Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, Foto: Kallxo.com

Favorizimi i Devollëve, anëtari i bordit të ZRrE-së që ndërroi qëndrim brenda 45 ditëve

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare, e cila do të përfitojë tarifa nxitëse.

Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit, të cilin e ka marrë më 27 nëntor, janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

Bordi i ZRrE-së fillimisht nuk e kishte miratuar vendimin për të rritur caqet e energjisë solare që do të përfitonin nga tarifat nxitëse.

Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar.

Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d. kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj, kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavatë është jashtë caqeve.

Ndërsa anëtari tjetër i bordit të ZRrE-së, Besim Sejfijaj, i cili në mbledhjen e 14 tetorit ishte kundër kësaj skeme mbështetëse, ka ndërruar qëndrim dhe e ka përkrahur propozimin e Hotit në mbledhjen e 27 nëntorit.

Sejfijaj në mbledhjen e 14 tetorit kishte të njëjtin qëndrim me u.d. kryetarin e bordit, Arsim Janova. Ai kishte deklaruar votën e tij kundër duke u bazuar në qëndrimet kundër kësaj tarife nxitëse të Ambasadës gjermane, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

“Unë nuk e miratoj asnjë fitim të tij (investitorit) në kurriz të konsumatorit. Shumica e akterëve që kanë marrë pjesë në këtë diskutim publik janë kundër, kaq. Duke u nisur edhe nga parametrat e Komunitetit të Energjisë për vitin 2020 që thotë se duhet të jetë me tender edhe kjo ma ndryshon vendimin në vendimmarrje. Pse me ngarku konsumatorin. Pjesa dërmuese janë kundër kësaj procedure. Shkresa e ministrit Lluka që apelon kundër, edhe Ambasada amerikane Ambasada gjermane, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, pas kësaj unë kam mendimin kundër”, kishte deklaruar Sejfijaj.

Përderisa vota e tij kundër në mbledhjen e 14 tetorit bëri që kjo skemë të mos kalojë në mbledhje të bordit të ZRrE-së, në mbledhjen e 27 nëntorit, vota e Sejfijajt ishte vendimtare për miratimin e kësaj skeme. Në mbledhjen e 27 nëntorit, Sejfijaj votoi për skemën e tarifave nxitëse bashkë me Selman Hotin dhe Izet Rushitin. Ndërsa e vetmja votë kundër kësaj skeme ishte e Arsim Janovës.

“Tash e kemi një propozim të ri, 85.5. Unë e kisha mbështet një propozim të tillë pa hi në obligime të tjera. Me mbështet zhvillimin e kësaj fushe pa e dëmtu konsumatorin, unë e kisha mbështet”, ka thënë Sejfijaj.

Çmimin prej 85.5 euro për megavat e ka propozuar anëtari i bordit Selman Hoti në mbledhjen e 27 nëntorit.

“Meqenëse kësaj çështje duhet me iu dhënë një epilog unë duke u bazuar në kornizën ligjore dhe udhëzimin administrative 05/2017 dhe arsyeshmërinë që e ka dhënë zyra jonë ligjore unë mendoj që të bëhet një propozim i ri, nga ai që ka dalë prej departamenteve në konsultim publik prej 90.4 sa ka qenë të jetë në 85.5 euro për megavat/orë”, ka deklaruar Hoti.

Rushiti, me propozim të të cilit edhe ka hyrë në rendin e ditë kjo pikë, është shprehur për propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro.

“Në mbledhjen e kaluar nuk ka kalu. Unë pajtohem që asnjë parametër në atë formulën që e cakton çmimin mos të ndryshohet përpos kostos për të cilën jam konsultu për shumë njerëz të kësaj fushe dhe unë pajtohem që të jetë 85.5 euro për megavat/orë”, ka thënë Rushiti.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se ”Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MË, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MË (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në Madanaj, zona kadastrale Kusar, komuna e Gjakovës. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përfitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavatë. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Gjakovës.

KALLXO.com raportoi dje që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Bordi i ZRrE-së aktualisht ka katër anëtarë. Arsim Janova dhe Besim Sejfijaj kanë qenë të angazhuar nga LDK dhe janë zgjedhur gjatë kohës kur me qeverinë ka udhëhequr Isa Mustafa. Izet Rushiti e Selman Hoti janë emëruar në bord edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet për emërim, sipas vlerësimit të bërë nga kompania britanike, BDO.

Qeveria e Kosovës për herë të tretë ka mbetur të dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve.

Komisioni vendor i ka përzgjedhur si kandidatë më të suksesshëm Petrit Pepaj dhe Naim Sahiti, pas një procesi të intervistimit që nuk është zhvilluar në përputhje me praktikat e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Ambasada ishte tërhequr nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të bordit të ZRrE-së, pasi Kuvendi dy herë kishte dështuar t’i emërojë kandidatët që britanikët i kishin përzgjedhur pas proceseve të gjata të rekrutimit.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ambasada gjermane në Kosovë, USAID dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

 

Vendimi i ZRRE-së që favorizon Devollët

Shënim:

30/12/2019  10: 30

Artikulli është edituar duke ju shtuar edhe përgjigja e “Devolli Group”