Divorci i Qeverisë nga asfalti

Kosova këto 10 vjet kishte rritje ekonomike vjetore mesatarisht rreth 4%. Kjo rritje e gjeneruar nga konsumi (i përkrahur nga remitencat) dhe investimet publike (kryesisht në asfalt) nuk është përkthyer edhe në krijim të vendeve të reja të punës, të mjaftueshme për të akomoduar numrin e punëkërkueseve të rinj që çdo vit hynë në tregun e punës.

Nëse i referohemi të dhënave të Agjencisë së Statistikave (nëse mund t’u besohet), papunësia gjatë këtyre viteve ishte rreth 30 për qind, ndërkohë që numri i të punësuarve nuk është rritur. Këto dy shifra janë shumë shqetësuese, por ka edhe me keq. Numri i madh i qytetarëve në moshë pune (rreth 700 mijë) që nuk konsiderohen të papunë përkundër që nuk kanë një vend pune është më shqetësuesi. Në kuadër të këtij numri janë rreth 160 mijë që nuk konsiderohen të papunë, vetëm për faktin që nuk konkurrojnë nëpër konkurse për shkak se janë dekurajuar dhe nuk kanë shpresë se mund të punësohen.

Një tjetër numër që secila qeveri duhet ta ketë parasysh para se t’i caktojë prioritetet është fakti se janë rreth 100 mijë të rinj (15-24 vjeç) që nuk janë në studime apo shkolla, nuk kanë asnjë angazhim dhe nuk janë të punësuar. Këta të rinj, përveç që janë potencial për të emigruar, përbëjnë edhe një rrezik potencial për rritje të kriminaliteti.

Këto shifra duhet të ndërrohen. Duhet të ndërrohen në atë mënyrë që numri i personave të punësuar të rritet ndjeshëm, të bie papunësia dhe të ulet numri i personave që konsiderohen jo-aktivë. Këto të dhëna ndërrohen vetëm duke u forcuar sektori privat, duke u rritur investimet e huaja direkte në Kosovë, duke u rritur prodhimi, duke ulur deficitin tregtar si dhe duke investuar në arsim në atë mënyrë që të prodhojmë kuadro që i duhen tregut të punës.

Biznesi privat forcohet atëherë kur ka konkurrencë të drejtë në mes tyre, e jo favorizime shtetërore për një biznes duke krijuar monopole dhe garantim të tregut. Biznesi privat forcohet atëherë kur kemi luftim të informalitetit dhe korrupsionit në atë mënyrë që inspektori të jetë për të gjitha bizneset njëjtë, e jo për dikë nënë e për tjetrin njerkë.

Këto shifra të papunësisë, si treguesi i fundit i zhvillimit apo ngecjes ekonomike, nuk ndryshojnë për të mirë nëse qeveritë vazhdojnë të zhvatin paranë publike duke emëruar nga 80 zv.ministra, duke i parë ndërmarrjet publike si mundësi për punësim në këmbim të votës dhe duke vazhduar investimet në asfalt, ndërkohë që sektorët tjerë mbesin mbrapa.

Janë disa hapa që duhet të ndërmarrë qeveria e Kosovës. Fillimisht duhet të sanohen problemet e më vonë të vendosen vizione të reja. Nëse e përkthejmë në gjuhën shëndetësore i bie që fillimisht duhet të bëhet një operim për largimin e së keqes, e pastaj të presim kurimin e plagës dhe forcimin e  imunitetit të pacientit.

Asfalti

Që nga shpallja e pavarësisë, kur pushteti është bartur nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, qeveritë kishin një prioritet: investimet në asfalt. Duke u bazuar në shpenzimet që kanë bërë institucionet e Kosovës në ndërtim të autostradave, rrugëve magjistrale e atyre lokale dhe shpronësime për nevoja të ndërtimit të rrugëve, del që janë shpenzuar mbi 2,5 miliardë euro.

