Presidenti Thaçi në Kuvendin e Kosovës - Foto: ZPRK

Dy ditë debat, zero rezultat

Debati në Kuvend nuk i ndihmoi pozitës dhe opozitës që të unifikojnë qëndrimin e tyre në një rezolutë për dialogun me Serbinë.

Pozicionimet e ngurta partiake në këtë temë i sheh si problematike njohësi i punës së legjislativit, Artan Murati.

“Faji i madh prapë mendoj që është te partitë në pushtet, por edhe opozitarët është mirë në këso situate të mos të kenë pozicione të ngurta. Për konsensus të gjithë duhet të lëshojnë pe”, tha ai për KALLXO.com.

Murati thotë se ka pritur që të gjendej një konsensus, sidomos nga partitë në pushtet AAK dhe NISMA, meqë sipas tij, ato mbrojnë qëndrimin për mos-diskutim të territorit të Kosovës në Bruksel nga presidenti Hashim Thaçi.

“Normalisht që ka kalkulime politike, por do të duhej të gjendej konsensus në këto tema të mëdha”, tha ai.

Për dy ditë me radhë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës i ka mbajtur aktivë në seancë shpresa për harmonizim të qëndrimeve për të arritur një rezolutë të përbashkët nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithëse grupet opozitare kishin vendosur që vetëm një pikë të ishte në rezolutë, ishte PDK-ja së bashku me partnerët e koalicionit që mos të kufizoheshin vetëm në një pikë por të ketë rezolutë “gjithëpërfshirëse”.

Dje Lidhja Demokratike e Kosovës kishte propozuar pikën e vetme të rezolutës.

Territori i Republikës së Kosovës është një e i pandashëm dhe as presidenti e as askush tjetër nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”, kishte thënë Hoti.

Pas diskutimeve të djeshme, sot ligjvënësit u mblodhën që ta votojnë rezolutën e ‘harmonizuar. Por, edhe pas dy orësh takim mes gjitha Grupeve Parlamentare, Avdullah Hoti shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, së bashku me opozitën kishin arritur që ta riformulonin pikën e rezolutës së tyre me pikën 6 të propozimeve të PDK-së.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme as presidenti e askush tjetër nuk ka të drejtë të negocioj për territorin e Republikës së Kosovës”, ka lexuar Hoti pikën e riformuluar të rezolutës.

Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar 6 pika të rezolutës.

Memli Krasniqi shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, pas takimit të sotëm mes Grupeve Parlamentare tha se nuk kishte vullnet të arrihet një dakordim. Prandaj paralajmëroi se nuk do të marrin pjesë në votim.

“Insistimi të ketë vetëm një pikë rezoluta. Është për keqardhje që pas një debati të gjerë e të gjatë megjithatë ne arritëm ta përmbyllim këtë diskutim. Ne si koalicion dolëm nga situatat e bunkerizuara që na kanë përcjell tash e dy muaj. Ne erdhëm dje në seancë jo për t’u dorëzu po për të hap mundësi të komunikimit për të arrit konsensus”. tha Krasniqi.

Krasniqi tha se nuk po krijohet mundësia as për komision as për t’ia dhënë të drejtën qeverisë që të jetë pjesë qendrore e dialogut. Ne nuk dorëzohemi nga kërkesa e insistimi jonë  të gjejmë mundësi për tu harmonizuar në qëndrimet e tona.

E Glauk Konjufca shef i GP të LVV tha se mazhoranca po e mbron verbërisht presidentin.

“Ky është thelbi i problemit”, tha Konjufca.

Kurse Dardan Sejdiu kryetar i GP të PSD-së, tha se si PSD do të angazhohen që Kuvendi të jetë institucioni në të cilin dialogu kthehet dhe në të cilin Kuvendi merr vendime dhe kthehen idetë.

“PSD do ta përkrah këtë rezolutë por nuk mendoj që qëndrimi në pozicione të ngurta krijon hapësirë për tejkalim të problemit”, tha Sejdiu.

Ahmet Isufi, shef i GP të AAK-së shtoi se nuk kishte gatishmëri për t’u bërë harmonizimi.

“Ne e kemi thënë se askush nga personalitetet shtetërore nuk ka të drejtë të diskutoj për territorin e Republikës së Kosovës… Ka interesim ë vetëm një interes politik të shikohet e jo interesi i vendit. Është e kotë të flasim për unitet për harmonizim e rezolutë të përbashkët e në të njëjtën kohë pozicionohemi vetëm qa them unë ose tjetri”, tha Isufi.

Bilall Sherifi kryetar i GP të NISMA, tha se nuk është e saktë që ishim kundër nga pika që e tha propozuesi.

“Ne u dakorduam që pikat nga dy partitë opozitare të mbeten dhe pranuam që të përforcohet por jo të barrikadohet”, tha Sherifi.

Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, tha se nuk kishte vullnet për me ardh në një zgjedhje të përbashkët.

“Konsideroj që ajo që e propozoi shefi i GP të LDK-së ishte si fillim i mirë që të jetë pika e parë e përbashkët e këtij Kuvendi”, tha Kusari Lila.

