Flet Nusret Pllana, sqarohet për librin e tij që u përmend në Bruksel për arkivin e UÇK-së

Autori i librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, Nusret Pllana, ka folur rreth aktualizimit të librit të tij në dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel, pasi sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bisnik Bislimi, pala serbe i është referuar vendosjes së një fusnote ku përmendet arkivi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, autori Pllana deklaron që informata i referohet arkivave shtetërore për UÇK-në, e jo arkivave të UÇK-së, prandaj sipas tij janë dakorduar që të hapen të gjitha arkivat.

“Ajo çka vlen të ceket nga takimi trilateral është se pala serbe deklarativisht kanë thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Sipas tyre nënkupton të hapen edhe arkivat e Kosovës që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mendoj që kjo është fillimisht në interes tonë pasi shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1 mijë e 600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha Bislimi dje në një konferencë për media.

Autori Nusret Pllana, ka treguar për KALLXO.com, se në librin e tij nuk ka fusnotë, por në fillim të librit përmendet Arkivi Shtetëror i Kosovës.

“Nuk ka aty fusnotë, si të hapet libri përmendet Arkivi Shtetëror i Kosovës, shënon sepse në atë kohë unë kam punuar në Arkivin Shtetëror të Kosovës kur e kam përgatit finalizimin. 100 herë ju kam thanë nuk ka pas arkiv UÇK-ja, vetë libri është arkiv i UÇK-së, i përkthyer në 9 gjuhë botërore”, tha Pllana.

Pllana tha se pala shqiptare ka gabuar që janë dakorduar të hapen arkivat, me arsyetimin se nuk mund të jenë të barabarta “viktimat me kriminelët”.

Më tej ai shtoi se iu ka bërë thirrje shumë herë liderëve, diplomatëve e ambasadorëve që të thirren në shifra të sakta, në njerëz që kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjeve në luftë. Pllana tha se ai vetë ka qenë nga fillimi e deri në fund në luftë dhe të gjitha sipas tij i ka të botuara në libra e në filma dokumentar, etj.

“Absolutisht ka gabuar, kanë shkuar të papërgatitur. UÇK-ja nuk është marrë me arkiva, UÇK-ja është marrë me luftën e pastër çlirimtare. Po mos të ishte e tillë nuk do të intervenonte NATO, bota dhe bashkësia evropiane me na ndihmu me u çliru nga barbarët në dy shekuj robërie. Edhe kanë gabu shumë që janë thirrë në arkivat e UÇK-së,  arkivi i UÇK-së është çdo shtëpi shqiptare. Nuk ka shtëpi shqiptare që në mënyrë direkte ose indirekte nuk e ka të vrarë, të dhunuar, të djegur e të masakruar dikë”, tha ai.

Pllana ka thënë se në Arkivin Shtetëror nuk ka asgjë sekrete.

“Sekretet i ka Serbia pushtuese, hartat e veta që i kanë bërë në mënyrë institucionale të krimit dhe gjenocidit, me ushtrinë e policinë e rregullt”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi, dje në konferencë kishte thënë se pala serbe kishte përmendur librin e autorit Nusret Pllana, brenda së cilit thuhet se informata në të cilën operohet në atë libër është nxjerrë nga arkivat e UÇK-së.

Bislimi tha se paraprakisht ka marrë konfirmimin që autori deklaron që informata i referohet arkivave shtetërore për UÇK-në, jo arkivave të UÇK-së.

“Me qenë se pala serbe nxjerr një fusnotë si fakt kjo nënkupton që me detaje kanë analizuar punimin e zotit Nusret Pllana dhe rrjedhimisht nuk e kontestojnë vërtetësinë e këtij libri për arsye se e nxjerrin në pah edhe një fusnotë. Nëse kjo është e saktë atëherë pala serbe nuk e konteston as përbërjen e librit që flet për të gjitha krimet në Kosovë. Për fat të mirë në vetë faqen fillestare të librit thuhet që dokumentet janë të bazuara në informatat e nxjerra nga Arkivi Shtetëror i Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ne kemi ofruar qasje të plotë në këto arkiva”, tha ai.

Edhe Pllana tha se delegacioni kosovar ka komunikuar me të gjatë kohës së bisedimeve.