Ky investim nuk ishte tërësisht i panevojshëm, meqë gjendja e rrugëve ishte shumë e keqe dhe kishte nevojë për një ndërhyrje emergjente. Por, investimi në asfalt është tepruar. Teprimi ka ndodhur kur në vitin 2014, ministri në detyrë i infrastrukturës me aminin e kryeministrit të atëhershëm, gjithashtu në detyrë, Hashim Thaçi vendosi nënshkrimin mbi një kontratë 600 milionë euro me konsorciumin Bechtel & Enka.

Ndërtimi i kësaj autoudhe nuk ishte prioritet për atë kohë, meqë gjendja në energjetikë e shëndetësi ishte shumë e keqe. Në këta dy sektorë, Kosova po humbte shumë para përmes importit të rrymës apo shërbimet shëndetësore jashtë vendit.

Investimi në shëndetësi e energjetikë do të kishte kthim shumë më të madh (vlera për paranë) krahasuar me investimet e bëra në autostradë.

Ky elaborim është i nevojshëm që gabimi të mos përsëritet. Aktualisht kemi një koalicion që është zotuar për të ndërtuar një autostradë të re në Dukagjin, komplet të panevojshme, që pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro. Në anën tjetër e kemi një parti politike që nuk po e thotë troç që kjo autostradë është e panevojshme.

Pra, për infrastrukturë një qeveri e re vetëm duhet ta ndalë pak dorën dhe t’i ulë ndjeshëm investimet në asfalt. Kjo do të thotë që qeveria e Kosovës duhet të investojë në mirëmbajtjen e rrugëve aktuale që ato të mos dëmtohen edhe më shumë, ashtu siç rekomandonte një raport i Bankës Botërore disa vite më herët.

Në këtë mes duhet të shqyrtohet seriozisht edhe mundësia e vendosjes së pagesave për autostrada, sepse është komplet e padrejtë që me para të qytetarëve të Kosovës të riparohen rrugët që dëmtohen nga kamionët transportues të Serbisë e shteteve tjera që kalojnë përmes Kosovës si transit.

Energjia

Projekti “Kosova e Re” do të jetë sfida e parë e secilës qeveri. I njëjti ka nevojë për 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të lëshohet garancioni shtetëror për sigurim të kredive për financim të ndërtimit të termocentralit. Disa prej ndikimeve negative të këtij projekti për nga aspekti financiar dhe tregu energjetik janë publikuar në Gazetën Jeta në Kosovë.

Që nga viti 2010, Konsorciumi Kosovar për Shoqëri Civile ka publikuar me dhjetëra raporte që tregojnë për dëmtimin e mjedisit, shëndetit, ujit e bujqësisë nga ky projekt. Edhe nëse i injorojmë ndikimet ambientale, projekti në mënyrën se si është hartuar kontrata dhe termet financiare të saj, nuk duhet të vazhdohet.

Për më tepër KOSID, me Universitetin e Berkllit në Kaliforni ka ofruar plan se si mund të zhvillohet potenciali për energji alternative në Kosovë.

Sipas këtij studimi, të cilin duket më vonë ta ketë përvetësuar Banka Botërore, opsionet janë të ndryshme dhe të shumta. Madje, me zhvillimet teknologjike në fushën e prodhimit të energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme është ulur kostoja aq shumë sa është e lehtë që fare të mos ndërtohet një termocentral i ri, por të shkohet në investime në energji të pastër.

Ky është edhe përfundimi i studimit të bërë nga Banka Botërore, që e shtyri atë të tërhiqet nga përkrahja e ndërtimit të këtij termocentrali në tetor të vitit të kaluar.

Pra Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë opsione, termocentrali i qymyrit s’është e vetmja zgjidhje. Ndalja e tij nënkupton që shteti duhet të paguajë 19 milionë euro, që janë minimale krahasuar me ndikimet negative të saj koston që do të paguajmë për këtë projekt në 20 vitet e ardhshme nëse realizohet.

