Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com

Ekipi Negociator i Kosovës që asnjëherë nuk negocioi me Serbinë

Pa arritur që të mbanin as edhe një raund të bisedimeve, ekipi negociator i formuar para më shumë se gjashtë muajsh u shpall anti- kushtetues.

Ekipi Negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, është themeluar me 15 dhjetor të vitit të kaluar, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e PSD-së.

Partia Socialdemokrate kishte bërë kërkesë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektrezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta kishte marrë 52 vota pro, 2 abstenime dhe kështu ishte  miratuar  në Kuvend.

Visar Ymeri, nënkryetar i PSD-së, në atë seancë kishte lexuar emrat e propozuar që të jenë pjesë e këtij delegacioni.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj ishin propozuar si kryesues të Ekipit Negociator, ndërsa anëtarë Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Dardan Gashi dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

Gjithashtu ishin rezervuar dy vende për LDK-në dhe Vetëvendosjen, të cilët e kishin bojkutuar këtë seancë, e Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani ishin emrat në pritje, që më vonë do t’i bashkangjiteshin ekipit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kishte kritikuar ish- bashkëpartiakët e saj, duke thënë se deputetët e PSD-së, në vend të bashkimit me opozitën e qytetarët dhe angazhimit për zgjedhje të jashtëzakonshme, ata zgjodhën Kadri Veselin e Hashim Thaçin, dhe se ‘idhnakët janë shitur aq shumë dhe aq keq’.

Kurse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e kishte mbështetur krijimin e Ekipit Negociator, duke thënë se ‘e mirëpres bashkëpunimin me ta për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë’.

Ditë më vonë, me 20 dhjetor, bashkëkryesuesit e delegacionit, Ahmeti e Limaj, u takuan me Kadri Veselin, ‘për t’u koordinuar rreth procesit të dialogut’.

E pas katër ditëve ‘negociatorët’ ishin takuar edhe me Presidentin Thaçi, me të cilin do të kishin probleme, pasi ky i fundit nuk pranonte që të jepte dokumentacione apo të dhëna rreth takimeve të tij në Bruksel me homologun serb, Aleksandër Vuçiq.

Shpend Ahmeti më pas e kishte zbutur qëndrimin e tij, duke thënë se nuk ka kërkuar dokumentacion, por vetëm informatë rreth temave të trajtuara në dialog.

Takimi i parë i Ekipit Negociator me Bashkimin Evropian kishte ndodhur me 8 janar të këtij viti, ku në Bruksel kishin udhëtuar plotë 11 burra, kundrejt Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Frederica Mogherini, e cila shoqërohej edhe me tre gra të tjera dhe vetëm një burrë.

Ky takim ishte paralajmëruar të jetë vetëm takim njohës, mirëpo aty u diskutua për shumë çështje, përfshirë edhe tarifën 100 për qind të vendosur ndaj produkteve të Serbisë nga autoritetet kosovare, ku Mogherini kishte kërkuar heqjen e kësaj takse.

Edhe pse ky delegacion ka udhëtuar vetëm dy herë në Bruksel, ata shpenzuan 42 mijë e 763 euro nga gjithsej 300 mijë euro që ishin ndarë nga buxheti i Kosovës për këtë Ekip Negociator.

22 mijë euro ishin shpenzuar nga Ekipi Negociator vetëm për bileta, ndërsa për shpenzime akomodimi dhe ushqimi për të gjithë anëtarët e delegacionit janë shpenzuar 3 mijë e 452 euro. E 17 mijë euro tjera për paga, për 12 të punësuarit e zyrës administrative.

Platforma për dialogun Kosovë – Serbi që u miratua me 7 mars, ishte shkelur vetëm 4 ditë më vonë, me 11 mars.

Drejtuesit e Ekipit Negociator në bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, kishin qëndruar atë ditë në Bruksel me ftesën e përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini.

Udhëtimi i drejtuesve të delegacionit ishte bërë tinëz, pa njoftim për publikun. E në platformën e miratuar nga Kuvendi, në parimin 10, pikën 1, thuhej se përfaqësuesit e Ekipit Negociator zotohen se do të sigurojnë informim të rregullt publik.

“Transparenca: Delegacioni do të sigurojë informim të rregullt publik dhe parlamentar mbi ecurinë e dialogut”, thuhej në platformën e miratuar.

Sot, Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të delegacionit shtetëror për bisideme me Serbinë.

Kushtetuesja ka gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E reagimet për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese pasuan menjëherë

Bashkëkryesuesi Shpend Ahmeti, reagoi, duke thënë se PSD-ja do të tërhiqet nga delegacioni shetëror, duke pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenesë ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurfarë rëndësie ligjore”, ka shkruar Ahmeti.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje menjëherë kërkoi zgjedhje. Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media tha se e konsiderojnë të drejtë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se tash zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Siç e dini ne kemi pasur qëndrimin se një herë është dashur të bëhet bilanci i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe pastaj të bëhet një listë kërkesash për Serbinë duke filluar nga njohja, dëmshpërblimi e kthimi i të pagjeturve. Në këto rrethana kur e kemi presidentin që në mënyrë jo kushtetuese e udhëheqë dialogun me Serbinë, kur e kemi një kryeministër i cili për të ruajtur karrigen e tij dhe për t’i kënaqur apetitet e sëmura të presidentin Thaçi, refuzoi të marr përsipër kompetencat e tij kushtetuese në raport me dialogun”, ka thënë Haxhiu.

Edhe partia tjetër opozitare LDK,  ishte e menjëhershme në reagimin e saj. Ata kërkuan dorëheqjen e Ekipit Negociator dhe që vendi të shkoj në zgjedhje.

“Shkelje është bërë me draft-rezolutën kur dialogu ka kaluar te Presidenti. Vlerësojmë se sot, menjëherë ekipi duhet të jap dorëheqje, kurse vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, tha në një konferencë për media, deputeti Avdullah Hoti.

Ndërsa anëtari i delegacionit nga rradhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se partia e tij do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë”, ka thënë Hoxhaj për KALLXO.com.

Pak më shumë se 6 muaj pas themelimit të Ekipit Negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, ky delegacion u gjet se ka shkelje kushtetuese, duke mos arritur që të paktën asnjëherë të negociojë me palën serbe, gjë për të cilën ishte krijuar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ekipin negociator dhe shkrimet për këtë temë mund t’i gjeni këtu.