Foto: Ilustrim

Dobësi në funksionimin e Auditimeve të Brendshme

Dobësi të shumta janë konstatuar në funksionimin e Njësive të Auditorit të Brendshëm (NjAB) dhe Komiteteve të Auditimit, bazuar në analizën që u është bërë pesë institucioneve- Ministrinë e Financave (MF); Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR); Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT); Radio Televizionin e Kosovës (RTK); dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit dhe veprimet që ndërmerr menaxhmenti për t’i përmirësuar proceset ekzistuese dhe kontrollet, janë treguesit kryesorë të një qeverisje efektive. Por niveli i përmbushjes së rekomandimeve ka qenë i ulët, në shumicën e institucioneve. Kjo ndodh, për shkak të mungesës së planeve për zbatimin e plotë të tyre. Mos zbatimi i rekomandimeve dhe trajtimi jo i duhur i raporteve të Auditorëve të Brendshëm, kanë ndikuar negativisht në funksionimin efektiv të kontrolleve, duke bërë që gabimet dhe mangësitë të përsëriten nga viti në vit.

Në gjysmën e parë të vitit 2018 është miratuar Ligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe Ministria e Financave ka miratuar “Librin e proceseve për menaxhimin e shpenzimeve publike”, dokument ky që identifikon rreziqet dhe ofron udhëzime për menaxhimin e tyre.

Në disa raste, është vërejtur mungesë e bashkëpunimit efektiv në mes të menaxhmentit, Komiteteve të Auditimit dhe Njësive të Auditimit të Brendshëm, për të identifikuar shkaqet e dobësive dhe ndërmarrë veprime konkrete.

Për shkak të mangësive, qeveria është në proces të miratimit të Rregullores QRK – NR. 00/2018, “Për Themelimin dhe Zbatimin e Funksionit të Auditimit të Brendshëm në Subjektin e Sektorit Publik”. Dokumenti aktualisht është në fazën e konsultimit publik.

Me ketë projekt Rregullore krijohen kritere të reja për themelimin e njësive të Auditimit të brendshëm në Subjektet e Sektorit Publik.

Ky dokument, subjekteve të nivelit qendror dhe lokal u mundëson zgjidhjen me një nga katër mënyrat e zbatimit të funksionimit të njësisë së auditimit të brendshme, ose vetëm për t’u mbuluar me auditim të brendshëm me kontraktim apo me kërkesë nga Ministria e Financave deri te krijimi i Njësisë së pavarur të auditimit.

Gjithashtu me këtë rregullore krijohen kushte që njësitë e auditimit të brendshëm mund të krijohen vetëm me dy e me shumë auditorë, për dallim nga udhëzimi i kaluar që ka rregulluar çështjen me vetëm një auditor.

Kjo është konsideruar e pamjaftueshme për faktin se një auditor i vetëm nuk mund të jetë plotësisht objektiv, transparent dhe i pavarur në dhënien e rekomandimeve. Sipas kësaj rregullore, Funksioni i auditimit të brendshëm përmes kontraktimit të shërbimeve kryhet nga një kompani profesionale e cila përdor metodologjinë për auditim të brendshëm të miratuar nga Ministria e Financave.

Prandaj është konsideruar e domosdoshme që, Komitetet e Auditimit, ta forcojnë rolin e vet duke e mbajtur menaxhmentin përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve. Kjo,jo që nuk ka ndodhur, por për më tepër, në disa institucione këto Komitete kanë qenë jo funksionale.

Ministria e Financave ka një sistem funksional të Auditimit të Brendshëm, i organizuar në dy divizione- atë për auditime në ministrinë e Financave, si dhe Divizioni për auditime jashtë MF-së, në institucione që nuk e kanë të themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm.

Kupola e Auditimit të brendshëm

Ministria e Financave është njëra prej institucioneve kyçe sa i përket auditimeve të brendshme. Ky institucion ka një njësi të auditimit të brendshëm i cili përbëhet nga drejtori dhe shtatë zyrtarë. Njësia e Auditimit të Brendshëm është e organizuar në dy divizione: në atë për auditime në MF si dhe Divizioni për auditime jashtë MF-së, në entitete që nuk i kanë themeluar Njësitë e Auditimit të Brendshëm.

