Protesta kundër dhunimit të 11-vjeçares, Foto: KALLXO.com

Diskutimet për ligjshmërinë e publikimit të listës për të dënuarit për dhunime seksuale

Kosova planifikon një reformë e cila synon të ulë kriminalitetin por që do i ekspozoj të dënuarit për krime para publikut.

Të shtyrë nga rritja e numrit të rasteve të krimeve seksuale zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë kanë paralajmëruar disa masa të cilat do u ndalojnë disa kryerësve të veprave penale ushtrimin funksioneve por edhe do e ekspozojnë identitetin e tyre në lista publike.

Me dhjetëra njerëz u mblodhën në Prishtinë, Tiranë e Shkup, për të kërkuar drejtësi dhe mbrojtje e siguri nga institucionet publike kundrejt grave e vajzave, viktima të dhunimit, sulmeve seksuale e dhunës në familje.

Të prekur nga rasti i dhunimit të 11 vjeçarës, me dhjetëra protestues me këmbëngulje kërkuan nga institucionet që të bëjnë publike emrat e personave të dënuar për vepra penale të krimeve seksuale.

Të nxitur nga ngjarjet e fundit, në një nga mbledhjet e muajit tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi dhe miratoi në parim nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se me këto ndryshime që priten të bëhen në Kodin Penal, lista e personave të dënuar për dhunë në familje, sulm seksual e dhunim, do të jetë publike.

“Gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit për personin që shpallet fajtorë për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje si dhe KGJK e mban regjistrin, ndaj do të jetë publik me emër dhe mbiemër për personat që shpallen fajtorë për vepra penale” – tha ajo.

Më nenin 6, të këtij Projektligji është paraparë që me rastin e shpalljes fajtor për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, Gjykata menjëherë të bëjë publike aktgjykimin dhe po ashtu Këshilli Gjyqësor i Kosovës të krijoj një regjistër të personave të cilët janë dënuar me vendim të plotfuqishëm për këto vepra, regjistër ky i cili do të jetë i qasshëm për publikun.

“Gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit për personin që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual si dhe dhunës në familje.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbanë dhe publikon regjistrin e personave nga paragrafi 6 i këtij neni, i cili është i qasshëm për publikun, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet në nenin 6, të këtij projektligji.

Po ashtu, me këtë projektligj është paraparë që për këto vepra penale, zbutja e dënimeve si dhe kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Përmes projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal është paraparë që krahas dënimit kryesor, kryesve të këtyre veprave tu shqiptohen edhe dënime plotësuese si: ndalimin e të drejtës në pozitë publike nga 3 deri në 10 vite, ndalimin e punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet personit që shpallet fajtorë për dhunim, ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentfshoferit në çdo lloj të kategorisë nga 1 deri në 5 vjet si dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3 deri në 10 vite.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji do të kaloj në Komision Parlamentar e pastaj në Kuvendin e Kosovës, e meqë kjo nismë ka nxitur shumë reagime në opinion tek qytetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut si dhe njohësve të çështjes, duke pas parasysh se tanimë në botë ekzistojnë shtete të cilat posedojnë një regjistër të tillë, KALLXO ka kërkuar mendimin e njohësve të çështjes se ligjërisht a është e mundur të krijohet një data bazë e tillë.

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com ka paraqitur një krahasim te shkurtër në disa shtete, lidhur me krijimin e një regjistri të tillë.

Sipas këtij Institucioni, shtetet kanë të drejtë që me ndërmarrjen e masave të ndryshme parandaluese t’i mbrojnë kategoritë e cenueshme në vend.

“Abuzimi seksual është padyshim një lloj i neveritshëm i keq bërjes, me rraskapitëse për viktimat e abuzimit seksual. Fëmijët dhe individët e tjerë të cenueshëm kanë të drejtën e mbrojtjes së shtetit, në formën e parandalimit efektiv, nga lloje të tilla të rënda të ndërhyrjeve në aspekte thelbësore të jetës së tyre private”, thuhet në përgjigjen e IAK-së.

Mirëpo, sipas Avokatit të Popullit shtetet duhet që të përdorin mjete të përllogaritura mirë gjatë ndërmarrjes së masave për të siguruar mirëqenien e kryesve por edhe mbrojtjen e viktimave eventuale.

“Ka mënyra të ndryshme për të siguruar respektimin e jetës private dhe natyra e detyrimit të shtetit do të varet nga aspekti i veçantë i jetës private që është në diskutim. Nga kjo rrjedh se zgjedhja e mjeteve të përllogaritura për të siguruar përputhjen me këtë detyrim pozitiv në parim bie brenda kufirit të hapësirës së vlerësimit të Shteteve Kontraktuese”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga IAK.

