Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Edhe Qeveria Hoti vazhdon traditën e shmangies së ballafaqimit me Kuvendin

Sikur edhe qeveritë paraprake edhe kjo e drejtuar nga Avdullah Hoti po i shmanget ballafaqimit me komisionet parlamentare dhe me vetë Kuvendin.

Vetëm gjatë muajit tetor 5 anëtarë të kabinetit qeveritar nuk kanë raportuar në komisionet në të cilat janë ftuar në cilësi të raportuesit.

I pari i Qeverisë, kryeministri Hoti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj -Stublla, më 7 tetor të këtij viti ishin ftuar të raportojnë para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për të raportuar lidhur me çështjen e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë.

Por, kësaj ftese nuk i është përgjigjur asnjëri.

Po në këtë ditë, edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ishte ftuar që të marrë pjesë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, por, raportimin në këtë Komision e kishte bërë zëvendësi i saj, Agim Krasniqi.

Në këtë Komision ishin shqyrtuar disa projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nuk kishte raportuar në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ndërsa kishte sjellë zëvendësministër për raportim më 27 tetor të këtij viti.

Për mospjesëmarrje të ministrit anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari -Lila, kishte thënë se është hera e dytë që ministri nuk kishte shkuar në Komision për të raportuar, por kishte sjellë zëvendësministrin.

Ftesës nuk i ishte përgjigjur as ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu ishte ftuar të raportojë në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në lidhje me shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalajt si dhe shuarjen e Task Forcës Speciale Anti-Korrupsion.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se mospjesëmarrja e ministrave në punimet plenare është karakteristikë që është prezente ashtu siç ka qenë edhe në qeveritë e kaluara.

Haxhiu tha për KALLXO.com se mospjesëmarrja e kabinetit qeveritar po vërehet jo vetëm në seanca plenare por edhe në komisione parlamentare.

“Kjo po vihet re jo vetëm në punimet plenare por dukshëm edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Edhe në rastet kur pranojnë ftesën për raportim, zakonisht ministrat ua caktojnë paraprakisht kohën që e kanë në dispozicion për t’u përgjigjur para deputetëve. Vetëm në tri javët e fundit, pesë anëtarë të kabinetit qeveritar kanë refuzuar ftesën për të raportuar para komisioneve përkatëse”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se ky veprim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe është shmangie nga obligimet kushtetuese që i ka qeveria si kolektiv por edhe ministrat individualisht.

“Qeveria merr mandatin nga Kuvendi dhe ndaj të njëjtit ka obligim kushtetues që të bart përgjegjësi përpara Kuvendit për mënyrën dhe dinamikën e ushtrimit të funksionit të saj kushtetues dhe është e obliguar që ta informojë Kuvendin mbi zhvillimet që lidhen me kompetencat që i ka qeveria. Në të njëjtën kohë, bazuar në Kushtetutë, Kuvendi ka autorizimin e pakufizuar që t’i kërkojë përgjegjësi qeverisë për veprimet e saj dhe ka të drejtë të mbikëqyrë çdo veprim të qeverisë në fushat e kompetencave të saj, pa asnjë kufizim kohor apo procedural”, shtoi ajo.

Agnesa Haxhiu tha se mekanizmi kushtetues i vetëm që mund ta përdorë Kuvendi në këto rastet e shpërfilljes nga ekzekutivi është mocioni i mosbesimit qoftë ndaj qeverisë si kolektiv ose për ministrat individualisht.

Edhe analisti Arton Demhasaj tha për KALLXO.com se gjithë ministrat e kanë obligim kushtetues edhe ligjor që në momentin kur ftohen nga Kuvendi qoftë në cilësinë e raportimit në komisionet përkatëse apo edhe në seancë përmes pyetjeve apo interpelancave e kanë obligim ligjor që të marrin pjesë dhe t’i japin përgjigjet që kërkohen nga ta.

“Mospjesëmarrja e ministrave qoftë në raportimet në komisionet përkatëse apo edhe me raportimet e përgjigjet që nevojiten në seancë plenare është një lloj mos përgjegjësie e ministrave dhe qeverisë në përgjithësi. Nuk jemi të kënaqur me prezencën e qeverisë në Kuvend sepse ka pasë disa herë tendencë për të ftuar në  interpelanca ministra të caktuar për çështje të caktuara e nuk kanë marr pjesë në disa prej tyre”, ka thënë Demhasaj.

Demhasaj shtoi se pjesëmarrja e kabinetit qeveritar është e rregulluar me Kushtetutë.

Sipas tij qeveria zgjidhet nga Kuvendi dhe i jep përgjegjësi Kuvendit. Demhasaj ka treguar se qeveria duhet  gjithmonë të jetë e gatshme sa herë të ftohet nga Kuvendi edhe nga komisionet përkatëse të jetë e gatshme për të raportuar.

“Çdo tendencë  nga ana e qeverisë dhe e ministrave individualisht për me ikë përgjegjësisë para Kuvendit është jokushtetuese dhe joligjore”, tha Demhasaj.

Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me zëvendëskryeministrin, Driton Selmanaj, për të kërkuar përgjigje lidhur me këtë temë por deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.