Një qytetar ecën ndanë një xhamie në Kaçanik | Foto: Atdhe Mulla

Dy Mite mbi ‘Problemin e ISIS-it’ në Kosovë

Lugati i urrejtjes vazhdimisht po i rri mbi kokë debatit për “ISIS”-in, “ekstremizmin e dhunshëm” dhe “radikalizmin islamik” në Kosovë. Por, shumë pak hapësirë po i lihet arsyes. Kur frika gjykon mbi arsyen, shumë pak mbetet për t’u kuptuar. Nuk do të përpiqem të argumentoj se nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar, por kambanat alarmuese që po i dëgjojmë kohët e fundit po i japin kah të gabuar kuptimit tonë për këtë fenomen.

Ka shumë për të thënë. Duke i pasur parasysh kufizimet redaktoriale, do të përqendrohem vetëm në dy nga dengu i alarmeve të ngritura për “pushtimin arab” të Kosovës që paradoksalisht ka marrë formë vetëm kohët e fundit teksa raportohej se në 6-12 muajt e fundit, asnjë kosovar nuk iu kishte bashkëngjitur luftës (së huaj)! Kjo mund apo mund të mos jetë e vërtetë, por nuk ka rëndësi në këtë moment.

Alarmi 1: Ndikimi arab në “braktisjen” e Perëndimit nga ana e Kosovës

Ata që po e godasin çështjen mes Kosovës dhe ISIS-it po e bëjnë një ndërlidhje kolosale, deri më tani të pakapshme, mes 300 luftëtarëve kosovarë të ISIS-it dhe popullatën 1.8 milionëshe të vendit. Kur kontrolloj email-in tim është e vështirë të gjesh gazetarë (vendas apo të huaj) që nuk e lidhin 0.0167 përqindëshin e popullsisë 1.8 milionëshe me “braktisjen” e supozuar të Perëndimit nga i tërë vendi.

Së pari, çfarë ka të bëjë fenomeni i luftëtarëve të huaj me pozicionimin e një shteti ndaj Perëndimit? Kjo është sikur të thuash se Franca i ka kthyer shpinën Perëndimit sepse 1700 francezë u janë bashkuar luftërave të huaja.

Ose, po e pamë faqen tjetër të medaljes së njëjtë, është sikur të pretendosh se, meqenëse Turqia ka katër herë më pak luftëtarë të huaj për kokë banori se Franca, Turqia është bërë pro-Perëndimore në krahasim me Francën. Logjika e thjeshtë prapa këtyre ndërlidhjeve është aq e gabueshme sa që asnjë libër tejet voluminoz nuk do të ishte i mjaftueshëm për ta zbërthyer atë.

Së dyti, do të na duhet t’i shfletojmë ca të dhëna të thjeshta që njerëz nga e gjithë bota mundohen shumë t’i bëjnë të disponueshme për ne. Për shembull, kur raportoi për mënyrën se si sauditët kanë “shndërruar një shoqëri myslimane dikur tolerante në një burim të ekstremizmit”, New York Times ka shkruar se “është një kthesë e jashtëzakonshme për një vend me 1.8 milion banorë që para jo shumë kohësh ishte një ndër shoqëritë myslimane më pro-amerikane në botë”. Përdorimi i kohës së shkuar është i habitshëm sepse thjesht nuk përputhet me të dhënat empirike të disponueshme.

Për shembull, sipas të dhënave të vitit 2015, 94 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar se vendi duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, dhe 89 për qind kanë përkrahur anëtarësimin në NATO. Në anën tjetër, ja se çfarë mendojnë disa qytetarë të BE-së për të njëjtën çështje: në Mbretërinë e Bashkuar, afër 52 për qind duan që shteti i tyre të dalë nga BE-ja.

Njëkohësisht, 50 për qind e qytetarëve të tetë shteteve më të mëdha të BE-së do të donin një referendum të tipit të Mbretërisë së Bashkuar për një dalje të mundshme. Për më shumë, vetëm 41 për qind e evropianëve mendojnë pozitivisht për BE-në.

Le të shohim disa numra tjerë, këtë herë lidhur me Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2015, 93 për qind të qytetarëve të Kosovës kanë thënë se shteti i tyre duhet të forcojë lidhjet me SHBA-në. Veç kësaj, këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit të vitit 2016 nga Gallup: kosovarët janë në krye të listës të të gjitha vendeve perëndimore që miratojnë udhëheqësinë botërore të Amerikës me një nivel aprovimi prej 88 për qind. Kur amerikanët ia bënë vetvetes këtë pyetje, vetëm 55 për qind aprovuan udhëheqësinë e shtetit të tyre në botë. Kjo është se çfarë mendojnë disa nga vendet e Evropës Perëndimore për të njëjtën gjë: 49 për qind për italianët, 57 për qind për gjermanët, 52 për qind për francezët dhe 64 për qind e britanikëve miratojnë udhëheqësinë amerikane në botë.

Rënia e kambanave alarmuese që mund të shihen në disa raportime të fundit për “shperëndimizimin” dhe “braktisjen” do të vazhdojnë të mbesin mite për shkak të të dhënave, jo opinionit tim personal. Sidoqoftë, duhet ta pranojmë se këto të dhëna tregojnë një dallim të madh mes Kosovës dhe Perëndimit. Përkundër izolimit shumëvjeçar nga Perëndimi, kosovarët e duan dhe mendojnë për Perëndimin afër dy herë më shumë se vetë perëndimorët. Si është e mundur që kosovarët e duan Evropën më shumë se evropianët dhe Amerikën më shumë se amerikanët? Nëse ka hapësirë për “kthesën” e Kosovës, atëherë këto janë pyetjet për të cilat duhet të shqetësohemi, jo anasjelltas.

