Kamera

Dominimi i politikës në agjendën e mediave

Duke ndjekur postulatin e famshëm që përmes vendosjes së agjendës “mediat edhe nëse nuk iu bindin të mendoni si ato, të paktën iu bëjnë të mendoni për temat që dëshirojnë ato”, mund të them që publiku i Kosovës është orientuar drejt lajmeve politike nga ana e televizioneve, duke shmangur vëmendjen e tij nga informacionet për shëndetin dhe rrezikun nga Covid-19.

Në kuptim të interesit publik, raportimi për gjendjen e pandemisë në vendin tonë do të duhej të ishte kryetema e lajmeve ditore në mediat kryesore. Megjithatë, rezultatet tregojnë se politika është priroritet, një renditje tjetër të lajmeve nga pesë televizionet kryesore në Kosovë. Nëse nisemi nga konkludimet e studiuesve McCombs dhe Shaw, zgjedhja dhe publikimi i ngjarjeve si lajme në media, ndikon në mënyrë të drejtpërdrjetë për perceptimin e publikut për çështjet më të rëndësishme të ditës. Pra, ato lajme që vendosen si të parat brenda një edicioni të lajmeve konsiderohen si më të rëndësishmet për publikun dhe publiku i kupton si të tilla. Tutje, nëse shohim normat për raportimet nga rastet e sëmundjeve, aksidenteve e formave tjerat të ngjarjeve që afektojnë në mënyrë direkte njerëzit, nuk shmanget asnjëherë parimi i raportimit me interesin njerëzor. Sipas studiueses, McKane, interesi njerëzor paraqet rëndësinë që e ka një lajm për publikun, dhe po ashtu, interesi për njerëzit e zakonshëm[i]. Ndërsa, studiuesi dhe profesori i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, duke trajtuar interesin njerëzor thotë që gazetarët duhet të vendosin për një lajm nëse është i rëndësishëm në bazë të faktit se si ai lajm ndikon në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve[ii].

Gjatë raportimeve në kohën e pandemisë së Koronvirusit CoVid-19, në Kosovë, redaktorët e lajmeve janë përballur me zgjedhje të vështira në vendosjen e asaj se çfarë përbën lajm kryesor, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e mëdha politike të cilat rezultuan me rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe tendencën për të formësuar një qeveri të re.

Rasti i politikës kosovare mund të trajtohet si “sui generis” që përshkruhet me një luftë të ashpër politike në kohën e pandemisë. Mirëpo ky fakt nuk do të duhej të largonte vëmendjen e medias nga parimi i interesit publik dhe interesit njerëzor, sipas të cilit viktimat e të lënduarit (sëmurët) nga sëmundja CoVid-19 në këtë rast, do të duhej të ishin prioritet i lajmeve.

Nga hulumtimi pesë ditor i realizuar për të matur trendin e llojit të lajmeve në edicionet qendrore të pesë televizioneve kryesore në Kosovë tregon se kanë dominuar lajmet nga politika.

Një monitorim i tri lajmeve të para në tri televizionet nacionale, Radio Televizoni i Kosovës (RTK), Televizoni Kohavision (KTV), Radio Televizioni 21 (TV 21) dhe dy televizioneve Televizioni Klan Kosova dhe Televizioni 7 (T7) na tregon se lajmet nga politika dominojnë lajmin e parë. Nga data 20 deri më 24 prill 2020, ose në javën që është cilësuar nga ekspertët e mjekësisë si më kritikja e pandemisë në rastin e Kosovës, këto televizione e kanë vendosur në agjendën e tyre të lajmeve politikën. Rezultatet e këtij minihulumtimi tregojnë për një trend të dominimit të lajmeve nga politika deri në 84 përqind të tri lajmeve të para të edicioneve qendrore.