NjAB për vitin 2017 kishte planifikuar të kryejë 18 auditime, ndërsa janë realizuar 22. Sipas planifikimit, brenda Ministrisë janë paraparë 10 auditime, jashtë saj- tetë auditime, ndërsa katër tjera janë realizuar me kërkesa “ad-hoc”. Edhe pse këto auditime rezultuan me të gjetura dhe rekomandime, megjithatë fushëveprimi i auditimeve në masën prej 70 për qind ka trajtuar aktivitetet dhe sistemet operative të vitit paraprak. Kjo qasje zvogëlon sigurinë apo mundësinë që të ndërmerren veprime parandaluese, të cilat mund t’i vihen në shërbim menaxhmentit, në funksion të forcimit të kontrollit të brendshëm.

Ministria e Financave – Foto: Rtv21

Për këtë arsye, Zyra e Auditorit Kombëtar i ka rekomanduar Ministrit dhe Komitetit të Auditimit, që të sigurojnë se plani i NjAB mbështetet në masë të konsiderueshme në fushëveprimin e vitit aktual.

“Një qasje proaktive do të rritë përfitimet nga NjAB dhe do të mundësoj që parregullsitë/devijimet e mundshme në sistemet e kontrollit të adresohen në kohën e duhur”.

Ndonëse menaxhmenti ka zbatuar një numër kontrollesh të brendshme për të siguruar se sistemet funksionojnë si duhet, është sugjeruar që MF t’i kushtojë rëndësi më të madhe shkalles së realizmit të buxhetit, proceseve dhe zhvillimeve në fushën e prokurimit dhe personelit.

Sa i përket Komitetit të Auditimit, ai ishte aktiv duke mbajtur katër takime në të cilat është diskutuar për raportet e Njësisë  së  Auditimit të  Brendshëm dhe implementimin e rekomandimeve nga këto raporte, si dhe rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të ZKA-së për vitin 2016.

“Ne ju përcjellim shënimet për Departamentin e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave, njëherit ju njoftojmë se ne e kemi përmbushur planin vjetor për 2017 si dhe duke e tejkaluar me 6 pilot auditime, po ashtu edhe për vitin 2018 jemi duke realizuar planin si dhe kemi edhe 2 pilot auditime shtesë të kryera (Programin kombëtar të trajnimit dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm në sektorin publik)”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Financave.

Në  kë të  ministri si sfida kanë përmendur, ngritjen e kontrolleve të brendshme në harmoni me strukturën organizative dhe funksionale.

“…funksionimi i sistemit të kontrollit të brendshëm në pajtueshmëri me ligjet, rregullat dhe udhëzimet përcjellëse, planifikimi buxhetor, proceset, planifikimi, realizimi i shpenzimeve dhe burimet njerëzore të angazhuara në menaxhimin e shpenzimeve”, thuhet në  përgjigjen e tyre.

Ministria e Bujqësisë me Komitet të Auditimit, jo funksional

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural operon me katër anëtarë të stafit- Drejtori i NjAB dhe tre auditorë.

NjAB ka aprovuar planin vjetor të auditimit, i bazuar në planin strategjik. Ky dikaster, për vitin 2017 kishte planifikuar t’i kryejë dhjetë auditime ku shumica prej tyre ishin fusha me rrezik të lartë. Deri në fund të vitit kishte kryer të gjitha auditimet e planifikuara.

Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një numër dobësish që ndërlidhen me operacionet aktuale të NjAB-së. Gjatë vitit 2017, Komiteti i Auditimit nuk ishte funksional, siç kërkohet me udhëzim administrativ 11/2010 për themelimin dhe funksionimin e këtyre komiteteve.

Rendiment i ulët është evidentuar sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm. Janë zbatuar rreth 54 për qind ose vetëm 42 rekomandime nga 77 sa i janë dhënë menaxhmentit. 30 gjenden në proces dhe pesë janë të pa zbatuara. Pothuajse situata është e njëjtë sikur në vitin 2016-të, sa i përket zbatimit të rekomandimeve.

Tek kjo ministri kishte dobësi edhe sa i përket Komiteti i Auditimit (KA), që  ka kompetencë me u kujdes që  menaxhmenti i zbaton rekomandimet e Njësisë  së  Auditimit të  Brenshëm. Gjatë vitit 2016, Komiteti i Auditimit i ka mbajtur dy takime, kualiteti dhe kontributi i tyre në përgjithësi nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe nuk i ka shtuar vlerë përmirësimeve në qeverisje dhe kontrollit të brendshëm të organizatës.

