Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Durim Lushaj Pranon se Ka Kryer Vrasjen e Dyfishtë në Shaptej

Durim Lushaj, i akuzuar për vrasjen e Rexhep e Burim Ramajt, ka pranuar sot para trupit gjykues se ka kryer vrasjet, por ka kundërshtuar kualifikimin e aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Pasi u lexua aktakuza nga prokurorja, Valbona Disha-Haxhosaj, i akuzuari Lushaj e pranoi se ka kryer vrasjet.

“Fajësinë për armëmbajtjen pa leje dhe vrasjet, jo qysh e ka cekur prokurorja në aktakuzë. Unë ndjej keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur”, tha Durim Lushaj para trupit gjykues.

Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri. I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhepin bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt po ashtu me armë zjarri.

Që të dy akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Por, babai i Durimit, i akuzuari Sali Lushaj, pas leximit të aktakuzës tha se nuk e pranon asnjërën vepër që i vihet në barrë.

“Ndjej keqardhje për rastin që ka ndodhur. U kërkoj falje publike të gjithëve. Po as një pikë dhe asnjë presje të kësaj aktakuze të ngritur prej prokurores se shtetit nuk e pranoj”, tha i akuzuari, Sali Lushaj.

Tutje, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, gjatë fjalës hyrëse tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe nga provat materiale do të vërtetohen të gjitha pretendimet e aktakuzës.

Avokati kërkon ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin

“Nga të cilat prova por edhe dëshmi ju do të bindeni se të akuzuarit Sali Lushaj dhe Durim Lushaj kanë kryer veprat penale në vend, në kohë dhe mënyrë të përshkruar si në dispozitivët e kësaj aktakuze”, tha prokurorja.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Durim Lushaj, Gzim Kollçaku, në fjalën e tij hyrëse tha së gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se nuk ka pasur asnjë motiv të vijë deri te vrasjet.

“Gjatë shqyrtimit kryesor do ta vërtetojmë se në rastin konkret nuk ka pasur kurrfarë motivi që të vijë deri tek vrasjet”, tha avokati Kollçaku.

Ai tha se i mbrojturi i tij nuk ka pasur kurrfarë dashje për t’i kryer vrasjet. Kollçaku po ashtu propozoi që Durim Lushajt t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Gjatë fjalës së saj hyrëse, avokatja Kosovare Kelmendi që mbron të akuzuarin Sali Lushaj, tha së gjatë shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues nga provat do të bindet se rasti nuk ka ndodhur siç është përshkruar në aktakuzë.

“Pikërisht me provat të cilat i ka propozuar prokurorja në aktakuzë do të bindeni se rasti nuk ka ndodhur ashtu siç është përshkruar në dy dispozitivët e aktakuzës. Sepse ajo vrasje nuk mund të cilësohet si vrasje e rëndë sepse nuk ka qenë e planifikuar me parë”, u shpreh avokatja Kelmendi.

Avokatja prezantoi edhe disa fotografi të të mbrojturit të saj të përgjakur në ditën kritike kur kishte ndodhur rasti. Ajo tha se fotografitë ishin bërë nga një polic hetues në Stacionin Policor, por këto fotografi tha se nuk janë në shkresat e Prokurorisë.

“Këto fotografi i ka bërë polici hetues Valdet Ismajlaj”, tha avokatja Kelmendi.

Sipas saj, në fotografi vërehen lëndimet e shkaktuara gjatë konfliktit që kishte ndodhur mes të pandehurve dhe viktimave.

“Këto janë ato plagë të cilat i janë shkaktuar Sali Lushajt, e të cilat me tutje e kanë vu në gjendje të tronditjes së thellë afektive të akuzuarin Durim, për të kryer vrasjet e dyfishtë të cilën ai e pranoi. Nuk mund të pranojë Sali Lushaj se ka kryer vrasje, pa e kryer”, tha ajo.