Përfundimisht, rezoluta nuk kaloi, meqë pozita e opozita nuk arritën të bashkërendojnë pikat e tyre.

Me 90 deputetë në sallë, rezoluta i ka marrë 50 vota për, asnjë kundër, e asnjë abstenim.

Afër 10 orë debat, polemikat mes deputetëve

Dje, pas një diskutimi të gjatë i cili kishte filluar pas orës 10:30 dhe kishte përfunduar rreth orës 20:00, janë zhvilluar polemika të shumta mes Grupeve Parlamentare.

Në fjalitë hyrëse të shefave të  Grupeve Parlamentare, kishte përshtypje se janë afër harmonizimit të qëndrimeve, më vonë gjatë ditës, debati eskaloi edhe në vulgaritet.

Polemikat e para filluan mes Dardan Molliqaj nga PSD dhe pjesës tjetër të opozitës.

Molliqaj kishte thënë se një pjesë e opozitës po ka frikë nga presidenti Hashim Thaçi, e kjo ka nxitur reagimet e shefave të grupeve parlamentare të LDK-së dhe LVV-së.

“Pozicioni i LDK, i VV e Alternativës nuk ka ndërruar, ka ndërruar pozicionimi i PSD. Me u marrë ai me opozitën nuk është e ndershme, mos t`i mbajmë ligjërata njëri tjetrit, e mos të flasim për asociacionin”, iu kundërpërgjigj Molliqajt, Avdullah Hoti nga LDK.

Kurse Glauk Konjufca nga LVV tha se Molliqaj nuk mund të moralizojë para tyre lidhur me strategjinë opozitare.

“Dardan Molliqaj ja paska huq krejt bojkotit te Kuvendit. Nuk është çështje ideologjike, por krejtësisht taktike. Këtu s`ka çka na moralizon për ketë taktike, nuk është parimore, por është veprim që ne e konsiderojmë që është duhur edhe i ndryshojmë kur të na konvenon. Për Kosovën, çështja më e rëndësishme është me e ndal Hashim Thaçit që po iu tërheq zvarrë, e vagoni i fundit është PSD. Nuk mund të flasim për platformë se qysh me ia bo një ekip Hashim Thaçit, ai është shqetësim i PDK dhe PSD”, tha Konjufca.

Debat me akuza ishte zhvilluar edhe mes deputetit të Nismës, Milaim Zeka dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Ky debat filloi pasi Konjufca në fjalën e tij ia përmendi Zekës rastin e mashtrimit të vizave.

E në lidhje me këtë deklaratë deputeti Zeka kërkoi nga kryesuesi i Kuvendit të drejtën për kundër replikë, i cili e quajti Konjufcën “psikopat”.

Në debatin tjetër u përfshi deputetja Albulena Haxhiu me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Haxhiu tha se Haradinaj nuk ka guxim ta ndalë presidentin Thaçi që ai mos ta udhëheqë fazën finale të dialogut me Serbinë.

Haradinaj doli në foltore dhe kërkoi nga Kuvendi që të nxjerr konkluzione të qarta në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Haxhiu tentoi të debatoj edhe me PSD-në duke e akuzuar se  PSD se ka ndihmuar Qeverinë për të mos shkuar në zgjedhje duke qëndruar në Kuvend për t’ia bërë numrat pozitës për të mbajtur seancën, por këta të fundit nuk replikuan.

Debat kishte edhe mes deputetit të LDK-së Drion Selmanaj e nënkryetarit Xhavit Haliti.

Selmanaj ka tërhequr një paralele në mes të qytetarëve të Luginës së Preshevës tani kur po diskutohet për korrigjimin e kufijve dhe kosovarëve në vitet e ’90-ta.

“Ka shumë qytetarë të Luginës së Preshevës që jetojnë në Fushë-Kosovë e nuk kanë dokumente identifikimi. E tash në moment i kujtohet dikujt që duhet me u marrë me ta. Kjo më kthen në vitet e 90-ta kur ne gëzoheshim ose pritnim nga ndonjë zyrtar në Tiranë të flasë për Kosovën dhe ne gëzoheshim por dikur në takimin e Kretës e kuptuam që për ta kishim qenë komunitet, jo më tepër”, ka deklaruar Selmanaj.

Pas përfundimit të fjalës nga Selamanaj, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti iu drejtua atij duke i thënë se nëse ai do ta dinte se çka ka bërë Shqipëria në të kaluarën për Kosovën nuk do të fliste për të.

Artan Murati nga KDI mendon që kthimi i opozitarëve në punën e Kuvendnit do të jetë problem, ngase po krijohet ideja që partitë në pushtet nuk po i marrin parasysh propozimet e tyre.

“Problematike ka me qenë, ngase ka me pas tendenca prej qeverisës për kundër rezolutën dhe tash është kriju tjetër momentum, që mundet me qu edhe në përçarje më të thella, se krijohet përshtypja që opozitarët nuk marrim parasysh propozimet e opozitës. Kanë më pas telashe me kthy opozitën me diskutu për çështjet e mbetura”, tha ai.