ZKA, ka rekomanduar që Ministri të sigurojë funksionimin e Komitetit i Auditimit, t’i rishikoj rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet që duhet ndërmarrë nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet.

MAShT-i nuk i trajton fushat me “rrezik të lartë”

Divizioni i Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përcaktohet si një njësi e pavarur, e cila ka për qëllim të jep siguri objektive dhe këshilla për menaxhmentin, për të  përmirësuar veprimtarinë e këtij dikasteri.

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) operon me dy anëtarë të stafit – Drejtori i NjAB dhe një auditor. Referuar raportit të Zyrës Kombëtare tw Auditimit (ZKA), në planin vjetor të auditimit për vitin 2017, NjAB kishte planifikuar që të kryej nëntë auditime. Prej tyre, ka arritur t’i përfundojë gjashtë si dhe ka kryer edhe dy auditime me kërkesë të menaxhmentit. Aktivitetet audituese kishin mbuluar kryesisht vitin 2016, e dhënë kjo që evidentohet në pesë raporte të përfunduara. Kjo ka ndikuar që menaxhmenti të mos ketë një pasqyrë të qartë mbi nivelin e sigurisë dhe funksionimit të kontrollit të brendshëm. Kësisoj, të pakryera kanë mbetur Auditimi i Departamentit për buxhet dhe financa, i Qendrës së Studenteve dhe Institutit të Historisë. Sa i përket Qendrës së Studentëve, MASHT është arsyetuar se, në planin vjetor të auditimit ishte planifikuar të bëhet në muajin tetor-nëntor, “mirëpo me datën 21.09.2017 kemi pasur kërkesë për auditime të jashtëzakonshme në Administratë nga Ministri i MAShT-it dhe për këtë arsye Qendra e Studentëve është audituar në janar të 2018-ës”.

Njësia e auditimit në MASHT ka thënë se auditimet i fillojnë nga janari i vitit aktual, “dhe në auditimet e para nuk mundemi me auditu periudhën aktuale pasi që është fillimi i vitit dhe nuk mund të auditohet java e parë e janarit apo edhe auditime një mujore apo dy mujore”.

NjAB ka dhënë arsyetimin me atë se, praktikë e tyre është që të auditojnë tre mujorin-gjashtë mujorin, edhe nëntë mujorin apo edhe komplet vitin janar-dhjetor, për auditimet në fund vit. Kësisoj, NJAB ka kërkuar prej ZKA-ut që nëse ka një rekomandim se si të auditohet aktualiteti për muajt e parë të vitit, t’ua sugjerojë.

Por sipas ZKA, ky është vetëm arsyetim pa ofruar asnjë dëshmi dhe se Qendra e Studentëve nuk është audituar as në 2016 as në 2017. Më tej, ZKA ka konstatuar se fushat me rrezik të lartë duhen të jenë prioritet i auditimit të brendshëm.

Sipas Auditorit Kombëtar, puna e kësaj njësie kryesisht ishte e fokusuar në auditimin e aktiviteteve për vitin 2016, ndërsa fokusi është dashtë të jetë vitin 2017, ashtu siç është përshkruar në gjetje.

“Ne ju kemi jap rekomandimet e nevojshme se çka duhet bërë, ndërsa nëse ju nuk e keni të qartë dhe ju duhen trajnime atëherë drejtohuni Njësisë Qendrore Harmonizuese”, thuhet në opinionin e ZKA-ut.

I pazbatuar nga MAShT mbetet edhe një rekomandim që ka të bëjë me Universitetin e Prizrenit. Kërkesa ka qenë që, Rektori i këtij Universiteti së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, të bëjnë një zgjidhje të menjëhershme për stafin e auditimit brendshëm dhe stafin e zyrtarit të pasurisë. Auditori i brendshëm në këtë Universitet vazhdon të paguhet pa kryer asnjë raport të auditimit.

Parregullsi janë evidentuar edhe në raportet që MASHT ka ofruar në kohën sa Zyra e Kombëtare e Auditimit ishte në fazën e auditimit. Nuk kanë qenë të bashkangjitura as planet e veprimit të plotësuara nga njësit e audituara.

