Foto: Pixabay

Ekonomia e Kosovës e Nisi Vitin Poshtë Pritshmërive

Tremujori i parë i këtij viti, i cili parashikohej të shënonte norma më të larta të rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës, krahasuar me rritjen e mirë ekonomike të vitit 2015, në fakt ka shënuar progres më të ulët nga parashikimet.

Rezultatet e para të mira të viteve të fundit, u materializuan në vitin 2015, kur sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ekonomia shënoi rritje prej 3.5 për qind, e ndikuar kryesisht nga rritja e investimeve dhe konsumit.

Sa i përket vitit 2016, pritet që rritja reale e PBB-së të arrijë në rreth 3.7 për qind. Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e saj.

http://kallxo.com/rritja-ekonomike-nen-parashikimet-e-kryeministrit

Të dhënat deri në mars 2016 sugjerojnë rritje të konsumit, kjo rritje e konsumit mund të shpjegohet edhe nga rritja e konsiderueshme e importit të mallrave konsumuese, të cilat në tremujorin e parë të vitit 2016 kanë shënuar rritje prej 13.1 për qind.

Për sa i përket investimeve, investimet publike deri në mars të vitit 2016 kishin një rritje të konsiderueshme prej 60.1 për qind. Po ashtu, kreditë e reja investuese kanë shënuar rritje prej 13 për qind, gjë që pritet të ketë ndikim në rritjen e investimeve tek sektori privat.

Në anën tjetër, Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë shënuar rënie. IHD-të e pranuara në Kosovë, në këtë tremujor, arritën vlerën prej 72 milionë euro që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 82.7 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, përfshirë kapitalin dhe fondin e investimeve në aksione, si dhe investimet në instrumentet e borxhit.

Me performancë më të dobët në tremujorin e parë të vitit 2016 u karakterizuan edhe eksportet e Kosovës, mirëpo importet vazhdojnë të shënojnë rritje gjë që po ndikon në përkeqësimin e llogarisë rrjedhëse të vendit.

Sektori fiskal në Kosovë gjatë tremujorit të parë 2016 është karakterizuar me rritje të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.

Të hyrat buxhetore deri në mars 2016 arritën vlerën neto prej 330.3 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.6 për qind. Ndërsa, shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 333.1 milionë euro që paraqet rritje vjetore prej 14.6 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Buxheti qendror i Kosovës për këtë periudhë shënoi një bilanc negativ buxhetor prej rreth -2.8 milionë euro, ndërsa ky bilanc për tremujorin e parë 2015 ishte rreth -5.1 milionë euro.

Sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale, kryesisht si pasojë e rritjes së deficitit në llogarinë e mallrave dhe rënies së shënuar në bilancin pozitiv të llogarisë së të ardhurave parësore dhe dytësore.

Deri në mars të vitit 2016, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale ka shënuar vlerën prej 108.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 30.6 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe asaj kapitale i atribuohet rritjes së deficitit në llogarinë e mallrave dhe rënies së shënuar në bilancin pozitiv të llogarive të të ardhurave parësore dhe dytësore. Në të njëjtën periudhë, bilanci pozitiv në llogarinë e shërbimeve u karakterizuan me rritje.

Rritja e deficitit të mallrave gjatë kësaj periudhe kryesisht rezultoi nga rënia e volumit së eksportit të mallrave për 5.4 për qind dhe në të njëjtën kohë, rritja e vlerës së mallrave të importuara për 12.5 për qind.

Eksporti i mallrave në tremujorin e parë 2016 kishte vlerën prej 71.9 milionë euro, që kishte një rënie vjetore prej 5.4 për qind. Rënia e vlerës së eksportit të mallrave në këtë tremujor kryesisht i atribuohet rënies së eksporteve të metaleve bazë, që njëherësh kanë edhe pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e gjithsej eksporteve të vendit me rreth 43 për qind.

Ndërsa, vlera e gjithsej mallrave të importuara arriti në 561.8 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.5 për qind. Në kuadër të importit të mallrave, me rritje u karakterizua importi i metaleve bazë, importi i makinerive dhe i pajisjeve mekanike dhe elektrike, si dhe importi i mjeteve të transportit.

Për këtë periudhë, deficiti në llogarinë e mallrave arriti vlerën prej 489.9 milionë euro, kurse rënia e vlerës së eksporteve dhe rritja e vlerës së mallrave të importuara vjen si rezultat i zvogëlimit të shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksporte me 12.8 për qind.

Kreditë e sektorit bankar përshpejtuan ritmin e rritjes, deri në mars 2016 norma vjetore e rritjes është 8.8 për qind, ndërsa në mars 2015 kjo normë e rritjes ishte 4.3 për qind. Kreditë e sektorit bankar shënuan rritje pothuajse për të gjithë sektorët e ekonomisë.

Kontribut në rritjen e përshpejtuar të gjithsej kreditimit të sektorit dhanë kreditë ndaj ndërmarrjeve, të cilat edhe kanë pjesën më të madhe në kuadër të kredive me 65.2 për qind të gjithsej të tyre.

Po ashtu, tremujori i parë i vitit 2016 u karakterizua me rënie të mëtejme të normës së interesit në kredi, në anën tjetër depozitat shënuan normë të rritjes prej 3.5 për qind.

