Mbeturinat skaj rrugës drejt bjeshkëve të Rugovës, Pejë. Foto: Kallxo.com

'Garë e Fortë' mes Bukurive Natyrore dhe Bërllokut në Pejë

Dy gra dhe pesë burra garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit për ta qeverisur Komunën e Pejës  në katër vitet e ardhshme.

Buxheti i komunës që ka rreth 96 mijë banorë është 22,646 milionë euro. Prej tyre, 13.194 milionë shkojnë për paga dhe mëditje, kurse për investime kapitale mbesin 5.820 milionë euro.

Pejanët pak presin nga mandatari i ri që t’i rrënojë objektet pa leje në këtë qytet, por shpresojnë që ato të parandalohen në mënyrë që të mos ketë nevojë për ekskavatorë për ndërtime që mund të ndodhin në mandatin e ri e tutje.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se Peja ka problem me menaxhimin e mbeturinave dhe trajtimin e qenve endacakë.

Po ashtu në terren nga të gjeturat e hulumtimit vërehen probleme me trajtimin e ujërave të zeza në qytet dhe fshatra turistike. Në këto të fundit mungojnë edhe ambulancat, kurse në infrastrukturën e arsimit ka përmirësime të dukshme dhe ndërtime të shkollave të reja, por as ato nuk kanë kaluar pa telashe.

Në Debat Pernime për Pejën, qytetarët patën rastin t’i dëgjojnë plan programet qeverisëse për katër vitet e ardhshme nga 7 kandidatët e subjekteve politike.

Peja në Debat Pernime

Infrastruktura

Asfaltimi i rrugëve ka qenë arma kryesore e pushteteve në Pejë. Por në terren ekipi hulumtues i KALLXO.com ka vërejtur rrugë që brenda qytetit janë neglizhuar qe sa vite duke pritur investimin e komunës. Rruga “Çamëria” e lagjes Jarina në Pejë nuk është në gjendje të mirë dhe ka kohë që nuk është intervenuar në atë rrugë.

Kurse rruga “Shpetim Bojku” në lagjen Tabje ishte kubëzuar disa vite me parë. Banorët kanë thënë se kanë participuar nga buxheti tyre për rregullimin e rrugës. Por rruga është dëmtuar krejtësisht dhe kubëzat në disa rast as që vërehen. Arsyeja kryesore e dëmtimit të rrugës është nga kamionët me mbipeshë që kanë kaluar mbi atë rrugë ku po zhvillohen ndërtime të reja. Autoritetet komunale janë njoftuar me problemin por nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë.

Rruga “Shpetim Bojku”, Pejë. Foto: Kallxo.com

Banorët e lagjes “7 Shtatori” vazhdimisht janë ankuar për rrezikun që paraqitet në rrugën “Agim Qelaj” që është me katër korsi. Shpejtësia e automjeteve shpeshherë ka rezultuar me fatalitet për këmbësorët, sidomos nxënësit që shkojnë në drejtim të shkollës “Xhemajl Kada” , shkollës ekonomike dhe atë të fshatit Vitomiricë.

Mungesa e shenjave parandaluese të shpejtësisë së automjeteve, policët e shtrirë, semaforë sinjalizues, janë kërkesat kryesore të banorëve drejtuar institucioneve komunale. Për shqetësimin e banorëve, KALLXO.com ka raportuar kurse institucionet komunale kishte premtuar zgjidhjen e problemit.

http://kallxo.com/shpejtesia-qe-rrezikon-banoret-ne-rrugen-kater-korsi/

Një pjesë e rrugës Drelaj- Koshutan në Rugovë një vit pasi ishte asfaltuar është dëmtuar shumë. Arsyeja e dëmtimit të rrugës ishin vërshimet dhe mungesa e bazamentit buzë rruge. Komuna kishte investuar rreth 900 mijë euro në ketë projekt rrugor.

Për këtë rast ekipi i KALLXO.com ka qenë në vend të ngjarjes dhe ka raportuar, kurse shefi i kabinetit të Kryetari të Pejës kishte premtuar rregullimin e rrugës brenda disa jave.

http://kallxo.com/nje-vit-nuk-reziston-rruga-ne-rugove/

Komuna e Pejës ka zgjeruar hapësirën e sheshit kryesor të qytetit këtë vit. Sheshi është zgjedhuar deri përfundi hotel “Dukagjinit”. Me herët përballë hotelit kanë qenë hapësira për parkingje pubike, kurse me ndërtimin e sheshit aty lejohen të hyjnë vetëm automjetet  e mysafirëve të hotelit. Punëtorët e hotelit përkujdesen që vetura tjera mos të futen. Me planin urbanistik aty parashihet vetëm ecje për këmbësorë.