Lidhur me Komitetin e Auditimit, MASHT ka ofruar një raport vjetor të komitetit të auditimit me vonesë, përkatësisht pas përfundimit të punës në teren dhe ka qenë i pa nënshkruar. Për më shumë, ky raport përmend raportet e auditimit të kryera për 2016 e jo të gjitha raportet e vitit 2017.

Për këtë arsye Auditori i Përgjithshëm, as që është mbështetur në punën e NJAB-it për faktin se objektivat e tyre nuk ishin të njëjta t, dhe pesë raporte të auditimit kishin fokus vitin 2016.

Ekziston edhe një numër dobësish tjera në MAShT që ndërlidhen me punën e Njësisë së Auditimit të Brendshëm. Rishikimet e auditimit të brendshëm nuk ka trajtuar projektet për investime kapitale në vitin aktual. Nga tetë raportet e përfunduara, vetëm tri prej tyre ka qenë të fokusuara në vitin 2017.

Dobësi tjetër e evidentuar është mos përgatitja e planit të veprimit nga njësitë që ishin audituar nga auditimi i brendshëm. Ndërkaq Komiteti i Auditimit kishte mbajtur tri takime të rregullta, por nuk ka hartuar raport përfundimtar lidhur me konkluzionet e përgjithshme për raportet e auditimit të brendshëm.

Këto rezultate pasqyrojnë mungesën e përgjegjësisë së Menaxhmentit në njohjen dhe maksimizimin e përfitimit të auditimit të brendshëm, si dhe për të kërkuar siguri për funksionimin efektiv të kontrolleve të brendshme. Kjo gjithashtu tregon cilësi të dobët të planifikimit të auditimit të brendshëm.

Auditimi i brendshëm nuk ka ofruar as sigurinë e duhur përkitazi me efektivitetin e kontrolleve të brendshme. Sipas ZKA, mungesa e kontributit të pritur nga NjAB rritë rrezikun që sistemi i kontrollit të brendshëm të mos përmirësohet. Prandaj është rekomanduar që për të arritur përfitimin maksimal nga aktiviteti i auditimit të brendshëm, Ministri të sigurojë se Plani i NjAB mbështetet në fushat me rrezik dhe ndihmon aktivitetet operative në vazhdimësi. Ndërkaq, Komiteti i Auditimit duhet t’i rishikoj rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e auditimit të brendshëm.

Rendiment i ulët i zbatimit të rekomandimeve është konstatuar edhe në vitin paraprak (2016). Raportet e auditimit të brendshëm nuk ishin trajtuar seriozisht nga menaxhmente. Megjithëse janë dhënë 40 rekomandime, ka munguar monitorimi në procesin e zbatimit të tyre. Rrjedhimisht, nuk ka informata të sakta se sa prej këtyre rekomandimeve janë zbatuar. Ndërkaq Komiteti i Auditimit kishte mbajtur tri takime, por pa dhënë kontribut domethënës në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, sepse, sipas konstatimit të Zyrës së Auditorit Kombëtare asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga ana e tij për të shtyrë përpara zbatimin e rekomandimeve të NjAB-së.

Në MAShT kanë ofruar një përgjigje të përgjithësuar, përkitazi me gjetjet e konstatuara. Zëdhënësi në këtë dikaster, Valmir Gashi ka thënë se Njësia e Auditimit të Brendshëm në dy vitet e fundit ka performancë pozitive nga Menaxhmenti.

“Numri i auditimeve nga Njësisë së Auditimit realizohet sipas planifikimit vjetor i cili nënshkruhet nga Menaxhmenti dhe Komiteti i Auditimit, për çdo vit planifikohet te realizohen nga 8,9 auditime”, ka thënë Gashi. Sipas tij, gjatë vitit 2017 janë përfunduar 8 auditime dhe mbi 80% të rekomandimeve janë realizuar.

“Komiteti i Auditimit funksionon sipas Statutit të Komitetit dhe për vitin 2017 ka mbajtur 4 mbledhje”, ka theksuar Gashi.

