Fuqizimi i gruas për të kërkuar trashëgimi

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, Zyra e BIRN në Kosovë organizoi tryezën ku u diskutua mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë dhe analizën se si ligji përfaqëson gratë.

Labinot Leposhtica, koordinator i Projektit të Monitorimit në BIRN, prezantoi rekomandimet rreth reformës në ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore.

“Shumë çështje që janë ngritur viteve të fundit nuk janë zgjidhur, rasti i fundit sinonim është rasti i Shyhrete Berishës, një grua e cila qe një dekadë është duke u përballur me kunetërit e saj për pronën që i takon”, tha Leposhtica.

“Ne si BIRN e kemi ngritur çështjen që bashkëshorti pasjetues ta trashëgojë atë që do të kishte mundur ta trashëgojë bashkëshorti sa është gjallë”, shtoi ai.

Leposhtica tha se ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe ministri aktual, Abelard Tahiri, e kanë mbështetur këtë propozim por nuk e kanë trajtuar.

Sipas Leposhticës, ndryshime pozitive në projektligjin për trashëgimi është neni 3 i cili për të njohur trashëgiminë siç ka qenë më herët 5 është kthyer në periudhë 3 vjeçare.

Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LDK-s, tha se si anëtar i këtij komisioni edhe pse nuk ka qenë deputet më parë  është munduar për të qenë jashtëzakonisht i hapur dhe bashkëpunues për gjitha sugjerimet për ta përmirësuar gjendjen e gruas në shoqëri.

Sejdiu tha se sfidë e vazhdueshme është korniza ligjore në vend. Por, Sejdiu e sheh problem pak më të madh zbatimin e kornizës ligjore.

“Çështja e dytë ka të bëjë me problem të mentalitetit. Kërkohet investim pak më i gjatë për me ndërruar mentalitetin”, tha ai.

Ai ka ofruar ndihmën e tij personale në trajtimin e këtyre çështjeve.

Ndërsa Zëvendës Drejtorja e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno, tha sot se gratë në Kosovë dita- ditës po mësojnë për të drejtat e tyre në pronë.

“Para një viti apo një viti e gjysmë, ambasadori (Greg) Delawie ndihmoi në nisjen e fushatës për të drejtat pronësore. Tani që po e implementojmë këtë strategji ka shumë gjëra për të cilat Kosova mund të jetë krenare, implementimi po shkon më shpejt se që kemi pritur”, tha Magno.

Ajo tha se shpreson që ky legjislacion të miratohet së shpejti duke i inkorporuar këto ndryshime.

Derisa flitej për të drejtën e gruas në trashëgimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se ai nuk ka pronë, por gruas ia ka lënë kartelën e bankës që ajo të tërheqë para sa të dojë.

“Unë gruas ia kam lanë kartelën se s’kom pasuni e prej aty munet me marrë sa të don. Po e them si ni shembull prej vetës, që sa kom dhanë”, tha ai.

Madje Peci përmendi edhe një fjali “.. disa jem të pasun e disa të varfun, po atë pasuni që e kemi është mirë me nda me gratë, vajzat, nanat tona”, tha ai.

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi ka kërkuar që të luftohet diskursi patriarkal në shoqërinë kosovare e për këtë ka kërkuar ndihmë nga burrat që bartin pozita publike.

“Unë jam pro asaj që të luftohet diskursi patriarkal i instaluara në shoqërinë kosovare, si shoqëri e burrave, e kjo nuk mund të luftohet me një tryezë apo dy tryeza të tilla, por duhet përkrahje ma të fuqishme nga njerëzit që bartin pozita publike, e njerëz të fuqishme që udhëheqin shoqërinë kosovare”, tha kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyqi.

Ajo përmendi një raport të vitit 2016, ku thuhet që vetëm 16% e grave në Kosovë kanë pronë ne emër të tyre, e që thotë se është fakt shqetësues.

Sipas saj, burrat duhet ta kuptojnë që duhet të jenë të barabartë me gratë. Bytyqi thotë se edhe pse është viti 2018, edhe njerëz që bartin pozita publike po vazhdojnë të thirren në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Brian Kemple, nga Programi për të Drejtat Pronësore, ka vlerësuar se në Kosovë mbetet shqetësuese ende përqindja e pronave të cilat janë ende në emër të gjyshit apo stërgjyshit.

Kemple shtoi se janë dy arsye të informalitetit në Kosovë, njëra sipas tij është se shumë prona janë bërë përmes transaksioneve do me thënë jo me kontrata dhe çështja e dytë është trashëgimia.

“Shumica e pronave janë në emër të gjyshit ose stërgjyshit. Kjo është shumë shqetësuese në nivelin 40 ose 50 për qind të pronave. Pronat nuk janë të regjistruar në emër të atyre që kanë të drejtë në atë pronë”, tha Kemple.

Ai ka thënë se informaliteti është problem i tmerrshëm në Kosovë. Sipas tij, kjo është çështje me rëndësi dhe besonj që çështjet gjinore janë në duar të mira dhe po trajtohen si duhet.

Ndërsa Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala u fokusua në ligjin për familjen dhe kontestet e pasurisë, të cilat sipas tij janë më të vështirat.

“A mundemi ne me avancuar edhe një hap më shumë, të kemi një kontratë të lidhur para bashkësisë martesore, që do të ishte shumë më e lehtë me zgjidhë këtë kontest, që këto janë kontestet më të vështira”, tha Shala.

Sipas tij, kontestet martesore dhe ato të pasurisë janë prej kontesteve ma të vështira për tu zgjidhur nga gjyqtarët.

“Konsideroj që kontestet e zgjidhjes martesore dhe kontestet e pasurisë janë prej kontesteve më të vështira. Duhet me pasë durim shumë-shumë të madh gjyqtarët me zgjidh një kontest të tillë. Gjyqtari duhet me ditë me bo ndarjen, se çka është pasuri e veçantë, e çka është pasuria që është krijuar gjatë kohës martesore”, tha ai.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se numri i padive të grave që kërkojnë të drejtat e tyre pronësore është rritur por tregoi se pjesa dërmuese e tyre janë të punësuara. Por, sipas Idrizit, ligji që vlen për gratë e punësuara vlen edhe për ato të papuna.

“me Ligjin (për Familjen) edhe gruaja që është amvise, kujdeset për ushqimin, hekurosjen, fëmijët, ka të drejtë të kërkojë ndarjen e pasurisë së përbashkët”, tha ai.

Megjithatë kryesuesi i KGjK ka thënë se ka prindër që i paraprijnë ndarjes së barabartë për fëmijët e tyre.

Idrizi po ashtu tha se ende ka ngecje të mëdha dhe paragjykim të padrejtë të grave që e kërkojnë të drejtën e tyre ligjore. Ai tha se e drejta zakonore(tradicionale) i vendos gratë në pozitë të ulët dhe se duhet të ngritet vetëdija për të drejtën e grave në pronë.

Në tryezë morrën pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe përfaqësues te shoqërisë civile. Analiza dhe sugjerimet nga kjo tryezë do të përfshihen në përpilimin e kërkesës për ndryshim të ligjit, nga BIRN Kosova.

Ky projekt mbështetet nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.