Ndërtimet pa leje

http://kallxo.com/shumekateshet-ngjiten-lart-se-lejet-ne-peje/

Peja nuk ka arritur të vendosë rend në ndërtimet e larta. Hulumtimi tregon se nga 28 objektet e larta, 23 prej tyre kanë tejkaluar lejet e ndërtimit. Drejtori i Inspeksionit është arrestuar për këto ndërtime, e ai nuk është duke dalë në punë, por kjo nuk ka ndikuar që këto ndërtime të rregullohen.

http://kallxo.com/arrestohet-drejtori-inspeksionit-ne-peje/

Për ketë temë disa herë është debatuar në Asamble, mirëpo asnjëherë nuk është dhënë ndonjë sqarim zyrtar nga ana e komunarëve.

http://kallxo.com/ndertimet-pa-leje-ngjallin-debat-te-nxehte-ne-peje/

Problemi tjetër është se zona më atraktive e komunës, fshatrat e Rugovës nuk kanë plan rregullues, dhe në këto fshatra vazhdimisht ka ndërtime pa kritere.

Mbeturinat

Peja shquhet për turizëm, e ajka e zhvillimi të turizmit është zona e Rugovës. Por nëpër këto vende turistike janë hedhur mbeturina përgjatë rrugës, po ashtu edhe nëpër fshatrat të këtij rajoni.

Hiç më mirë nuk është as vet qyteti i Pejës i cili pas çdo pasdite stërmbushet nga bërllok. Trotuaret janë të bllokuara nga mbeturinat në mungesë të kontejnerëve.

http://kallxo.com/peja-lulezon-nga-mbeturinat/

Për ironi, më së shumti mbeturina hedhen përball stacionit Policor dhe rrugës për në Spital.  Mbeturina me bollëk ka edhe pranë shkollës së të verbërve.

Mbeturinat para Shkollës së të Verbërve në Pejë. Foto: Kallxo.com

Ujërat e zeza dhe ndotja e lumenjve

Komuna e Pejës ka telashe të mëdha me ujërat e zeza. Zona turistike që është nikoqir i shumë turistëve nuk ka rrjetë të kanalizimit, e shumica e objekteve nuk kanë as gropa septike.

Kanali i hapur i ujërave të zeza në Bogë. Foto: Kallxo.com

Ujërat e zeza të dhjetëra restoranteve e hoteleve në zonën e Rugovës dhe ato të fshatrave: Bogë, Haxhaj, Drelaj dhe Shtupeq i Madh, shkarkohen në Lumbardhë.

E Peja ka investuar në ndërtimin e plazheve buzë Lumbardhit, në Grykën e Rugovës. Kurse 26 kilometra  ma larë derdhen ujërat e zeza në Lumbardh, kurse me poshtë, njerëzit lahen në atë  ujë në “Plazhat e Pejës”.

Lumbadhi i Pejës ka kohë që nuk është pastruar, përveç që është tharë ai është i mbushur edhe me mbeturina. Ujërat e zeza të kanalizimit derdhen në ketë lum, që i kalon qytetit mes për mes.

Lumit kryesor të qytetit është duke iu ndërtuar një pjesë e shtratit pas një tenderi maratonik të shkeljeve të rregullave të prokurimit.

http://kallxo.com/merr-fund-maratona-e-tenderit-per-shtratin-e-lumbardhit/

Kurse, në pjesën tjetër të tij, te lagjja” Tabhane”, ai po shembet dhe po i rrezikon banorët.

http://kallxo.com/rreshqet-dheu-te-shtrati-lumbardhit-ne-taphane-te-pejes/

Zhvillimi ekonomik dhe turizmi

Turizmi është shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të Pejës. Boga mbetet pika kryesore e turizmit, ndërsa atraksionet në Grykën e Rugovës si  “Zip-Line”, “Via-Ferrata” e kanë vënë Pejën në hartë rajonale për vizitorë të huaj dhe vendorë.