Auditimet e Brendshme në RTK, nuk përmenden në raportet e Auditimit

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) është transmetues publik. Deri para vitit 2012, RTK është audituar nga auditori i jashtëm, por me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, përmes tenderit e zgjedh një auditor të jashtëm për auditim. Këtë vit, RTK për herë të parë do të auditohet nga një auditor i jashtëm. RTK në vazhdimësi është kritikuar se nuk ka arritur të krijoj një mjedis funksional të kontrollit të brendshëm.

Për transmetuesin Publik është iniciuar ligj të ri. Por në nëntor të këtij vit dështoi të miratohet në Kuvend. Problematike ka dalë çështja e financimit, ku janë propozuar dy burime kryesore- njëri nga parapagimi, e tjetri nga buxheti shtetëror. Kriter është propozuar të jetë fatura e rrymës, por me këtë nuk është pajtuar opozita.

Raporti i Auditorit të Pavarur ka konstatuar se, pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, “pozicionin financiar të Kompanisë më 31 dhjetor 2017, dhe performancën e saj financiare dhe rrjedhën e parasë për vitin e përfunduar në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)”. Çështjet janë trajtuar në kontekstin e auditimit të pasqyrave financiare në tërësi, por Auditori i Pavarur nuk ka dhënë ndonjë opinion të veçantë mbi këto çështje. Në raportet e auditimit të RTK-s nuk përmendet fare funksionimi i Auditorit të Brendshëm.

RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

RTK ka themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në qershor të vitit 2016, e cila përbëhet nga tre auditorë. Kjo njësi ushtron funksionin e saj në pajtim me Ligjin dhe Statutin e RTK-së, Ligjin për Auditim të Brendshëm, si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Brendshëm. NjAB i raporton Bordit, përmes Komisionit të Auditimit (KA), i përbërë nga pesë anëtarë. Sipas detyrave që i përshkruhen, NjAB ka për qëllim t’i ndihmojë RTK-së në përmbushjen e objektivave përmes ofrimit të shërbimeve të cilësisë së lartë, duke siguruar zbatimin e ligjshmërisë, përmirësimin e qeverisjes korporative dhe duke inkurajuar zbatimin e menaxhimit të rrezikut si dhe përdorimit ekonomik, efikas dhe efektiv të resurseve njerëzore apo financiare. Sipas asaj që thuhet në raportin e RTK-s për vitin 2017, NjAB ka kryer gjithsej katër auditime të planifikuara dhe një raport të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve. Fushat e mbuluara, bazuar në analizën e rrezikut kanë qenë: prokurimi, financat, administrata dhe marketingu.

Në vitin 2017, NjAB-i ka dhënë 21 rekomandime, prej të cilave 16 rekomandime ose 76 për qind janë zbatuar menjëherë, ndërsa 5 rekomandime ose 24 për qind, janë në proces të zbatimit, me arsyetimin se nevojitet kohë derisa të përsëritën proceset e njëjta. Për të gjitha rekomandimet e NjAB-it janë identifikuar njësitë dhe personat përgjegjës që do t’i zbatojnë rekomandimet gjatë vitit 2018.

Një Auditim të Performancës së RTK-s do ta kryejë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), pas rekomandimit të bërë nga Komisioni Mbikëqyrës i Financave Publike më 1 mars të vitit 2017.

Kryetarja e Bordit të RTK-s, Afërdita Maliqi ka folur për punën e deritashme të Njësisë së Auditimit të Brendshëm e Radiotelevizionit të Kosovës (NjAB RTK).

Sipas saj, Misioni i kësaj njësie është të ofrojë shërbime të pavarura, objektive, siguruese dhe këshillëdhënëse, të dizajnuara për t’i shtuar vlerë dhe përmirësuar operimet e RTK-së.

“NjAB i ndihmon RTK-së në arritjen e objektivave të saja, duke sjellë një qasje sistematike dhe të disiplinuar për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e proceseve të menaxhimit të rrezikut, kontrollit të brendshëm dhe qeverisjes”, ka thënë Maliqi.

Ajo ka shtua se, Auditimi i brendshëm verifikon funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe jep rekomandime për përmirësimin e tyre.

“Kjo bëhet përmes përgatitjes së raporteve interne për palët e përfshira në vendimmarrje. Në rastin e RTK-së, NjAB operon e pavarur nga Menaxhmenti dhe i raporton Bordit”.