Alarmi 2: Termi “Vahabizëm”

“Termat enë” [termat me nënkuptime] janë përdorur prej kohësh për të shkatërruar kundërshtarë politikë në luftën për pushtet. Këto janë termat që përbëhen nga një koktej terminologjish dhe që fitojnë urrejtje nga një numër i madh i njerëzve në shoqëri të caktuara. Shiheni njëherë Bernie Sanders, kundërshtarin e Hillary Clinton në garën për nominimin nga radhët e Demokratëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ai vazhdimisht përballet me etiketën e “socialistit” – një term të cilin është munduar shumë ta shpjegojë se “nuk është çfarë thuhet se është”, teksa kundërshtarët e tij vazhdojnë luftën për pushtet.

Do të ishte punë shumë ambicioze të merreshim me termat me nënkuptime sepse në fund të fundit nuk është e rëndësishme se çfarë kuptimi kanë në të vërtetë. Çfarë rëndon është “kokteji i terminologjive” që përbën termin me nënkuptime. “Vahabizmi” është një nga ato terma që vazhdimisht është (keq)përdorur në Kosovë pas luftës, dhe në Ballkan për afër dy dekada. Në Kosovë, “Vahabizmi” ka këto domethënie: “radikal”, “Islam radikal”, “mjekër e gjatë”, “mbulesë e kokës”, “ekstremist”, “ekstremist i dhunshëm”, “ISIS”, “Al-Kaida”, e shumë të tjerë.

Si i tillë, ka qenë një vegël shumë e suksesshme duke u përdorur në dy dimensione. Së pari është përdorur nga anëtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për t’i rrënuar kundërshtarët e tyre brenda atij institucioni. Së dyti, është përdorur nga disa njerëz të publikut për ta shkatërruar gjithkënd që nuk duket si “mysliman liberal”. Se a janë ata “ekstremistë të dhunshëm” të vërtetë rrallë ka qenë e rëndësishme.

Për ta vërtetuar këtë, ekzistojnë një grumbull pyetjesh të cilat kanë mbetur pa përgjigje nga shumica e përdoruese të shpeshtë të “Vahabizmimt” si term me nënkuptime kundrejt atyre që nuk duken si “myslimanë liberalë”. Duke qenë se çdoherë kur “imamët liberalë” përfshihen në një përleshje fizike (për çfarëdo arsye), është rrënjosur si fakt i pakundërshtueshëm se janë “Vahabistët” që i kanë sulmuar.

Dakord, edhe diçka e tillë ka ndodhur. E tash, si është e mundur që Lavdrim Muhaxheri (ekstremisti i dhunshëm) i ka kërcënuar edhe disa imamë “Vahabistë”, ashtu si quhen tash në Kosovë? Si mund të jetë që një imam liberal i BIK-ut, po ashtu, është sulmuar nga një imam tjetër liberal? Këto janë pyetje serioze që trazojnë shumë mite, dhe ata që e kanë përdorur termin “Vahabizëm” si vegël politike për t’i shkatërruar të tjerët në luftën e tyre për pushtet kurrë nuk u ka pëlqyer të shtrohen këto pyetje.

Kjo u bë e qartë kur raporti i KCSS-së mori çështjen e luftëtarëve të huaj seriozisht dhe u dha përgjigje të detajuar këtyre pyetjeve dhe shpërfaqi keqpërdorimin e termit në luftë për pushtet, më shumë për çështje individuale politike, e më pak për çështje fetare.

Në të vërtetë, raporti i KCSS-së nuk përbën herën e vetme kur këto dinamika janë vënë në dukje. Në një libër të publikuar në vitin 2015, Cecile Endersen, në kapitullin që ka hetuar atë se çfarë ne e quajmë “Vahabizëm” në Shqipëri, ka konstatuar se Lidhja e Hoxhallarëve – LH (“Vahabistët” në terminologjinë e Kosovës) mund të jenë teologë pa lidhje me “Vahabizmin” e supozuar, dhe se “në një farë mase është nepotizmi që e mbështet kundërshtimin e LH [ndaj Komunitetit Mysliman zyrtar] si ‘klanore’” (fq. 231).

Pretendime të ngjashme për keqpërdorimin e “Vahabizmit” për të shkatërruar kundërshtarët janë avancuar po ashtu nga dijetarja e islamit në Ballkan, Ina Merdjanova (2013). Kjo nuk do të thotë se nuk ka “Vahabistë” që përkojnë me kuptimin e gjerë publik që ka marrë ajo fjalë (e vërtetuar edhe nga raporti i KCSS-së), por qartësisht është keqpërdorur deri në një masë të pakuptueshme për vite me radhë. Shumë gazetarë të 15 viteve të fundit kanë rënë pre e mungesës së aftësisë për t’i parë këto dinamika – për arsyen shumë të kuptueshme se diçka e tillë kërkon shumë punë në teren.

Kthehemi te pyetja e bezdisshme: a ka gjasa që dikush të përfshihet në një akt të padëgjuar brenda kufijve të Kosovës dhe ta hedhë vetën në erë? Sigurisht që është brenda suazave të mundësive. Por çfarë ka të bëjë kjo me zvetënimin që është shfaqur në medie deri më tani?

Në fund fare, le të themi se orvatjet e mia për t’i vënë në dukje këto mite nuk janë të vërteta, dhe çdo këndvështrim i shtrembëruar i medieve është real. Në qoftë ashtu, a duhet të ndalemi së pyeturi se pse kaq shumë Kosovarë kanë shkuar në Siri, e në vend të asaj të pyesim se pse kanë shkuar kaq pak?