Forma e re e Testit të Maturës, e 'pa nevojshme'
Nxënësit e klasës së 12 këtë vit në Testin e Maturës Shtetërore do të kenë vetëm katër lëndë për testim, dhe një prej tyre do të jetë zgjedhore.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se kjo formë të sjellë rezultate më të mira, ndërsa ekspertët janë shprehur skeptik për mënyrën e re të mbajtjes së këtij testi.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se me katër lëndë në test, matja e rezultateve do të jetë më cilësore.
“Besoj se rezultatet janë ato që janë, do të jetë matja më e mirë, do të ketë matje më cilësore, sepse kur ka më shumë kërkesa për një lëndë dihet më saktë se cilat janë ato dhe jemi optimist që këtë vit do të ketë rezultate më të mira në bazë të kësaj forme të re të testimit”, tha Hysenaj.
Kurse, Agnesa Qerimi nga Këshilli Rinor Kosovar, tha për JnK se ndryshimet e zhvillimit të testit nuk janë më të nevojshme sesa përmbajtja e tij.
“Testi i Maturës, vit pas viti pëson reforma të cilat ne i përcjellim por mund të them lirisht nga perspektiva e Këshillit Rinor Kosovar dhe monitorimet e vazhdueshme që i kemi bërë kjo pak bënë dallim. Faktikisht, institucionet përgjegjëse duhet të orientohen më shumë në përmirësim të cilësisë gjatë zhvillimit të testimit se sa në përmbajtje edhe pse edhe kjo është e mirëseardhur por jo kaq shpesh”, tha Qerimi
Ajo shtoi se Testi i Maturës, duhet të përmirësohet në administrim- korrekt sipas rregullave dhe admistratorët duhet të mos bashkëpunojnë me nxënësit në kopjime.
“Fatkeqësisht jemi shumë të orientuar në rezultate të mira, të cilat në fakt nuk e tregojnë gjendjen reale të mësim-nxënies për 3 vite rresht. Prandaj, në vazhdimësi ikën balanci në orientim në karrierë sepse me rezultate të mira të gjithë pretendojnë suksese akademike. Më mirë është të kemi rezultate me të dobëta por që në thelb na tregojnë se ku jemi dhe çka duhet të përmirësojmë”, tha Qerimi për JnK.
Edhe Rinor Qehaja nga Instituti ‘EdGuard’ sikurse Qerimi është i pajtimit se Testi i Maturës duhet të administrohet më mirë.
“Problemi me Testin e Maturës është ai i keqadministrimit të tij, andaj edhe përkushtimi do të duhej të jetë drejt kësaj dhe jo domosdoshmërisht në format të testimit. Iluzioni i jetuar nga MASHT është ai suksesit të lidhur me kalueshmërinë e lartë në testim, fatkeqësisht, kalueshmëria e lartë, është indikator i shpërdorimeve më të mëdha në testim”, tha Qehaja për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ai shtoi se forma e re e testimit do do të paraqet një kok-qarje më të shumtë administrative dhe sipas tij nuk kontribuon as në mbarëvajtje të testimit po as ndërlidhjen e tij me plan programet e zhvilluara,
“Përkundrazi tenton të krijoj një kulturë të anashkalimit të lëndëve të caktuara kundrejt tjerave. Një format i tillë, tashmë ka filluar që të nxit diskutime për shpërdorime, me përzgjedhje të lëndëve nga nxënësit të bëra si grup”, tha Qehaja për JnK.
Testi i Maturës Shtetërore këtë vit do të mbahet nga data 5 deri më 8 qershor 2019, ndërsa pjesa e dytë nga data 19 deri më 22 qershor 2019 dhe pritet që të testohen rreth 22 mijë nxënës.
https://kallxo.com/publikohen-datat-e-mbajtjes-se-provimit-te-matures-shteterore/
Vitin e kaluar kalueshmëria e Testit të Maturës ishte 73.3 për qind, duke shënuar kështu rënie me rreth 10 për qind krahasuar me vitin 2017, ku këtë test e kishin kaluar 83.5 për qind të nxënësve.
Nga procesi i Testit të Maturës 2018, për shkak të shkeljeve ishte anuluar testi për 87 nxënës, ndërsa për shkak të shkeljeve të vendimeve të MASHT-it, nga procesi i administrimit ishin larguar 8 administratorë.
https://kallxo.com/masht-publikon-rezultatet-e-testit-te-matures-2/
www.kallxo.com