E sa i përket ligjshmërisë së këtij vendimi dhe se sa është në harmoni me të drejtën kushtetuese të vendit tonë, prof. Kadri Kryeziu ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, njëherësh Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit, publikimin e një liste të tillë e ka konsideruar antikushtetuese.

Sipas Prof. Kadri Kryeziu, një vendim i tillë bije ndesh me parimin e publicitetit dhe sipas tij Kodi i Procedurës Penale njeh vetëm dënimet plotësuese, prandaj shqiptimi i këtyre masave alternative, sipas Profesorit është antikushtetues.

“E konsideroj që kjo normë bije ndesh me parimin e publicitetit që nënkupton se gjykimet janë publike dhe me rastin e shqiptimit të dënimit publikohet emri i të akuzuarit. Bërja publike e emrit dhe mbiemrit duhet bazuar në ligj i cili si i tillë nuk mundet të jetë në dis harmoni me kushtetutën. Ligji i procedurës penale njeh vetëm dënime plotësuese për personat e dënuar. Si përfundim e konsideroi antikushtetues këtë masë alternative”, ka deklaruar Prof. Kadri Kryeziu.

Ndërsa sociologu Genc Xërxa, vendimin për publikimin e emrave të personave të shpallur fajtor për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual e dhunës në familje e ka konsideruar si vendim të pa matur mirë.

Sociologu Xërxa, ka trajtuar çështjen e sigurisë së personave të cilët u publikohet emri dhe sipas sociologut një vendim i tillë do të mund të rrezikonte sigurinë jetësore të këtyre personave.

Përpos sigurisë, sociologu ka përmendur edhe të drejtën e privatësisë së këtyre personave, për çka tha se institucionet përgjegjëse duhet ta kenë parasysh.

“Duhet me takt dhe kujdes ndaj publikimit të identiteteve…Mendoj se nuk do ishte dashur të bëhet publikimi i tyre, duke ruajtur të drejtën e privatësisë së tyre dhe mos futjen e jetës së tyre në rrezik nga sulmet potenciale apo linçuese. Institucionet relevante gjyqësisë, sigurisë, mirëqenies sociale, qendrave korrektuese etj., do duhej t’i kenë parasysh këto gjera”, ka thënë Xërxa.

Publikimi i një liste të tillë, sipas sociologut do të ndikonte negativisht në ri socializmin dhe ri integrimin e personave të dënuar, pasi që sipas Xërxës fare lehtë mund të arrihej në situatën kur këta persona do të linçoheshin tërësisht nga shoqëria.

“…Nuk ish dashtë të publikohen se mund të stigmatizohen, linçohen edhe pas dënimit të vuajtur që u bënë vështirësi në integrimin social. Nga gjitha aspektet nuk është e mirëseardhur. Kur i shtohet edhe siguria e tyre, ndokush kur e di identitetin e tij/saj apo të tyre mund ta marrë ligjin në duar të veta e t’i sulmojë, si rezultat i këtij vendimi të pamatur që të publikon emrat e tyre”, ka deklaruar sociologu Xërxa.

Lidhur me mbajtjen e regjistrave për personat e dënuar për dhunim, sulm seksual e dhunë në familje si dhe ndikimin që kjo mund të ketë në të drejtën e privatësisë, Institucioni i Avokati i Popullit i ka identifikuar për KALLXO.com disa raste në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

E meqë disa prej shteteve më të mëdha në botë, e kanë të rregulluar këtë çështje, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar më poshtë gjeni disa shembuj të trajtimit të këtyre rasteve nga GjEDNj-ja.

  • Rasti Stubbings dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, Rasti Adamson kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe rastet Bouchacourt kundër Francës, Gardel kundër Francës, M.B. kundër Francës.

Nga rastet e sipërpërmendura mësohet se në Mbretërinë e Bashkuar qysh në më 1 shtator 1997 ka hyrë në fuqi Ligji për dhunën seksuale (Sex Offenders Act), ndërsa në Francë është krijuar një bazë të dhënash gjyqësore të personave që janë dënuar për dhunë seksuale më 30 qershor 2005.

Sipas këtyre akteve, të dënuarit për dhunë seksuale obligohen që pas mbajtjes së dënimit të regjistrohen në Polici.

Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar personat e dënuar për vepra penale të krimeve seksuale janë të detyruar që të regjistrohen në polici për një periudhë të pacaktuar kohore, ndërsa në Francë për periudhën prej 20 deri në 30 vite, varësisht nga serioziteti i veprës penale.

Lidhur me këto politika ndëshkuese apo parandaluese të shteteve në fjalë, të dënuarit në këto raste, kanë ngritur në GjEDNj shqetësimin se një regjistrim i tillë dhe obligimi që Policisë t’i ofrojnë informacione përkatëse, ndikon në jetën e tyre private dhe se kjo sipas tyre, paraqet shkelje të së drejtës në jetën private.

