Ekonomia e Kosovës Merr Notë Kaluese për Vitin 2015

Pavarësisht krizës politike dhe perceptimeve për përkeqësim të përgjithshëm të situatës gjatë vitit të shkuar, nga treguesit makroekonomikë, vlerësohet se Kosova ka përjetuar rritje të aktivitetit ekonomik për vitin 2015.

Në Raportin e Zhvillimeve Makroekonomike të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), thuhet se rritja e prej 3.5 për qind do të gjenerohej kryesisht nga kërkesa e brendshme, mirëpo konsumi dhe rritja e investimeve të jashtme, janë llogaritur se e kanë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, kishte deklaruar se Kosova po e mbyll vitin 2015 me një normë rritjeje prej 3.5 për qind.

“Nëse i referohemi rritjes së kreditimit, rritjes së remitencave, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në rritjen ekonomike, vlerësimet e Bankës Qendrore janë se rritja ekonomike për vitin 2015 është 3.5 për qind”, tha Hamza.

Sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë arritur vlerën në mbi 300 milionë euro, përderisa në vitin paraprak ishin 250.2 milionë euro.

Borxhi publik i Kosovës, sipas raportit të tremujorit të tretë të vitit të kaluar arriti në 719.48 milionë euro, ndërsa po të njëjtën periudhë të vitit 2014 ai ishte 550.93 milionë euro. Ky borxh përbën 12.47 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

http://kallxo.com/168-milione-euro-borxh-me-shume/

Përderisa viti 2010 është karakterizuar me një rritje ekonomike prej 5.39 për qind, gjithashtu dhe viti 2011 ishte mbi pesë për qind, këto katër vitet e fundit kjo rritje fillon të zbehet.

Nga të dhënat zyrtare, në vitin 2012 rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto, arriti normën prej 3.8 për qind, kurse në vitin 2013 rritja ekonomike pati rënë në 3.5 për qind, po aq ishte edhe në vitin 2014.

Mirëpo, parashikimet e qeverisë që viti 2015 të ketë një rritje ekonomike prej 4 për qind nuk u arritën.

Për çdo vit, bartës kryesor i rritjes ekonomike ka qenë sektori publik nëpërmjet investimeve kapitale. Por, për dallim nga Kosova vendet e rajonit rritjen ekonomike nuk e mbështesin nga sektori publik, por bartës kryesor i kësaj rritje mbetet sektori privat.

Konsumi i përgjithshëm përgjatë periudhës 2015-2017, pritet të rritet me një normë reale mesatare prej mbi 3.5 për qind, ndërkohë që konsumi privat për kokë banori parashihet të rritet me 3 për qind mesatarisht, nën supozimin që popullsia rritet me një normë prej 1.6 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën përmbyllëse të vlerësimit të ekonomisë së Kosovës, publikuar në 30 mars 2015, tërhoqi vërejtje se Kosova duhet të fokusohet në rritjen e punësimit, rritjen e aftësisë prodhuese dhe eksportin.

FMN, gjithashtu vlerësoi se politikat e gabuara të qeverisë (Thaci) në vitin 2014 kishin shkaktuar efekte negative në ekonomi për vitin në vazhdim.

http://kallxo.com/ekonomia-e-kosoves-u-rrit-mbi-themele-te-lekundura/

Sipas deklaratës, Kosova ka pasur rritje ekonomike të arsyeshme, në disa mënyra më të luhatshme sesa vendet fqinje, por sipas FMN-së, rritja duhet të jetë më e shpejtë që është e nevojshme për të krijuar vende pune dhe për të ulur varfërinë.

Më 9 qershor të vitit 2015, FMN arriti Marrëveshjen në nivel të Stafit me Kosovën lidhur me programin “Stand-By”. Nga ky program Kosova pritet të përfitojë 185 milionë euro në këmbim të reformave ekonomike.

Me anë të kësaj marrëveshje, politikat fiskale duhet ta ketë për qëllim që ta mbajnë nivelin mesatar të deficitit përgjatë periudhës së programit brenda kufizimit të rregullës fiskale prej 2 për qind.

Diçka e tillë pritet ta mbajë borxhin publik në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm në periudhën afatmesme.

Në veçanti, duke e mbajtur nivelin e pagave publike në vlera aktuale nominale, duke kufizuar shpenzimet në mallra dhe shërbime, si dhe duke shtuar përpjekjet për mbledhjen e të hyrave, parashikohet të krijohen hapësira të nevojshme për shpenzime prioritare, të cilat nxisin rritjen ekonomike.

Sipas FMN-së, Kosova duhet të karakterizohet nga rritja e sektorit privat, sepse rritja ekonomike nga sektori publik deri më tani nuk ka treguar qëndrueshmëri.

“Kufizimi i pagave në sektorin publik do t’i mundësonte kompanive private që të konkurronin në kushte më të barabarta, kur bëhet fjalë për të tërhequr punonjës të kualifikuar”, vëren FMN.

Në Kosovë janë rreth 80 mijë të punësuar në sektorin publik, me pagën mesatare prej rreth 440 euro në muaj.

Kjo pagë është afërsisht sa dyfishi i asaj në sektorin privat, ndërsa të punësuarit në shtet llogariten më shumë se 1/3 e të punësuarve në sektorin privat dhe më shumë se 1/4 e totalit të të punësuarve, prej rreth 302 mijë të punësuar.

Por sipas FMN, kriza politike dhe mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës do të ketë ndikim në rritjen ekonomike të planifikuar.

Viti 2014, i cili përveç politikëbërjes së diskutueshme financiare njohu edhe luhatje të foirta politike, u përmbyll me vetëm 1.2 për qind rritje.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë (FMN), Ruud Vermeulen, në një konferencë për media, ka thënë se vazhdimi i ngërçit politik do të pamundësojë arritjen e parashikimeve për një rritje prej 3.8 për qind.

Vlerësimi i FMN për rritjen ekonomike në vitin 2015 u rishikua në zbritje në nivelin 2.4 për qind, çka sërish përbën dyfishim të rritjes së vitit 2014.

“Ngërçi politik paraqet një rrezik kyç që mund të minojë besimin e investitorëve dhe konsumatorëve, siç ka ndodhur në vitin 2014 me ngërçin politik. Gjithashtu, ka shqetësime që Kuvendi i Kosovës të mos jetë funksional, të mos miratohen ligjet e reja, kjo është pa dyshim shqetësim që duhet marrë parasysh”, tha Vermaulen.

Rritja e planifikuar ekonomike për këtë vit pritej të ishte deri në 3.8 për qind (rishikuar nga MFN në 2.4 për qind), ndërsa në vitin e ardhshëm parashikimi i qeverisë është që do të jetë mbi 4 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 kishte ndërprerë Marrëveshjen “Stand-By” me qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.