 

 

 

Në monitorim të mëtutjeshëm të televizioneve veç e veç, televizioni publik (RTK), si transmetues që rregullohet edhe përmes një ligji të veçantë, mund të ketë bërë shmangje nga obligimet ligjore. Neni 13 i ligjit https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2812) për RTK-në, obligon transmetuesin publik, që të mbuloj ngjarjet me interes të veçantë për publikun, siç në këtë rast janë edhe zhvillimet nga shëndeti publik, e po ashtu i individëve të prekur nga CoVid-19. Ndërsa, rezultatet e monitorimit tregojnë që RTK, për pesë ditët e javës së tretë të muajit prill 2020, vetëm një herë e ka vendosur lajmin për pandeminë si lajmin e parë në edicion.

Në Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale(hyperlink: http://kpm-ks.org/assets/cms/uploads/files/Legjislacioni/1476189555.8908.pdf ) të Komisionit të Pavaurur të Mediave (organ që i licecnon televizionet), përcaktohet qysh në nenin e parë të tij televizionet duhet të jenë edhe në funksion të mbrojtjes së shëndetit. Nga kjo prizmë duhet të shihet edhe raportimi i televizioneve tjera të licencuara nga KPM-ja.

Në këtë kuptim mund të themi që edhe televizionet bartëse të frekuencave nacionale, KTV dhe RTV21, kanë vendosur në agjendën e tyre politikën para lajmeve për pandeminë. Shembull KTV-ja vetëm një herë gjatë periudhës së raportimit ka publikuar lajmin e parë nga shëndetësia, ndërsa Tv 21 këtë e ka bërë tri herë. Ndërkohë që televizionet që transmetohen në rrjetat kabllore Klan Kosova dhe T7, gjatë periudhës së monitorimit kanë raportuar vetëm nga një herë në lajmet e para për gjendjen e pacientëve nga pandemia.

Ngjashëm qëndron vendosja e agjendës edhe në rastin e lajmit të dytë të publikuar, RTK dhe KTV asnjëherë nuk kanë raportuar për pandeminë në lajmin e dytë gjatë periudhës së raportimit. Ndërsa, tri televizionet tjera, RTV21, Klan Kosova dhe T7, kanë pasur të renditura si lajm të dytë vetëm nga një herë lajmet për pandeminë gjatë të njëjtës periudhë.

 

 

Edhe në rastin e lajmit të tretë, vërehet qartazi dominimi i politikës mbi raportimet për gjendjen e pacientëve, apo situatën me pandeminë CoVid-19. RTK dhe KTV nuk kanë vendosur asnjë lajm si të tretin me këtë përmbajtje gjatë periudhës së raportimit, ndërkohë që vetëm nga një herë këtë gjë e kanë bërë televizionet tjera, RTV21, Klan Kosova dhe T7.

 

 

Nga rezultatet e mësipërme, vërehet qartë që lajmet nga politika janë mbivendosur në agjendën e televizioneve kosovare

Mbivendosja e politikës në agjedën e mediave, sigurisht që ka ndikuar në krijimin e përceptimit të gabuar tek publiku që zhvillimet politike mund të jenë më të rëndësishme sesa informacionet rreth shëndetit. Në këtë kuptim, qytetarët e ngujuar me masa qeveritare për ndalimin e përhapjes së pandemisë, në edicionet kryesore të lajmeve, në pikun e përhapjes së CoVid-19, kanë qenë të “obliguar” që së pari të informohen për zhvillimet politike, e tek pastaj për informacionet rreth pandemisë. Duke ndjekur postulatin e famshëm që përmes vendosjes së agjendës “mediat edhe nëse nuk iu bindin të mendoni si ato, të paktën iu bëjnë të mendoni për temat që dëshirojnë ato”, mund të them që publiku i Kosovës është orientuar drejtë lajmeve politike nga ana e televizioneve, duke shmangur vëmendjen e tij nga informacionet për shëndetin dhe rrezikun nga CoVid-19.

Autori është ligjërues në Universitetin e Prishtinës në degën e Gazetarisë