Pas shqyrtimit të rasteve nga GjEDNj-ja, në rastin e Francës kohëzgjatja e ruajtjes së të dhënave – nga 20 deri në 30 vjet, në varësi të peshës së veprave penale – sipas kësaj Gjykate, është konsideruar se nuk është në disproporcion me qëllimin e ndjekur dhe parandalimin e krimeve seksuale.

GjEDNj ka gjykuar se të dënuarve duhet që tu krijohet mundësia që të parashtrojnë kërkesën për fshirjen e të dhënave, kur konsiderohet se të dhëna të tilla nuk janë më të nevojshme për qëllimin e ndjekur. Ndërsa, sa i përket regjistrit, GjEDNj ka gjykuar se konsultimi me bazën e të dhënave është i kufizuar dhe u lejohet vetëm disa agjencive që i nënshtrohen një detyrimi të rreptë konfidencialiteti.

Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë parasysh peshën e dëmit që mund t’u shkaktohet viktimave të dhunës seksuale dhe faktin që shtetet kanë për detyrë të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur individët nga forma të tilla të rënda dhune, kërkesa për të ofruar informacion nuk mund të konsiderohet jo proporcionale me synimet e ndjekura.

Pra, në rastet e mësipërme GjEDNj nuk ka gjetur shkelje të së drejtës së privatësisë megjithatë në rastet e shqyrtuara është vënë në pah se të dhëna të tilla duhet që të përdorën në proporcion me qëllimin e ndjekur.

Aktualisht në vendin tonë çështja e publikimit të aktgjykimeve është e pacaktuar me Ligjin për Gjykatat, ku në bazë të këtij ligji, Gjykatat janë të obliguara që në afat prej 60 ditëve që nga nxjerrja e aktgjykimit, aktgjykimin ta bëjnë publik në ëeb faqen zyrtare.

Bazuar në këtë ligj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë edhe një Udhëzimin Administrativ për Publikimin e Aktgjykimeve të Përpunuara dhe Manualin për Publikimin dhe Përpunimin e Aktgjykimeve. Në bazë të këtij udhëzimi aktualisht në vendin tonë është e paraparë që me rastin e publikimit të aktgjykimeve pjesa e të dhënave personale të palëve të anonimizohet në mënyrë që të mos mund të bëhet identifikimi i personave të dënuar me qëllim të ruajtjes së të dhënave personale.

Lidhur me nismën për ndryshimet ligjore të cilat do të mundësojnë publikimin e plotë të emrave të personave të dënuar për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual e dhunës në familje, në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë kanë thënë se një nisme e tillë është parë si e nevojshme dhe e domosdoshme për adresimin e fenomeneve të tilla me përmasa dhe pasoja shqetësuese.

Në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se edhe me ligjin aktual më saktësisht Kodin Penal të Kosovës aktualisht është e rregulluar çështja e publikimit të aktgjykimeve.

“Sipas Projektligjit për ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal është parapare se gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit për personin që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual si dhe dhunës në familje si dhe po ashtu është paraparë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbanë dhe publikon regjistrin e këtyre personave, i cili është i qasshëm për publikun, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas Nazlie Bala, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, publikimi i emrave të personave të dënuar për veprat penale të cilat janë në interes publik, veçse është i përcaktuar edhe me legjislacionin aktual.

“Ky përshkrim ligjor konsiderojmë që është në linjë me atë që parasheh neni 66 paragrafi 1 i Kodit aktual sipas të cilit ndër të tjera përcaktohet se: Gjykata mund të urdhërojë publikimin e aktgjykimit kur çmon se publikimi është në interes të përgjithshëm, të të dëmtuarit ose të personave të tjerë”, ka deklaruar për KALLXO.com, këshilltarja Nazlie Bala.

Bala ka shtuar se meqë kjo çështje është në interes të përgjithshëm një gjë e tillë besohet se do të ndikoj pozitivisht në parandalimin e kryerjes së veprave të tillë, për çka ka thënë se do të vihet në pah realizimi i qëllimit të dënimit, gjë e cila është vënë në dyshim nga disa njohës të çështjes.

“Një publikim të tillë e konsiderojmë që është në funksion të interesit të përgjithshëm, kurse realizimin e të njëjtit në praktike do ta bëjë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e duke qenë në funksion të interesit të përgjithshëm e konsiderojmë se njëkohësisht ndikon pozitivisht edhe në drejtim të parandalimit të kryerjes së veprave të tilla dhe rrjedhimisht edhe në funksion të realizimit të qëllimit të dënimit”, ka deklaruar Bala.