Foto: Vrojtuesit e Lagjes/Facebook

Energjetika nuk nis dhe përfundon me termocentralin “Kosova e Re”. Janë edhe tri probleme/prioritete në këtë sektor, kryesisht tek pjesa e qymyrit. 1. Termocentrali “Kosova A” duhet të mbyllet sa më shpejt që është e mundur. 2. Modernizimi i TC “Kosova B” duhet të realizohet dhe procedurat duhet të fillojnë sa më shpejt që është e mundur. Të dy këto opsione, pothuajse janë të pashmangshme.

Nëse një qeveri vendos që të rindërtojë “Kosovën A”, kemi të bëjmë me një vendim mbrapa të cilit janë shumë rreziqe dhe të panjohura që mund të na kushtojnë miliona euro e dëmtim edhe më të madh të ambientit dhe shëndetit.

Secila qeveri që vjen duhet ta ketë prioritet që t’i lehtësojë sa më shumë investimet në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Deri më tash, kanë dalë shumë skandale në këtë sektor, sepse kemi një mungesë totale të koordinimit në mes të ZRRE-së dhe Ministrisë së Mjedisit, sidomos me projektet e hidrocentraleve të vogla.

Ka biznese që i kanë bërë investimet, por ende nuk kanë leje për operim. Kjo më nuk duhet të ndodh. Duhet që për secilin projekt të ketë transparencë e studime reale mjedisore e sociale, si dhe duhet të merret miratimi edhe i banorëve në mënyrë që projektet që kalojnë dhe marrin miratimet preliminare të jetësohen dhe të lëshohen në prodhim.

Çkapja e ndërmarrjeve publike

Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndër vendimet e para që duhet të marrë është shkarkimi i të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike që janë emëruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ky shkarkim duhet të ndodhë edhe nëse pjesë e qeverisë janë partitë që i kanë emëruar bordet apo kanë anëtarë të tyre në borde.

Qeveria e Kosovës i ka emëruar disa borde të NP-ve, bazuar në një konkurs të hapur për bordet e 14 ndërmarrjeve publike. Procedurat e rekrutimit për këto borde kanë qenë jo-transparente. BIRN-i nuk ishte lejuar që t’i monitorojë procedurat e rekrutimit, ndërsa partneri i Ambasadës Britanike nuk ka qenë fare prezent.

Njëjtë duhet të shkarkohen edhe të gjithë zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike (menaxhmenti) që kanë lidhje direkte me partitë politike, pasi janë duke i mbajtur pozitat në mënyrë të kundërligjshme. Çkapja e ndërmarrjeve publike nuk përfundon vetëm me shkarkimet e atyre që janë duke i mbajtur pozitat kundërligjshëm, pasi edhe ata që formalisht nuk janë në kundërshtim me ligjin nuk kanë bërë punë të mirë.

Është e nevojshme që të matet performanca e secilit bord dhe secilit menaxhment të ndërmarrjeve publike. Në matjen e performancës ndihmojnë raportet e Auditorit që janë publikuar, e që në disa ndërmarrje janë me gjetje skandaloze (të mjaftueshme për shkarkim). Ligji i Ndërmarrjeve Publike i jep kompetencë që t’i shkarkojë zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve, ndërsa qeveria ka të drejtë t’i shkarkojë bordet e ndërmarrjeve që nuk kanë performancë të mirë.

Do të ishte gabim që në emër të çkapjes, bordet të mbushen prapë më anëtarë të partive politike duke mos pasur një proces të drejt të rekrutimit. Procesi i rekrutimit për bordeve të reja të ndërmarrjeve publike apo agjencive të pavarura duhet të jetë transparent dhe i hapur.

Duhet të hiqen kufizimet dhe kërkesat e larta që janë nëpër disa konkurse për përvojë të punës në atë mënyrë që u mundësohet edhe njerëzve më të rinj të jenë pjesë e bordeve. Do të ishte ideale që intervistat me kandidatët për borde të xhirohen dhe të ruhen si prova dhe dëshmi nëse vërtet i njëjti e ka merituar të jetë pjesë e një bordi.

