Ilustrim

Diskriminimi i klientit vetëm pse është nga komunitetet pakicë, dënimet që i parasheh ligji

Në një lokal në Gjakovë po dyshohet se është refuzuar t’u shërbehet qytetarëve të komuniteteve.

Rasti në fjalë ka marrë vëmendje nga mediat dhe ka nxitur reagime të shumta.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili e ka cilësuar si të turpshme refuzimin për t`u shërbyer pjesëtarëve te komuniteteve dhe të bëhet diferencimi në këtë aspekt.

Në Kosovë çështja e diskriminimit është e rregulluar më ligj të veçantë, e që është ligji për mbrojtje nga diskriminimi.

Parimi i trajtimit të barabartë gjen shprehje në këtë situatë pasi nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi sipas kuptimit të cilëdo nga bazat e përcaktuara me këtë ligj përfshirë këtu edhe bazën e kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet.

Ky ligj gjen zbatim për të gjitha veprimet apo mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe lokale, të personave fizik dhe juridik, të sektorit publik dhe privat të cilët përfshihen në shkelje të drejtave të çdo personi në të gjitha fushat.

E se ky ligj gjen zbatim edhe në rastin që dyshohet se ka ndodhur në Gjakovë, tregon një pikë e ligjit që parasheh se ‘ndalohet diskriminimi në qasje dhe furnizim në të mira materiale dhe shërbime që janë në dispozicion për publikun’.

Situata që dyshohet të ketë ndodhur në Gjakovë ngërthen edhe pika të tjera të ligjit.

Kjo pasi, ligji në fjalë parasheh që ‘ndalohet diskriminimi edhe për qasje në vende publike dhe çfarëdo të drejte që parasheh legjislacioni i shtetit të Kosovës’.

Ligji lë të kuptohet se ndalohet diskriminimi në kuptimin kur një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa personat e tjerë në një situatë të krahasueshme.

“Diskriminimi i drejtpërdrejt konsiderohet kur një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa trajtohet, ka qenë i trajtuar ose do të trajtohet një person tjetër në një situatë të krahasueshme, sipas një apo më shumë nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji”, thuhet në njërën prej neneve të këtij ligji.

Diskriminimi në kuadër të këtij ligji parasheh edhe rastet kur një dispozitë, kriter apo praktikë e paanshme në dukje e vë, e ka vënë apo do ta vë personin në pozitë të pabarabartë krahasuar me të tjerët, sipas një apo më shumë nga bazat e përcaktuara nga ky Ligj.

“Nxitja për të diskriminuar konsiderohet diskriminim mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji, dhe përfshin çdo promovim të urrejtjes kur ajo bëhet me dashje”, thuhet tutje në këtë ligj.

Personat që konsiderojnë që janë vënë në një situatë diskriminuese kanë të drejtë që për këtë të ju drejtohen edhe organeve kompetente.

Procedurat gjyqësore në rastet e diskriminimit duhet të trajtohen me urgjencë.

Personi i dëmtuar në një situatë diskriminuese mund të paraqes ankesë pranë avokatit të popullit e që ankesa pranë avokatit të popullit nuk është kusht për të paraqitur padi pranë gjykatës, ose t`i drejtohet organeve të ndjekjes.

Ligji ka lënë mundësinë që shoqatat, organizatat apo subjektet tjerë juridik mund të iniciojnë apo përkrahin ankesat në emër të parashtruesit, me marrjen e pëlqimit të tyre, për zhvillimin e procedurave tek Avokati i Popullit.

Në anën tjetër ligji kundër diskriminimit parasheh që çdo person ose grup i personave që ankohen se kanë qenë të diskriminuar mbi ndonjë bazë që e parasheh ligji mund t’i drejtohen gjykatës me padi.

Kjo padi mund të paraqitet jo më vonë se 5 vjet nga dita që i dëmtuari merr dijeni për këtë shkelje.

Gjykata në këtë rast nëse vërteton se i padituri ka kryer veprim diskriminues mund të  t’i ndalojë të paditurit kryerjen e veprimeve diskriminuese të cilat shkelin ose mund të shkelin të drejtën e paditësit, apo ta detyrojë të paditurin që t’i eleminojë të gjitha veprimet diskriminuese ndaj paditësit.