Prokuroja Valbona Disha-Haxhosja propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet polici hetues, Valdet Ismajlaj, nga Stacioni Policor i Deçanit për të dëshmuar rreth këtyre fotografive.

Ajo tha se duhet sqaruar se pse këto fotografi nuk i ka Prokuroria, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve i posedon ato.

Kërkesa e prokurores u aprovua nga trupi gjykues. Polici hetues do të dëshmojë në njërën nga seancat e radhës.

Dëshmitari tregon se çka  i parapriu vrasjes

Gjatë gjykimit ka dëshmuar edhe Gani Ramaj, i cili tha së Sali Lushaj kishte pasur probleme me kushëririn e tij, Dervish Lushaj.

Gani Ramaj gjatë dëshmisë së tij tha se një natë para vrasjeve, Dervish Lushaj, kishte ftuar disa burra të fshatit në odën e tij për t’u treguar se kishte problem me familjen e Sali Lushajt.

Ai tha së Dervish Lushaj i kishte thënë se disa vetura ishin dëmtuar nga Sali Lushaj dhe se i njëjti është duke e kërcënuar vazhdimisht.

“Aty e kemi marrë vesh prej Dervishit se edhe kerret tona i ka thyer Sali Lushaj”, tha Gani Ramaj.

I moshuari Gani Ramaj para trupit gjykues dëshmoi se ditën kritike kishte qenë para shtëpive bashkë me Mustafë, Burim e Rexhep Ramajn dhe të miturin A.R.

Në vend të ngjarjes tha se e kishte kuptuar me vonë se kishin qenë edhe Ukë Hajdaraj edhe Arben Beqiraj, kur Durim Lushaj ishte ndalur me veturë para shtëpisë së tyre dhe kishte dalë me armë në dorë.

“Aty ka ardhur djali i Salihut, Durimi, dhe ka kthyer kerrin para shtëpisë së Rexhepit dhe ka dalë duke thënë: “çka po rrini këtu, pse po rrini me Dervishin, hyni brenda se ju vraj”. Ka pasur allti në dorë dhe tjetrën e ka pasur të varur në rryp. Atë moment ka ardhur edhe Saliu me allti”, tha Gani Ramaj.

Ai tha se fillimisht ishte shtënë në Burim Ramajn nga Durim e Sali Lushaj, kurse më pas edhe në Rexhepin, për të cilin tha se nuk kishte parë kush kishte shtënë sepse ishte në anën tjetër.

“Edhe Saliu ka bërë yrysh bashkë me djalë të vetë në Burimin dhe të dytë kanë gjuajtur në të”, tha ai.

Ganiu shtoi se në ketë rast ishte plaguar në këmbë edhe i mituri A.R, i biri i Rexhep Ramajt.

Tutje ai tha së Burim e Rexhep Ramaj nuk kishin qenë fare të armatosur.

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe Tafë Ramaj, i cili tha se kishte qenë në një lokal rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes kur kishte dëgjuar disa të shtëna.

Dëshmitari i mitur dëshmon në seancë të mbyllur

Po ashtu, sot është dëgjuar edhe dëshmia e të miturit A.R, i cili kishte qenë prezent kur kishin ndodhur vrasjet.

Trupi gjykues mori aktvendim që të përjashtohet publiku gjatë dëshmisë së të miturit.

Seancat gjyqësore nga trupi gjykues u caktua të vazhdojnë më 1, 13 dhe 14 tetor, kur priten të dëgjohen edhe disa dëshmitarë.

KALLXO.com kishte raportuar edhe kur mbrojtja e të akuzuarve gjatë shqyrtimit fillestar kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Po ashtu, KALLXO.com kishte raportuar në gusht të vitit të kaluar për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur në fshatin Shaptej të Deçanit pas një zënke mes kushërinjsh.

Në nëntor të vitit të kaluar KALLXO.com solli rrëfimin e familjes Lushaj, e cila nga frika e hakmarrjes kishte ndalur katër fëmijët e saj të shkojnë në shkollë.