Një universitet në Finlandë përveç që i xhiron intervistat me kandidatët që i pranon, ata edhe i publikojnë ato intervista për të qenë transparent për performancën e kandidatëve që pranohen. E di që publikimi është kërkesë shumë e lartë dhe vështirë e arritshme për shoqërinë tonë, por të paktën do të vinte në shprehje turpi/marrja.

Zgjedhja e bordeve në bazë të meritës dhe jo njerëz politikë nënkupton se do të kemi edhe zgjedhje të njerëzve kompetentë në krye të menaxhmentit të Ndërmarrjeve Publike. Përveç kësaj, duhet të ndërrohet edhe mënyra se si kontrollohen ndërmarrjet publike nga qeveria/aksionari. Aktualisht bordet rekrutohen nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa mbikëqyren nga 2 persona që janë në një zyre të MZHE-së. Kjo duhet të ndërrojë, zgjedhja dhe monitorimi i bordeve duhet të jetë pjesë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ndërmarrjet kanë nevojë që të fillojnë e performojnë mirë, në mënyrë që t’u mundësohet të investojnë në modernizim të aseteve dhe përmirësim të shërbimeve. Në ndërmarrjet ku ka potencial duhet të largohen subvencionet/ndihmat shtetërore. Që një gjë e tillë të arrihet është e kuptueshme që ndërmarrjeve u duhet ‘ndihma’ nga institucionet e tjera, siç janë gjykatat për trajtim më të shpejtë të lëndëve të tyre.

Deri më tash, vizioni i qeverisë ka qenë që pjesën dërmuese të investimeve nga buxheti, por edhe atyre përmes borxheve, t’i çojë në asfalt. Kjo duhet të ndryshohet. E një ndryshim i pritshëm është që shteti të jetë garantues i kredive që mundësojnë modernizimin e kompanive publike, qofshin ato qendrore, rajonale apo lokale.

Investimet e Huaja dhe Diaspora

Kontributi i Diasporës në Kosovë është jashtëzakonisht i madh, qoftë përmes remitancave, dërgesat e gjësendeve, shpenzimet që bëjnë në Kosovë apo edhe investimet që i bëjnë në Kosovë e që konsiderohen si investime të huaja. Këto mjete që hyjnë në Kosovë në masë të madh shkojnë për konsum, e konsumi është gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike. Pra, kjo rritje ekonomike në masë të madh i faturohet diasporës, në mënyrë indirekte.

Por, a është kjo mënyrë më e mirë e kontributit të tyre në Kosovë? Jo. Sepse, ky konsum kryesisht shkon në prodhime të importuara, rrjedhimisht ato para prapë dalin jashtë Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë mundësi për diasporën, që ata të kenë mundësi t’i investojnë paratë e tyre në Kosovë.

Përmes tregut të kapitalit mund dhe duhet t’i mundësohet diasporës që të investojnë në projekte të mëdha. Kjo është veç një mundësi. Tjetra është ofrimi i lehtësirave për bashkatdhetarët që dëshirojnë dhe kanë kapacitet financiar për të investuar në ide të reja të biznesit në Kosovë.

Këto lehtësira mund të bëhen edhe përmes një trajtimi të mirë të tyre, sidomos atyre që veç kanë projekte dhe detyrohet të sorollaten nëpër dyer të institucioneve.

Diaspora nuk ka nevojë me të pritet me koncerte nëpër sheshe. Ata kanë nevojë që kurdo që kanë nevojë për leje/licenca apo çfarëdo nga institucionet publike t’u ofrohet shërbimi pa kushte dhe pa hezitim (lexo: pa u kërkuar aksione apo mito).