Ligji lënë mundësinë që personi i dëmtuar në një situatë diskriminuese të kërkoj nga gjykata edhe kompensimin e dëmit, ku gjykata duke vepruar sipas padisë mund kompensojë dëmin material ose jomaterial të shkaktuara nga shkelja e të drejtave të mbrojtura me këtë Ligj.

Dëmshpërblimi përfshin, ndër të tjera, ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe të pasojave të tyre, përmes kthimit në gjendjen e mëparshme, kompensimin e duhur për dëmet materiale si dhe jomateriale, ose përmes masave të tjera të përshtatshme.

Për rastin ku dyshohet se pjesëtarëve të komuniteteve në Gjakovë nuk iu është ofruar shërbimi, ky ligj parasheh që atyre mund të i shqiptohet gjobë deri në 1350 euro.

“Gjobë në shumë prej njëmijë e pesëdhjetë (1050) deri në njëmijë e treqind e pesëdhjetë (1350) euro, i shqiptohet për kundërvajtje personit juridik, i cili gjatë kryerjes së veprimtarisë së vet kryen, fton ose nxit në diskriminim dhe ndihmon në veprimtarinë diskriminuese, sipas bazave të përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji”, thuhet të dispozitat kundervajtëse.

Shikuar në aspektin penal një veprim i tillë do të përbente veprën penale nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit nëse plotësohen disa elemente.

 “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”, thuhet në Kodin penal për vepren penale.

Sipas këtij neni, këtë vepër penale mund ta kryejë kushdo, çdo qytetar që është i ulur në një lokal dhe në rast të hyrjes së një personi që i takon një komuniteti tjetër duke shprehur urrejtje, përçarje dhe mos durim të personit të komunitetit tjetër.

Kjo formë e veprës penale kryhet vetëm me dashje në dy mënyra, duke nxitur ose përhap  publikisht urrejtje ndaj një komunitetit tjetër,

Shprehja nxit si formë e kryerjes së kësaj vepre penale ka kuptimin e krijimit ose shkaktimit të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit.

Ndërsa shprehja përhapje presupozon që njëra nga këto ndjenja ka ekzistuar si gjendje latente apo si gjendje e intensitetit më të vogël, por që me veprime të këtilla (nxitjes ose përhapjes) urrejtja, përçarja apo mostoleranca zhvillohet, sforcohet ose thellohet.

Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, thuhet tutje në paragrafin e radhës.

Sipas këtij paragrafi këtë vepër penale mund ta kryeje personi juridik (lokali) dhe personi fizik (personi i autorizuar) e që në rastin e dyshuar në Gjakovë është kamarieri në bazë të autorizimeve të tij që janë për shërbimin e klientëve.

Në rastin konkret kamarieri si person i autorizuar këtë vepër penale e kryen nëse në mënyrë sistematike pra më shumë se 2-3 herë ndaj të njëjtit person ka refuzuar të ofrojë shërbimin duke ushtruar dhunë, largim me forcë e që kanë pasoja për personin që i takon komunitetit tjetër.

Personi i punësuar në lokalin ku ofrohen shërbime gastronimike i cili është i obliguar të shërbejë klientët në mënyrë sistematike do të refuzojë shërbimin ndaj  perosnave të ndonjë komuniteti tjetër duke i përqeshur simbolet e tyre, prejardhjen e tyre etnike, racore, fetare e gjinore do të dënohet me burgim prej 1 deri në pesë vjet.

Në kuptim të këtij neni para përgjegjësisë penale do të duhet të vihej edhe lokali si person juridik në të cilën është kryer vepra penale nga personi i autorizuar në këtë rast kamarieri.

Mos ofrimi i shërbimeve në raste të tilla bëhet për shkak të mos durimit të komunitetit tjetër në lokalin e caktuar e cila shprehet në gjendjen e refuzimit të ofrimit shërbimeve.

Pasojë e kësaj vepre penale është është shkaktimi, përhapja ose thellimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit midis pjesëtarëve të kombit shqiptarë dhe pjesëtarëve të pakicave kombëtare dhe grupeve etnike të cilët jetojnë në Kosovë.

Ky artikull nuk e paragjykon rastin, deri në vërtetimin e të njëjtit.