Aktiviteti i NjAB-së, gjatë periudhës 2016-18, sipas Maliqit, është fokusuar kryesisht në fushat si: punësimet, pagat, menaxhimin e aseteve, shpenzimet nga kategori të ndryshme ekonomike, prokurimin publik, të hyrat e Marketingut, sistemin e teknologjisë informative, etj.

“Për informatën tuaj, aktiviteti i NjAB-së është prezantuar në raportet vjetore të RTK-së, për periudhën në fjalë, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës’, ka potencuar ajo.

Disa prej aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2016 nga NjAB kanë qenë: Ofrimi i inputit me rastin e hartimit të Rregullores së Auditimit të brendshëm; Ofrimi i inputit me rastin e hartimit të Kodit të Etikës së NjAB-së; Hartimi i Planit Strategjik të auditimit të brendshëm për periudhën 2016-2018; Hartimi i Planit Vjetor të auditimit për vitin 2016;

Hartimi i pesë (5) raporteve të auditimit; Hartimi i një (1) raporti të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve; Raportimi tremujor i NjAB-së para Komitetit të Auditimit.

Maliqi ka thënë se, gjatë vitit 2016 janë dhënë 36 rekomandime, “prej tyre plotësisht janë zbatuar 20 rekomandime, apo 55.5%, ndërsa në proces të zbatimit kanë qenë 16 rekomandime, apo 44.4%”.

Ndërkaq në vitin 2017 është bërë Hartimi i Planit vjetor të auditimit për vitin 2018, Hartimi i katër (4) raporteve të auditivit; Hartimi i një (1) raporti të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve; Raportimi tremujor i NjAB-së para Komitetit të Auditimit; Pjesëmarrja aktive në Grupin e Auditimit të brendshëm të Unionit Evropian të transmetuesve (EBU).

Sipas shifrave që ka vënë në dispozicion bordi, gjatë vitit 2017 janë dhënë 21 rekomandime, prej tyre plotësisht janë zbatuar 16 rekomandime, apo 80.95%, ndërsa në proces të zbatimit kanë qenë 5 rekomandime, apo 19.04% .

Kurse në vitin 2018, është përfshirë Hartimi i Planit Vjetor të auditimit për vitin 2018; Hartimi i tre (3) raporteve të auditimit dhe një (1) auditim në vijim; Hartimi i Planit strategjik të auditimit të brendshëm për periudhën 2019-2021; Hartimi i Planit vjetor të auditimit për vitin 2019; Raportimi tremujor i NjAB-së para Komitetit të Auditimit; Pjesëmarrja aktive në Grupin e Auditimit të brendshëm të Unionit Evropian të transmetuesve (EBU).

“Sipas praktikës së vendosur, tanimë vitin e tretë, pas përfundimit të auditimit të fundit të paraparë për vitin 2018, NjAB do ta vlerësojë edhe zbatimin e gjithë rekomandimeve të dhëna gjatë vitit aktual”, ka thënë kryetarja e Bordit të RTK-s.

Sipas saj, me kalimin e viteve, operimet e gjithë RTK-së kanë shënuar një përmirësim të dukshëm, “ku numri i rekomandimeve kanë shënuar një trend të rënies ndërsa përqindja e zbatimit është ngritur”.

Me projektligjin e ri, Bordi e shqyrton buxhetin e RTK-së, i cili është dokument publik dhe pas shqyrtimit në bord buxheti i nënshtrohet një auditimi të Zyrës Kombëtare të Auditorit. Bordi, po ashtu shqyrton dhe publikon më së largu deri me 31 mars të çdo viti raportin financiar vjetor të të hyrave dhe të shpenzimeve për vitin paraprak, të përgatitur nga menaxhmenti i RTK-së, i cili i nënshtrohet një auditimi të ZKA.

KPMM: Vazhdim i operimeve ilegale

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM është Agjenci e Pavarur e cila rregullon aktivitetet minerare në Kosovë në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet.

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB) përbëhet nga një auditor që është edhe Drejtor i kësaj njësie. NjAB për vitin 2017 kishte planifikuar dhe kryer pesë auditime të rregullta. Auditimet e kryera mbulojnë departamentin e përbashkët për miniera dhe minerale (fushëveprimi 2016/2017), departamentin e financave (fushëveprimi 2017) dhe departamentin e prokurimit (fushëveprimi viti 2017).