Diaspora është një aset që nuk është shfrytëzuar sa duhet nga Kosova për tërheqjen e investimeve të huaja. Përveç mundësi për investime direkt nga bashkatdhetarët, ata mund të jenë urë lidhëse me investitorë të tjerë. Pa investime të huaja direkte, Kosova nuk do të ketë rritje të theksuar të prodhimtarisë, rrjedhimisht nuk do të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike e krijim të vendeve të reja të punës.

Derisa vendet fqinje, sidomos Serbia e Maqedonia e Veriut, kanë arritur të tërheqin investime nga kompani serioze që kanë hapur mijëra vende pune, në Kosovë kemi një ngërç.

Asnjë investim i huaj e serioz nuk ka ndodhur në Kosovë prej vitesh. Ky është alarm që investitori nuk ka besim në institucionet e Kosovës, duke përfshirë gjyqësorin dhe komunat. Mungesa e besimit lidhet direkt edhe më shumë përvoja jo të mira që kanë pas ata pak investitorë që kanë ardhur në Kosovë.

Që kjo të ndodhë, një qeveri e re duhet të vendosë si top-prioritet tërheqjen e investimeve të huaja. Direkt kryeministri duhet të jetë përgjegjës për trajtimin e investitorëve potencialë. Kur them përgjegjës nuk nënkuptojë t’i shqyrtojë dokumentet, por duhet të jetë i informuar për të gjitha kërkesat dhe projektet e mundshme.

Që kjo të ndodhë, KIESA (institucioni që merret me investime të huaja) që aktualisht operon në kuadër të MTI-së duhet të bartet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe të vendoset në zyre afër Zyrës së Kryeministrit. Vetëm në këtë mënyrë, ne do të tregojmë që investitorët trajtohen me dinjitet dhe nuk ju vendosen pengesa e kushte (lexo: nuk i kërkohet mito apo hise).

Shmangia tatimore

Shkalla e lartë e informalitetit në Kosovës përveç dëmit direkt në buxhetin e shtetit ka edhe një dëm tjetër anësor që nuk është hiq më pak i rëndësishëm: prishjen e konkurrencës mes bizneseve. Është e qartë që bizneset që tolerohen nga ATK-ja për shmangie të tatimit janë dukshëm më konkurrente në treg krahasuar me bizneset e të njëjtit sektor që janë nën llupën e ATK-së. Ky trajtim do të thotë që njëri biznes ka fitime shumë më të mëdha dhe rrjedhimisht më shumë para në dispozicion për zgjerim të biznesit.

Shmangia e tatimeve nuk është diçka që mund të kurohet shpejt dhe nuk kurohet pa dhembje. Jemi dëshmitarë që çdo herë kur ATK-ja ka bërë kontrolle më të rrepta ndaj bizneseve, kemi pasur ankesa nga këto të fundit. Por, në një situatë ideale kur ATK-ja nuk bën dallime në mes të bizneseve, vendosja e kontrolleve të rrepta është e vetmja mundësi për vetëdijesim të tyre. Ligjet dhe normat e vendosura tatimore duhet të paguhen.

Një qeveri që nuk mendon për vota është parakushti i parë që të vendoset rregull te bizneset: që ato të trajtohen njëjtë dhe rrjedhimisht të ketë konkurrencë të drejtë e jo siç është tash.

Që të kemi konkurrencës të drejtë në mes të bizneseve duhet të ketë një ligj të mirëfilltë për tregtinë e brendshme. Aktualisht secili prodhues i vetëm e ka një hall: qysh ta plasojë produktin në treg dhe të mos i kërkohet ‘haraç’.

Haraçi aktualisht është ligjor dhe mblidhet e kërkohet nga rrjetet e mëdha të marketeve. Zbritje në çmim, rabat, e zbritje në kohë të festave, mos-pagesë të faturave deri në dy muaj janë vetëm disa prej kërkesave që kanë prodhuesit nga marketet e mëdha.

“Veç me punu për markete”, ishte njëri nga konstatimet që ka bërë një prodhues në një bisedë private.