“Unë kam fol në telefon me Andin Hotin, me të birin e të madhit Ukshin Hoti, prej Brukselit më thirrën thanë jemi në takim me delegacionin serb, po e përmendin fusnotën, librin etj. I thash Andin ta keni parasysh që asnjëherë mos u ulni në tavolinë me këta kriminelë pa e pas librin në tavolinë. Kur e keni librin në tavolinë dhe e shfletoni prej A deri në Zh me pikë, e me presje të cilin nuk ka mujt me kontestu asnjë bibliotekë, asnjë arkivë botërore atë herë ju mund të jeni shumë më superior në takime”, tha ai.

Autori Pllana, tha se është për keqardhje që librin e tij të përkthyer në nëntë gjuhë botërore edhe në atë serbe, nuk e kanë liderët kryesorë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Libri e ka dëshmu me fakte me fotografi, me emra me mbiemra gjenocidin serb gati dy shekullor mbi shqiptarët. E tash kur ju vjen puna me u përball me delegacionet serbe këta mundohen me dhanë deklarata që herë-herë janë të paqëndrueshme dhe janë jo-serioze sepse nuk shkohet në delegacion përballë me Serbinë pa atë libër. Sepse Serbisë më së shumti po i djeg që ky libër është promovu në krejt botën, madje në bibliotekat më të njohura botërore e evropiane. Mu po më vjen keq që këta me kohë nuk janë marr me këtë libër. Ky libër është dashtë me u institucionalizu me u bo libër i shtetit mos me u marrë më Nusret Pllana me të”, tha Pllana.

Sipas tij këtë libër nuk e ka shkruar Nusret Pllana, por këtë libër e kanë shkruar 570 mijë shqiptarë të vrarë nga pushteti serb.

Lidhur me takimin e mbajtur në Bruksel, njoftim kishte dhënë Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Hoti tha se takimi i parë është mbajtur në mes të Miroslav Lajçak, Besnik Bislimit, dhe Hotit.

Ai ka treguar se lidhur me arkivat, pas dakordimit të palës serbe, iu është ofruar bashkëpunim i plotë dhe se e kanë ftuar Lajçak për qasje të plotë në arkivat shtetërore të Kosovës, me qëllim që sipas tij të heqin çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes’ së tyre për arkivat e UÇK-së.

“Arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Lidhur me këtë dakordim ka pasur reagime edhe nga palët e tjera.

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar në rrjetin social Facebook duke kërkuar llogari nga Bislimi se për cilat arkiva e ka fjalën.

“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!! Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, tha Çitaku.

Edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku dje në media ka thënë se nuk ka arkiva të tilla, sepse Kosova ka qenë gjithmonë e hapur dhe kjo është diçka e pakuptimtë.

Edhe filozofi Blerim Latifi, duke i publikuar disa foto në rrjetin social Facebook ka reaguar.

“Qe njëri nga arkivat e UÇK-së, për ata që po kërkojnë të hapen ato”, ka shkruar Latifi.

Profesori Milazim Krasniqi tha se arkivat e Serbisë nuk kanë nevojë të hapen për shkak se ato janë të hapura në Hagë. Krasniqi tha ideja e Besnik Bislimit është shumë e rrezikshme.

“Sipas vetë zyrtarëve serbë, të gjitha dokumentet relevante të arkivave serbe janë dorëzuar në Tribunalin Penal të Hagës. Atje i kanë krejt. Pra, për procesin penal kundër Millosheviqit dhe të tjerëve, sipas disa zyrtarëve serbë, janë transportuar me kamionë dokumente nga arkivat e ushtrisë dhe të policisë serbe në Hagë. Atje janë hapur. Atje janë”, ka shkruar ai.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Kosova në bisedimet e fundit të mbajtura në Bruksel ka pranuar ekzistencën e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Petkoviq tha se Prishtina më në fund e ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së.

“Ajo që është e rëndësishme, është progresi i bërë në çështjen e të zhdukurve dhe që Prishtina më në fund ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së dhe është pajtuar t’i hapë ato, andaj s’do të mbesin më të fshehura”, kishte thënë Petkoviq në një komunikatë të lëshuar për media.

Më 7 dhe 8 shtator, Kosova dhe Serbia kanë mbajtur takime bilatrale dhe trilaterale në Bruksel, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.