Agim Bahtiri

Gjetjet e Auditorit - Mal shkeljesh nga Komuna e qeverisur nga Agim Bahtiri

Punësimi i personave me kontrata mbi vepër, mos respektimi i kritereve për dhënien e subvencioneve, paqartësitë për ndërtimin e objekteve komunale, ishin vetëm disa nga parregullsitë që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për vitin 2018 në Komunën e Mitrovicës.

Komuna e Mitrovicës kishte angazhuar 46 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Punësimi i tyre ishte bërë duke mos aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit, ashtu siç parashihet me Ligjit për Shërbimin Civil.

“Për më tepër në tre raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori bën  të ditur se mos aplikimi i procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit ishte si pasojë e mos zbatimit të kërkesave ligjore nga komuna.

ZKA shton se sipas zyrtarëve kjo ka ndodhur me që drejtoritë kanë bërë kërkesë për rekrutim pa procedura të thjeshtësuara.

Mungesë e konkurrencës së mirëfilltë, rritë rrezikun që të angazhohen personat jo kompetent për pozitat përkatëse. Mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme, rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat”, thuhet më tej në raport.

Auditori ndër të tjerash, ka dhënë rekomandimet se kryetari duhet të sigurojë një plan të arsyeshëm për punët që ndërlidhen me shërbimet me marrëveshje të veçanta.

“Poashtu, nevojat shtesë për punëtorë me pozita të rregullta, t’i trajtoj me organet përkatëse dhe të gjendet zgjidhja e pranuar, të parashikohen me rastin e planifikimeve buxhetore. Poashtu, në rast të punësuarve me marrëveshje dhe shërbime të veçanta të aplikojë procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore”, thuhet në rekomandimet e ZKA-së për Komunën e Mitrovicës.

Komuna e Mitrovicës kishte bërë edhe ndarje jo të duhur të detyrave të zyrtarëve komunal.

“Në udhëzuesin operativ të prokurimit publik, neni 62.3 parimet e ndarjes së detyrave, citon se zyrtarët të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit nuk mund të caktohen menaxherë të projekteve. Nga nëntë (9) raste, në gjashtë (6) raste, njëri nga tre anëtaret e komisionit të vlerësimit të ofertave, ishte caktuar edhe si menaxherë i kontratës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kjo sipas Auditorit kishte ndodhur, si pasojë e mos zbatimit të udhëzuesit operativë së prokurimit publik për ndarjen e detyrave.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve, ndarja jo e duhur e detyrave ishte bërë për shkak të mungesës së stafit.

“Mos zbatimi i rregullave dhe udhëzimeve të prokurimit publik, rrit rrezikun e shkeljes së parimeve të ndarjes së duhur të detyrave për shmangien e çfarëdo konfliktit të mundshëm”, vijon më tej raporti.

ZKA ka rekomanduar se kryetari i komunës duhet të sigurojë se aplikohen të gjitha procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, sa i përket ndarjes së drejtë të detyrave gjatë procesit të prokurimit, për shmangien e çfarëdo konfliktit të mundshëm.

Dhënia e subvencioneve pa kritere

Mos respektimi i kritereve për dhënien e subvencioneve nga ana e Komunës së Mitrovicës, ishte gjetja tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, për Komunën e Mitrovicës.

Sipas ZKA-së, nga katër përfitues të subvencioneve, dy prej tyre nuk kishin plotësuar kriteret, pasi të njëjtit nuk kanë dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre.

“Për subvencionin me ‘Sera me sipërfaqe nga 200m² dhe 50m²’ ishin përcaktuar kushtet dhe kriteret për përfitimin e serave. Sipas njoftimit, një ndër kriteret ishte që përfituesit të kenë tokë bujqësorë (pronë e tij, ose të kontraktuar për shfrytëzim minimum 10 vite)”, thuhet në raport.

“Nga pagesa në vlerë prej 13 mijë e 749 euro, kemi testuar katër përfitues, dy prej tyre, nuk kishin plotësuar kriterin, pasi që përfituesit, nuk kishin dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre, ndonëse ishin përzgjedhur si të përgjegjshëm dhe ishin përfitues të subvencioneve”, vijon më tej raporti.

Krejt kjo, sipas Auditorit kishte ndodhur për arsye se komisioni vlerësues nuk kishte respektuar kritere të njëjta për dhënien e subvencioneve, duke neglizhuar procesin mbi kriteret bazë.

ZKA vlerëson se mos respektimi i kritereve të njëjta për të gjithë përfituesit mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton përfituesit tjerë potencial. Auditori ka rekomanduar se kyetari, duhet të sigurojë se komisioni vlerësues përzgjedhë përfituesit në përputhje me rregullat dhe kriteret e vendosura në rregulloren për subvencione, në mënyrë që procesi të jetë në dobi të atyre që plotësojnë kriteret.

Paqartësi për ndërtimin objektit të organizatës komunale

Komuna e Mitrovicës është përballur me sfida të mëdha edhe për ndërtimin e objektit për Organizatën komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 për Komunën e Mitrovicës, ka theksuar se lidhur me ndërtimin e objektit në fjalë ka pasur paqartësi mes komunës dhe organizatës dhe rasti ka përfunduar në gjykatë.

Sipas ZKA-së, Komuna kishte subvencionuar “Organizatën komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës” në vlerë 145 mijë euro me vendim të Kuvendit Komunal, me qëllim të ndërtimit të një objekti për organizatën.

“Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar për të përcaktuar të drejtat dhe obligimet e palëve. Deri në periudhën e auditimit (prill 2019) procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit, ende nuk kishin filluar, për shkak të kontestit gjyqësor për pronë parcelat ku duhet të ndërtohet objekti”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të komunës dhe fletës poseduese, parcela ku do të ndërtohet objekti është pronë komunale, ndërsa organizata pretendon se parcela është në pronësi të saj dhe për këtë arsye kishte ripërtërirë, padinë ndaj komunës, në janar të vitit 2019.

Auditori më tej bën të ditur, se si rezultat i kontestit gjyqësor, punimet ende nuk kishin filluar, përderisa mjetet financiare janë transferuar nga komuna tek organizata e lartpërmendur.

“Mos qartësimi i pronësisë dhe mos lidhja e një marrëveshje mirëkuptimi paraprake, rritë rrezikun që komuna nuk posedon mekanizma garantues së objekti do të ndërtohet dhe mjetet do të shpenzohen për qëllimet e caktuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka rekomanduar se  kryetari i komunës, duhet të ketë në monitorim çështjen në kontest dhe që gjatë vitit 2019, “paraprakisht të nënshkruaj marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në dhe t’i përcaktojë të drejtat dhe obligimet e palëve lidhur me subvencionin e dhënë, në mënyrë që mjetet që janë dhënë të jenë shfrytëzuar për qëllimin e dhënë”.

Kontrata jashtë planit të prokurimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Komunën e Mitrovicës, në raportin për vitin 2018 ka hasur edhe në kontrata jashtë planit të prokurimit.

“Dy kontrata të nënshkruara gjatë vitit 2018 në vlerë 108,477€9 në mungesë të parashikimit në planin e prokurimit, zhvillimi i procedurave të prokurimit ishte bërë pa marrë aprovim në AQP siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 8 dhe 9)”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, planifikimi jo adekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit.

“Lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit, rrezikon realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshimin në prioritete, apo edhe hyrjen në obligime pa mbështetje buxhetore”, thuhet në gjetjen e raportit.

ZKA-ja ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme te të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.