Madje, tregtarët u mbesin borxh deri në dy fatura prodhuesve: pra e marrin mallin e shesin, e bëjnë porosinë e dytë; vjen porosia… e tek atëherë e paguajnë faturën e parë. Pra, tregtarët që sot i shohim që janë fuqizuar shumë thjesht punojnë më mall e para të bizneseve prej nga furnizohen. Fatkeqësisht këta tregtarë kanë krejt tjetër sjellje më prodhuesit nga vendet fqinje, sidomos Serbia.

Histori të ndryshme kam dëgjuar, por më e trishta është që fabrikave në Serbia fillimisht i paguhet malli në avanc e pastaj nis prodhimi i tyre.

Përmes një ligji për tregtinë e brendshme, që draftohet duke u dëgjuar zëri i prodhuesve e jo tregtarëve që janë aktualisht të shpërndarë nëpër parti, duhet të rregullohet edhe çështja e plasimit të produkteve nëpër markete.

Prodhuesit duhet të favorizohen nga tregtarët, e tregtarët që e bëjnë një gjë të tillë duhet të kenë lehtësira nga shteti. Pra, duhet të krijohet një situatë ‘win-win’, ku tregtarët kanë beneficione nëse shesin më shumë produkte të Kosovës.

Sëmundja dhe kura për tenderomaninë

Diskriminimi i prodhuesve vendorë, fatkeqësisht, ka ndodhur edhe nga vet institucionet shtetërore. Mjafton të përmendet tenderi për blerje të plazmave, në kohën kur kemi një produkt të ngjashëm e shumë cilësor nga fabrika vendosre ‘Liri’.

Por, sëmundja në prokurim është shumë më e madhe se sa tenderi i plazmave dhe po duket që është vështirë e kurueshme, marrë parasysh investimet që janë bërë deri më tani nga donatorët në këtë aspekt.

Tenderomania është përmendur kaq shpesh si fjalë që nga shpallja e pavarësisë. Si rruga e vetme për shpenzimin e parasë publike nga institucionet e Kosovës, tenderët janë përdorë për zhvatje të parasë publike.

Përmes prokurimit apo tenderëve, në vitin 2018 janë nënshkruar mbi 12 mijë kontrata në vlerë prej rreth 631 milionë euro. Këto të dhëna janë për gjitha institucionet qendrore e lokale, si dhe ndërmarrjet publike.

Manipulimet me tenderë kanë evoluar, duke u sofistikuar edhe më shumë për të gjetur porta për shmangie, shkelje apo bishtnim të ligjeve me qëllim të përfitimeve.

Shumë shkelje janë shmangur me avancimet që janë bërë në fushën e prokurimit, qoftë përmes ndryshimeve ligjore, heqjen e ofertimit me letra dhe funksionalizimin e prokurimit elektronik apo rritje së transparencës.

Një nga shkeljet e shpeshta që ka qenë në të kaluarën, kontratat një-burimore, është eliminuar duke e hequr kufizimin ligjor. Në të kaluarën, Ligji i Prokurimit ka kërkuar që një tender mund të procedohet vetëm nëse janë tri oferta të përgjegjshme. K

jo ishte ulur në dy oferta të përgjegjshme pas disa viteve. Por, një ndryshim i fundit ligjor në vitin 2016, pa asnjë debat për këtë pikë, është fshirë komplet neni që e kërkonte dy oferta të përgjegjshme që tenderët të konsiderohen të ligjshëm.

Tash mjafton një ofertë e përgjegjshme për të nënshkruar një kontratë.

Çka solli ky ndryshim?

Institucione të caktuara tashmë ka raste kur i eliminojnë deri në 10 oferta si të papërgjegjshme, ndërsa e shpërblejnë ofertën e vetme që mbetet e përgjegjshme. Kjo është përsëritur në disa tenderë në ndërtim të rrugëve dhe në shëndetësi.

