë rezultuar pozitiv, vetëm 2 apo 3 kanë dal jopozitiv dhe kanë vazhduar me trajnime shtesë”, tha ai duke komentuar të gjeturat e raportit.

Idrizi tha se numri i gjyqtarëve është sfidë pasi që numri i lëndëve vazhdon të jetë i madh.

“Sa i përket numrit të gjyqtarëve vetëm vitin e kaluarve nga 52 gjyqtarë të dekretuar mbi 20  janë shpërnda në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke e ditur që është më e ngarkuara me lëndë”, tha ai.

Ai tha se këtë vit janë 112 pozita të reja. Sipas tij numri më i madh i bashkëpunëtorëve e zyrtarëve ligjorë janë shpërnda në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Idrizi gjithashtu ngriti çështjen e mungesës së stafit mbështetës për gjyqtarët. Sipas tij ata kanë një numër të kufizuar të bashkëpunëtorëve personalë.

Monitorimi i Gjykatave_Nehat Idrizi_023

Raporti i monitorimit të gjykatave fokus të veçantë do t’i ketë në rastet e korrupsionit, si veprat penale më me interes për shoqërinë të monitoruara gjatë vitit 2017, por gjithashtu do të trajtojë probleme të tjera të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në terren.

Për më shumë, raporti vë në dukje shkelje procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore, të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.