DKA-të kundërshtojnë konkursin e MAShT për psikologë dhe pedagogë

Një konkurs i hapur nga MAShT për pranimin e psikologëve dhe pedagogëve ka nxitur pakënaqësi dhe akuza ndaj këtij institucioni për tejkalimi kompetencash.

Asnjë nga Drejtoritë e Arsimit e Komunave të Kosovës nuk e kanë mirërpritur konkursin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për angazhimin e disa psikologëve dhe pedagogëve.

MAShT e kishte shpallur konkursin më 25 qershor për angazhimin e 30 psikologëve dhe 20 pedagogëve për komunën e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjilanit e Gjakovës dhe është mbyllur dje.

Si bazë ligjore MAShT kishte marrë Udhëzimin Administrativ për Funksionimi i Këshillit pedagogjik- psikologjik në shkolla si dhe Ligjin e Punës, por DKA-të e kanë kundërshtuar këtë konkurs duke e quajtur si jo ligjore.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se këtë konkurs është dashur që ta bëjnë komunat.

“Nuk e di pse e ka shpallë MASHT dhe jo DKA. Si do të mund te përzgjedhin në Prishtinë dhe jo nëpër komunat përkatëse. Megjithatë psikologë nuk kemi neper shkolla dhe kemi nevoj për ta. Pedagogë kemi ne disa shkolla të mëdha: në 5  shkolla”, tha Beka.

Edhe drejtori i Arsimit në komunën e Pejës, Besim Avdimetaj ka thënë se shpallja e konkursit nga MAShT është ndërhyrje në kompetencat lokale.

“DKA thekson se Shpallja e Konkursit nga MASHT për Psikologë dhe Pedagogë të Shkollave në Komunën e Pejës është ndërhyrje në kompetencat lokale pasi që angazhimi i tyre do të jetë në Shkollat e Komunës së Pejës edhe shpallja e konkursit është dashur të bëhet nga DKA. Nga kjo rrjedh se DKA nuk është përgjegjëse për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve”, thotë Avdimetaj.

Ai shton se në shkollat e Komunës së Pejës janë të punësuar 2 Pedagogë dhe 4 Psikologë aktualisht.

I mendimit të njejtë është edhe homologu i tij nga Ferizaj, Afrim Llabjani, i cili shtoi se është e pa qartë se si MAShT do t’i punësojë ata.

“MAShT nuk ka bërë mirë që e ka shpallë në nivel të ministrisë është dashtë ne mi shpallë, komunat sepse ne e dijmë gjendjen më mirë dhe më saktë se ku duhet t’i dergojmë. MAShT nuk na ka dhënë asnjë infromatë se si do të funskisojnë ata, në kuadër të DKA-ve apo MAShT”, tha Llabjani për gJnK duke shtuar se aktualisht janë vetëm 8 psikologë në këtë komunë.

Drejtori i Arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj tha se është e paqartë edhe si do të paguhen psikologët dhe pedagogët.

“Si e kanë shpall ministria këtë konkurs nuk po pajtohem sepse ata nuk jemi në dijeni kush do t’i paguajë ata si dhe kush duhet t’i jap detyrat atyre. Nëse ata e shpallin konkursin kush ia nënshkruan kontratën pastaj, kujt i përgjigjen ata sepse për nevojë kemi shumë”, tha Frrkoaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa, Gani Germizaj drejtor i Arsimit në Prizren, tha se angazhimi i psikologëve dhe pedagoëve në këtë komunë sa është shpallur në konkurs është i vogël.

“Ky numër i psikologëve dhe pedagogëve nuk i plotëson as nevojat minimale të punës me 28 mijë nxënësve. Në 58 shkollat të komunës së Prizrenit, me këta nxënës së paku do të na nevojiten 18 pedagogë dhe 15 psikolog”, tha Germizaj.

Njësoj është shprehur edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Gagica.

“Ky numër i psikologëve dhe pedagogëve nuk është i mjaftueshëm dhe nuk mbulon nevojat e shkollave të Gjilanit.  Aktualisht tre psikologë janë të angazhuar në tri shkolla të mesme te larta dhe dy pedagogë janë të angazhuar në shkollat e mesme të ulta”, tha Gagica për gJnK.

Kundër këtij konkursi është shprehur edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka kërkuar anulimin e këtij konkursi dhe ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur, pasi sipas tyre është në kundërshtim me disa ligje.

“Konkursi është shpallur në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, sa i përket kompetencës së shpalljes, rekrutimit dhe çdo faze tjetër të punësimit të profileve të caktuara si më lartë. Kompetente për punësim është institucioni i cili zhvillon procedurën e konkurrimit, lidhë kontratë më të punësuarin, i cili është i obliguar që të përmbushë të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës të cilin i siguron punëdhënësi, ky i fundit njëherit ka dhe obligimet e përcaktuara me dispozita ligjore në fuqi”, thuhet në reagim.

MAShT: Konkursi është shpallur duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ

Ndërsa drejtori për Arsim Parauniversitar në MAShT, Alush Istogu ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se MAShT duke u bazuar në Ligjin e buxhetit për vitin 2019 ka planifikuar 50 vende te punës për shërbim profesional pedagogë-psikologjik.

“MASHT  ka shpallur konkursin  në bazë te UA nr.26/2013 “ Zgjedhja e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale ne institucionet edukative- arsimore para universitare “ dhe të UA nr,. 34/2014 “ Funksionalizimi i shërbimit ped-psikologjik në  shkolla”, tha ai.

Tutje Istogu tha se pas shqyrtimi të konkursit dhe të pranimit , së bashku me drejtorët e DKA do të caktohen për shkolla në bazë të kritereve dhe numrit të nxënësve.

“MAShT  e ka siguruar buxhetin për vitin 2019 për pagesën e këtij shërbimi profesione ped-psikologjik”, thotë Istogu duke shtuar se në shkollat e Kosovës ka nevojë edhe për 135 psikologë dhe pedagogë.

Pupovci: Konkursi duhej të hapej nga komunat

Kurse, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci tha se është e pazakontë që konkursi është hapur nga MAShT e jo nga komunat.

“Komuna kanë përgjegjësinë ligjore për punësimin e personelit të shkollave.  Puna e psikologëve dhe e pedagogëve bëhet në nivel të shkollës, prandaj ata duhet t’i përgjigjen drejtorëve të shkollave dhe drejtorive komunale të arsimit, e jo dikujt tjetër”, tha Pupovci për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se hapja e 50 pozitave të reja për pedagogë dhe psikologë është i pamjaftueshëm dhe duhet vazhduar me punësime të tyre.

“Sipas të dhënave jo të plota, në shkollat e Kosovës aktualisht ka më pak se 100 pedagogë dhe psikologë të punësuar, ndërkaq, parashihet që për çdo 1,000 nxënës të jetë një psikolog ose pedagog, pra në total do të duhej të ishin të paktën 350 të punësuar”, shtoi Pupovci.

Në anën tjetër, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i nxënësve që janë në arsimin parauniversitar është 354 mijë e 454 dhe sipas udhëzimit administrativ për funksionimin e shërbimit pedagogjik-psikologjik angazhimi i tyre duhet të bëhet një në 1 mijë nxnës.

Grafika: Agjencioni i Statisitikave të Kosovës