Hapi i parë që duhet të bëhet është rikthimi i kufizimit ligjor që ‘tenderët mund të procedohen vetëm nëse janë dy oferta të përgjegjshme’. Normalisht duhet të ofrohen mundësi ligjore që të procedohet një tender nëse kanë më pak se dy oferta të përgjegjshme, por duke kërkuar një lejim formal nga KRPP së bashku me një arsyetim.

Funksionimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është kthyer në pikë të zezë për prokurimin. Që nga funksionalizmi, OSHP-ja më shumë ka funksionuar me 3 anëtarë në bord se sa me 5, qysh e parasheh Ligji i Prokurimit. Përkundër që llogaritet që bordi është funksional dhe mund të marrë vendime edhe me tre anëtarë, një gjë e tillë përbën shkelje të një neni mjaftë domethënës.

Ligji i Prokurimit kërkon që paneli shqyrtues (që përbehet nga anëtarët e bordit të OSHP-së) të jetë në përbërje të plotë apo pesë anëtarësh kur vendosë për tenderë të vlerës së madhe. Tenderë të vlerës së madhe llogariten që janë ata që kanë vlerën mbi 250 mijë euro.

OSHP-ja ketë nen e ka shkelur shumë herë, pasi tenderë shumë të rëndësishëm janë shqyrtuar nga vetëm 3 anëtarë të panelit shqyrtues. Arsyetimi pse është vendosur që në bord të jenë 5 panelistë dhe jo 3, është argumenti pse duhet sigurohet qeveria që asnjëherë OSHP-ja të mos mbetet me vetëm 3 anëtarë, minimumin e kërkuar për të qenë funksional.

Opsioni i parë është ndryshimi i Ligjit të Prokurimit Publik, në pjesën ku flet për OSHP-në duke e rritur numrin e anëtarëve të bordit. Mund të jenë 7, por ideale do të ishte që bordi i OSHP-së të kishte 10 anëtarë të bordit.

Ky propozim e ka një anë negative, rritja e shpenzimit për pagat dhe shpenzimet përcjellëse për 10 anëtarë të bordit. Por, fakti që në të kaluarën kemi paguar 80 zv.ministra e shumë koordinatorë e bën tërësisht jo relevante një dilemë të tillë. Kundër-argumenti i rritjes së shpenzimeve është që shpagimi (kthimi i këtyre pagave) do të ishte shumëfish më i madh përmes vendimeve të OSHP-së për mbrojtje të parasë publike apo shtytjen e projekteve të mira.

Duke i pasur 10 anëtarë të bordit, panelet e OSHP-së asnjëherë nuk do të mbetet me vetëm 3 anëtarë. Edhe sikur ndonjë anëtarë të dorëhiqej, të marrë pushim mjekësor apo vjetor, prapë panelet e OSHP-së do të kenë numër të mjaftueshëm të anëtarëve- pesë anëtarë aq sa kërkohen me ligj.

Duke i pasur 10 anëtarë, është e nevojshme të vendoset një metodologji për caktimin e paneleve për të shqyrtuar një ankesë. OSHP-ja duhet të përdorë një rotacion, qoftë edhe përmes shortit, për caktimin e paneleve shqyrtuese, duke pamundësuar që anëtarët të zgjedhin se në cilin tender dëshirojnë të jenë vendimmarrës. Kjo do të mund të ulte ndikimin në anëtarët e bordit.

Kur jemi te prokurimi, Qeveria duhet të bëjë reforma edhe në Komisionin Rregullativ të Prokurimit. Duhet të shtohet numri i stafit dhe profesionalizimi i tyre kur të lëshojnë interpretime ligjore. Të gjitha interpretimet duhet të bëhen publike për të shmangur interpretime të ndryshme për dilema të njëjta ligjore.

Duhet të shtohet numri i monitorimeve direkte që bën KRPP-ja për zbatimin e kontratave. Kontratat mbi 1 milionë duhet të monitorohen nga KRPP-ja.

Shënim: Artikulli është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës që presim t’i shohim në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi ynë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në teren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t’u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.