Dy muaj pas zgjedhjeve, në pritje për formimin e institucioneve të reja

Dy muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare me disa javë rinumërime votash, formimi i institucioneve të reja të vendit tashmë është në pritje të respektimit të afateve kushtetuese.

Përderisa pas certifikimit të zgjedhjeve, presidenti i vendit duhet të thërras seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike që morën më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk janë marr vesh për  ndarjen e posteve në qeverinë e re, e cila duhet hedhur për votim në legjislativ.

Në anën tjetër, si të paarsyeshme cilësohen të jenë vonesat e tjera për krijimin e institucioneve të reja të vendit, pas certifikimit të zgjedhjeve.

Ankesat e subjekteve politike për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, e zgjatën procesin drejt certifikimin të rezultateve deri me 27 nëntor, për shkak të procedurave ligjore.

Ndërkaq, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton se Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.

Akti më i lartë juridik përcakton edhe zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

“1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë. 2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason formimi i Qeverisë së Kosovës.

Sipas nenit 95 të Kushtetutës, pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Ndërkaq, Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, apo 61 vota e më shumë.

Lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve, gazetari Agron Halitaj thotë se tash e tutje çdo vonesë drejt formimit të institucioneve i faturohet presidentit të vendit Hashim Thaçit.

“Nëse deri javën e kaluar vonesat për krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, janë arsyetuar me ankesat dhe apelet e njëpasnjëshme të kandidatëve dhe subjekteve politike, tash e tutje çdo orë e ditë vonese i faturohet drejtpërdrejt Hashim Thaçi”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Halitaj ka theksuar, se si president i shtetit, Thaçi duhet të sillet konform detyrimit kushtetues për të qenë garantues i funksionimit demokratik të institucioneve.

“Në frymën e kësaj, ai duhet ta thërras sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, për t’i hapur më pas rrugën edhe formimit të Qeverisë së re”, është shprehur gazetari.

Sipas tij, shtetit nuk mund të mbetet peng i inateve e tekeve të askujt.

“I pëlqeu apo s’i pëlqeu Albin Kurti atij, njëjtë sikur i pëlqeu apo s’i pëlqeu ai Albin Kurtit, asnjëri s’ka rrugë tjetër pos që t’ia njoh autoritetin tjetrit”, ka shkruar Halitaj.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për zgjedhjet e 6 tetorit, VV ka marrë 26.27 për qind të votave, LDK-ja 24.54 për qind, PDK-ja 21.23 për qind, AAK-PSD 11.51 për qind, Lista Serbe 6.40 për qind të votave dhe Nisma-AKR-PD ka siguruar 5.002 për qind të votave.

Nga këto rezultate, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13 dhe Nisma-AKR-PD 6 deputetë.