Produkte bujqësore në tregun e Graçanicës. Foto: Kallxo.com

Gara për kryeshef të Agjencisë që vendos për grantet në Bujqësi

Ekrem Gjoka, Tahir Halitaj dhe Bahrije Simnica kanë hyrë në rrethin e ngushtë për t’u emëruar në krye të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Kjo Agjenci ka rolin kryesor në ndarjen e miliona eurove në formë të subvencioneve dhe granteve në bujqësi.

Konkursi për kryeshef të AZHB-së është shpallur me datë 4 janar dhe ka qenë i hapur 15 ditë që nga data e shpalljes. Fillimisht të interesuar për këtë pozitë kanë qenë nëntë persona, prej të cilëve vetëm gjashtë i kanë plotësuar kriteret e kërkuara në konkurs.

Kushtet e aplikimit kanë qenë që kandidati të ketë diplomë universitare (minimumi 4 vjeçare pas shkollës së mesme) apo të avancuar. Ndonëse nuk ka qenë e përcaktuar fusha e studimeve, ka qenë e preferuar që kandidatët të kenë diplomë në fusha që ndërlidhen me punën e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë.

Sa i përket përvojës së punës është kërkuar që kandidatet të kenë së paku 8 vjet përvojë pune profesionale përfshirë këtu së paku 5 vjet në nivelin drejtues pas diplomimit në universitet. Njohja e gjuhëve të huaja nuk ka qenë kriter, por e dëshirueshme.

Anëtaret e komisionit përzgjedhës kanë qenë: Kapllan Halimi – kryesues, me anëtarët e komisionit:  Arton Berisha, Lulzim Ejupi, Mujë Gjonbalaj e Xhavit Bytyqi.

Procedura e përzgjedhjes së Kryeshefit është bërë në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil.

Pas intervistimit të gjashtë kandidatëve, Komisioni ka vlerësuar se Ekrem Gjoka, Tahir Halitaj e  Bahrije Simnica janë kandidatët më të suksesshëm.

Njoftimi për shpalljen e kandidateve të suksesshëm është bërë me datë 7 shkurt, ndërsa pas shpalljes së njoftimit për kandidatet e suksesshëm, ankesë ka parashtruar një kandidatë. Kjo ankesë është shqyrtuar nga Komisioni për ankesa i pozitave të larta drejtuese që është në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike dhe e njëjta është refuzuar si e pabazuar.

Monitoruesit e BIRN kanë kontakutar me parashtruesin e ankesës, kandidatin Xheladin Buqa i cili për KALLXO.com ka thënë se arsyeja e ankesës kundrejt këtij procesi të rekrutimit ka qenë, sepse sipas tij i gjithë procesi i rekrutimit ka qenë i montuar.

Buqa pretendon se i tërë procesi i rekrutimit është i montuar pasi që sipas tij procesi ka qenë i ndikuar politikisht nga njerëz të PDK-së brenda përbrenda sistemit.

Ai ka paralajmëruar edhe ankesë pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil si dhe ka bërë të ditur se është i gatshëm që këtë çështje ta ndjek deri në instancat e fundit. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil momentalisht nuk është funksional. Procesi i rekrutimit të anëtarëve të Këshillit është duke u zhvilluar nga Kuvendi i Kosovës.

Proceduralisht, tre emrat e suksesshëm i dërgohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka kompetencë që njërin nga ta t’ia rekomandojë qeverisë për miratim. Propozimin formal në mbledhjen e qeverisë e bënë Ministria e Administratës Publike.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil aktualisht është jofunksional për shkak se me datë 14 dhjetor 2018 katër anëtareve të KPMSHC-së u ka kaluar mandati si dhe me pas me datë 21 janar 2019 edhe njëra nga anëtaret e Këshillit është dekretuar si gjyqtare. Këshilli në mungesë të kuorumit nuk mund t’i trajtoj ankesat nga kandidatet e pakënaqur.

Por me Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës më saktësisht me nenin 17 të po këtij ligji është e paraparë që afati i vendimmarrjes së këshillit lidhur me ankesat e pranuara nga palët është dyzetë e pesë (45) ditë nga momenti i pranimit të ankesës.

Këshilli brenda afatit prej dyzetë e pesë (45) ditësh nga dita e pranimit të ankesës, nxjerr vendim duke e arsyetuar bazën ligjore dhe faktike të vendimmarrjes. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, në rastet kur natyra e lëndës është specifike, Kryetari i Këshillit ka të drejtë të shtyjë afatin e vendimmarrjes edhe për dhjetë (10) ditë pune”, thuhet në paragrafin një dhe dy të nenit 17 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës.

E meqë në këtë pozitë Këshilli është pa kuorum, atëherë kjo e bënë të pamundur që Këshilli të vendos për ankesat e adresuara nga ankuesit. Në parim KPMSHC-ja ankesat i trajton nga kolegji i përbërë nga tre anëtar.

Një situatë e tillë është e paraparë me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative me anë të të cilit është e paraparë që në rastet e heshtjes administrative palët mund të ushtrojnë ankesë ndaras në organet e tjera më të larta, siç mund të jetë në këtë rast Gjykata.

“Përpos nëse është paraparë ndryshe me ligj, ankesa mund të parashtrohet kundër një akti administrativ apo ndaj mosveprimit të organit publik brenda afatit të përcaktuar për përfundimin e procedurës administrative (në vijim: “heshtja administrative”). Një veprim procedural i një organi publik gjatë procedurës administrative, mund të ankimohet ndaras, vetëm kur kjo parashihet shprehimisht me ligj. Një veprim procedural, i paraparë në paragrafin 2 të këtij neni, do të jetë cilido akt, veprim apo mosveprim i organit publik gjatë procedurës administrative, që nuk është një akt administrativ përfundimtar apo akti administrativ i përfundimit të procedurës administrative, siç është paraparë me nenin 97 të këtij Ligji”, thuhet në nenin 125 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative

E personi që do të emërohet në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv ka mandat me periudhë 3 vjeçare.

Me këtë pozitë më herët ka udhëhequr Elhami Hajdari, ish-Kryeshefi i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë

Kryeshefi i ardhshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë do të marrë pagë bruto prej 1,171 eurove.

BIRN në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në vazhdimësi është duke i monitoruar proceset e rekrutimit në pozitat e larta drejtuese.