Norma mesatare e interesit në kredi gjatë këtij tremujori u zvogëlua në 7.4 për qind nga 8.9 për qind që ishte në mars të vitit 2015, përderisa norma mesatare e interesit në depozita shënoi rritje të lehtë në 0.9 për qind. Dallimi ndërmjet normës së interesit për kredi dhe asaj të depozitave është zvogëluar në 6.5 për qind nga 8.1 për qind që ishte në mars të vitit 2015.

Sektori bankar vazhdoi të përmirësojë cilësinë e portofolit kreditor. Norma e kredive joperformuese (NPL) është zvogëluar në 5.9 për qind nga 8.1 për qind që ishte në mars të vitit 2015. Niveli kapitalizimit të sektorit bankar shënoi përforcim të mëtutjeshëm, përderisa edhe pozicioni i likuiditetit qëndroi në gjendje të kënaqshme.

Sektori bankar, tremujori i parë 2016, rriti vlerën e mjeteve në 3.4 miliardë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 4.5 për qind, por kjo rritje në tremujorin e parë të vitit 2016 ishte 6.5 për qind. Kontribuuesi më i madh në rritjen e mjeteve në këtë sektor ishte zgjerimi i portfolios së kredive që vazhdon të jetë kategoria më e madhe në strukturën e mjeteve të sektorit bankar.

http://kallxo.com/sektori-bankar-fitim-vetem-nga-kredite

Më përshpejtim të aktivitetit dhe përmirësim të performancës financiare u karakterizua dhe sektori mikrofinanciar, sektori i sigurimeve dhe ai pensional.

Deri në mars 2016, vlera e gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar arriti në 88.5 milionë euro dhe paraqet një rritje vjetore prej 17.7 për qind, krahasuar me 1.3 për qind sa ishte në periudhën e njëjte të vitit paraprak.

Norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar për këtë periudhë zbriti në 23.1 për qind. Kjo rënie e normës ishte më e theksuar në kreditë ndaj ndërmarrjeve krahasuar me atë të ekonomive familjare, ku norma mesatare e interesit në kreditë e ndërmarrjeve zbriti në 21.1 për qind, ndërsa ajo ndaj ekonomive familjare në 24.2 për qind.

Eurozona

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, eurozona është karakterizuar me një dinamikë të përshpejtuar të aktivitetit ekonomik, kjo kryesisht i atribuohet rritjes më të lartë të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në ekonomitë qendrore të eurozonës, veçanërisht në Gjermani, Francë dhe Spanjë.

Por, dobësimi i kërkesës së jashtme, që erdh nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vendet në zhvillim, si Kina, Rusia dhe Brazili, rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe fluksit të emigrantëve, u neutralizua nga përforcimi i mëtejmë i kërkesës së brendshme në eurozonë. Po ashtu, rënia e vazhdueshme e çmimeve të naftës në këtë tremujor është reflektuar në rritje të shpenzimeve të konsumatorëve. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në këtë tremujor, ekonomia e eurozonës shënoi rritje prej 1.7 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraprak, norma reale e rritjes ekonomike ishte 0.6 për qind.

Në tremujorin e parë të këtij viti, eurozona është karakterizuar me një normë mesatare të inflacionit prej zero për qind, përderisa vlerësimet e Agjencisë Evropiane të Statistikave ‘Eurostat’ për muajin prill treguan për një rënie të vazhdueshme të shkallës së inflacionit, pra në -0.2 për qind. Aktivitet më i dobët në ekonominë globale, si dhe çmimet e ulëta të mallrave kryesore në tregjet ndërkombëtare priten të reflektohen në presione të ulëta inflacioniste gjatë gjithë këtij viti. Sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE), shkalla mesatare e inflacionit në vitin 2016 pritet të jetë rreth 0.1 për qind.

Ballkani Perëndimor

Performanca e aktivitetit ekonomik në Ballkanin Perëndimor gjatë tremujorit të parë të këtij viti vlerësohet të jetë përforcuar. Përforcimi i kërkesës së jashtme që vjen si rezultat i korrigjimit të eurozonës, rritja e konsumit privat dhe rritja e investimeve kanë mbështetur aktivitetin ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të shënojnë një rritje të PBB-së prej rreth 3.3 për qind për vitin 2016.

Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria priten të karakterizohen me një normë më të lartë të rritjes ekonomike. Kjo rritje ekonomike në Mal të Zi pritet të jetë 4.7 për qind, në Maqedoni 3.6 për qind dhe në Shqipëri 3.4 për qind, në anën tjetër Serbia pritet të shënoj normën më të ulët të rritjes ekonomike edhe këtë vit për 1.8 për qind.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ngjashëm me eurozonën në muajt e parë të vitit 2016 u karakterizuan me presione të dobëta inflacioniste të ndikuara kryesisht nga çmimet e ulëta të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Fondi Monetar ka parashikuar se norma mesatare e inflacionit për këtë vit pritet të jetë 0.8 për qind. Shqipëria pritet të karakterizohet me shkallën më të lartë të inflacionit prej 1.9 për qind, kurse Bosnja dhe Hercegovina pritet të ketë deflacion prej 0.7 për qind.