Ndërsa projekti më madhor turistik i Pejës, ‘BOREA’ që është menduar si qendër e skijimit, ende nuk ka filluar.

Ky projekt është iniciuar nga Komuna e Pejës, me Partneritet Publiko- Privat. Janë paralajmëruar investime në vlerë prej 54 milionë euro. Komuna e Pejës ka shpallur fituesin pas procedurave të prokurimit në partneritet publiko privat. Kontrata e ka marrë aprovimin edhe të Qeverisë së Kosovës dhe është nënshkruar draft-kontrata mes palëve.

Momentalisht janë duke i zhvilluar negociatat për kontratën finale me kompaninë fitues. Njëra nga kompanitë e konsorciumit fitues fillimisht ishte prezantuar si e huaj, e më vonë ka rezultuar se nënjërën nga kompanitë e konsorciumit bashkëpronar është Valmir Krasniqi (bashkëshorti i këngëtares Adelina Ismaili), për të cilin është thënë se ka afërsi me LDK-në.

Arsimi

Hulumtimi i KALLXO.com ka gjetur se infrastruktura e objekteve shkollore është përmirësuar dukshëm këto katër vitet e fundit. Është ndërtuar shkolla e re e mesme e mjekësisë, ndërsa janë duke u ndërtuar edhe dy tjera, ajo e shkollës së muzikës dhe e artit.

Komuna e Pejës në vitin 2016 kishte filluar ndërtimin e objektit të ri të shkollës së muzikës. Por pasi që kishin filluar punimet dhe ndërtuar themelet, kishte shpërthyer një gyp i ujit i cili kishte shkaktuar dëme dhe lëvizur themelet e objektit.

Dëmet vlerësoheshin rreth 60 mijë euro. Komuna fajësonte Kompaninë Regjionale “Hidrodrini” për shpërthimin e këtij gypi, kurse kompania fajësonte komunën. Kontesti ka mbetur të zgjidhet nga organet e drejtësisë.

Por për ta pastruar atë hapësirë, u desh të hapet një tender tjetër në vlerë prej 20 mijë euro.

Pas gjithë këtyre dëmeve, rreth 80 mijë euro, sërish filloi gjithçka nga e para dhe objekti është duke u ndërtuar. Për gjithë ecurinë e këtij problemi KALLXO.com kishte raportuar nga fillimi.

http://kallxo.com/leviz-themeli-shkolles-se-muzikes-ne-peje/

Komuna e Pejës aktualisht ka dy çerdhe publike, aq sa kishte edhe me herë. Gjatë këtyre viteve një çerdhe e vjetër u rrënua për t’ia lëshuar vendin një të reje. Por ndërtimi nuk u bë në të njëjtën parcelë, sepse ajo u dha për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos. Ndërsa çerdhja e re u ndërtua buzë parkut të vogël të qytetit.

Qentë Endacakë

Rreth 4,000 qenë endacak enden në Komunën e Pejës. Prania e tyre është e madhe në vende të ndryshme të qytetit dhe fshatrave. Komuna e Pejës kishte filluar një projekt për trajtimin e tyre, duke i mbledhur ata nga qyteti dhe duke i dërguar në një strehimore në fshatin Sferkë, afër deponisë së mbeturinave.

Por kjo nismë nuk ishte afatgjatë pasi pati akuza për keqtrajtim të qenve nga dashamirësit e kafshëve. Aksioni për mbledhjen e tyre nuk zgjati shumë dhe gjithçka përfundoi kur qentë u liruan nga strehimorja. KALLXO.com disa herë ka raportuar për problemin që shfaqet nga prania e qenve endacakë në Pejë.

http://kallxo.com/probleme-4000-qente-endacake-te-pejes/

Shëndetësia

I tërë regjioni i Rugovës nuk ka asnjë ambulancë, edhe pse ka objekte të tyre. Përveç kësaj gjatë stinës së dimrit kur stërmbushet fshati Bogë nga vizitorët për skijim, asnjë auto-ambulancë nuk qëndron gjatë asaj kohe për rast të ndonjë fatkeqësie.

Banorët kanë shprehur shqetësimin për mungesë të ambulancës në Rugovë, posaçërisht në fshatin Bogë që është fshati me i banuar.

KALLXO.com kishte raportuar për ketë rast.

http://kallxo.com/mungese-rryme-dhe-ambulance-ne-parajsen-e-boges/