 

Po ashtu, NjAB kishte raportuar çdo tre muaj në Njësinë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave.

Komiteti i Auditimit kishte mbajtur katër takime. Çështjet e ngritura nga raportet e auditimit ishin vlerësuar dhe trajtuar prej tyre, duke nxjerr konkluzione dhe rekomandime për menaxhmentin.

Por raportet e auditimit të brendshëm nuk janë trajtuar nga menaxhmenti në nivelin e duhur, ngase një numër relativisht i vogël i rekomandimeve ishin zbatuar. Nga gjithsej 62 rekomandime analitike të dhëna në gjashtë raportet e auditimit, 47 prej tyre ose 75% nuk ishin zbatuar. Rekomandimet e pa zbatuara ndërlidhen me mos raportimet e bartësve të licencave, vazhdimi i operimeve ilegale dhe rritja e të arkëtueshmeve nga viti në vit.

Në KPM kanë  folur për më shumë zbatim të rekomandimeve, të cilat nuk janë përfshirë në Raportin e Auditorit Kombëtare. Sipas tyre, “Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komisionit të Pavarur Për Miniera dhe Minerale për Vitin e Përfunduar me 31.12.2017”, nuk ka të gjetura për Sistemin e Auditimit të Brendshëm në KPMM! Por, sipas sqarimeve të dhëna, është çështje e trajtuar në kuadër të Raportit, si kapitull i veçantë- Qeverisja e mirë (që nënkupton edhe Sistemin Auditimit të Brendshëm, si nën çështje e veçantë). Për të, është dhënë vetëm konstatim, në bazë të rezultateve nga analizat dhe vlerësimet e bëra sipas metodologjisë së punës, me q` rast nuk ka as rekomandim.

Sokol Boqolli është Drejtor i Njësisë se Auditimit të Brendshëm në KPMM. Sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve, ai thotë se gjendja është përmirësuar dukshëm nga momenti i publikimit të këtij raporti dhe se po vazhdon të përmirësohet.

“Menaxhmenti përmes zyrtarëve përgjegjës që ju kanë adresuar të gjeturat respektivisht rekomandimet, në bashkëpunim me NjAB-in kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme të parapara me dokumentet e aprovuara (Planin-et e Veprimit te Menaxhmentit)”, ka thënë Boqolli.

Sipas tij, Bordi i KPMM-së ka qenë i informuar në baza mujore dhe tremujore për gjendjen respektivisht nivelin e zbatimit të rekomandimeve, “ndërsa për të gjitha ngecjet ose pengesat eventuale që shfaqen gjatë procesit te implementimit në bashkëpunim me Drejtorin dhe personat përgjegjës ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për t’i zbatuar rekomandimet, gjithmonë në kudër të drejtave dhe përgjegjësive të tyre”.

Në raportet e Auditimit të Brendshëm janë dhënë 53 rekomandime. Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar, prej tyre, 30 ishin zbatuar, 15 ishin në proces të zbatimit, ndërsa 8 rekomandime nuk janë zbatuar.

Por në KPMM kanë thënë se gjendja momentale e rekomandimeve është 45 të zbatuara, 6 në proces, 2 nuk janë zbatuar.

Boqolli ka theksuar se, për dy rekomandimet e fundit që nuk janë zbatuar, njëri ka afat deri në fund të këtij viti, ndërsa tjetri është i ndikuar nga Ligji për Miniera dhe Minerale, i cili është në amendamentim dhe se shpejti pritet aprovimi i tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ai ka shtuar se, edhe për 6 rekomandime në proces kanë afat ose përgjegjësit për zbatim janë jashtë KPMM-së.

“Kryesisht këto janë edhe shkaqet ose arsyet kryesore për mosrealizim të tyre brenda afatit të përcaktuar”, ka thënë ai.

Gjetjet e vitit paraprak (për Pasqyrat Vjetore Financiare 2016), siç ka thënë Boqolli, kanë ndikuar pozitivisht në përmirësim të gjendjes për vitet në vijim, “e cila mund të vërtetohet në raportin e vitit që i referoheni ju (Viti 2017) e cila është trajtuar si çështje por jo si e gjetur”.

Analiza është publikuar edhe në gjuhën angleze, në Pristina Insight, të cilën mund të lexoni duke klikuar KËTU.

Flaws reported in internal audits of Kosovo institutions